Korrupsioni dhe ndikimi politik, shkaqet kryesore që nxisin informalitetin në Shqipëri
Sipas Monitor, 17 dhjetor 2015
Korrupsioni dhe ndikimi politik janë shkaqet kryesore që nxisin informalitetin në Shqipëri.
Ky është një ndër përfundimet e anketës së zhvilluar nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve te 100 biznese, ku u evidentuan problematikat dhe sfidat kryesore për një reformë të qëndrueshme dhe të suksesshme ndaj informalitetit. Më tej arsyet e tjera të perceptuara nga sipërmarrja private lidhen me: taksat e larta, qendrueshmëria e ligjeve, konkurrenca e pandershme etj.
Gjatë mbledhjen së radhës drejtuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, në fokus të mbledhjes ishte reforma anti-informalitet dhe hapat që duhet të ndërmerren nga qeveria, bizneset dhe palët e tjera të interesit me qëllim që rezultatet të jenë pozitive.
Drejtuesja e Sekretariatit, Diana Leka prezantoi rezultatet e analizës në lidhje me sfidën e informalitetit si një reformë e përbashkët qeveri–biznes. Ndërkohë, në këtë analizë është përfshirë edhe një anketë (anonime online) e realizuar nga Sekretariati gjatë muajit Nëntor dhe ku morën pjesë 100 biznese dhe u realizua edhe një studim i zinxhirit të vlerës dhe informalitetit në sektorin e përpunimit të qumështit.
“Rreth 67% e bizneseve pranojnë se informaliteti është kosto dhe jo për fitim, por megjithatë ka ende shumë vështirësi në treg që pengojnë formalizimin. Ndër më kryesorët janë sistemi tatimor dhe niveli i punonjësve tatimorë, aksesi në financim si dhe qëndrueshmëria e reformave që ndërmerren”, tha znj.Leka.
Sekretariati i Investimeve ngriti disa kërkesa dhe rekomandime për qeverinë, ku ndër më të rëndësishmit është hartimi sa më parë i një strategjie afatgjatë për të luftuar informalitetin.
Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj tha se qeveria po planifikon të hartojë një strategji dy-vjeçare ku do të draftohen qartë rrugët dhe hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim.
Anketa nxjerr në pah vlerësimet për klimën e të bërit biznes në Shqipëri dhe faktorët që e rëndojnë atë.
Kompanitë rendisin si faktorët kryesorë pengues për të zhvilluar aktivitete kreditimin nga bankat dhe taksat e larta.
Sipërmarrja private e anketuar ka bërë disa sugjerime për qeverinë sesi mund të reduktojë informalitetin, nga të cilat: zbatimi i ligjeve, ulja e taksave dhe thjeshtimi i proçedurave, janë tre elementët ku sipas biznesit qeveria duhet të ndërhyjë.