Borxhi publik dhe nevoja e rritjes ekonomike
Nga Bujar Leskaj*, botuar në Panorama, 6 dhjetor 2015
Borxhi, kur orientohet apo menaxhohet nga objektiva të qartë ekonomikë, socialë e politikë, është një instrument kyç makroekonomik, por të gjithë jemi dëshmitarë të një konteksti shumë të ndryshëm të borxhit publik … atë që zgjeron në vend që të ngushtojë pabarazinë sociale”.
Me këto fjalë do ta hapte Konferencën e 10-të të UNCTAD (nëntor 2015) mbi “Menaxhimin e Borxhit Publik”, z. Majkëll D. Higgins, President i Republikës së Irlandës. Duke sjellë eksperiencën e dhimbshme, por të suksesshme të Irlandës në kapërcimin e krizës në menaxhimin e borxhit të saj publik, Higgins do të katalizonte një debat të gjerë mes pjesëmarrësve, kur u shpreh se: “Brenda një modeli të ngushtë ekonomik, ku vetë Shteti perceptohet si problematik dhe ku rritja e qëndrueshme ekonomike po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u mbarëvajtur, borxhi kthehet në një mekanizëm që maskon politikat e dështuara fiskale dhe strukturore, duke realizuar të ashtuquajturin kapitalizëm pa demokraci”.
Asnjëherë më shumë se sot, debati mbi borxhin publik dhe ndikimet e tij nuk ka qenë kaq shumëpërmasor. Duke e trajtuar atë të lidhur ngushtë me sovranitetin kombëtar, varfërinë, kohezionin social, kulturor e ekonomik (që dikush do ta quante thjesht “globalizim”), ndikimin në mjedis, shkencë e teknologji, strukturën institucionale të një vendi, rajoni e më gjerë, borxhi publik po i kapërcen kufijtë e një instrumenti makroekonomik thjesht dhe vetëm monetar e fiskal dhe po kthehet në një problem social brezash, një trashëgimi sa kulturore, aq edhe mjedisore.
Borxhi i sektorit publik, atëherë kur menaxhohet optimalisht, është një element i pazëvendësueshëm i çdo strategjie ekonomiko-financiare për zhvillim. Por ai mund të shndërrohet shumë shpejt në një barrë të rëndë kur huamarrja është e palidhur me investime në projekte frytdhënëse, apo edhe në rastet kur vendi goditet nga faktorë të jashtëm që destabilizojnë ekonominë vendëse. Në një ekonomi të integruar, menaxhimi eficient dhe transparent i borxhit është një sfidë dinamike dhe komplekse. Nuk mjafton vetëm përqendrimi në matjen e qëndrueshmërisë së borxhit (në të gjitha drejtimet e tij: normë interesi, stok, proporcioni midis kreditorëve të huaj dhe atyre vendas, etj.), por duhen analizuar me kujdes, në thellësi dhe në afat të gjatë, pasojat që ka politika e borxhit në zhvillim, mjedis dhe barazi sociale.
Saga e krizës financiare globale dhe e Eurozonës ka prekur tashmë vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Rritja galopante e borxhit po shndërrohet në një kërcënim global për stabilitetin ekonomik. Tetë vjet pas nisjes së krizës dhe bota ende nuk po ndërron dot marshin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe integral ekonomik. Vendet e zhvilluara po reagojnë ngadalë, ndërkohë që vendet në zhvillim, të cilat ishin motori kryesor i zhvillimit që nga viti 2011, tashmë kanë filluar të ngadalësojnë ritmet e rritjes dhe të kalojnë në stanjacion.
Në zemër të këtij sistemi të brishtë kulisash makro e mikroekonomike qëndron borxhi publik. Nga 21 miliardë USD, që përllogaritej niveli global i borxhit në vitin 1984, sot ai qëndron në 200 miliardë USD. Në rritje prej afro dhjetëfish, ndërkohë që popullsia e botës për të njëjtën periudhë është rritur 1,4 herë, ndërsa GDP-ja në terma realë ka qëndruar pothuajse e njëjtë.
Të gjitha sa më lart vlejnë edhe për vendin tonë, por Shqipëria shfaq një sërë karakteristikash unike lidhur me borxhin publik e konkretisht, te ne niveli i borxhit ndaj GDP-së deklarohet se është aktualisht në nivelin 72 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. E perceptuar fillimisht si një ekonomi e imunizuar ndaj goditjeve ekzogjene, për shkak të mosintegrimit me tregjet financiare europiane e ato botërore, borxhi publik u rrit gradualisht për të injektuar para në një sistem që kishte nevojë për investime vitale në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, energji etj., pavarësisht potencialit të kufizuar prodhues që e disponojmë aktualisht. Fillimisht, qeveria synonte të zëvendësonte stokun afatshkurtër të borxhit me stok afatgjatë, ndërkohë që sot e ka plotësuar këtë politikë edhe me zëvendësimin e borxhit vendës me borxh të huaj. Nga ana tjetër, janë marrë masa shtrënguese në drejtim të reduktimit të shpenzimeve publike dhe rritjes së të ardhurave tatimore, duke zgjeruar horizontalisht dhe vertikalisht bazën dhe normat tatimore, me qëllim kurimin e deficitit buxhetor dhe uljen e nivelit të borxhit, edhe sipas udhëzimeve të FMN-së e organizmave të tjerë ndërkombëtarë. Të gjitha këto veprime dëshmojnë për ndjekjen e një modeli klasik në kapërcimin e vështirësive që sjell huamarrja e tepruar publike, një modeli që ka dhënë prova të suksesit, por që shoqërohet gjithashtu me kosto të larta sociale, ashtu siç dëshmon edhe rasti i Irlandës. Veprimet qeverisëse për uljen e borxhit janë gjithashtu në linjë edhe me udhëzimin e kahershëm të KLSH-së për fiksimin e nivelit të borxhit në 60%, jo vetëm në Ligjin organik të Buxhetit të Shtetit, por edhe në Kushtetutë. Sot ne jemi të ndërgjegjshëm që ky nivel nuk arrihet dot, por le të ecim sipas objektivave të përcaktuara në Strategjinë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, pra, për vitin 2017, borxhi publik të reduktohet në 65.5% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe në vitin 2020 të jetë 56.7 për qind e PBB-së.
E megjithatë, menaxhimi i borxhit në Shqipëri ka ende vend për përmirësime thelbësore, siç është rasti i: 1) Analizave më të kujdesshme në ndërtimin e portofolit të borxhit lidhur me afatet, monedhën dhe risqet përkatëse. Të gjitha këto analiza duhen strukturuar e përmbledhur në një Manual të Borxhit Publik, ku në referencë të standardeve dhe praktikave më të mira të përcaktohet metodologjia për parashikimin, zhvillimin e aktivitetit të huamarrjes, të shërbimit, monitorimit dhe raportimit të borxhit; përcaktimi i procedurave dhe teknikave për vlerësimin e risqeve, si dhe treguesit e matjes së performacës së veprimtarisë së huamarrjes publike; krijimi i një baze të dhënash e integruar të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm. 2) Në kushtet e verifikimit të një mungese ekstreme të stafit për kryerjen e analizave dhe menaxhimin e portofolit të borxhit, si dhe kapaciteteve ligjore të nevojshme për garantimin e mirëmanaxhimit të borxhit, duhet të ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin cilësor të menaxhimit të borxhit, duke u drejtuar drejt një menaxhimi strategjik për të arritur qëndrueshmërinë e borxhit publik, duke e kombinuar me minimizimin e riskut të normave të interesit, nëpërmjet orientimit drejt instrumenteve të borxhit që afrojnë norma të favorshme për jetëgjatësinë e tij. 3) Investimit të borxhit në projekte rentabël dhe jo përdorimit të tij për kryerjen e shpenzimeve korrente apo pagesës së borxheve të vjetra.
Në fjalë të fundit, për të gjithë ata që analizojnë problemet dhe çështjet ekonomike, përfshirë dhe borxhin publik, sfida është e karakterit moral. Çfarë kemi prioritet? Cilat janë supozimet që qëndrojnë në themel të modelit tonë të përbashkët social, akademik, politik, ekonomik e publik?
Teknikat e kujdesshme të menaxhimit të borxhit duhet të burojnë nga vendosja e prioriteteve dhe mënyrat që zgjedhim për t’i mbështetur ato. Të mos harrojmë se prioritet është e ardhmja e vendit dhe brezave që do të vijnë. Ne nuk e trashëgojmë botën nga të parët tanë, por e huazojmë për fëmijët tanë.
*Kryetar i Kontrolli të Lartë të Shtetit