Kushtetuta dhe dekriminalizimi

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli, 3 dhjetor 2015

afrim-KrasniqiMe rastin e 103 vjetorit të shtetit Kuvendi i Shqipërisë arriti kompromisin e nevojshëm por edhe simbol të dekadencës politike, – për demkriminalizimin e jetës politike dhe vendimmarrjes. Konsensusi politik kërkoi rreth një vit negociata e presione politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Sot konsiderohet arritje politike madje edhe historike! E tillë qe konsideruar edhe akti i vitit 2012 për kufizimin e imunitetit, edhe kompromisi politik për ndryshim kushtetute më 2008, edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor më 2008, edhe të gjitha marrëveshjet politike midis mazhorancës dhe opozitës politike. Koha dhe bilanci ka treguar se në fakt, shumica absolute e tyre nuk sollën asgjë historike, dhe rezultuan vendime politike me impakt formal ose negativ në cilësinë e demokracisë dhe ndikimin publik.

Pakti për dekriminalizimin duket se do të jetë arritja dhe zhgënjimi i radhës. Është hap pozitiv, por dukshëm i pamjaftueshëm dhe suksesi varet nga vullneti politik i vetë atyre që shkaktuan kriminalizimin. Argumentet janë të shumta: nuk kemi individë kriminelë që kanë hyrë në politikë e vendimmarrje, por kemi individë me kredenciale kriminale që janë ftuar të marrin poste, janë emëruar deputetë dhe me siguri, do të jenë ende zgjedhje preferenciale e shefave respektivë politikë. Në një vend me nivel të lartë korrupsioni më funksionale do kishte qënë heqja e të korruptuarve nga politika sesa figurat lokale me të kaluar kriminale, – sepse në fund të fundit, korrupsioni prodhon kriminalitet, informalitet, dobësim të demokracisë, të institucioneve dhe zhgënjim popullor. Pra në vend të njërit prej produkteve të korrupsionit duhej rënë dakord të zhdukej burimi, – gjë për të cilën cuditësisht ka konsensus për të kundërtën, – për mbajtjen të paprekur të sistemit, për ndarje klienteliste të favorit të pushtetit dhe të përdorimit klientelist me rotacion të burimeve dhe mekanizmave korruptive.

Ajo që përbën lajm trishtues është lehtësia me të cilën ne po ndërhyjmë dhe ndryshojmë Kushtetutën e Shqipërisë, dokumentin vital mbi të cilin ngrihet kontrata shoqërore, raporti shtet-invidiv dhe institucionet e pretenduara të demokracisë funksionale. Le të shohim një bilanc teknik: Kushtetuta e Shqipërisë ka 177 nene efektive, nga të cilat rreth 50 nene janë deklarative, pra parime e angazhime të njëjta në cdo kushtetutë. Brenda neneve të mbetura (120-127) politika ka kryer disa ndërhyrje: 12 nene të shtuara, hequra ose ndryshuara në vitet 2007-2008 si dhe 10 nene të ndryshuara në periudha të tjera përfshirë në cështjen e imunitetit. Me reformën në drejtësi pritet të ndryshojnë 20-22 nene të tjera, me procesin e afrimit të anëtarësimit në BE do ndryshohen të paktën 5-6 nene të tjera, si dhe konsensusin e fundit politik për dekriminalizimin janë propozuar të ndryshohen plot 16 nene kushtetuese. Janë më shumë se 65 ndryshime në Kushtetutë ose rreth 50% e neneve efektive të dokumentit bazë kushtetues të vitit 1998.

A është normale që krizat e ditës ti zgjidhim duke (keq)përdorur Kushtetutën? A është normale që të ndryshojmë gjysmën e Kushtetutës pa i dhënë praktikave kushtetuese as shansin minimal të provës nëse funksionon në praktikë? A është normale të ndryshojmë në Kushtetutë 3 herë sistemin zgjedhor, 3 herë mandatin e Prokurorit, 2 herë mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, 3 herë formulën e përbërjes së KLD, etj, etj? Cili vend tjetër demokratik në botën e sotme fut në Kushtetutë 22 amendime që lidhen me nocionin e kriminalizimit të politikës? Si mundet që për shkak të papërgjegjëshmërisë së 2-3 liderëve politikë ta sakrifikojmë Kushtetutën dhe ta kriminalizojmë atë, duke e bërë shembull global të kriterit të dekriminalizimit për cdo funksion shtetëror e politik? Si do tu themi fëmijëve tanë pas 30 apo 50 vitesh për këtë masakër kushtetuese? A mjafton alibia se më 2013 patëm probleme me ca djem nga Lezha, Shkodra, Kavaja, Kamza, Vlora, Peqini apo Fieri dhe kështu, e zgjidhëm problemin duke ndryshuar 22 nene të Kushtetutës? A kanë moral politik ata që e konsiderojnë veten elitë politike të votojnë eksperimente të tilla absurde dhe fyese për nocionet e shtetit demokratik?

Kur më 2004 Presidenti Moisiu mblodhi juristë të njohur hartues të Kushtetutës për t’i pyetur për situatën e atëhershme (qeverisja 6 muaj me katër zv/ministra) shqetësimit të tij përse zgjidhja nuk është përcaktuar në Kushtetutë një prej juristëve më të njohur në vend iu përgjigj: sepse “kur e shkruajtëm kushtetutën nuk menduam se ka Kushtetutë, por ka edhe Nano”. Komisioni i Venecias e thotë shprehimisht dhe vazhdimisht: Kushtetuta përcakton parime, standarde, rregulla, koncepte dhe përgjegjësi, – ajo nuk është dhe nuk mund të jetë një bashkim mekanik detajesh që lidhen me politika dhe interesa të ditës. Duke e ditur këtë, atëherë përse është e nevojshme të ndryshojmë kushtetutën në 22 nene për të kuptuar se abc-në e demokracisë: se kriminelët nuk mund të emërohen deputetë, ministra dhe as zyrtarë të lartë? Cili nen i Kushtetutës aktuale e lejon hyrjen e kriminelëve në politikë? Cili nen i nëpunësit civil lejon hyrjen e individëve me kredenciale kriminale në administratë?

Unë jam pedagog dhe çdo vit më kërkohet një dëshmi penaliteti, kam bërë kurs makine dhe më është kërkuar deshmia e penalitetit: a nuk kërkohet e njëjta edhe për zyrtarët e lartë politikë, ekzekutivë, gjyqësorë dhe institucionalë? Zgjidhja është shumë më e thjeshtë: të gjithë do ishim të çliruar nga vala e kriminalitetit nëse shteti do kishte database për zyrtarët e saj, nëse partitë do respektonin ligjin dhe statutin e tyre, nëse zyrtarët dhe vendimmarrësit do zbatonin praktikat e mira në emërime dhe (për)zgjedhje. Edhe sot, nëse Rama, Basha, Meta, Idrizi, Mediu dhe ca të tjerë bien dakord të respektojnë ligjin e partive dhe ligjin mbi funksionarët publike, pra që të mos ketë më kriminelë në partitë e tyre dhe vendimmarrjen politike,-problemi zgjidhet. Ndryshimi 22 herë i Kushtetutës nuk zgjidh asgjë, përkundrazi, hap dritare për intepretime e debate të reja mbi përputshmërinë midis Kushtetutës dhe dosjeve personale, – dhe kështu, do jetë ushqim për debatet politike të vitit 2016-2017 dhe jo ndarje reale e përfundimtare me krimin në politikë.

Së fundi, kur përfaqësuesit e sovranit (megjithëse të emëruar nga listat partiake) marrin vendim të ndryshojmë 50% të Kushtetutës qytetarët nuk mund të rrijnë në hije. Ata duhen pyetur dhe e vetmja rrugë është votimi në referendum, me më shumë se një alternativë, me më shumë transparencë, me më shumë seriozitet dhe integritet. Votimi presupozon se dikush duhet të mbajë përgjegjësi që na solli në këtë gjendje dhe se dikush duhet të japë garanci se ndryshimet e reja do jenë më produktive sesa eksperimentet e të shkuarës. Nëse kjo nuk ndodh, apo nëse konsensusi politik imponon votim formal popullor ose ndryshime formale kushtetuese, do vijojmë të kemi parlament e parti, zgjedhje e qeveri,-por Shqipëria do të privohet edhe më shumë se një dekadë tjetër që të ketë pluralizëm real, cilësi përfaqësimi, standarde të së drejtës dhe demokraci funksionale.

Afrim Krasniqi

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan