Qeverisje është më shumë se qeveri

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama*, 10 dhjetor 2015

rexhep_meidani_1682-473x266Zhgënjimi publik nga seancat parlamentare të së enjtes është i dukshëm Tashmë, dhe mjaft deputetë e deklarojnë këtë diku hapur, diku nën zë; madje atykëtu edhe duke folur me shpoti ose duke përshirë në faqet e veta të Facebook-ut deri parodi e talljeje për këto seanca. Veçanërisht e turpshme, me një veshje psikike të shëmtuar, ka qenë seanca parlamentare mbi diskutimin e buxhetit, ku dominuan dhe figura me përmbajtje falike (“më tepër homogjene se heterogjene”)…

A MUND TË VAZHDOHET KËSHTU?

Ende pas 25 vjetësh nuk është kuptuar ose nuk dëshirohet të kuptohet se Parlamenti është një nga strukturat, madje më kryesorja e qeverisjes në një republike të konsideruar si parlamentare, nga ana kushtetuese. Lidhur me të, një mori pyetjesh vazhdojnë të shqetësojnë qytetarët: A nuk duhet të rrezatojë Kuvendi cilësinë dhe seriozitetin e duhur të institucionit bazik? A nuk duhet të pasqyrojë ai moralin demokratik, qoftë si ansambël, qoftë si individë-pjesë të tij?

A nuk duhet të karakterizohet ai nga vetëpërmbajtja e kompromisi, qetësia e sjellja qytetare, debati konstruktiv e toleranca, etika e argumenti? Etj., etj. Me sa shihet, as që mund të bëhet fjalë për gjëra të tilla! Përkundrazi! Për më tepër, nuk po kuptohet (ndoshta, kuptohet, por parapëlqehet e synohet!) që konflikti parlamentar transmetohet lehtë si konflikt në gjirin e shoqërisë, deri me pasoja tepër serioze! Dhe, kur kjo po ndodh në institucionin më publik të qeverisjes, vetëkuptohet se ç’mund të ndodhë në hallkat e tjera, p.sh., në parlamentet lokale apo në zyrat e administratës publike. Për këtë situatë anormale në Kuvendin e Shqipërisë mban përgjegjësi çdo deputet i Kuvendit, por, ama, përfaqësuesit e degës ekzekutive duhet ta qetësojnë situatën, jo të vijnë aty për t’i hedhur benzinë zjarrit!

Sepse ministrat e kryeministri vijnë në Parlament për të sqaruar deputetët, për t’iu përgjigjur pyetjeve e dhënë llogari, për të argumentuar me transparencë e profesionalizëm veprimet e qeverisë, aq më tepër në përdorimin e parasë publike. Dhe, aspak, për retorikë pa kuptim e pa përmbajtje!…

QEVERISJE ËSHTË MË SHUMË SE QEVERI

Edhe pse koncepti mbi qeverisjen nuk është aspak i ri, ai, shpesh, nënkupton jo të njëjtën gjë për njerëz të ndryshëm apo për sisteme (regjime) të ndryshme. Kjo vlen dhe për politikën shqiptare. Përfaqësuesit e saj parapëlqejnë demokracinë në opozitë, por infektohen rëndë nga arroganca e autoritarizmi kur janë në pushtet. Në këtë kuptim, me konceptin e qeverisjes lidhet ngushtë dhe karakteri e personaliteti i drejtuesve kryesorë, vetë niveli i qeverisjes, qëllimet e objektivat kryesorë të saj, përafrimet e metodat e përdorura etj.

Po ashtu, krahas përmbajtjes “akademike” të këtij koncepti, me peshë të veçantë është dhe përmbajtja politike e tij. Në mjedisin shqiptar (por jo vetëm aty) vetë qeverisja, sidomos për pozitën, identifikohet qartësisht me qeverinë. Por, dhe në vende të tjera, ajo merret si sinonim i saj; kur mishërohet akti apo procesi i të qeverisurit, në mënyrë më specifike autoriteti i drejtimit dhe kontrollit ekzekutiv. Pra, në kuptimin e procesit të të qeverisurit ato ndërthuren shpesh midis tyre, me theksim të funksionit ekzekutiv për qeverinë (përfshirë administratën publike qendrore e vendore), ndërkohë që vetë akti i të qeverisurit nënkupton qeverisjen në tërësi.

E thënë ndryshe, kur bëhet fjalë për veçori të tilla nënkuptohet dega ekzekutive e qeverisjes apo qeveria, e cila kërkon, nga ana e saj, të akumulojë të gjitha kompetencat shtetërore, përtej kornizës kushtetuese. Një proces i tillë akumulues-uzurpues mund të bëhet shumë më i rrezikshëm me ndryshime të tilla kushtetuese, ku gjithçka përqendrohet te dega ekzekutive dhe shefi i qeverisë. Këtë rrezik shfaq dhe synimi i sotëm për ndryshime të reja kushtetuese, pa balancuar ndryshimet kushtetuese “çekuilibruese” të vitit 2008.

NEVOJA PËR KONVERGJENCË

Qeveria në vetvete është vetëm njëra strukturë apo kolonë në shoqërinë e sotme, që e gjen legjitimitetin dhe fuqinë e vet te mbledhja e taksave, shpenzimet, ligjet dhe sistemi rregullator i miratuar. Dy kolona të tjera janë: biznesi (sektori me përfitim), që e derivon fuqinë e tij nga puna, punësimi e pagimi i taksave dhe sektori i shoqërisë civile, që e gjen mbështetjen te të shërbyerit pa përfitim të interesit publik (sektori pa përfitim). Këta tre sektorë të ndryshëm kanë gjuhën, praktikën dhe kulturën e tyre specifike. Një problem e shqetësim në vete është mosbesimi midis tyre, kërcënimi e kufizimi i ndërsjellë, sidomos ai me origjinë qeverinë.

Kjo shihet qartë në jetën e sotme shqiptare, ndryshe nga ç’pritej apo deklarohej më parë. Sidomos, po të kuptohej drejt qeverisja si një proces unifikimi e ndërveprimi, integrimi e menaxhimi në shoqërinë moderne. Pra, në një vështrim më të plotë, qeverisja është një koncept shumë më i gjerë se qeveria, sepse te qeverisja mishërohet edhe ndërveprimi midis degëve kryesore (legjislative, ekzekutive e gjyqësore), midis kabinetit e agjencive të qeverisë dhe institucioneve private, institucioneve shtetërore dhe atyre të biznesit e shoqërisë civile; procesi i ushtrimit të fuqisë dhe i ndikimit të elementëve dhe strukturave të shoqërisë në politikëbërje e vendimmarrje në lidhje me jetën publike, vetë emancipimin social-kulturor.

Po ashtu, pavarësisht ndryshimit midis tyre, këto dy koncepte duhet të jenë konvergjente, me ecje gati paralele midis tyre, për më tepër bashkëpunuese e jo bllokuese, qoftë dhe në situata kohabitacioni. Por, për fat të keq, ky nuk është rasti shqiptar, ku marrëdhëniet midis institucioneve kryesore janë gati të papajtueshme e antagoniste, madje kanë sjellje divergjente ndërmjet tyre, shpesh me një ecje e sjellje pothuajse antiparalele. Një divergjencë e tillë është krejt evidente, madje qartësisht e ekspozuar, midis institucionit të kryetarit të shtetit dhe atij të qeverisë! Akoma, më keq, midis institucionit të opozitës dhe atij të pozitës, që po bëhet tepër stresuese për qytetarin shqiptar kur ndjek seancat parlamentare të së enjtes…

DISA VEÇORI MBI QEVERISJEN

Për ta kuptuar më mirë këtë “kakofoni” stresuese të politikës shqiptare, sidomos të asaj parlamentare, krahas karakteristikave të zakonshme të qeverisjes, mund të rreshtohen dhe këto pasueset:

– Qeverisja (jo patjetër qeveria) është dhe një përafrim konceptor që, kur përpunohet si duhet, mund të përcaktojë dhe një sistem referimi në analizën krahasuese të makro-politikës.

– Qeverisja lidhet dhe me çështje të natyrës kushtetuese, që përcaktojnë edhe rregullat e sjelljes politike.

– Qeverisja nënkupton e përfshin, po ashtu, ndërhyrjen krijuese të aktorëve politikë për të ndryshuar strukturat, që pengojnë shpalosjen dhe shprehjen e potencialit njerëzor.

– Qeverisja është një koncept racional, që thekson natyrën e bashkëveprimit midis shtetit dhe aktorëve ekonomikë e socialë, apo qoftë dhe ndërmjet vetë këtyre të fundit.

– Qeverisja u referohet, po ashtu, tipave të ndryshëm të marrëdhënieve midis aktorëve institucional-politikë e socialekonomikë, të ligjëruar nga ana ligjorekushtetuese e social-ekonomike, por në asnjë mënyrë me orientim kaotik e arbitrar. Pra, qeverisja, përveç të qenët një instrument i menaxhimit të çështjeve publike, një kalibruese e zhvillimit institucional-politik dhe social-ekonomik, është dhe një mekanizëm i frytshëm dhe i dobishëm në fuqizimin e legjitimitetit të fushës publike, vetë realitetit publik. Ajo bëhet, kështu, dhe një sistem referimi apo një formë përafrimi ndaj politikave krahasuese midis partive të pozitë-opozitës brenda vendit apo në ndërveprimin me vendet e tjera.

DISA VEÇORI SHQIPTARE

Në rastin shqiptar, vlen të shtohen dhe disa karakterizime të tjera që, në thelb, mishërojnë disa deformime të dukshme në qeverisje, përfshirë dhe degën ekzekutive. Të tilla janë, p.sh., këto specifikime:

– Qeverisja (më tepër qeveria) nuk mund të jetë tekë e ndonjë individi inatçi e kapricioz, por ndërthurje e mendimit racional me veprimin e planifikuar.

– Qeverisja nuk mund të jetë fantazi çasti, por llogari kohëgjatë dhe e detajuar.

– Qeverisja nuk mund të jetë thjesht shpalosje përrallash, premtimesh e gënjeshtrash të pambarimta, por modesti, energji e sakrificë për plotësimin e tyre.

– Qeverisja nuk mund të jetë gjeneruese llafesh boshe, shpifjesh e sharjesh me “skuadra pisash pa emër” nëpër blog-e të paguara, as ushqyese marifetesh e manipulimesh, as propagandë e teatër, as manikyr e ngjyrosje, por investime sa më efektive në infrastrukturë; në edukim, shëndetësi e mbrojtje mjedisore; në punësim, mirëqenie e zhvillim.

Duke bërë krahasimin e thjeshtë me mjedisin qeverisës shqiptar, në vend që qeverisja (mbi të gjitha, qeveria) të shndërrohet në një ombrellë në përafrimin pozitë-opozitë, veçanërisht në unifikimin e politikave ekonomike krahasuese, përfshirë dhe ato tatimore, ajo është shndërruar, diku me dashje, diku pa dashje, në një mburojë të jo efektivitetit e paaftësisë, deri dhe abuzimit e mitmarrjes, evazionit e korrupsionit.

NJË LEXIM JO INKURAJUES

Në të vërtetë, qeverisja jo vetëm i përfshin, por dhe u jep përmbajtje më kolektive koncepteve të tilla, si shteti, regjimi, qeveria, qeveria e mirë etj. Kjo bëhet akoma më triviale, sidomos kur bëhet fjalë për “qeverinë e mirë”. Kështu, në vende të zhvilluara, shumë elementë të saj, si niveli i organizimit dhe efektiviteti i tij; ai i konceptimit dhe formulimit të politikave konkrete (me parë- si ato ekonomike); rrugës së zbatimit të tyre etj., i kontribuojnë drejtpërsëdrejti rritjes, stabilitetit e mirëqenies.

Me rëndësi janë dhe mjaft veçori të tjera, si llogaridhënia, transparenca, pjesëmarrja qytetare etj., që janë shndërruar tashmë në një pjesë integrale të vetë kuptimit të qeverisjes në përgjithësi. Për të kuptuar se sa larg jemi, në kushtet shqiptare, prej standardit të qeverisjes së mirë (por dhe për të mos “u zhyer” nga plehrat e blog-eve të temës me haraç material!) po shfrytëzojmë këtu një përcaktim të përafërt me atë të Bankës Botërore.

Sipas saj, një qeverisje e mirë është: ajo që mishëron një politikëbërje të hapur, të kuptueshme dhe forcë parashikuese; një burokraci që kryen detyrat e saj me seriozitet profesional në shërbim të së mirës publike, zbatimit të ligjit; si dhe procese transparente dhe pjesëmarrje të fuqishme të shoqërisë civile në çështjet publike. Kurse një qeverisje e keqe, nga ana tjetër, është: ajo që karakterizohet nga një politikëbërje arbitrare, burokraci e papërgjegjshme, sistem legal jo të drejtë me zvarritje vendimesh ose moszbatim të tyre, abuzim të fuqisë ekzekutive, një shoqëri civile të paangazhuar në jetën publike, dhe një korrupsion të shtrirë gjithandej. Ku futet atëherë rasti i sotëm shqiptar?!…

* * *

Nëse lexuesi i krahason këto lloj përcaktimesh me këtë realitet shqiptar, ka shumë mundësi që përgjigjja të mos jetë pozitive, pavarësisht optimizmit e “megaoptimizmit” të disa përfaqësuesve të drejtimit ekzekutiv. Dhe jo vetëm kaq! Shumë shqetësues po ribëhet, në ditët e sotme, legjitimiteti politik që do të jetë, së shpejti, një variabël e varur jo thjesht nga procesi real i dekriminalizimit, por edhe nga apatia, dobësia e jo efektiviteti i vetë qeverisjes.

Titulli në gazetën Panorama është “Një e enjte parlamentare zhvlerësuese për qeverisjen”

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi