Harta e reformës në drejtësi; institucionet e reja në gjyqësor dhe prokurori

Nga Aleksandra Bogdani, BIRN, publikuar në Reporter.al, 8 janar 2016

reforma

Në pritje të konsensusit politik, ekspertët kanë ripunuar paketën e ndryshimeve kushtetuese sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, duke krijuar konturet e sistemit të ri të drejtësisë me institucionet që bien dhe ato që krijohen rishtaz.

Rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi bashkuan politikën shqiptare në ditët e fundit të 2015; ato u pranuan gjerësisht si udhërrëfyes për paketën e ndryshimeve kushtetuese. Por fryma e konsensusit u shua shpejt në tryezën e ekspertëve të reformës.

Më 21 dhjetor 2015, Komisioni i Venecias i dërgoi Shqipërisë opinionet e veta mbi draftin e ndryshimeve kushtetuese. Komisioni i Venecias theksoi se “një reformë e tillë nevojitet urgjentisht dhe situata kritike në këtë fushë justifikon zgjidhjet radikale”.

Megjithatë, në opinionin e ndërmjetëm Komisioni i Venecias shprehu shqetësimin se Shqipëria rrezikon të përsërisë rastin e Gjeorgjisë, ku nën pretekstin e reformës mazhoranca kapi Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Duke u bazuar tek rekomandimet e Venecias, grupi i ekspertëve të nivelit të lartë ka ndryshuar draftin e parë të ndërhyrjeve në kushtetutë, duke ia kaluar atë për diskutim përfaqësuesve të partive politike. Por projektligji i ri nuk është mikpritur nga ekspertët e Partisë Demokratike.

Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i Partisë Demokratike në tryezën e ekspertëve kundërshtoi zgjedhjen me 3/5 e votave në parlament të gjyqtarëve dhe prokurorëve; një shumicë të cilën mazhoranca e sotme e zotëron.

“Tre të pestat është një shumicë që kap sistemin e drejtësisë. Mazhoranca nuk ka dëshirë për të përqafuar dhe për të qenë konform udhëzimeve të Komisionit të Venecia-s,’ tha Alibeaj.

Prej 4 janarit, ekspertët e Partisë Demokratike kanë braktisur pjesmarrjen në komision. Opozita kërkon shumicë të cilësuar prej 2/3 e parlamentit në zgjedhjen e anëtarëve të gjykatave dhe prokurorit të përgjithshëm ose të drejtën e skualifikimit të dy prej tre kandidaturave.

Një konsensus i tillë duket thuajse i pamundur për t’u arritur.

Ndryshimet në gjyqësor

Reforma parashikon rikompozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (do të quhet Këshilli i Lartë Gjyqësor) dhe ngritjen e tre institucioneve të reja; këshillin e emërimeve në drejtësi, tribunalin disiplinor dhe inspektoriatin e lartë të drejtësisë.

Nën udhëzimin e Komisionit të Venecias, roli i ministrit të Drejtësisë reduktohet ndjeshëm në draftin e dytë. Ministri do të ketë megjithatë të drejtën të kryejë inspektime, por ai nuk ruan më ekskluzivitetin e nisjes së procedimit disiplinor dhe as të drejtën për të qenë pjesë e tribunalit.

Projektligji parashikon që Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, të ketë 11 anëtarë, ku gjashtë do të zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve dhe 5 të tjerët nga Kuvendi, brenda radhëve të juristëve jo-gjyqtarë.

Secili prej anëtarëve të KLGJ duhet të marrë 3/5 e votave të Kuvendit, pas një procesi përzgjedhjeje që përfshin komunitetin e avokatëve, të noterëve, trupën e pedagogëve, shkollën e magjistraturës dhe shoqërinë civile. Secila prej këtyre kategorive do të përfaqësohet nga 1 anëtar në KLGJ, ndërkohë që kryetari i këtij Këshilli parashikohet të zgjidhet nga votimi i të gjithë anëtarëve.

Mandati i anëtarëve aktualë të KLD-së digjet 3 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Në të njëjtën periudhë, paketa e ndryshimeve kushtetuese parashikon zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli i emërimeve, tribunali disiplinor dhe inspektoriati i lartë i drejtësisë parashikohen të jenë hallka të rëndësishme në promovimin e procedimin e korpusit të gjyqtarëve. Megjithatë, komisioni i Venecias e sheh me skepticizëm suksesin e tyre.

Në opinionin e ndërmjetëm, ky komision kërkon thjeshtimin e sistemit, pasi strukturat e reja kërkojnë rekrutime në masë të njerëzve dhe mund të shkaktojnë një frymë mosbesimi mes institucioneve të drejtësisë.

Gjykata Kushtetuese qëndron në krye të piramidës së institucioneve të drejtësisë në Shqipëri. Nëntë anëtarët e saj do të kenë mandat 9-vjeçar. Në opinionin e ndërmjetëm, Komisioni i Venecias ka miratuar formulën e re të emërimit të tyre; tre nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Lartë Administrative.

Megjithatë, ekspertët e Venecias kërkojnë rregulla të qarta loje për tranzicionin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që kjo gjykatë të qëndrojnë larg ndikimit politik.

Reforma ndryshon gjithashtu rolin e Gjykatës së Lartë, duke e kthyer atë në shkallë të tretë brenda sistemit gjyqësor si dhe duke i hequr atributin për të funksionuar si shkallë e parë për zyrtarët e lartë. Paralelisht me të, parashikohet ngritja e Gjykatës së Lartë Administrative, por Komisioni i Venecias e sheh me dyshim funksionimin e saj në kushtet e Shqipërisë.

Prokuroria dhe struktura antikorrupsion

Reforma në drejtësi parashikon një sërë ndryshimesh për institucionin e akuzës, ku prokurori i përgjithshëm humbet terren, ndërsa një pjesë e mirë e kompetencave të tij i kalon Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndërtohet sipas modelit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe do të jetë përgjegjës për emërimin dhe promovimin e prokurorëve si dhe masat disiplinore kundër tyre.

Këshilli i Prokurorisë do të ketë gjithashtu të drejtën t’i propozojë Kuvendit 3 kandidatura për prokuror të përgjithshëm, i cili duhet të zgjidhet më pas me 3/5 e votave. Në draftin e parë të ndryshimeve kushtetuese, ekspertët propozonin që mandati i kryeprokurorit aktual, Adriatik Llalla të përfundonte me hyrjen në fuqi të ligjit.

Një zgjidhje e tillë është nuk është parë me vend nga komisioni i Venecias.

Në draftin e rishkruar, grupi i ekspertëve ka gjetur një zgjidhje të mesme për mandatin e kryeprokurorit. Projektligji parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ngrihet 6 muaj nga hyrja në fuqi e reformës.

“Prokurori i Përgjithshëm emërohet brenda 2 muajsh pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por jo më vonë se data e përfundimit të mandatit të prokurorit të përgjithshëm në detyrë,” thuhet në draft.

Prokurori i Përgjithshëm ruan disa prej kompetencave në organizimin e punës së prokurorëve, por ai nuk do të ketë asnjë rol mbi strukturën e posaçme Antikorrupsion-një hallkë kjo e rëndësishme e reformës, e cila synon të hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, funksionarët publikë, gjyqtarët, prokurorët dhe krimin e organizuar.

Kjo strukturë parashikohet të përbëhet nga zyra e Prokurorisë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, anëtarët e së cilave do të kenë një mandat 10 vjeçar. Personeli i kësaj strukture do t’i nënshtrohet verifikimit të pasurisë dhe figurës, kontrolleve periodike të llogarive bankare dhe transaksioneve financiare si dhe të telekomunikimeve të tyre apo të familjarëve.

Struktura Antikorrupsion do të ketë një buxhet më vete, ndërkohë që pas mbarimit të mandatit, anëtarët e saj do të kenë të drejtën të emërohen në postet e mëparshme apo në pozicione më të larta.

Masa të përkohshme

Në paketën e ndryshimeve kushtetuese, procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve përshkruhet si “masë për të rivendosur besimin e publikut”. Në opinionin e Komisionit të Venecias, kjo konsiderohet si masa më drastike e projektligjit që “kërkon vëmendje të veçantë”.

Për të realizuar këtë proces, grupi i ekspertëve ka përcaktuar ngritjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm pranë Gjykatës së Lartë. Sipas projektligjit, këtij procesi do t’i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët, përfshirë edhe ata të Kushtetueses, të gjithë prokurorët bashkë me Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarët e KLGJ, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e inspektoriatit si dhe këshilltarët ligjorë.

Strukturat që do të vlerësojnë korpusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të qëndrojnë në këmbë 11 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit ose deri në momentin kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të ngrihet edhe një mision ndërkombëtar monitorimi, i cili do të përbëhet nga vëzhgues ndërkombëtarë.

Gjatë periudhës së funksionimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të kryejë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në tre drejtime; vlerësimit të pasurisë, vlerësimit të figurës dhe të aftësisë profesionale.

Subjekti nën kontroll është i detyruar të dorëzojë një deklaratë të detajuar të pasurisë së tij në ILDKPKI. Ky institucion kontrollon pasurinë dhe i dorëzon një raport mbi të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Nëse gjyqtarët apo prokurorët rezultojnë të kenë dyfishin e pasurisë së ligjshme, ndaj tyre nis procedura për shkarkim, ndërkohë që vetë ata kanë barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën. E njëjta masë drastike ndodh kur subjekti vonon deklaratën e pasurisë apo tenton të fshehë të ardhurat e tij.

Mbi të njëjtin parim funksionon edhe kontrolli i figurës, ku gjyqtarët apo prokurorët do të dorëzojnë një pyetësor të detajuar mbi kontaktet e tyre, ndërkohë që komisioni do të ketë të drejtën të verifikojë deri edhe tabulatet telefonike.

Projektligji parashikon edhe dorëheqjen e subjekteve nën kontroll, ç’ka sjell mbylljen e menjëhershme të kontrollit dhe u kursen subjekteve procedimet e mëtejshme. Ndërkohë, gjyqtarëve dhe prokurorëve u garantohet e drejta për të apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit apo për t’iu drejtuar Komisionit të Posaçëm në Gjykatë të Lartë.

Institucionet e reja (Shih Projekt Amendamentet Kushtetuese)

Këshilli i Lartë Gjyqësor
Përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët do të zgjidhen 3 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Gjashtë anëtarë do t’i përkasin radhëve të gjyqësorit dhe 5 të tjerë do të jenë juristë, të cilët do të zgjidhen me 3/5 e votave në Kuvend.

Gjykata Kushtetuese
Do të ketë 9 anëtarë me mandat 9-vjeçar. Tre anëtarë zgjidhen nga presidenti, tre votohen në Kuvend me 3/5 e votave dhe 3 anëtarë të tjerë nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Lartë Administrative. Anëtarët e GJK vazhdojnë mandatin e tyre pas hyrjes në fuqi të ligjit.Gjykata e Lartë
Do të bëhet pjesë e pushtetit gjyqësor. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, sipas propozimeve të KLGJ. Anëtarët aktualë do të vazhdojnë të kryejnë detyrën sipas mandatit të mëparshëm.

Gjykata e Lartë Administrative
Krijohet në datën 01.01.2020. Emërimet në Gjykatën e Lartë Administrative duhet të garantojnë përtëritjen e pjesshme të saj.Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Do të ketë 11 anëtarë, 6 nga korpusi i prokurorëve dhe 5 nga ai i juristëve. Këshilli i Lartë i Prokurorisë i propozon Kuvendit tre kandidatura për prokuror të Përgjithshëm. Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Prokurori i Përgjithshëm
Prokurori i Përgjithshëm emërohet me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit mes 3 kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ai emërohet brenda 2 muajsh pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe jo më larg se data e përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë.

Struktura Antikorrupsion
Ngrihet brenda 2 muajsh pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar përbëhet nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Gjykata e Posaçme e Apelit, Zyra e Prokurorisë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë mbi këtë strukturë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi
Kryen verifikimin e kandidatëve jo-gjyqtarë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë
Fillon funksionimin 3 muaj pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Është përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Përbëhet nga 5 anëtarë; 3 nga radhët e gjyqësorit dhe 2 nga radhët e prokurorisë.

Tribunali Disiplinor i Drejtësisë
Vendos mbi masat disiplinore për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarët e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi