Konflikti me qeverinë, 16 ligjet e kthyera nga Nishani në dy vjet

Nga Mirel Sheme, botuar në Shekulli, 5 dhjetor 2016

Edi-Rama-Bujar-Nishani-Ilir-mEta-620x382

Me 11 qershor të vitit 2012, pas 4 seancash votimi, Bujar Nishani u zgjodh Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Nishani do të zgjidhej President i Republikës vetëm me votat e mazhorancës së kohës, me 73 vota pro dhe një kundër. Që prej ardhjes në pushtet të qeverisë së majtë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, lindi edhe një “konflikt” mes kreut të shtetit dhe qeverisë për dekretimin dhe kthimin për rishqyrtim të ligjeve të miratuara me votat e së majtës. Në total, gjatë gjysmës së mandatit të të majtëve, janë 16 ligje të kthyera mbrapsht nga Presidenti Nishani, të cilat u rivotuan në parlament pa asnjë ndryshim nga ana e së majtës. Ky fenomen do të vijojë edhe me ligjet e rikthyera së fundmi, si ai i turizmit, i arsimit të lartë apo edhe i kthimit dhe kompensimit të pronave. Ndonëse gjatë argumenteve të dhëna, kreu i shtetit është munduar të tregojë se kthimi i këtyre ligjeve nuk ka pasur qëndrim politik, sërish ligjet e kthyera janë ato që janë miratuar vetëm me votat e të majtës dhe që kanë hasur në kundërshtimin e fortë të opozitës.

Ligjet e kthyera gjatë vitit 2015

Beteja mes Presidentit dhe qeverisë vijoi edhe gjatë vitit të dytë të drejtimit të vendit nga të majtët. Gjatë ditëve të para të vitit Nishani ktheu për rishqyrtim ligjin, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Sipas Kreut të Shtetit, ashtu si edhe me tre ligje të kthyera në fushën e drejtësisë të miratuara nga Kuvendi në muajin Korrik të 2014, iniciativa është e përshpejtuar dhe jo e konsultuar paraprakisht me Euralius-in, OSBE-në dhe për më tepër me Komisionin e Venecias. Presidenti argumentonte më tej se ky ligj kishte kaluar në mënyrë të përshpejtuar dhe nuk i shërbente qëllimit për të cilin u draftua dhe për më tepër krijon një imazh negativ para partnerëve ndërkombëtarë referuar pritshmërive të tyre sa i takon reformës në drejtësi.

Pa kaluar as një javë nga kthimi i këtij ligji, Presidenti Nishani i ktheu qeverisë një tjetër ligj, atë “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”. Në argumentet e tij Nishani tha se ky ligj shkel Kushtetutën, pasi shmang Kuvendin nga marrja e borxheve nga ana e qeverisë. “Vlerësoj se në emër të fleksibilitetit të Ministrit të Financave dhe të uljes së kostos së borxhit nuk mund të cenohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe as të cenohen dispozitat kushtetuese të cilat kanë përcaktuar qartë se kufiri, kushtet dhe marrjes së borxhit të brendshëm apo të jashtëm do të vendosen vetëm nga Kuvendi”. Janari vijoi edhe me kthimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Sipas kreut të shtetit ka një vendim kushtetues për këtë çështje, pasi nuk mund të kufizohet mandati i kreut të KLSH-së. Gjykata Kushtetuese ishte shprehur qartë mbi pamundësinë e vendosjes në ligj të kritereve specifike për mbarimin e mandatit apo shkarkimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi, sipas saj, “Për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji”. Periudha shkurt- mars do të “kalonte” në ujëra të qeta, pasi Nishani kaloi disa ligje në heshtje, për tu rikthyer sërish në muajin prill. Këtë herë kreu i shtetit do të ishte kundër ligjit “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. Sipas Nishanit, në ligj flitej për karrierë në diplomaci, por ndërkohë “de facto” ligji do të krijonte shumë hapësira që politika të promovojë persona, të cilët nuk janë pjesë e sistemit, apo që të kenë një karrierë diplomatike.

“Në këtë mënyrë, ekziston mundësia të fundoset e gjithë trupa e diplomatëve të karrierës dhe të krijohet një trupë e diplomatëve të rinj që nuk kanë një karrierë diplomatike, por që i shërbejnë politikës së radhës që është në pushtet”, shprehej Nishani. Sipas tij, duke mundësuar përzgjedhjen e personave nga jashtë sistemit të diplomacisë, ekziston mundësia që Shërbimi i Jashtëm të politizohet jashtë mase. Përplasja do të vijonte gjatë muajit gusht, me kthimin e dy ligjeve në një periudhë 4 ditore. Fillimisht Nishani ktheu ligjin “Për Turizmin”, i cili u miratua përmes një seance të posaçme më 30 korrik me votat e mazhorancës, duke u kundërshtuar fuqishëm nga opozita. Sipas Nishanit, ligji cenon parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, mbi bazën e të cilave duhet të funksionojë qeverisja vendore. Në këtë mënyrë, Presidenti pretendon se ligji shkel Kushtetutën, si dhe sigurinë juridike, pasi nuk tregohet mënyra, rregullat dhe procedurat për të vënë në dispozicion të investitorit, pronën shtetërore.

Duke kthyer ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, Nishani argumentoi se ligji vendos shtetin dhe jo universitetin e studentët në qendër të këtij ligji. Ai shtoi se ligji ka qasje të rritjes së tarifave të studimit dhe se nuk ka të njëjtën qasje sa i takon rolit të studentëve në vendimmarrjen për reformimin e sistemit arsimor.

Nishani rrëzon qeverinë për pronat

Vetëm dy ditë para mbylljes së vitit 2015, kreu i shtetit i ktheu mazhorancës për rishqyrtim ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Nishani fillimisht shprehej se skema e ofruar përmes këtij ligji për zgjidhjen e problemit, në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve për kompensimin e pronarëve që kanë një vendim përfundimtar administrativ apo gjyqësor, bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike, në lidhje me kërkesat e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Sipas kreut të shtetit, qeveria, me ligjin e ri, kërkon që aplikantët të kompensohen për llojin e pronës në momentin e shpronësimit, duke e përllogaritur sipas hartës së vlerës së vitit 2014.

Përplasjet në fushën e drejtësisë

Gjatë vitit 2014, mosdakordësitë mes Presidentit dhe mazhorancës së majtë u vunë re edhe në fushën e drejtësisë me kthimin e disa ligjeve të rëndësishme, si ai për KLD-në apo shkollën e Magjistraturës. Gjatë kthimit të ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”, Presidenti Nishani nënvizoi se deputetët që propozuan këtë projektligj nuk kanë justifikuar dhe arsyetuar në mënyrë bindëse nevojën e ndërhyrjes në ligj dhe se vetë deputetët që kanë propozuar ndryshimet kanë dhënë vlerësime pozitive për shkollën e magjistraturës. Madje sipas tij ndryshimet prishnin ekuilibrat e vendosur në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, i cili ka funksionuar në përputhje me parimin Kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në kthimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, Nishani u shpreh se procedura e emërimit, lirimit dhe shkarkimit nga detyra të ndihmësve ligjore, binte në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, dhe më konkretisht të pavarësisë së gjyqësorit.

Për sa i përket kthimit të ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Nishani deklaroi se ndryshimi i ligjit që parashikon se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi një Zëvendëskryetar”, bie ndesh me Kushtetutën. Sipas tij ky ndryshim përbënte shkelje të Kushtetutës në dy plane: Kufizon kompetencën e Presidentit të Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të propozuar si Zëvendëskryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli, dhe heq të drejtën që i ka dhënë kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar në postin e zëvendëskryetarit të KLD-së. Në kthimin e ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar” Presidenti argumentoi se këto ndryshime kanë cenuar kompetencat e Presidentit, dhe sipas tij qasjet e ligjit të ri bien ndesh me sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, i cili bazohet në parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Mosmarrëveshjet për Forcat e Armatosura

Ligji i parë që kreu i shtetit i ktheu mazhorancës ishte ligji “Për miratimin e Aktit Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 5, datë 30.9.2013, “Për Nëpunësin Civil”, me argumentin se një akt normativ nuk ka fuqi për të ndryshuar një ligj me shumicë të cilësuar. Ndërsa gjatë vitit 2014 përplasja do të vijonte për Forcat e Armatosura.

Në kthimin e ligjit “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, Nishani tha se ligji binte ndesh me sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, i cili bazohet në parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, garant i së cilës është edhe Presidenti i Republikës si Kryetar Shteti. Forcat e Armatosura nuk janë strukturë në varësi të ekzekutivit, gjyqësorit apo legjislativit. Kushtetuta përcakton misionin, dhe në vija të përgjithshme tregon zinxhirin e komandim kontrollit të Forcave të Armatosura, i delegon kompetencat e drejtimit të Komandantit të Përgjithshëm në kohë paqeje, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, por gjithmonë nën komandimin e tij si eprori më i lartë në hierarkinë e Pushteteve dhe Autoriteteve të Komandimit dhe Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura. “Odiseja” vijoi edhe me ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Presidenti dha katër arsye; së pari, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes mund të rezervojnë të drejtën e propozimit të strukturës së FA, por kurrsesi nuk mund të ushtrojnë kompetenca tej atyre që parashikon Kushtetuta. Së dyti, kufizimi i kompetencave të Presidentit lidhur me emërimet, lirimet e ushtarakëve me grada madhore nuk është i justifikuar. Së treti, vihet re se ligji i ri ka suprimuar disa parashikime ligjore lidhur me kompetencat e Presidentit. Së fundmi, ky ligj përveçse kufizon ndjeshëm kompetencat e Presidentit si Komandant i FA, nuk parashikon detyrimin e Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes që të jenë përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit për drejtimin dhe gjendjen e FA në kohë paqeje. Dy ligje të tjera që nuk morrën përgjigje pozitive nga Nishani ishin edhe ai “Për Policinë e Shtetit dhe “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Ligjet e kthyera për rishqyrtim në Kuvend

1.Ligji “Për miratimin e Aktit Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 5, datë 30.9.2013, “Për Nëpunësin Civil”

2.Ligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”,

3.Ligji “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

4.Ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9665, datë 18.12.2006. “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.

5.Ligji nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

6.Ligji nr. 177/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8588, datë 15.03.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

7.Ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”.

8.Ligji nr. 115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”

9.Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”

10Ligji “Për Policinë e Shtetit”

11Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”

12.Ligji “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar”.

13.Ligji nr. 23/2015 “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”.

14.Ligji nr.80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”.

15.Ligji nr.93/2015 “Për Turizmin”.

16.“Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi