Reforma në drejtësi, ku bashkohen dhe ndahen PS, PD dhe K. Venecias
Nga Suela Topi, botuar në Shekulli, 25 dhjetor 2015
Opinioni Paraprak i Komisionit të Venecias përplas sërish demokratët dhe socialistët sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë. Secila palë e lexon ndryshe këtë opinion prej 30 faqesh, por edhe vlerësimet apo rekomandimet e tij lidhur me projekt-amendamentet e përgatitura nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë për ndryshimet kushtetuese. Sipas demokratëve, raporti i Komisionit të Venecias, në mënyrë profesionale, detajon të gjithë shqetësimet e opozitës lidhur me reformën në drejtësi. Ndërsa socialistët e konsiderojnë atë një mbështetje të plotë për reformën e nisur në drejtësinë shqiptare. Por çfarë ka propozuar secila palë dhe si është shprehur Komisioni i Venecias për disa nga institucionet e rëndësishme që janë pjesë e reformës në drejtësi.
Prokurori i Përgjithshëm
Në draftin e ekspertëve të nivelit të lartë të mbështetur nga mazhoranca, propozohet ndërprerja e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa sugjerohet një ristrukturim tërësor i organit të akuzës. “Nisur nga fakti se reforma e propozuar për sistemin e prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm në veçanti, do të sjellë rikonceptimin tërësor strukturor dhe funksional të sistemit të prokurorisë, GENL-ja gjykon se është e nevojshme të parashikohen dispozita kushtetuese tranzitore për përfundimin para kohe të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm”, thuhet në draft-amendamentet e ekspertëve. Por Komisioni i Venecias e sheh si jo të domosdoshëm ndërprerjen e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm kur thekson se: “Zëvendësimi i prokurorit të Përgjithshëm nuk është aspak një çështje e domosdoshmërisë dhe ruajtja e vendit të tij deri në skadimin e mandatit, do të ishte e pranueshme”.
Ndërsa demokratët, të cilët në reagimin e tyre të fundit kanë theksuar fort këtë sugjerim të Venecias, në 300 rekomandimet e tyre fokusoheshin te zgjedhja e kryeprokurorit të ri, por pa dhënë një mendim për mandatin e kryeprokurorin aktual. Sa i përket kompetencave të prokurorit të Përgjithshëm, Komisioni i Venecias, ndryshe nga mazhoranca, rekomandon që ai të mos marrë pjesë në Tribunalin Disiplinor. Ndërsa e vlerëson të çuditshëm që të miratohet një parashikim kushtetues që ish-Prokurori i Përgjithshëm të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë PD-ja ka propozuar që: “Të saktësohet më tej në ligj punësimi i mëtejshëm i prokurorit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit”. Nga ana tjetër, sipas PD-së, nuk duhet të ketë një ndalim të përgjithshëm për mundësitë e kryeprokurorit për të aplikuar për detyra të tjera publike gjatë ose pas mbarimit të mandatit.
Ministri i Drejtësisë
Komisioni i Venecias ka rekomanduar që roli i Ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLD-në e sotme) duhet të rishikohet dhe redukohet. Sipas Komisionit, nëse Ministri i Drejtësisë ka kompetencë për të filluar një procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve, atëherë ai nuk duhet të marrë pjesë në mbledhjet e organeve që marrin vendimin për masën disiplinore, qoftë edhe si vëzhgues. Gjithashtu, ministri i Drejtësisë nuk duhet të jetë anëtar i Tribunalit Disiplinor, thotë Venecia. Ndërkohë që ekspertët e nivelit të lartë propozonin jo vetëm që ai të ishte pjesë e Tribunalit Disiplinor, por edhe të merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Prokurorisë si vëzhgues, pavarësisht nëse mund të kërkonte fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër prokurorëve. “Ministri i Drejtësisë merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe kryerjen e inspektimeve dhe verifikimin e ankesave”, thuhet në draftin e GENL-së. Ndërkohë që demokratët në amendimet e tyre kërkonin që ministrit të Drejtësisë t’i hiqej tërësisht e drejta për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve.
Roli i presidentit
Lidhur me zgjedhjen e Presidentit, ekspertët e nivelit të lartë, por edhe PD-ja kanë propozuar të ruhet formula aktuale çka mbështetet edhe nga Komisioni i Venecias. Sa i përket rolit të Presidentit, Komisioni i Venecias ashtu si edhe ekspertët e nivelit të lartë, sugjeron ridimensionimin e kompetencave të Presidentit të Republikës në mënyrë që roli i tij në emërimin e gjyqtarëve të jetë sa më formal. Në këtë aspekt, Venecia ka mirëpritur propozimin për formulën e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese dhe të mënyrës së emërimit të anëtarëve të saj, ashtu siç ka pranuar shmangien e Presidentit nga kompetenca për emërimin e shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm, si dhe qenien e tij në krye të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ndërkohë që demokratët janë shprehur se Presidenti i Republikës, për sa kohë nuk ka funksione ekzekutive, duhet të vijojë të jetë anëtar i KLD-së edhe pse mund të eliminohet prania në KLD gjatë procesit disiplinor dhe promovimit.
Meta, letër Buquichio-s
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i është drejtuar me një letër presidentit të Komisionit të Venecias, Giani Buquichio, përmes së cilës ka shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e dhënë për reformën në drejtësi. Meta vlerëson gatishmërinë e Komisionit të Venecias, për ndihmën e dhënë ndaj autoriteteve shqiptare për një reformë gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë. “Siç e kam theksuar edhe më parë, kjo reformë duhet të jetë e mbështetur në aktet dhe standardet më të mira ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të Komisionit të Venecias. Në këtë kontekst vlerësimet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias për projekt-ndryshimet kushtetuese për drejtësinë në Shqipëri, do të jenë udhërrëfyesi i përmbajtjes së paketës kushtetuese por edhe ligjeve organike për reformën në drejtësi”, shkruan Meta. Kryeparlamentari shkruan më tej se një paketë kushtetuese dhe ligjore, e mbështetur në rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet më të mira ndërkombëtare si edhe në një proces gjithëpërfshirës, do të mund t’i përgjigjet cilësisht edhe nevojës që ka shoqëria shqiptare për reformën në sistemin e drejtësisë.
Manjani kërkon mbështetjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Gjyqtarët dhe prokurorët kanë dhënë mbështetjen e tyre për Reformën e Drejtësisë, sipas draftit të Komisionit të Venecias. Gjatë një takimi të zhvilluar dje në Ministria e Drejtësisë, ata apeluan që reforma të jetë gjithpërfshirëse, ndërsa sugjeruan që kur flitet për personat që kanë probleme me ligjin, nuk duhet të flitet në përgjithësi, por duhet të mbahet përgjegjësi individuale dhe të dëgjohet edhe mendimi i tyre, shqetësim ky i pranuar edhe nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Duhet të jemi të shqetësuar për korrupsionin, por duhet të jemi gjithashtu të shqetësuar të mos i fusim të gjithë në një thes, prandaj thirrja ime e fundit është ju lutem shumë vazhdoni të ushtroni detyrën kushtetuese për të dhënë drejtësi”, tha ministri. Manjani bëri një apel për të mos u shfokusuar nga puna e tyre e përditshme, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i cilësoi si “të zotët e shtëpisë” kur vjen fjala për sistemin e drejtësisë. “Çatinë më së miri në shpi e rregullon i zoti i shtëpisë. Kushdo që e rregullon nga jashtë mund ta bëj të bukur, por nëse shtëpia vazhdon të pikojë nuk keni bërë asgjë. Të punojmë së bashku. Ju nga brenda jeni shumë më të rëndësishme. Jam i bindur në këtë që them sepse çdo vendim gjykate i dhënë drejtësisht, me transparencë dhe në kushtet e koherencës së ligjit, është orientues për drejtësinë”, tha ai. Kreu i Unionit të Prokurorëve, Ndini Tavani u shpreh se prokurorët përkrahin këtë reformë pasi miratimi i saj do të sjell ndryshimin e shumëpritur. Ndërsa nuk harroi kritikat, kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha.
“Përgatitja e draftit, amendimet kushtetuese na erdhën surprizë, sepse ishin të pakonsultuara me ne. Por Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë sot gjen rastin që të theksojë me forcë dhe të dënojë çdo përpjekje që paraqet gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë sikur ata janë kundër reformës. Përkundrazi, shpreh angazhimin e plotë për të marrë pjesë në hartimin e ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë duke pasur si udhërrëfyes opinionin paraprak të Komisionit të Venecias”, u shpreh Hoxha.
PS-PD përplasen për meritën: Fitoi varianti ynë
Demokratët kanë mirëpritur opinionin e Komisionit të Venecias, ndërsa shprehen se në këtë dokument detajohen të gjitha shqetësimet e opozitës lidhur me reformën në drejtësi. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, opinioni i Komisionit të Venecias analizon dhe gjen tërësisht të drejtë shqetësimet e opozitës dhe gjithë opinionit publik për problemet që pasqyronte përmbajtja e draftit lidhur me kapjen politike të sistemit. Por nuk është i këtij mendimi kryetari i Komisionit të Reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj, i cili theksoi dje se Komisioni i Venecias mbështet gjithë punën e bërë për reformën në drejtësi.
Përplasja
“Draft-raporti i Komisionit të Venecias në mënyrë profesionale detajon të gjithë shqetësimet e opozitës lidhur me reformën në drejtësi. Draft raporti i Komisionit të Venecias analizon dhe gjen tërësisht të drejtë shqetësimet e opozitës dhe gjithë opinionit publik për problemet që pasqyronte përmbajtja e draftit lidhur me kapjen politike të sistemit. Ky dokument çmonton skemën e kapjes politike të drejtësisë’, deklaroi dje Halimi. Ndërsa demokrati Enkelejd Alibeaj solli në vëmendje se në opinion thuhet se shumica prej 3/5 nuk është në funksion të depolitizimit të emërtimeve të reja. Deputeti Halimi tha gjithashtu se ekspertët e PD-së, Euralius dhe të OPDAT kanë nisur rishikimin e draftit për ta përshtatur me standardet më të mira dhe me propozime të ardhura nga ekspertët e opozitës dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në përgjigje të tyre, socialisti Xhafaj, duke i uruar opozitës mirëseardhjen në ‘trenin e reformës në drejtësi”, tha se baza më e mirë e bashkëpunimit janë rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Sfidoj cilindo, që del e thotë se Komisioni i Venecias ka rrëzuar ndonjë nga nenet e dërguara për opinion zyrtar ndaj projektit kushtetues. Absolutisht po, ka sugjerime për ta bërë më të mirë këtë projekt kushtetues, e ne do ta ndjekim me përkushtim të plotë politik dhe profesional rrugën e sugjeruar për përfundimin e punës kolosale që është bërë deri këtu”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve. Ai renditi qëndrimet aprovuese, siç u shpreh Xhafaj, të organizmit ndërkombëtar. “Sot të paktën në mos kërkofshin falje, duhet të heshtin, me faktin që opinioni zyrtar i Komisionit të Venecias iu dha të drejtë ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë në projektin e tyre, duke e konsideruar një standard normal dhe një zgjidhje të pranueshme. Ne jemi të kënaqur, vlerësojmë dhe i mirëpresim të gjithë të bashkohen rreth mbështetjes që i ka dhënë Komisioni i Venecias riorganizimit të Gjykatës së Lartë, riformatimit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, nevojës për ngritjen e disa institucioneve kushtetuese, si Këshilli për Emërimin, Tribunali Disiplinor, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e posaçme Antikorrupsion. Të gjitha këto i ka mbështetur raporti i Komisionit të Venecias”, theksoi Xhafaj. Kreu i Komisionit për reformën në Drejtësi theksoi se Komisioni i Venecias i ka thënë gjithashtu “Po” rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, një nga çështjet më të kundërshtuara në debatin politik.