Në pritje të ‘tërmetit’, gëzuar Vitin e Ri!
Sipas Mapo, 31 dhjetor 2015
Për një gjë nuk ka dyshim: Viti 2016 do dominohet nga reforma në drejtësi.
Disa media parashikojnë se ajo mund të provokojë një tërmet politik, deri në zgjedhje të reja parlamentare.
Pavarësisht se nuk foli shumë për reformën në drejtësi gjatë një konference për shtyp super të gjatë, kryeministri Edi Rama tha disa gjëra interesante.
Ai theksoi se nëse nuk ka tërmet, ajo nuk do jetë një reformë në drejtësi.
Edi Rama i habiti gazetarët, kur tha se nuk e ka lexuar draftin e reformës në drejtësi dhe provokoi një reagim të ashpër të Sali Berishës kur tha se paraardhësi i tij e kishte kapur drejtësinë.
Kjo solli edhe reagimin e Berishës në vigjilje të Vitit të Ri.
Berisha thotë se qëllimi i Ramës është të kapë drejtësinë për qëllimet e tij.
Por çfarë do të ndodhë vitin që vjen?
A do bëhet një reformë, e cila siç e thoshte dikur Rama, do kujdeset për atë vijën e hollë që ndan pavarësinë e gjyqësorit nga ndikimi politik?
Por mbi të gjitha, a do ketë pranga?
Rama, edhe pse thotë se qëllimi është të mos ketë pranga, e ka një merak.
Pas spekulimeve se reforma mund të shënjestrojë aleatin e tij, Ilir Meta, ai thotë se këto diversione nuk do e përçajnë mazhorancën.
“Unë besoj shumë se ne do t’ia dalim dhe jam i bindur se asnjë diversion, asnjë përpjekje e çfarëdo lloji dhe nga çfarë do anë për të çarë shumicën në këtë proces nuk do të ketë sukses. E them këtë sepse ka shumë përpjekje në këtë drejtim. Nuk do të kenë sukses!” tha dje Rama.
Ndërkohë që viti që vjen do jetë i gjatë e me shumë gjasë me kthesa të forta, Edi Rama të paktën e ka një justifikim shumë interesant se reforma nuk po bëhet që ai të kapë sistemin e drejtësisë.
“Nëse do të kontrollosh sistemin e drejtësisë, mbaje kështu siç është dhe e kontrollon shumë më kollaj. E kontrollon siç e kontrolluan ata që ishin këtu, me ndarje të roleve. Ju gjykatësit më lani mëkatet e mia dhe unë mbyll sytë përpara mëkateve tuaja,” theksoi Rama.
Deri tani kemi vetëm fjalë.
Në pritje të ‘tërmetit’, gëzuar Vitin e Ri!