Shteti dhe individi ynë shoqëror

Nga Ndriçim Kulla, botuar në Mapo, 12 janar 2016

ndricim-kulla-135x150Kulla shkruan për individët e paditur, arrogantë dhe meskinë që gjenden në çdo fushë të jetës së vendit dhe që janë kthyer në përkufizim të mënyrës se si qeveriset. Ai flet për nevojën që njerëzit e mendimit të dëgjohen.

Tipi i njeriut, që ka të zhvilluara “instinktet e ambicies të tepruar për pushtet, lavdi dhe pasuri, por sidomos instinktin e superioritetit dhe të imponimit kundrejt të tjerëve, tundet sot te ne nga çdo anë. Nuk çan kokë të mësojë atë që duhej të dinte dhe atë që do të mundej shumë bukur të mësonte. Megjithëkëtë, pa ditur se ç’do e se ç’bën, se ç’flet, ky njeri voton, bërtet, kërkon, urdhëron, sikur di gjoja se ç’bën. Në çdo degë që të zihet, duket një reklamaxhi dhe gjysmak. Kështu, nga ultësia e zhurmët e gjysmakërisë së tij, ose e çerek diturisë së tij, gjithë rrena dhe hile, një ditë me siguri që do rrëzohet befas kollaj, pa e ndjerë, në devocionin e tij verbëronjës, duke cenuar sigurisht dhe shoqërinë. E gjithë kjo vjen nga varfëria mendore dhe morale, si dhe nga mungesa e ndjenjës së vetëpërgjegjësisë dhe e një ndërgjegjeje kolektiviteti, që ka si pasojë “gjumin kriminal të fodullëkut dhe gjarprin dinak të vetëgënjimit . Nuk ka realisht jo vetëm shqetësime metafizike, po as edhe patriotike. I vetmi ideal i tij është të jetë protagonist, të vërë në dorë tituj, rroga e ceremonira gëzimi. Çdonjëri prej nesh zbret në tokën shqiptare drejt për së drejti nga qielli… Vetëm ne i dimë që të gjitha… Nuk duam të dëgjojmë… Buja nëpër ekrane televizionesh, gazeta e kudo po bëhet sot mjeshtëria më e madhe se çdo profesion. Shkencën dhe arsyen po e anashkalojmë. Për sisteme s’kemi fare nevojë.. Shkurt, kur egoizmi i ngushtë material po ngrihet ngadalë- ngadalë dhe po bëhet motiv kryesor i shoqërisë, atëherë ajo rrezikon të mos krijojë institucione të shëndosha dhe realisht përfaqësuese, prandaj liria, si vlerë shoqërore, do të mbetet përherë e kërcënuar. Ky është standardi i individit shoqëror që ne sot po vetëkrijojmë.

Por megjithatë mos kujtoni se kjo na karakterizon vetëm ne, dhe jo të tjerët. Problemi është se popujt europianë ditën të ngriheshin mbi këtë prirje të ngushta egoiste

Për të shpëtuar ndaj këtyre veseve, iluministët europianë ngrinin gjithmonë si detyrë parësore bashkërendimin e punës ndërmjet njerëzve të mendimit dhe atyre të politikës. Njerëzit e mendimit dhe të politikës duhet të bashkëpunojnë, për të realizuar formimin e shoqërive, thoshin ata. Ata kërkonin që njerëzit e politikës të bashkëpunonin, për të krijuar një jetë shoqërore. Në fakt, ne sot nuk kemi as ide të qarta iluministe për shoqërinë dhe as veprim iluminist, por kemi thashetheme kurtizanësh politikë që po pushtojnë rrjetet sociale, televizorët dhe gazetat, dhe jo politikë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në fakt, ne përballemi sot ende me një parim tjetër të shoqërisë demokratike, që lidhet me vlerësimin e politikanit. Përzgjedhjet e tyre nga vota e qytetarëve, të ndriçuar përmes debateve alternative ndërmjet kandidatëve mungojnë thelbësisht. Për fat të keq, deri më sot nuk kemi marrë, si kriter të vlerësimit të politikanit, efikasitetin dhe talentin e tij. Njeriu, që ende nuk është bërë qytetar, e harron këtë kriter dhe ngatërrohet në një arsyetim të tipit absurd. Dështimet justifikohen me paraardhësin dhe arsyetimi vazhdon me termat e djallit dhe të engjëllit. Ne mund të kishim ecur përpara, por na pengon djalli. Harrohet koncepti bazë i qeverisjes demokratike, ai i përgjegjësisë, e cila është përgjegjësi personale, dhe jo kolektive, siç po veprohet deri tani. Me konceptin e përgjegjësisë kolektive, pasiguria, padrejtësia dhe korrupsioni po shtohen, dhe demokracia, si sistem qeverisjeje, do jetë përherë e kompromentuar.

Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë, kur normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellësisht, dhe kur shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko-moral. Në këto periudha, kombet ndodhen përballë dilemash të shumta. Njerëzit janë në kërkim të simboleve njerëzore në krye të institucioneve që mund t’u besojnë . Por këto shpresa dhe kërkesa të njerëzve në Shqipëri po i gëlltit makinacioni i interesave të politikës .

Dhe pyetja që shtrojnë njerëzit sot është: Si të jetojmë në mënyrë dinjitoze? Çfarë rruge duhet ndjekur? Kur shteti ka shkelur angazhimet që ka marrë, atëherë kujt mund t’i zihet besë? Në qoftë se ligjet kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt duhet t’i drejtohemi, për të pasur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e sigurisë dhe të paqes sociale?

Vrasja, plaçkitja, gënjeshtra, mashtrimi janë shndërruar në merita, në kushtet e mungesës së jetës institucionale. Jeta institucionale zhvillon iniciativën, punën prodhuese, krijimtarinë dhe lirinë individuale. Jeta institucionale krijon kushtet dhe ndihmon zhvillimin e mendimit në fushën e shkencës, të arteve dhe të kulturës. Ndërsa sot klima e ankthit dhe e pasigurisë ua ka zënë frymën virtyteve morale, dhe po shtyp dhe shkatërron me mjete të ndryshme lirinë e mendimit. Konformizmi dhe përfitimi mbeten vlerat sunduese. Pasiguria, mungesa e perspektivës, inekzistenca e shtetit, manipulimi me termat e militantizmit dhe të meritokracisë, kanë krijuar një gjendje lodhjeje dhe indiferentizmi të përgjithshëm. Shteti, i cili ka monopolin e dhunës legjitime, për të zbatuar ligjin, është i tulatur. Askush nuk flet për vlerat morale. Politika dhe etja për pushtet ka pushtuar diskursin politik. Prandaj, ne ndeshemi me lulëzimin e dhunës dhe krimit, me dobësimin dhe çarjen e së drejtës dhe të moralit, me spekulimin, me gënjeshtrën, me përvetësimin e të mirave, me korrupsionin, me shpërthimin masiv të forcës brutale, me egërsinë dhe me rritjen e injorancës.

Sfida që shtrohet përpara nesh është se si të krijojmë kushtet për një jetë institucionale. Të gjitha partitë e premtojnë një gjë të tillë. Përfaqësuesit e shtetit madje na e thonë përditë se “duhet…”, thua se ata janë zgjedhur për të bërë thirrje, dhe jo për të vepruar. Qytetarët presin një veprim, që të bazohet mbi dy parime të rëndësishme: përgjegjësinë dhe drejtësinë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi