Prokuroria e decentralizuar, ndryshimi thelbësor i Reformës në Drejtësi
Nga Gjergj Erebara, botuar në Reporter.al, 20 janar 2016
Në kushtetutën e vitit 1976, prokurori i përgjithshëm dhe zëvendësit e tij emëroheshin nga Kuvendi Popullor (Parlamenti) ndërsa prokurorët emëroheshin nga Presidiumi i Kuvendit Popullor (pararendësi i institucionit të Presidentit të sotëm). Prokuroria ishte një institucion thellësisht i centralizuar, i kontrolluar drejtpërsëdrejti nga Presidiumi.
Në kushtetutën e vitit 1998, i njëjti parim u ruajt. Prokuroria mbeti një institucion i centralizuar, ku Prokurori i Përgjithshëm ka fuqi të gjera mbi të gjitha proceset hetimore. Ai zgjidhet nga Presidenti me “pëlqimin e Kuvendit”. Prokurorët emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.
Përgjatë kësaj kohe që nga kushtetuta e vitit 1998, Shqipëria ka pasur katër kryeprokurorë të përgjithshëm dhe asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion. Prokurorët e përgjithshëm kanë qenë në vijimësi pre e presioneve të vazhdueshme nga politika, presione që shumë shpesh kanë qenë të hapura dhe që kanë sjellë deri tani shkarkimin e tyre. Dy nga katër kryeprokurorët e zgjedhur pas aprovimit të kushtetutës së vitit 1998, Arben Rakipi dhe Theodhori Sollaku janë shkarkuar. Ish prokurorja e përgjithshme Ina Rama e mbylli mandatin mes presioneve të vazhdueshme, ndërkohë që prokurori i tanishëm Adriatik Llalla gjithashtu mund ta shkarkohet pasi të aprovohet paketa e re e ndryshimeve kushtetuese.
Varianti i parë i kushtetutës i miratuar në vitin 1998, i jepte Prokurorit të Përgjithshëm mbrojtje të gjerë, duke sanksionuar se ai mund të hiqej nga detyra vetëm për shkelje të kushtetutës apo shkelje të rënda të ligjit ndërsa mandati i tij qe pa afat. Marrëveshja politike e vitit 2008 që solli ndryshime kushtetuese të miratuara bashkarisht nga Berisha dhe Rama, përcaktuan që Prokurori i Përgjithshëm të ketë një mandat pesëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Sërish punësimi dhe shkarkimi i tij u la të bëhej nga presidenti i republikës me mirëkuptimin e parlamentit. Në atë kohë, u ngrit edhe pyetja se cili është institucioni që duhet të hetojë apo arrestojë një kryeprokuror në rast se ai shkel ligjin. Teorikisht, një prokuror më i ulët mundet ta arrestojë kryeprokurorin por praktikisht, prokuroria është institucion i centralizuar dhe kryeprokurori ka të drejtë të ndërhyjë në dosjet hetimore sipas dëshirës.
Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga grupi i ekspertëve të reformës në drejtësi aktualisht synojnë të zgjidhin problemin e varësisë politike duke ndryshuar nenin 148 të kushtetutës. Sipas propozimit, prokuroria nuk është më një institucion i centralizuar dhe prokurorët kanë “pavarësi të brendshme për hetimin dhe ndjekjen penale”. Përveç kësaj, propozimet parashikojnë ndërtimin e prokurorive të posaçme për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për akuzat penale kundër zyrtarëve të lartë. Sipas ndryshimeve kushtetuese, këto prokurori të posaçme do të jenë “të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm”.
Ndryshe nga sistemi aktual, ku prokurori i përgjithshëm emëron dhe shkarkon prokurorët e tjerë, propozimi ngarkon një institucion të ri, të quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni përgjegjës për emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve.
Prokurori i Përgjithshëm do të zgjidhet nga parlamenti me tre të pestat, por parlamentit i duhet të zgjedhë mes tre kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Mandati i kryeprokurorit shtohet në shtatë vjet nga pesë që është aktualisht ndërsa roli i tij zvogëlohet. Neni 149/a i propozimit ia heq kryeprokurorit të drejtën që të ndërhyjë apo kontrollojë prokurorët e prokurorisë së posaçme.
Aludohet se decentralizimi i prokurorisë përmes rritjes së fuqisë së prokurorëve dhe uljes së fuqisë së kryeprokurorit, do të sjellë në tërësi ulje të varësisë që ekziston aktualisht nga politika te kryeprokurori dhe nga kryeprokurori te prokurorët. Aludohet që ulja e ndikimit politik do të sjellë edhe rritje të ndëshkueshmërisë nga ana e prokurorëve të zyrtarëve të lartë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Institucioni që do të duhet të zëvendësojë Presidentin e Republikës dhe kryeprokurorin si personat që punësojnë dhe shkarkojnë prokurorët nga puna do të jetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sipas propozimeve, ky këshill do të ketë 11 anëtarë, gjashtë nga të cilët do të zgjidhen nga radhët e prokurorëve ndërsa pesë do të zgjidhen nga parlamenti si anëtarë joprokurorë. Këta anëtarë do të duhet të furnizohen nga radhët e noterëve, pedagogëve të drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës dhe shoqëria civile. Edhe këtu, parlamenti mund të zgjedhë, por vetëm nga lista e kandidatëve që është parapërgatitur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët e këtij këshilli mbajnë përgjegjësi përballë Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë.
Këshilli i Emërimeve
Institucioni që do të shërbejë si paradhomë për emërimet në sistemin e drejtësisë nga ana e parlamentit do të quhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Propozimi i ekspertëve në formën e nenit 149/ç të Kushtetutës thotë se ku këshill do të “përbëhet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës së Lartë Administrative, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, gjyqtari më i vjetër në detyrë i Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtari më i vjetër në detyrë i Gjykatës së Lartë”. Siç dallohet, institucioni që do të propozojë kandidatët për postet më të larta të drejtësisë, do të përbëhet në masë të gjerë nga vetë zyrtarë të drejtësisë ndërsa parlamenti dhe presidenti do të duhet të zgjedhin mes kandidaturave të propozura nga drejtësia.
Tribunali
Tribunali Disiplinor i Drejtësisë do të jetë institucioni që do të përndjekë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Si institucioni që do të gjykojë mbi punën e praktikisht pjesës më të lartë të sistemit të drejtësisë, ai do të ketë një fuqi të konsiderueshme. Problemi është se ky institucion do të përbëhet nga njerëz që janë krerë të vetë institucioneve që duhet të gjykohen. Propozimi thotë se Tribunali Disiplinor i Drejtësisë do të përbëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, 2 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë sipas ligjit, Kryetari i Gjykatës së Lartë Administrative, 2 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë Administrative sipas ligjit dhe 1 prokuror të zgjedhur nga radhët e prokurorëve. Vendimet e tij do të jenë të ankimueshme në Gjykatën Kushtetuese.
Varësi nga brenda apo korporatizëm
Gjatë dekadës së fundit, sistemi i drejtësisë është kritikuar nga njëra anë për ndikim nga politika dhe nga ana tjetër, për krijimin e një sistemi të kapur nga brenda. Aludohet se institucionet aktuale që janë pjesërisht të krijuara nga vetë gjyqësori dhe pjesërisht nga politika, kanë dështuar të dënojnë anëtarët e sistemit të drejtësisë, qoftë për paaftësi, qoftë për korrupsion apo për abuzim me detyrën. Përgjatë viteve ka pasur raste kur gjykatësit janë dënuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndërsa vendimet e KDL janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Ose ka pasur shumë pak raste kur gjykatësit janë dënuar efektivisht. Në ato pak raste kur gjykatësit janë dënuar, ngjarjet e tyre kanë qenë të bujshme dhe publike, siç qe rasti i gjykatësit të Pukës që u dënua për korrupsion.
Propozimet për ndryshime kushtetuese duket se synojnë ta luftojnë korporatizmin apo një lloj solidariteti mes gjykatësve me vendosjen e standardeve më të larta të transparencës për procedurat e të gjithë sistemit të emërimit dhe shkarkimit si dhe me vendosjen e kushteve shumë të rrepta të deklarimit dhe kontrollit të pasurive të të gjithë pjesëtarëve të sistemit dhe anëtarëve të tyre. Por se sa do të mund të funksionojnë këto dy mekanizma, pra transparenca dhe kontrolli i pasurive, kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen.