Pse lëngimi i madh i ekonomisë botërore do të vazhdojë në 2016

Nga Joseph Stiglitz,  4 Janar 2016 640x-1

Viti 2015 ishte i vështirë kudo. Brazili ra në reçesion. Ekonomia e Kinës përjetoi goditjet e saj të para serioze pas pothuajse katër dekadash rritjeje të rrezikshme. Eurozona arriti të shmangë një kolaps në Greqi, por pothuajse-stanjacioni i saj ka vazhduar, duke kontribuar në atë që me siguri do të shihet si një dekadë e humbur. Për Shtetet e Bashkuara 2015 supozohej të ishte viti që do të mbyllte përfundimisht librin e Recesionit të Madh të nisur në 2008; përkundër, rimëkëmbja e SHBA-së ka qënë mediokre.

Në fakt, Christine Lagarde, Drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, shpalli gjendjen aktuale të ekonomisë botërore si Mediokriteti i Ri. Të tjerë, duke iu referuar pesimizmit të thellë të post-luftës së dytë botërore, kanë frikë se ekonomia globale do të bjerë në depresion, ose së paku në një stanjacion të tejzgjatur.

Në fillim të 2010, paralajmërova në librin tim Rënia e Lirë (Freefall), që përshkruan eventet që çuan tek Recesioni i Madh, se pa përgjigjet e duhura, bota rrezikonte të binte në atë që unë e quaja një Pafuqia e Madhe (Great Malaise). Fatkeqësisht kisha të drejtë: Ne nuk bëmë çfarë ishte e nevojshme dhe përfunduam pikërisht aty ku kisha frikë se do të binim.

Ekonomia e kësaj inercie është e lehtë për t’u kuptuar dhe ka zgjidhje të gatshme në dispozicion. Bota përballet me një mungesë të kërkesës agregate, e provokuar nga një kombinim i pabarazisë në rritje dhe një vale iracionale masash fiskale shtërnguese. Ata në krye shpenzojnë shumë më pak se ata në bazë, kështu që ndërsa paraja rritet, kërkesa ulet. Vende si Gjermania, të cilat vazhdimisht ruajnë tepricat e jashtme, janë duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshmë në problemin kryesor të pamjaftueshmërisë së kërkesës botërore.

Në të njëjtën kohë, SHBA-ja vuan nga një formë e butë e masave shtërnguese fiskale që mbizotërojnë në Europë. Në krahasim me periudhën përpara krizës, rreth 500,000 qytetarë më pak janë të punësuar në sektorin publik në SHBA. Me rritjen normale të punësimit në qeveri që prej 2008, duhet të kishin qënë dy milion më shumë të punësuar.

Për më tepër, pjesa më e madhe e botës po përballet – me vështirësi – me nevojën për transformim strukturor: nga manifaktura tek shërbimet në Europë dhe Amerikë, dhe nga rritja e bazuar në eksporte tek një ekonomi e bazuar në kërkesën e brendshme në Kinë. Gjithashtu, ekonomitë e bazuara në burimet natyrore në Afrikë dhe Amerikë Latinë dështuan në shfrytëzimin e bumit të çmimit të leverdishëm të mallrave – garantuar nga rritja e Kinës – për të krijuar një ekonomi të diversifikuar; tani ato përballen me pasojat e çmimeve të tkurrura të eksporteve të tyre kryesore. Vetë tregjet nuk kanë qënë kurrë në gjendje të lehtësojnë transformime të tilla strukturore.

Ka nevoja të mëdha botërore të pashfrytëzuara, të cilat mund të nxisin rritjen ekonomike. Vet infrastruktura mund të përthithë triliona dollarë investime, jo vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në SHBA, e cila nuk ka investuar në infrastrukturën e saj bazë për dekada. Për më tepër, e gjithë bota ka nevojë të modernizohet për t’u përballur me realitetin e ngrohjes globale.

Ndërsa bankat tona janë kthyer në një gjendje të pranueshme, ato treguan se nuk janë të afta të përmbushin qëllimet e tyre. Ato shquhen për shfrytëzim dhe manipulim tregjesh; por kanë falimentuar në funksionin e tyre thelbësor të ndërmjetësimit. Sektori ynë financiar dritëshkurtër dhe jofunksional qëndron midis kursimtarëve afatgjatë (si për shembull, fondet sovrane të pasurisë dhe ato të kursimit për pension) dhe investimit afatgjatë në infrastrukturë.

Ish kryetari i Bordit të Rezervës Federale të SHBA-së, Ben Bernanke, një herë tha se bota po vuan nga një “tepri kursimesh”. Ky mund të ketë qënë rasti që përdorimi më i mirë i kursimeve botërore u investua në banesa me cilësi të ulët në shkretëtirën e Nevadës. Por në botën reale, ka një mungesë fondesh; dhe projektet me përfitime të lartë sociale shpesh nuk mund të përfitojnë financime.

E vetmja kurë për pafuqinë e botës është rritja e kërkesës së agreguar. Largpamësia në shpërndarjen e të ardhurave do të ndihmonte sepse do të thellonte reformën e sistemit tonë financiar – jo vetëm për ta parandaluar atë nga dëmtimi i ne të tjerëve, por gjithashtu për të detyruar bankat dhe institucionet e tjera financiare që të bëjnë atë që supozohet se duhet të bëjnë: të përputhin kursimet afatgjata me nevojat për investime afatgjata.

Disa nga problemet më të rëndësishme të botës do të kenë nevojë për investime qeveritare. Shpenzime të tilla nevojiten në infrastrukturë, arsim, teknologji, mjedis, për të lehtësuar transformimet strukturore që nevojiten në çdo cep të tokës.

Pengesat që has ekonomia botërore nuk kanë rrënjë në ekonomi, por në politikë dhe ideologji. Sektori privat krijoi pabarazi dhe degradim mjedisor me të cilat duhet të përballemi tani. Tregjet nuk do të jenë në gjendje të zgjidhin këto dhe probleme të tjera kritike që vet kanë gjeneruar, apo të rivendosin vet mirëqënien. Nevojiten politika qeveritare aktive.

Kjo nënkupton tejkalimin e fetishizimit të deficitit (deficit fetishism). Kjo ka kuptim për vende si SHBA dhe Gjermani që mund të marrin hua me norma interesi reale afatgjata negative për të bërë investimet e nevojshme. Ndërkohë, në shumicën e vendeve të tjera, norma e të ardhurave mbi investimet publike tejkalon kostot e financimit. Për ato vende ku huamarrja është e kufizuar, ka një zgjidhje, bazuar në parimin e vjetër të shumezuestit buxhetit ne ekuiliber: Rritja e shpenzimeve të qeverisë në përputhje me rritjen e taksave stimulon ekonominë. Fatkeqësisht, shumë vende, përfshirë dhe Francën, janë përfshirë në kontraktimin e buxhetit ne ekuiliber (balanced-budget contractions).

Optimistët thonë se 2016 do të jetë më mirë se 2015. Kjo mund të jetë e vërtetë, por vetëm në mënyrë të paperceptueshme. Nëse nuk e adresojmë problemin e pamjaftueshmërisë së kërkesës së agreguar botërore, Lëngimi i madh do të vazhdojë.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi