Çfarë do të thotë “shtresë e mesme” në Shqipëri
Nga Gjergj Erebara, BIRN, botuar në reporter.al, 5 dhjetor 2015
“Shtresë e mesme” është një term me kuptim të gjerë që synon të përcaktojë shoqërinë si të ndarë në tre grupime dhe që varion si përkufizim nga kuptimi i përdorimit.
Megjithatë, termi shtresë e mesme është një shprehje shumë joshëse në diskurs politik.
Shtresë e mesme në kuptimin e fillesave të epokës industriale nënkuptonte atë pjesë të shoqërisë që i përkiste shtresës tregtare urbane apo profesionistëve (mjek, jurist apo inxhinier), si një identitet i ndryshëm nga klasa e lartë ose klasa e ulët e shoqërisë.
Në botën e sotme nënkuptohet një pjesë e popullsisë që ka të ardhura të mesme, të krijuara përgjithësisht si produkt i kapitalit të lartë shoqëror, (e.g. arsim i lartë apo aftësi sipërmarrëse), e ndryshme kjo nga klasa e ulët, e cila i nxjerr të ardhurat më së shumti nga përdorimi i muskujve në punë të pakualifikuara apo gjysmë të kualifikuara apo nga shtresa e lartë, pasuria e së cilës nuk varet nga niveli i kapitalit njerëzor të pronarit.
Nga pikëpamja e të ardhurave, koncepti shtresë e mesme është i ndryshëm nga vendi në vend, pasi tradicionalisht me të ardhura të mesme nënkuptohen familje që kanë të ardhura për të bërë një jetesë me mirëqenie por jo luksi. Për më tepër, termi shtresë e mesme nënkupton njëkohësisht “siguri ekonomike”, gjë që në shumë vende nuk është e garantuar për shkak të faktorëve të tjerë. Psh. një i punësuar në shtet në Shqipëri mund të ketë të ardhura për t’u klasifikuar si shtresë e mesme, por nuk e ka kurrsesi sigurinë ekonomike për shkak të pasigurisë juridike të punës në sektorin publik.
Qendra kërkimore Pew përkufizon të ardhurat e mesme në familjet amerikane si familjet që kanë të ardhura që variojnë nga 66 % e mesatares kombëtare në 200 për qind të mesatares. Në Gjermani kanë një koncept të ngjashëm. Atje, një familje me katër persona, që të konsiderohet e shtresës së mesme, duhet të ketë të ardhura mujore që variojnë nga 2,100 euro në 7 mijë euro.
Kjo nuk është ekzaktësisht e vlefshme për t’u përdorur si tregues në shumë vende të varfra, pasi një përkufizim i tillë, ka gjasa që prodhon familje të varfra ose relativisht të varfra që nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre bazë, pavarësisht se të ardhurat i kanë “të mesme” në krahasim me mesataren kombëtare. Gjithsesi, nëse shtresë e mesme nënkupton të qenit i ndryshëm nga të pasurit snobë apo të varfërit e përvuajtur, përkufizimi i Pew është i vlefshëm edhe në rastin e Shqipërisë. Konsumi mesatar mujor i familjeve shqiptare është 69 mijë lekë në muaj. (Instat 2014). Në bazë të përkufizimit të mësipërm, çdo familje me katër anëtarë që disponon mes 45 mijë dhe 138 mijë lekë në muaj, përkufizohet si shtresë e mesme. Ky përkufizim mund të lërë të pakënaqur shumë vetë, veçanërisht nëse rikujtojmë debatet e krijuara nga qeveria aktuale në fund të vitit 2013 mbi taksimin progresiv dhe nevojës për të përcaktuar se çfarë është pagë e ulët dhe çfarë është pagë e mesme apo e lartë. Shkurt, politikëbërësit u detyruan që, sipas hamendësimit të tyre joshkencor, të vlerësonin nëse paga nën 30 mijë lekë i përkiste “shtresës së ulët” dhe duhej të taksohej me zero, dhe se deri në çfarë niveli, paga mbi 30 mijë lekë konsiderohej “e mesme” dhe do të duhej të taksohej me 13 për qind. Ky qe një ushtrim jo shumë i vlefshëm nga pikëpamja teorike pasi politikëhartuesit gjykonin më së shumti të ardhurat e veta, jo të ardhurat e popullsisë. Dhe natyrisht, nëse një person ka pagë, fjala vjen, 100 mijë lekë, ai mbulon me rehati shpenzimet e veta dhe mund të klasifikohet si shtresë e mesme. Por edhe ai që ka pagë 200 mijë apo 300 mijë lekë, (dhjetëfishi i pagës mesatare kombëtare), vështirë se mund të konsiderohet si njeri që bën jetë luksi. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse marrim parasysh se një familje e shtresës së mesme gjermane me të ardhura sa dyfishi i mesatares kombëtare, mund t’ia dalë të bëjë një javë apo dy javë pushime duke shpenzuar të ardhurat e një muaji ndërsa një familje shqiptare në të njëjtën gjendje, vështirë se ia lejon dot vetes pushimet e gjata.
Kuptohet që të ardhurat e një familjeje gjermane me ato të një familjeje shqiptare ndryshojnë shumë sa i përket faktit se çfarë mallrash dhe shërbimesh mbulohen nga shteti në secilin vend. Psh. në Gjermani, arsimi i lartë mbulohet nga taksat ndërsa në Shqipëri, në një pjesë domethënëse, mbulohet nga tarifat. Mjafton që një familjeje “të mesme” shqiptare t’i duhet të paguajë tarifën 150 mijë lekë për studimet e një fëmije dhe të ardhurat apo kursimet e saj asgjësohen. Dhe ndonëse në Shqipëri shërbimi shëndetësor është i mbuluar nga taksat njësoj si në Gjermani, këtu te ne është sekret i njohur nga të gjithë se në shërbimet spitalore duhet të paguash shuma domethënëse për të marrë shërbimin. Rrjedhimisht, një familjeje të mesme shqiptare mund t’i nevojiten proporcionalisht më shumë të ardhura për të mbuluar shpenzime që familja gjermane nuk i ka. E kundërta, ndërsa familjet gjermane më së shumti paguajnë qira për shtëpinë ku banojnë, në Shqipëri në përgjithësi kostoja e qirasë nuk ekziston.
Banka Botërore e përkufizon termin “shtresë e mesme” si njerëzit që janë në gjendje të fitojnë nga 10 deri në 50 dollarë në ditë për frymë, si një shumë që shërben para së gjithash për të identifikuar atë pjesë të shoqërisë që nuk është e pasur por që njëkohësisht, disponon të ardhura për të kapërcyer situata të vështira ekonomike. Sipas BB, familjet që kanë të ardhura për frymë nga 4 në 10 dollarë në ditë, janë në pasiguri ekonomike. Nën këtë përkufizim, shoqëria shqiptare në masën 90 për qind është në pasiguri ekonomike. Të dhënat e INSTAT 2014 tregojnë se 90 për qind e familjeve shqiptare kanë konsum mujor për frymë prej vetëm 16,700 lekësh, ose më pak se 5 dollarë në ditë. Ndërkohë, 10 përqindëshi i pasur kanë konsum mesatar për frymë prej 61 mijë lekësh, ose rreth 18 dollarë në ditë. Duke përdorur përkufizimin e BB, 10 përqindëshi i pasur i Shqipërisë (pa marrë parasysh se këtu përfshihen edhe super të pasurit), janë në kategorinë e shtresës së mesme.
Shtresa e mesme përbën gjithashtu një term që përbën një alternativë politike ndaj botës së ndarë në dy klasa, pakica e pasur dhe shumica e varfër ndërsa zhvillimi i shtresës së mesme përmes rritjes së arsimit apo mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve shërben si alternativë ndaj përplasjes sociale mes të pasurve dhe të varfërve. Në këtë kuptim, shtresa e mesme është bërë edhe si tip mode apo stili jetese. Shumë njerëz që i përkasin shtresës së lartë parapëlqejnë ta konsiderojnë veten shtresë të mesme ndërsa shumë të varfër shohin shtesën e mesme si një objektiv më i arritshëm se sa shtresa e lartë, pasi të qenit i varfër interpretohet më së shumti si faj i vetë të varfërve.
Të pasurit shtresë të mesme nënkupton një shoqëri të shëndoshë. Aludohet se nëse popullsia e “mesme” është në maxhorancë në një vend të caktuar, atëherë kjo shtresë e mesme është në gjendje të detyrojë politikanët ta bëjnë punën në mënyrë të përgjegjshme pasi ka aftësitë intelektuale të zgjedhë pa dritëshkurtësinë e shtresës së lartë dhe pa stresin e bukës së përditshme që prek shtresën e ulët. Por që të kesh shtresë të mesme të kësaj natyre, atëherë duhet që ajo shtresë të ketë cilësitë e plota të nënkuptuara nga ky term. D.m.th, të ketë të ardhura pranë ose mbi mesatares kombëtare, që këto të ardhura të jenë të mjaftueshme për të bërë jetë të çlirët nga mungesat e nevojave të përditshme, që këto të ardhura t’i ketë në kushtet e sigurisë juridike, (e pakërcënuar për pushim nga puna në çdo kohë).
Është e pamundur që të përcaktosh numrin e shqiptarëve që bien në kategorinë e “shtresës së mesme” që i përmbledh të gjitha këto cilësi, por me hamendësim mund të thuhet se njerëz të tillë ka gjasa janë shumë pak. Nga pikëpamja e të ardhurave, mjafton që një familje me katër vetë të ketë dy rroga pak më të larta se sa paga minimale prej 21 mijë lekësh për t’u klasifikuar si familje me “të ardhura të mesme”. Por një nivel i tillë të ardhurash mjaftojnë sa për të mbuluar nevojat bazë pa stres. Nuk mjaftojnë as për të ngrënë një drekë modeste në restorant një herë në javë, natyrisht që nuk mjaftojnë për të mbajtur një makinë apo për të bërë pushime një herë në vit. Në fund, mungesa e zbatimit të ligjit në marrëdhëniet e punës i bën këto të ardhura veçanërisht të pasigurta. Një njeri që nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të kursyer dhe njëkohësisht, është i rrezikuar të pushohet nga puna çdo ditë, nuk mund të jetë shtresë e mesme.