Këshilli i Europës: Nuk ka bisedime pa dënimin e korrupsionit dhe krimit
Nga Gjergj Erebara, BIRN, 16 dhjetor 2015
Këshilli i ministrave të Europës theksoi në një deklaratë të publikuar dje (15 dhjetor) se Shqipëria do të duhet të dëshmojë dënimin e korrupsionit në nivelin e lartë të qeverisjes para se të marrë një datë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.
Deklarata e miratuar nga Këshilli lavdëron Shqipërinë për progresin e deritanishëm por thekson se që nga vendimi për dhënien e statusit të vendit kandidat vitin e kaluar, Shqipëria nuk ka bërë shumë përpara.
“Këshilli vëren se përpjekje të mëtejshme nevojiten mbi prioritetet kyçe, në veçanti përmes miratimit të paketës së reformës në drejtësi si dhe progres i mëtejshëm në këndvështrimin e themelimit të një historie të shëndoshë me hetime proaktive, përndjekje ligjore dhe dënime finale të të gjitha niveleve në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë luftën kundër trafikut të drogës dhe armëve,” thuhet në pjesën për Shqipërinë në deklaratën e publikuar më 15 dhjetor.
“Këshilli thekson se reforma në drejtësi është celësi për ecjen përmasa të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe se mund të jetë transformuese edhe për reforma të tjera,” vijon deklarata.
Këshilli thekson gjithashtu nevojën për zbatimin e masave efikase ligjore dhe politike për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat kundër diskriminimit, përfshirë trajtimin e barabartë të të gjitha minotiteteve dhe zbatimin e të drejtës së pronës.
Shqipëria ka një histori shumë të dobët të luftës kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, ku prej dekadash nuk ka raste të dënimit final.
Këshilli i BE-së i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat në qershor 2014 ndërsa Raporti i Progresit të Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të BE-së, theksoi në tetor të atij viti se qeveria shqiptare ka shprehur vullnet për të luftuar korrupsionin dhe krimin.
Gjithsesi, në raportin e progresit të këtij viti nga ana e komisionit u theksua se korrupsioni, krimi dhe pandëshkueshmëria mbeten probleme kryesore të Shqipërisë. Statistikat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se në vitin 2014, në Shqipëri pati vetëm 15 ccështje të gjykuara për mitëmarrje të zyrtarëve të ulët dhe vetëm një ccështje për zyrtarët e nivelit të lartë apo të zgjedhur. Sistemi i statistikave të drejtësisë gjithsesi nuk është në gjendje të tregojë nëse këto janë vendime të formës së prerë apo jo dhe as nuk tregon dot masën e ndëshkimit që kanë marrë të dënuarit. Përmirësimi i sistemit të mbledhjes dhe raportimit të statistikave të drejtësisë është gjithashtu një nga kërkesat e BE-së.
Përveç këshillës për të vijuar me reformën në sistemin e drejtësisë, Komisioni i kërkoi Shqipërisë të përcaktojë me ligj se çfarë nënkupton me zyrtarë të lartë dhe me zyrtarë të nivelit të ulët si dhe të kriminalizojë posedimin e parave të pajustifikuara, gjë që duket se nuk e ka bërë ende.
Reforma në sistemin e drejtësisë synon që të modifikojë sistemin aktual kushtetues dhe të riformatojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke krijuar një institucion të ri me fuqinë për të pushuar nga puna prokurorët dhe gjykatësit që gjykohen si të korruptuar. Por pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar për nismën e qeverisë, aktualisht procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese ka ngecur dhe nuk është e sigurtë nëse kundërshtimet nga opozita dhe nga aleati i vogël në qeveri, LSI, do të mund të kapërcehen apo jo.
Pavarësisht se Shqipëria nuk mori gjë nga kjo mbledhje, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati lëshoi një deklaratë dje duke thënë se “mikpret konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së mbi zgjerimin”.
Përfitojnë Turqia dhe Serbia
Këshilli i ministrave të Europës në mbledhjen e fundit duket se ndryshoi drejtim në lidhje me politikat e zgjerimit, pasi në këtë mbledhje rigjallëroi bisedimet e anëtarësimit me Turqinë si dhe hapi bisedimet për anëtarësim me Serbinë, ndryshe nga sa qe diskutuar vitin e kaluar për “ngrirje të zgjerimit për së paku pesë vjet”. Sipas agjencisë Reuters, Bashkimi Europian vendosi të pezullojë zgjerimin për disa vite në korrik 2014, pasi u gjykua se popujt e Europës qenë lodhur nga kriza ekonomike dhe po anonin nga partitë e ekstremeve në të majtë dhe në të djathtë. Por kriza e refugjatëve këtë vit, ku disa qindramijëra refugjatë dhe emigrantë mbërritën në dyert e Europës përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, shtyu Bashkimin Europian të rimendohet për procesin e zgjerimit duke gjykuar se mbajtja hapur e bisedimeve për anëtarësim mund të shërbejë si mjet politik për zgjidhjen e problemit të refugjatëve.
Për rrjedhojë, zyrtarët e Brukselit hapën kapitullin e parë të bisedimeve për anëtarësim me Turqinë që nga viti 2013. Kapitujt janë fusha të përafrimit të gjendjes së një vendi anëtar me kushtet e BE-së për anëtarësim.
Po kështu, Serbia përfitoi hapjen e dy kapitujve të bisedimeve për anëtarësim, por njëri prej dy kapitujve ka të bëjë me marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën. Brukseli duket se ka vendosur të luajë kulaçin dhe kërbaçin duke parë se Serbia nuk e ka zbatuar anën e vet të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, marrëveshje që janë realizuar me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Këshilli refuzoi idenë e heqjes së vizave për nënshtetasit e Kosovës duke thënë se Kosova nuk i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Kosova është aktualisht i vetmi vend në Ballkan ku nënshtetasit e saj duhet të vijojnë të torturohen nëpër dyert e ambasadave për të marrë viza për të udhëtuar në hapësirën Shengen. Hapi i fundit në drejtim të liberalizimit të vizave është ndërmarrë në vitin 2010, kur u hoqën vizat për Shqipërinë dhe Bosnjën.