HuffPost: Ja cila është lista e Donald Lu

Nga Fron Nahzi, Huffington Post, 22 dhjetor 2015,

donald-lu2-1024x831

Si një forcë e rëndësishme pas reformës në gjyqësorin shqiptar, ambasadori amerikan, Donald Lu, tha përpara një salle plot me gjyqtarë se ata ndahen në dy grupe: Ata që bëjnë punën e tyre ndershmërisht dhe ata që janë tmerrësisht të korruptuar.

“Nëse shihni poshtë në kyçin e dorës dhe keni një orë që kushton më shumë se makina ime, ndoshta jeni gjyqtar i korruptuar”, tha ai.

“Ju inkurajoj të lini profesionin menjëherë. Mund të përfundoni në burg shumë shpejt”.

E frustruar nga lidershipi shqiptar në luftën kundër korrupsionit, SHBA po ndryshon politikën e saj nga mbështetja e udhëheqësve të fortë tek ligje të forta, një lëvizje e mirëpritur nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët prej shumë kohësh.

25 vjet më parë, Sekretari i Shtetit amerikan, James Baker, u bë i pari zyrtar i lartë amerikan që vizitonte Shqipërinë.

Baker u prit me krahë të hapur nga më shumë se 300 mijë shqiptarë.

Ata dolën në rrugë dhe puthnin makinën e atij që mendonin se ishte shpëtimtari i tyre.

Pas 50 vitesh regjimi të ashpër komunist, shumica e shqiptarëve e kishin humbur besimin e tyre tek liderët dhe i kishin hedhur sytë tek Perëndimi, në veçanti tek SHBA, për të bërë gjëra që shqiptarët nuk kanë qenë në gjendje t’i bëjnë: të mbajnë të përgjegjshëm liderët e tyre.

Për fat të keq, amerikanët dhe europianët ishin më të interesuar që të ndalonin përhapjen e konflikteve jugosllave sesa të mbështesin qeverisjen e mirë në Shqipëri.

Si pasojë, ata mbyllën një sy kur Partia Demokratike e Sali Berishës erdhi sërish në pushtet dhe mori kontrollin mbi gjyqësorin (mbi të cilin ka akoma ndikim) dhe median e pavarur, pushoi nga puna profesorët bazuar mbi besnikërinë e tyre politike dhe përdorte mundësitë për një foto me liderët perëndimorë si provë e mbështetjes së Perëndimit ndaj tyre.

Gjatë 25 viteve të shkuara, pushteti është spostuar mes dy partive të mëdha në vend, Socialistëve dhe Demokratëve, kurse parlamenti është bërë një shpellë hajdutësh.

Amerikanët dhe europianët kanë bërë thirrje vazhdimisht për qeveritë që të luftojnë korrupsionin dhe nepotizimin.

Çdo qeveri e ka injoruar këtë thirrje.

Shumë zyrtarë të zgjedhur e nisin punën me apartamente modeste dhe dalin prej andej me vila luksoze dhe ora Cartier e Gucci.

Por si u bë Shqipëria një kleptokraci? Disa të huaj fajësojnë dështimin e shoqërisë civile dhe medias për të mbajtur zyrtarët të përgjegjshëm.

Shqiptarët fajësojnë liderët amerikanë dhe europianë se kanë mbështetur zyrtarët e korruptuar.

Një lider i korruptuar është një kundërshtar fantastik; një lider i korruptuar, por i mbështetur nga fuqitë perëndimore, është një Goliath.

Shqiptarët drejtojnë gishtin nga Sali Berisha, i cili prej shumë vitesh ishte djali i preferuar i SHBA dhe Europës.

Po ashtu ata drejtojnë gishtin tek Ilir Meta, kryetari i Kuvendit dhe kreu i LSI, partner në qeverisje i PS, i cili kur ishte në koalicion me Berishën, u kap në video duke kërkuar ryshfet.

Jo më, thotë ambasadori Lu. Korrupsioni nuk do tolerohet, të paktën jo nga Shtetet e Bashkaura, që kanë ndaluar zyrtarët e korruptuar që të marrin vizë për në SHBA.

Lu dhe BE kanë shtyrë qeverinë dhe opozitën të miratojnë një ligj që u ndalon individëve me rekorde kriminale të marrin poste publike.

Së bashku me partnerët europianë, tani duan të zgjidhin sfidën më të madhe të Shqipërisë: depolitizimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Reforma e propozuar kufizon rolin e politikës në caktimin e gjyqtarëve, detyron gjyqtarët të tregojnë burimin e pasurisë dhe forcon pushtetin e kryeprokurorit për të hetuar dhe paditur gjyqtarët e korruptuar.

Ajo që e bën unike këtë ndryshim të politikës së Uashingtonit është përkrahja për ambasadorin që ai të mbajë të përgjegjshëm zyrtarët … publikisht.

Ndryshe nga dy paraardhësit e tij, që kishin detyrën e pamundur që të punonin me një kryeministër kokëfortë si Sali Berisha, Lu ka gjetur një partner të gatshëm tek kryeministri Edi Rama.

Rama ka nisur një luftë ndaj korrupsionit duke i lejuar qytetarët që të denoncojnë online rastet e ryshfetit, ka pastruar forcën policore, po i jep fund evazionit fiskal dhe po detyron njerëzit të paguajnë faturat e energjisë.

Kur u pyet nga një gazetar se si propozon që të luftohet një fenomen kaq i përhapur dhe i ngulitur si korrupsioni, Lu tha: “Korrupsioni nuk duhet të luftohet nga ata që e kanë krijuar atë. Mos i lini politikanët të kontrollojnë iniciativën anti-korrupsion”.

Kur u pyet se kush do e bëjë betejën, Lu tha: “Ti dhe tre milionë qytetarë shqiptarë”.

25 vjet më parë, shqiptarët dolën në rrugë për të mirëpritur Baker me parrulla: “Mirësevini zoti Baker, ju kemi pritur për 50 vite”.

Nëse politika amerikane ia del të transformojë gjyqësorin shqiptar, shqiptarët mund të cicërojnë: “Ambasador Lu, të kemi pritur prej 25 vitesh”

(Sipas Mapo Online)

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi