Të punësuar në sektorin buxhetor 2016
Sipas Open Data Albania, 10 dhjetor 2015
Open Data Albania ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e të punësuarve në institucionet buxhetore për vitin 2016. Të dhënat janë marrë nga tabelat shoqëruese të ligjit për buxhetin e shtetit 2016. Insitucionet Buxhetore janë ministritë, drejtoritë në vartësi të drejtpërdrejtë apo institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese. Pagat e tyre mbulohen nga Buxheti i Shtetit.
Gjatë viteve 2011-2014 numri i punonjësve buxhetore ka shënuar tkurrje. Në vitin 2015, numri i punonjësve buxhetorë ndryshoi trendin e viteve të mëparshme duke i shtuar administratës shtetërore 2200 punonjës të rinj. Ky trend në rritje nuk do të vijojë në vitin 2016. Në ligjin e buxhetit të shtetit të miratuar për vitin 2016 janë parashikuar 81 350 punonjës, rreth 7 200 më pak se në vitin 2015.
Viti 2016, shënon edhe vitin me numrin më të ulët të punonjësve buxhetorë gjatë viteve 2011-2015. Megjithatë, bazuar në relacionin e buxhetit, kjo ulje e madhe nuk nënkupton shkurtime në administratë, por reflekton një transferim të disa funksioneve nga qeveria qendrore drejt qeverisë vendore.
Institucionet me numrin më të madh të të punësuarve edhe për vitin 2016 mbeten Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes. Pavarësisht se kemi një rënie të madhe të numrit të punonjësve në arsim, sërish Ministria e Arsimit dhe Sportit ka numrin më të madh të punonjësve, rreth 38% të totalit. Nga ana tjetër, institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me 6 anëtarë ose 0.007 % të totalit. Kjo shifër ka ngelur konstante për të 6 vitet e shqyrtuara.
Po të krahasojmë vlerat në vitin 2015 dhe 2016, do të shohim se ka tkurrje të punonjësve Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Brendshme; Ministria e Mjedisit; Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit; Instituti Statistikës dhe Institucione të tjera Qeveritare. Institucioni më i prekur nga kjo tkurrje është Ministria e Arsimit dhe Sportit, me rreth 7100 punonjës më pak. Kjo vjen edhe si pasojë e kalimit të kompetencave tek qeverisja vendore.
Kryeministria është institucioni që ka shtesën më të madhe të numrit të punonjësve. Në vitin 2016 ky institucion do presë 303 punonjës të rinj. Shtesa në numrin e punonjësve do të ketë sërish Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me 177 punonjës, Ministria e Mbrojtjes me 247 punonjës, Ministria Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes me 148 punonjës, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujerave me 128 punonjës. Shtesa në institucionet e tjera mbeten në nivele më të ulëta.
– Më shumë shih në: http://www.open.data.al/sq/lajme/lajm/id/1606/Te-punesuar-ne-sektorin-buxhetor-2016#sthash.1wk6D11e.dpuf