Mbi ndryshimin e Kushtetutës
Nga Florjan Kalaja, botuar në Mapo, 14 janar 2016
Në ditët e pragfestave të Dhjetorit 2015, kryelajmi për opinionin publik ishte drafti i ndërmjetëm dhe paraprak këshillimor i Komisionit të Venecias mbi projekt-amendamentet kushtetuese të reformës në sistemin e drejtësisë. E gjithë vëmendja iu kushtua 30 faqeve të këtij materiali. Ndërkohë të gjithë aktorët e angazhuar teknikë dhe politikë nisën të mbanin shënime dhe të reflektonin vërejtjet e konstatuara nga ky institucion evropian. Opinioni erdhi dhe shumë pritshmëri u zgjidhën.
Pavarësisht se fati i Kushtetutës në fuqi duket të jetë ndryshimi dhe ndryshimi është i pashmangshëm, vlerësoj se Kushtetuta e vitit 1998 paraqet një kushtetutë moderne dhe të mjaftueshme për ndërtimin e një Republike të re shqiptare dhe të denjë për standardin e shtetit të së drejtës. Megjithatë zbatimi i saj ka lënë vazhdimisht ndër vite për të dëshiruar. Pikërisht për të ndrequr çka ka shkuar keq, vëmendja e legjislatorit dhe e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces është adresuar në nevojën për ta ndryshuar Kushtetutën në gati gjysmën e saj, e kryesisht në bazën normative të përqendruar në sistemin e drejtësisë.
Vlerësoj se reforma në drejtësi, ashtu sikurse të gjitha reformat në përgjithësi, nuk mbarojnë kurrë dhe janë një proces i natyrshëm shtetëror dhe shoqëror. Në këtë nismë kushtetuese, që gati formëson një Republikë të re dhe një kushtetutë të re, konstatoj se një konkluzion i tillë nuk mbahet parasysh. Ndoshta fajin e ka paaftësia dhe mungesa e ndërgjegjësimit të vetë organeve ekzistuese të drejtësisë për rolin e tyre në shtet dhe akoma më shumë për rolin e tyre në shtetin e së drejtës. Në këtë kuptim vlerësoj se ndryshimet e ligjit apo akoma më shumë edhe ndryshimet kushtetuese nuk duhet të shikohen si qëllim në vetvete por si mjet i fundit, i cili individualizohet si i përdorshëm vetëm atëherë kur institucionet kushtetuese janë të paafta të përmirësohen dhe të funksionojnë. Ndoshta ky është rasti i Republikës sonë, fatkeqësisht.
Mendoj se nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte qenë një institucion aktiv dhe modern, që nga formësimi i saj, e akoma më shumë që pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vitit 1998, atëherë shumë nga ndryshimet kushtetuese nuk do të ishin bërë dhe Kushtetuta do të kishte ruajtur qëndrueshmërinë e munguar të saj. E drejta e ankimit, vendimi gjyqësor i formës së prerë, koha e plotë e anëtarëve të organeve qeverisëse të gjyqësorit, roli eksesiv i ministrit të Drejtësisë, kontrolli substancial i rekursit individual kushtetues, çgjyqësorizimi i prokurorisë dhe shumë dispozita të tjera nuk do t’i prekeshin Kushtetutës së vitit 1998, nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte reformuar sistemin e drejtësisë në kuptimin e gjerë ndër vite. Kështu duket se Gjykata Kushtetuese nga viti 1998 e deri më sot e ka humbur sfidën në nevojën për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe në konstitucionalizimin e shtetit të së drejtës sakaq, ndaj justifikohet legjislatori kur e kthen vëmendjen nga ndryshimi i Kushtetutës.
Mendoj se edhe pushteti gjyqësor nuk ka qenë i ndërgjegjshëm në potencialin e tij dhe rëndësinë kushtetuese që ka patur nga Kushtetuta e vitit 1998, ndaj nevoja për ndryshime kushtetuese dhe ligjore ka ardhur nga dështimi i pushtetit gjyqësor për të reformuar sistemin e drejtësisë. Vlerësoj se, nëse trupa gjyqësore e Republikës do të kishte qenë vigjilente, diligjente dhe skrupuloze në kontrollin kushtetues të ligjeve, më shumë se katërqind sy gjyqtarësh profesionistë do të kishin reformuar nga brenda sistemin e drejtësisë dhe sot nuk do të ishte ndryshuar Kushtetuta në një pjesë të mirë të saj dhe akoma më shumë ligjet procedurale, materiale dhe organike.
Pjesa tjetër e fajit dhe më kontributorja për zhvlerësimin e Kushtetutës së vitit 1998 mbetet te mënyra se si gjyqtarët dhe prokurorët kanë zbatuar ligjin, kanë bërë kompromis me të dhe në përpjesëtim të zhdrejtë kanë neglizhuar Kushtetutën. Përballë këtij dështimi të madh vlerësoj se nuk do të mundet të bënte ballë as Kushtetuta e vitit 1998, as Kushtetuta pothuajse e re e ardhshme dhe pesimist mbetem edhe për kushtetutën më ideale dhe më të mirë që shtetet e së drejtës kanë njohur apo do mundet të njohin.
Ndaj mendoj se, më shumë sesa përsosja e institucioneve dhe skemave institucionale, detyrë dhe sfidë e shtetit të së drejtës është krijimi i profesionistëve të ndershëm dhe të pakapshëm, që do të ulen në ofiqet e drejtësisë. Kjo është reforma e reformave në drejtësi dhe sfida e sfidave në Republikën tonë përballë shtetit të së drejtës. Nëse kjo nuk arrihet mbas disa vitesh do të ketë ndryshime të tjera kushtetuese mbi ndryshimet që po bëhen dhe pas disa të tjerash do ketë edhe më të tjera. Ndaj që reforma e nisur të mos dështojë duhet që vëmendja të kthehet nga njerëzit e drejtësisë më shumë se sa nga sistemi i drejtësisë. Ashtu sikur nuk duhet të harrohet se institucionet nuk janë vetëfunksionale porse njerëzit ofiqarë i vënë në lëvizje ato.
Mendoj se ndryshimi i Kushtetutës nuk duhet të vlerësohet si qëllim në vetvete nga procesi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe se kjo qasje është për t’u mos harruar gjatë gjithë këtij procesi. Kjo filozofi modus operandi do të arrijë të ruajë legjislatorin për të mos ndryshuar pjesë të Kushtetutës që nuk kanë nevojë të ndryshohen, por që ndryshimet të adresojnë zgjidhje vetëm tek keqrregullimet apo rregullimet e pamjaftueshme.
Mendoj se ligjvënësi Shqiptar duhet të ndërgjegjësohet se çështja e projekt-amendamenteve kushtetuese në të vërtetë dhe në fund të ditës vë në lëvizje ndryshimet e Kushtetutës. Duhet të kuptohet se qasja që duhet të ndjekë filozofinë normëformuese në ndryshimet kushtetuese duhet të jetë hartimi i tyre në një mënyrë që të garantojë qëndrueshmërinë e saj dhe jo të kundërtën. Në këtë mënyrë normat kushtetuese do të duhet të jenë abstrakte dhe të përgjithshme, për t’u konsideruar sakaq Kushtetutë dhe jo ligj i thjeshtë, i cili mundet të ndryshohet sa herë nevoja ta diktojë ndryshimin. Kjo mënyrë e hartimit të Kushtetutës do të krijojë efektet e paqëndrueshmërisë së saj, duke u sjellë në fakt me të sikur të ishte një ligj vartës i Kushtetutës dhe jo vetë Kushtetuta. Sigurisht që kjo nuk është një qasje e mirëpritur e legjislatorit dhe si e tillë ka vend për të bërë prapa dhe për të reflektuar.
Mendoj se Republika e Shqipërisë nuk duhet të shndërrohet në shtetin më të lehtë të Evropës, që cedon sovranitetin e saj në kushtet e mungesës së reciprocitetit. Për këtë arsye nuk duhet të kërkojmë të bëjmë fakt të kryer anëtarësimin dhe të nxitojmë të shpallim anëtarësimin e njëanshëm në Bashkimin Evropian me Kushtetutë, duke bërë të detyrueshëm një rend juridik që nuk na takon. Në të njëjtën kohë vlerësoj se, neni 5, 116/b, 122 dhe 123 të Kushtetutës së vitit 1998 garantojnë përditësimin e zotimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, ashtu sikurse janë konceptuar, që në gjenezën e tyre, për anëtarësimin në çdo organizatë ndërkombëtare, deri edhe në anëtarësimin si shtet federativ në konfederatën apo federatën e Evropës, nëse ëndrra më e lartë e Evropës së bashkuar një ditë do të bëhet realitet.
Vlerësoj se ndryshimet kushtetuese, që regjojnë marrëdhëniet e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, janë të panevojshme dhe të nxituara, aq sa krijojnë idenë utopike dhe qesharake të shpalljes së njëanshme të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Serioze do të ishte që rregullimet e vitit 1998 të Kushtetutës të mos ndryshohen, por të zbatohen.
Drafti përfundimtar i projekt-amendamenteve kushtetuese duhet të jetë shumë i kujdesshëm në ndërhyrjet në Kushtetutë, për të mos krijuar përplasje ndërmjet normave kushtetuese të pandryshuara dhe prurjet e reja në Kushtetutë. Ndryshimet kushtetuese do të duhet të sigurojnë harmoninë konceptuale dhe funksionale me normat ekzistuese dhe të pandryshuara. Vetëm në këtë mënyrë Kushtetuta e re do të ketë koherencë dhe mbi të gjitha kuptim.
Pavarësisht kritikave, që drafti i ndryshimeve kushtetuese pësoi, qoftë nga jashtë apo nga brenda sistemit të drejtësisë, u duk se të gjithë mbajtëm frymën për të pritur ankthshëm opinionin këshillimor që do të jepte Komisioni i Venecias në ditët festive të Dhjetorit 2015. Sigurisht që pritja dhe maturia është e domosdoshme dhe e nevojshme në të tilla ndërmarrje shtetformuese, sikurse është ndryshimi i Kushtetutës. Një qasje e tillë i jep qëndrueshmëri ligjit themeltar të shtetit dhe siguri përmbajtjes së ndryshimeve kushtetuese, aq më tepër kur ato projektohen si të përjetshme dhe ne, në kohët e sotme, i japim të drejtën vetes që të ndërtojmë shtetin edhe për brezat tanë të ardhshëm.
Por nuk duhet të harrohet se gjithë këtë përgjegjësi e kemi ne dhe jo popuj dhe shtete të tjerë apo akoma më shumë shtetar dhe ekspertë të tjerë të huaj. Dilemat sociale të një vendimmarrjeje të tillë krijojnë pikëpyetje mbi legjitimitetin e së drejtës së shqiptarëve të sotëm për të vendosur për shqiptarët e ardhshëm dhe jo më për të drejtën e shteteve të huaja apo personave shtetar apo ekspertë të huaj për të vendosur konturimin e shtetit Shqiptar, për shqiptarët e sotëm dhe shqiptarët e ardhshëm.
Në të vërtetë edhe opinionet këshillimore të Komisionit të Venecias, të cilat erdhën si dhuratë në prag të festave të fundvitit 2015, që kanë një vlerë thelbësore në të drejtën kushtetuese evropiane, nxorën dhe riafirmuan disa të vërteta të thjeshta dhe normale të trashëgimisë së përbashkët evropiane të shtetit të së drejtës, të cilat ishin thënë edhe nga faktorë të brendshëm gjatë kohës që të gjithë mbajtën frymën në pritje për t’i dëgjuar ato. Pikërisht në këto momente iu dha të drejtë dhe vlerë me fuqi prapavepruese nga opinioni publik edhe zërave kritik të brendshëm.
Në këtë moment u duk se u rizbulua në mënyrë të përsëritur një e vërtetë, konkretisht se ne kemi një marrëdhënie të vështirë me të vërtetat, që artikulohen nga zëra të brendshëm, dhe ato mbeten pezull derisa të konfirmohet nga zëra të jashtëm. Megjithatë e vërteta tjetër, sërish e rizbuluar, ishte më shpresëdhënëse, konkretisht se Shqipëria e shqiptarët kanë aftësi të formësojnë shtetin e tyre të së drejtës, mjafton t’i besojnë njëjti-tjetrit. Dhe në këtë pikë do të duhet të punojmë për t’u paqtuar dhe dakordësuar pikërisht në një nga ndërmarrjet më të rëndësishme shtetformuese.
Sigurisht që vlerësimet e kujtdo kontributori të brendshëm dhe të huaj janë të domosdoshme për një proces dhe ndërmarrje të tillë shtetformuese, por në fund të ditës duhet të jemi të ndërgjegjshëm se po formësojmë dhe ndërtojmë shtetin Shqiptar. Në këtë kuptim do të duhet, që çdo kontributori të jashtëm, t’i njihet merita konsultative dhe jo konstitutive dhe që procesi konstituent, nën kushtet e përgjegjësisë për të ardhmen e shqiptarëve të sotëm dhe të ardhshëm, sikurse preambula e Kushtetutës parashikon, të përcaktohet nga ne. Kjo gjë nuk është as më pak dhe as më shumë se e drejta universale dhe e patjetërsueshme e çdo populli për vetëvendosje dhe e drejta e tij për të mos e falur këtë të drejtë apo për të mos falur Kushtetutën.