APP (atdheu i projekteve të papërfunduara)

Nga Skender Minxhozi, botuar në Java, 16 dhjetor 2015

lura-e-shkaterruar-23

Ky mund të ishte një akronim shumë i gjetur për Shqipërinë e tranzicionit 25 vjeçar. Një vend ku shuma e projekteve, gjysëm-projekteve dhe e punëve të nisura e të lëna në mes, është dhjetrafish më e vogël sesa masa gjigande e fjalëve e premtimeve që janë bërë nga të gjitha krahët, nga shqiptarë e të huaj, politikanë të ndershëm e batakçinj pa ngjyrë, nga njerëz me emër apo nga anonimë që dolën nga hiçi e përfunduan sërish në hiç.

Shqipëria është vendi ku një rrugë me vlera të jashtëzakonshme financiare, e cila mban emrin e madh Rruga e Kombit, ka nisur para dhjetë vjetësh dhe ende s’ka përfunduar, megjithëse buxheti i saj do të vazhdojë të mbajë peng disa breza shqiptarësh. Edhe të atyre që akoma s’kanë lindur. Ky është vendi ku tetë vjet më parë u ngrit mes sherresh të pafudme, një TEC në buzë të Adriatikut, me një faturë prej gati 90 milion eurosh, i cili ende sot nuk e ka prodhuar kilovatin e parë të energjisë. Është gjithashtu vendi ku 21 kilometra rrugë, e cila lëpihet gjatë bregut të një liqeni, atij të Pogradecit, kërkoi dy qeveri dhe tre vjet kohë, që të mbarohet. Shqipëria është vendi ku qindra koncesione HEC-esh, rreth një dekadë më parë, përgatisnin në letër, së bashku me centralin bërthamor imagjinar, atë që shihej si “superfuqia energjitike”. Megjithatë sot kemi një grusht letrash pa vlerë nëpër xhepa dhe asnjë central atomik. Ashtu siç kemi një ambjent të masakruar, pyje të prera, lumenj të ndotur e të gërryer.

Shqipëria ka fjetur me dekada mbi gjurmë virtuale koridoresh, autostradash, projektesh turistike gjigande, por s’ka parë të ndërtohet asnjë syresh. Fatos Nano do e kthente Sazanin në një kazino të përmasave mesdhetare, këtu e dhjetë vjet të shkuara, por aty sot shkohet sërish me një varkë artizanale ose me skafe që dikur transportonin hashash, ndërkohë që ishulli ka shumë ferra e gjarpërinj, por asnjë lojtar të thekur letrash apo ruleti.

Autostrada e famshme Tiranë-Elbasan, me tunelin po aq të famshëm të përuruar në kohë zgjedhjesh, është edhe ajo e lënë përgjysëm, si Rruga e Kombit. Për të shkuar në qytetin e ballakumeve nga Tirana, duhet sërish të kalosh nëpër segmentet e vjetra rrugore të kohës së komunizmit. Për të mos folur më pas për rrugët e Veriut dhe të Jugut, që të gjitha të arnuara. Diku rruga zgjerohet me katër kosi, por pa sinjalistikë, pastaj papritmas ngushtohet dhe përpara të del asfalti gjithë gropa i kohës së komunizmit. Shikoni shkollat, spitalet, stadiumet, institucionet artistike: ngjajnë të gjitha me punë të nisura e të lëna përgjysëm. Që të gjitha janë pjesë e një projekti të madh ende të papërfunduar.

Ende sot, 25 vjet pasi kemi zbuluar trafikun masiv rrugor, rjetet autostradale dhe pasi kemi lëvizur në të gjitha vendet e mëdha të Europës e Amerikës, dëshpërohemi teksa shohim që për të vajtur nga një qytet në tjetrin, duhet me patjetër që t’i biem mes përmes thuajse të gjitha qendrave të mëdha urbane që na dalin gjatë rrugës. Do të shkosh në Vlorë? Do të hysh patjetër në periferinë “afgane” të Fierit, e sapo të lesh pas një copë autostradë, të del perferia tjetër po aq e shkatërruar e qytetit të Pavarësisë.

Ky është atdheu ynë ku gjithçka nis me vështirësi, por mbaron edhe me më shumë vështirësi (nëse mbaron vërtet dikur). Ky është vendi ku gjëja më e pavlerë, është e vetmja gjë që ikën e nuk kthehet më: koha. E megjithatë a nuk jemi po ne që themi “koha është flori”? Mesa duket as florinjve nuk jemi në gjendje t’ua gjejmë vlerën.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi