Kush dominon drejtësinë, dominon pushtetin
Nga Ilir Hashova, botuar në Shqip, 12 janar 2016
Në mitologjinë fetare, në mënyrë metaforike, është treguar dëshira dhe shpresa e njeriut për një të ardhme më të mirë. Duke filluar nga India e Lashtë, nga Persia dhe, duke vazhduar me judaizmin e duke përfunduar me krishterimin, ajo dëshirë dhe ajo shpresë është shprehur me pritjen e ardhjes së të dikujt apo Zotit në tokë, i cili do të mundë të keqen, do të vendosë drejtësinë dhe paqen dhe do të bëjë që të flenë të përqafuar ujku me qengjin. Nga ana tjetër, historia na tregon se ajo ditë nuk ka ardhur dhe nuk ka shpresë të vijë.
Ndoshta njeriu nuk i kupton disa zhvillime në shoqërinë që ka krijuar vetë dhe mendon se, nga diçka imagjinare, një ditë problemet e tij do të zgjidhen shpejt dhe të gjitha, dhe e pret me padurim atë ditë. Kështu, gjatë komunizmit, shqiptarët pritnim çdo ditë arritjen e socializmit e, mjerisht, sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë largohej socializmi; me ikjen e komunizmit, shqiptarët shpresonin se të gjitha të këqijat ikën së bashku me të, kur ia mbërrijnë të këqija të tjera që nuk i kishin menduar kurrë më parë; pas mbylljes së firmave huamarrëse, njerëzit pritnin të merrnin paratë e tyre, por duhej të kishin pak durim, sa të bëhej transparenca, dhe përfunduan duke mos marrë praktikisht asgjë. Sot reforma e drejtësisë në Shqipëri po shihet plot shpresë si shihej ardhja e Zotit në tokë në mitologjinë fetare, për të zgjidhur të gjitha problemet dhe për të vënë drejtësi.
Kjo reformë, që pritet të kryhet së shpejti, i ka ndarë njerëzit në dy ose në tre grupe. Në njërin grup futen ata që përkrahin me të gjithë forcën çdo gjë që bën PS-ja, pra edhe reformën në drejtësi. Ata presin që pas asaj reforme çdo gjë të rregullohet, duke përfshirë edhe burgosjen e të këqijve, të zullumqarëve, të hileqarëve, të korruptuarve, e plot gjëra të tjera që mund të bëheshin edhe pa reformën, sepse nuk ka pasur ndonjë ligj që të pengonte shtetin dhe drejtësinë të vepronin kundër tyre. Në grupin e dytë futen ata që kundërshtojnë tradicionalisht çdo gjë që bën PS-ja, edhe kur ajo qëllon të bëjë diçka të mirë. Në grupin e tretë janë vetë punonjësit e drejtësisë që e kundërshtojnë reformën, sepse mendojnë se me miratimin dhe zbatimin e saj, ata jo vetëm do të privohen nga shumë privilegje dhe përfitime që kanë sot, por mund të përfundojnë edhe nëpër burgje.
Gati të gjithë ata që mbanin qëndrim ndaj reformës, që ose e mbështesnin ose e kundërshtonin, nuk ma merr mendja se e pranonin ose e kundërshtonin, sepse dinin vërtet se çfarë përmbante ajo dhe se ç’do të bënte ajo. Diçka morën vesh kur “Komisioni i Venecias” bëri disa vërejtje për të. Madje, as të huajt, duke përfshirë edhe ambasadorin amerikan, Lu, dhe atë të BE-së, Vlahutin, që e mbështesnin me zjarr atë reformë, me sa duket, nuk dinin ndonjë gjë të madhe për të, përndryshe do të kishin bërë ndonjë vërejtje a sugjerim, para se projekti i reformës të shkonte te “Komisioni i Venecias”. Të huajt mendojnë se kur diçka reklamohet si e mirë nga qeveria jonë, aq më tepër kur ka të bëjë me drejtësinë, që është nga elementët kyçë të mbarëvajtjes të shtetit dhe shoqërisë, është vërtet e mirë dhe duhet mbështetur. Qëndrimi i tyre i pakushtëzuar pro reformës lidhet edhe me mosnjohjen sa duhet të karakterit tonë dhe të zhvillimeve që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë një kohe të gjatë.
Me sa kam kuptuar, reforma nuk ka të bëjë shumë me bërjen e drejtësisë të pavarur ose të drejtë në ndihmë të qytetarit të thjeshtë e të ndershëm, ajo ka të bëjë më shumë me personin apo institucionin që do të ketë nën hyqëm drejtësinë, pasi ai që dominon drejtësinë, dominon pushtetin dhe te ne pushteti është gjithçka dhe, ky pushtet, për të qëndruar në këmbë, duhet të ketë të vetën drejtësinë.
Nuk kam ndonjë shpresë se reforma në drejtësi do të zgjidhë ndonjë gjë të madhe, por jo për arsyet e atyre që e kundërshtojnë reformën si kundërshtarë të PS-së. Arsyeja e parë e imja për të qenë skeptik është se nga përvoja e këtyre 25 vjetëve pas komunizmit, kam parë se, edhe kur është hartuar në të rrallë ndonjë ligj i mirë, me kohë ai ligj është bastarduar, apo është anashkaluar, duke i gjetur qindra mënyra për të mos e zbatuar, madje edhe duke e tjetërsuar. Nga ana tjetër, le ta zëmë se këtë reformë po hartojnë mirë njerëz të ndershëm e të zotë që u qan zemra për drejtësi, por cilët do ta zbatojnë? A nuk do ta zbatojnë atë punonjësit e drejtësisë, pikërisht ata që sot përfliten më shumë se të gjithë të tjerët për thyerje të çdo norme të drejtësisë?
Arsyeja e dytë e imja se përse reforma nuk do të kryejë ndonjë gjë të madhe është se ajo nuk mund t’u ndalojë politikanëve të lartë të mos ndërhynë në çështje të drejtësisë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, pasi parimi për ta është: “Atë që nuk ma ndalon ligji, kam të drejtë ta bëj”. Ata nuk kanë një ligj të tyre të brendshëm, një ligj të ndërgjegjes, i cili t’i ndalojë të bëjnë edhe atë të keqe që nuk ua ndalon ligji. Kështu, për shembull, Edi Ramën, Kryeministrin e vendit, nuk e pengon asgjë që të ndërhyjë tërthorazi e të thotë për një kriminel (birin e një deputeteje të partisë së tij) që ka vrarë katër persona njëherësh, se ka për të bërë burg të gjatë para se të kthehet në shtëpi, duke i sugjeruar drejtësisë edhe masën e dënimit për të. Dhe drejtësia e dëgjon dhe, gjen një marifet, për të mos i dhënë këtij vrasësi masiv dënimin që meriton. Presidenti Nishani bën ballo presidenciale në vitin 2014, dhe, ndër të tjerët, fton në të edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin, ndërkohë që ai është nën hetim nga drejtësia për vjedhje në Bankën e Shqipërisë. Dhjetë muaj më pas, pasi gjykata e ka marrë mesazhin e Presidentit, e deklaron të pafajshëm Ardian Fullanin!
Dhe një arsye tjetër se përse nuk kam besim se reforma do të kryejë ato që shpresojnë njerëzit është se, në përgjithësi, kur përgatitet të kryhet diçka e një rëndësie të madhe dhe kur ajo nuk kryhet si diçka nga zori, por si diçka që ndihet së brendshmi, që përpara se të hartohet një ligj për të, që përpara se të vijë koha e zbatimit të tij, e gjithë atmosfera mbushet me një frymë mbështetje për të, qoftë edhe me veprime të thjeshta, por simbolike, nga ana e atyre që e nisin atë.
Në Afrikën e Jugut, për shembull, që para se të fillonin gjyqet e dëgjimit të “Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit”, një variant i përkryer i ngjashëm me atë të hapjes së dosjeve në Europën Lindore, gjatë të cilave kriminelët e regjimit të mëparshëm do të shkonin dhe do të tregonin vetë krimet e tyre para atyre gjyqeve dhe në bazë të atyre tregimeve do të mund të merrnin apo jo amnistinë, atmosfera e përgjithshme u mbush me një propagandë shumë efikase për nevojën e pranimit të asaj metode.
Te ne, nuk ka shembuj të tillë, përkundrazi, ka shembuj që, edhe pse krijohet njëfarë atmosfere e vogël në mbështetje të diçkaje të mirë, kur vjen koha për t’u bërë, ajo ose nuk bëhet, ose bëhet e kundërta. Për shembull, filloi njëfarë propagande për hapjen e dosjeve të sigurimit dhe u përgatit populli për të njohur kriminelët dhe të vërtetat, të cilat do t’i zbulonin në njëfarë mase edhe dosjet e hapura, gjë që ishte edhe një element i drejtësisë, por, në vend që të bënte këtë, qeveria e Edi Ramës shkon dhe dekoron ata, të cilët ishin përgjegjës për krimet dhe për krijimin e asaj strukture të urryer të dosjeve! Vazhdojmë: Gjatë fushatës zgjedhore u prek edhe problemi i kthimit të pronave dhe Edi Rama premtoi se, ndryshe nga paraardhësit e tij, do të kthente pronat, madje tha se do të kërkonte se mos kishte dokumente për prona të shqiptarëve edhe në arkivat italiane. Dhe, pronarët u mbushën me shpresë: më në fund – menduan ata – erdhi “shpëtimtari’”. Por, ai, në vend që të bënte këtë, domethënë të çonte, për shembull, Artan Lamen në Itali të gjente dosjet e pronave të shqiptarëve, gjë që nuk ishte edhe e nevojshme se janë me mijëra dosje në vendin e tij që i ka zënë pluhuri dhe nuk hapen, e bën Artanin kryetar të një organizmi, të krijuar nga administrata e mëparshme, që ka për detyrë të pajisë me tapi ata që kanë grabitur pikërisht pronat e pronarëve që premtoi se do t’ua kthente dhe harton një ligj i cili e zhbën edhe ligjin e mëparshëm, përsëri shumë të keq, duke i hequr edhe shpresën e fundit pronarëve që në të ardhmen të marrin diçka nga pronat e tyre dhe këtë ligj ai e paraqet si ligjin e zgjidhjes përfundimtare të problemit të përjetshëm të pronave! Ai, në vend që ta shohë çështjen e kthimit të pronave edhe si një element shumë të rëndësishëm të drejtësisë, shkon dhe u ndan personalisht vërtetime pronësie grabitësve të pronave!
Për arsye si këto, mua nuk më shtyn gjë të besoj se reforma në drejtësi do të zgjidhë vërtet ndonjë problem. Ajo po bëhet me sforcim, më shumë nga ndërhyrja e huaj, sesa nga ndonjë shtysë e brendshme dhe, kur bëhet ashtu, do të gjenden qindra mënyra për të anashkaluar edhe ndonjë të mirë që mund të ketë. Ajo reformë mund t’u shërbejë atyre që sot janë në pushtet që të mbajnë më lehtë pushtetin dhe të lajnë disa hesape me kundërshtarë të tyre, ashtu siç mund t’u shërbejë edhe kundërshtarëve të tyre nesër të bëjnë të njëjtën gjë, dhe jo që të vërë paqe, harmoni dhe drejtësi në shoqërinë tonë.