A po sundon mosdija financiare?
Nga Enio Civici, botuar në Panorama, 2 dhjetor 2015
Në librin “Mosdija”, të botuar në vitin e parë të mijëvjeçarit aktual dhe të shkruar nga Milan Kundera, shkrimtari çek me famë botërore, artikulohet filozofikisht ky koncept sa abstrakt, aq edhe konkret. Sipas Kunderës, është e vështirë të bazohemi në kujtime për të jetuar më mirë të ardhmen. Ai cilëson me këto fjalë mosdijen, apo injorancën, si armikun kryesor të zhvillimit: “Çfarë mund të presim nga dija e varfër?
Ajo përmban pjesëza jashtëzakonisht të vogla të së kaluarës, të zhytura në një humnerë harrese, të cilën refuzojmë ta perceptojmë. Vetëm ata që kthehen pas 20 vjetësh, ashtu si Odhisea, mund të tronditen nga vështrimi i sundimit të injorancës!”. Shqiptarët mund të krenohen se e njohin artin e vështirë dhe të paskrupullt të politikës me aq shumë tronditje dhe pështjellime sa kanë parë në këto 25 vjet. Shqiptarët mund të zotohen dhe se njohin sportin si ndjekës dhe investues të gjallë të tij në këtë çerek shekulli.
Por shqiptarët absolutisht nuk mund të krenohen se njohin mirë dhe mjaftueshëm ekonominë dhe financën. Për këtë jo. Sepse vetë stadi i zhvillimit të vendit tonë nuk e justifikon dijen financiare, pasi ajo lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve si dhe largpamësinë e politikave publike. Këto dy të fundit vështirë se mund të pretendojmë se ekzistojnë bindshëm apo janë ndërmarrë në kohët e fundit.
Në një publikim të nëntorit 2015, agjencia e vlerësimit të kreditit dhe situatës financiare, “Standard and Poor’s”, analizon shtete të ndryshme sipas indeksit të njohurisë financiare apo thënë ndryshe, të injorancës financiare. Në këtë renditje Shqipëria ndodhet në vendin e parafundit, duke lënë pas vetëm shtetin e trazuar të Yemen-it dhe duke regjistruar vetëm 14% të popullsisë me dije financiare.
Indeksi më në detaje mat shkallën e njohurive financiare për moshat e rritura. Sipas këtij raporti, në rajonin e Ballkanit mbizotëron Mali i Zi me 48%, Serbia me 38%, Bosnja dhe Hercegovina me 27% dhe Kosova me 20%. Në rang botëror kryesojnë vendet skandinave me një mesatare njohurish financiare në nivelin 70% të popullsisë. Ndërkohë vetë planeti Tokë, me të gjithë kontinentet dhe shoqëritë që e popullojnë, regjistron dy nga tre banorë si financiarisht analfabetë.
Por çfarë do të thotë mosdije, apo injorancë financiare e shoqërisë? Do të thotë ta keni të vështirë të veproni dhe reagoni në të mirën tuaj, kur aplikoni për të vendosur një depozitë apo për të marrë një kredi. E keni pyetur veten ndonjëherë si mund të veprosh me depozitat disavjeçare? Çfarë janë bonot e thesarit? Si lëvizet me obligacionet? Pse nuk mund të funksiononte bursa në Shqipëri? Apo kur shkoni të kërkoni kredi, a jeni gjendur përballë mosdijes në lidhje me normat e LIBOR dhe EURIBOR?
Çfarë do të thotë kredi me interesa të ndryshueshme dhe çfarë me interesa fikse? A e keni kuptuar se sa ndikon në depozitat dhe kredinë tuaj vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit? Në anën tjetër mosdija, apo injoranca financiare, mund të shfaqet edhe në politika publike, dokumente ligjore mbi taksat apo shpërndarje të fondeve dhe investimeve publike.
Për shembull, ndryshimi i shpeshtë i regjimit të taksimit, si dhe normave të tij është një mosdije e qartë financiare dhe këtu përgjegjësia i takon politikëbërësve, ekzekutivit dhe legjislativit. Ndryshimet në ligjin e ri të procedurave tatimore janë një tjetër rast. Gjobitja në nivele ekstreme dhe fikse të tregtarëve apo sipërmarrjeve, të cilat rezultojnë me shkelje, është një injorancë e pastër, e cila bie ndesh me parimin se gjobitja dhe masat administrative duhet të jenë në proporcion me shkeljet.
Pasi nuk mund të vuajë të njëjtin ndëshkim si një kompani që realizon evazion të pastër fiskal, ashtu dhe një biznes që nuk regjistron dhe faturon një shishe ujë natyral. Për të shkuar më tej, sipas paketës fiskale 2016, është përsëri mosdije ekzekutive financiare fakti se sigurimet shoqërore duhet të paguhen në nivele fikse për profesionet e lira, si në Tiranë, ashtu edhe në Kukës. Kjo është absurde nëse konsideron faktin se të ardhurat dhe cilësia e punës së dentistëve, avokatëve apo arkitektëve, është e ndryshme në një qytet periferik përballë kryeqytetit.
Më tej, në një rast të tretë të shfaqjes së mosdijes financiare në aparatin legjislativ, mund të dallojmë mungesën e artikulimit të deputetëve kur vjen fjala për pasojat konkrete të ligjeve ekonomike që miratohen në vendin tonë. Cilën kategori prek? Sa para më shumë apo më pak do të ketë në vitin e ardhshëm? Cilat politika të zbutjes financiare duhet të aplikohen për të reduktuar efektin etj?
Nëse largohemi nga mosdija e ekzekutivit dhe shkojmë tek ajo e qytetarëve, mund të analizojmë dy tregues: Përdorimin e llogarive dhe kartave bankare. Në fund të qershorit 2016, në Shqipëri ekzistonin 870 mijë përdorues të kartave. Por nëse konsiderojmë faktin se rreth gjysma e tyre funksionojnë vetëm për të tërhequr rrogën dhe asgjë tjetër, atëherë fakti se një në tre shqiptarë përdor kartën, duket shumë keq përballë treguesit gjerman ku për çdo banor funksionojnë minimalisht dy karta bankare.
Në indeksin tjetër të botuar nga Banka e Shqipërisë, shohim se përsëri në fund të qershorit të këtij viti ishin aktive rreth 3.16 milionë llogari bankare në të gjithë Shqipërinë. Pra më pak se 10% më shumë se numri i popullsisë. Përsëri jemi prapa nëse krahasohemi me Francën, ku sipas Bankës Qendrore Europiane janë mbi 100 milionë banorë me llogari, pra mbi 150% të popullsisë rezidente.
Këto shifra shfaqin mosdijen e përfitimeve potenciale nga sistemi financiar online, i cili sot llogaritet në rrjetin më të zhvilluar dhe të fortë të planetit. Globalisht, dhe në Shqipëri me siguri në nivele edhe më alarmante, ekziston edhe një hendek gjinor për sa i përket kulturës financiare. Në botë, 35% e meshkujve nuk vuajnë nga mosdija, ndërkohë që vetëm 30% e femrave e gëzojnë këtë status. Edhe këtu shfaqet domosdoshmëria për një tjetër ndërhyrje.
Tashmë është e qartë se përballë vendimmarrjes së duhur të secilit, mbrojtjes nga ligjet dhe politikat e gabuara ekonomike, si dhe sfidës së zhvillimit të shoqërisë dhe Shqipërisë, dija financiare nuk është më një luks, por një domosdoshmëri. Nëse do të arrijmë të kalojmë të paktën Marokun apo Libinë për sa i përket mosdijes financiare, kjo mbetet vetëm në dorën tonë.