Urgjenca e pluralizmit të dytë
Nga Servet Pëllumbi, botuar në Dita, 30 nëntor 2015
25 vjet më parë, në dhjetorin e vitit 1990, kur studentët demonstronin te Qyteti Studenti, me të cilët u bashkuan mijëra qytetare të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit, parullat kryesore ishin Liri-demokraci dhe E duam Shqipërinë si gjithë Europa, duke sintetizuar në to dëshira, emocione, shpresa, por dhe iluzione të ngjashme me ato që donin të përmbysnin… Mendohej se “çelësi magjik” që do të hapte “çdo portë”, ishte vendosja e pluralizmit politik.
Pas 25 vjetëve pluralizëm politik, pa injoruar ndryshimet e thella që kanë ndodhur, mund të thuhet pa u ndruajtur se në tërësinë e vet pluralizmi politik në Shqipëri ka “prodhuar” shumë zhgënjime, sepse ka zëvendësuar disa ëndrra apo iluzione të vjetra, me ëndrra dhe iluzione të “reja” gati po aq të dëmshme për demokracinë dhe të menduarit demokratik. Mjerisht, informaliteti, mungesa e rregullave dhe e zhvillimit ekonomik nuk mund të mos shoqërohen edhe me mungesën e të drejtave sociale, gjë që “dyzon” politikat e majta dhe detyron të paguajë kosto sociale jo të pakta çdo qeverisje socialiste dhe líder të së majtës në Shqipëri. Ndërkaq, eksodet e dikurshme po pasohen nga valë të azilkërkuesve, që sivjet janë katërfishuar dhe vijnë përsëri si refleks i standardit të ulët të jetesës dhe margjinalizimit social. Realisht, na kërcënon rivendosja e vizave me vendet e Bashkimit Europian dhe bërja e politikave të brendshme dhe e reformave të qeverisë edhe më kundërshtuese.
Veçse tipi i pluralizmit që u vendos në Shqipëri 25 vjet më parë, nuk e mundëson një gjë të tillë, prandaj pa ngurrim mund ta quajmë pluralizëm të “tipit Katovica”, i mbështetur që në fillimet e tij në strategjinë që i hapi rrugën krijimit të shumë partive, por shoqëruar me kushtin që “liderët” kryesore të ishin të “deleguar e të kontrolluar” dhe që partitë të silleshin si të kundërta që vetëm “shtyjnë e përjashtojnë” njëra-tjetrën…!
Shqipëria mbase është i vetmi ndër vendet e “demokracisë së re” që vazhdon të ketë në shumicën e partive “elitën politike” të fillimeve të pluralizmit politik dhe të vuajë edhe sot nga “izmat”, nga “berishizmi” dhe “nanoizmi”. Autori i këtyre rreshtave kritikë, falë pozicionit aktiv politik si një nga drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste të Shqipërisë në pesë vitet e para (1991-96) dhe me pas si deputet dhe kryetar i Kuvendit të Shqiperisë, ka pasur rastin të njohë pazare, marrëveshje, pakte e prapaskena “pluraliste”, që kanë pasuar njëra-tjetrën në vite e që kanë pasur për protagonistë Ramiz Alinë, Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Qasje të tilla kanë qenë në kundërshtim me bindjet e qëndrimet e mia, sepse pluralizmin politik e kam përfytyruar ndryshe, si një lëvizje objektive të shoqërisë shqiptare drejt demokracisë dhe një modeli zhvillimi ekonomik e social më të mirë e modernizues.
Përvoja dhe sfida
Teza që i sheh partitë tradicionale të djathta e të majta si të keqen e shoqërive të sotme, është shumëfish e vërtetë sidomos për vendet e “demokracisë së re” ku bën pjesë dhe Shqipëria. Kjo e bën të domosdoshme një paketë reformash politike për të ridimensionuar rolin e partive dhe raportet midis tyre.
Në këtë rast, së pari, duhet pranuar se sistemi politik i shumë partive gati ka falimentuar, prandaj pa hequr dorë nga asnjë prej pesë reformave të projektuara nga qeverisja aktuale si reforma tregu; reformën e pensioneve, të arsimit, të drejtësisë, të shëndetësisë dhe të taksave, duhet ndërmarrë urgjentisht edhe një paketë reformash në sistemin politik, për të ndryshuar në mënyrë thelbësore pluralizmin politik të tipit Katovica që kemi sot, të cilin për dallim nga i mëparshmi mund ta quajmë pluralizëm i dytë, proces rilindjeje të një hapësire të re kulture komunikimi dhe bashkëpunimi midis partive dhe institucioneve demokratike.
Së dyti, ky reformim do të synonte arritjen e një kohezionit kombëtar dhe të mbështetjes mbi normat e qëndrueshme të demokracisë perëndimore të sjelljes politike, që krijojnë mundësi reale për modernizimin e konsolidimin e demokracisë, sepse partive të shumta (që deri tani ndahen e shumohen në mënyrë iracionale), më në fund do t’u vihej nje “tavan ligjor” në luftën e tyre për pushtet e për dominim.
Së treti, një paketë reformash konsensuale në këtë fushë do t’u jepte fund ngërçeve politike permanente dhe do të krijonte mundësi të reja edhe për realizimin e reformave të mirëfillta në fushat ekonomike, sociale, institucionale e kushtetuese që ose kanë ngecur në “llumin e sherreve” parlamentare, ose miratohen në mënyrë të njëanshme, shndërrohen në burim të ri konfliktesh.
Koha pra kërkon ndryshime, që në shumë drejtime janë në kundërshtim me veçanësinë historike të pluralizmit shqiptar, që krijon përshtypjen sikur është projektuar për vetëdiskreditim. Ka ardhur koha e një shqyrtimi kritik e shkencor të politikës shqiptare 25-vjeçare. Një sfidë politike urgjente e një shoqërie që po përjeton një krizë jo vetëm ekonomike, por edhe politike e sociale dhe e vë atë para alternativës: falimentim ose ecje përpara me vizione dhe metoda të reja, përmes një kohezioni të ri e filozofie politike kombëtare.
Reformë strukturore në fushën politike
Partitë e shumta që zëvendësuan monizmin e dikurshëm komunist, nuk arritën t’i bashkojnë qytetaret rreth një qëllimi dhe një modeli të përbashkët zhvillimi. Në vend të tyre, partitë ofruan kaosin, hezitimin, ngërçet politike dhe lodhjen nga liria dhe demokracia. Duket sikur kemi të bëjmë përsëri me një sistem “që ha vetveten” ekonomikisht dhe politikisht. Në asnjë rrafsh të vetëm dhe për asnjë etapë të pluralizmit politik 25-vjeçar nuk ka vend për triumfalizëm të “tipit Berisha”, që pretendon se solli pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri, duke qenë në krye të Partisë Demokratike. Ndërkaq harron bllokimet e bojkotimet parlamentare dhe humbjen, falë tij, të besimit te politika dhe politikanët, të shndërruar në normë të sjelljes politike. Boshti i traditës kombëtare duket i thyer keq, prej nga rrjedh një boshllëk e krizë shpirtërore dhe morale që shoqërohet nga krime të shumta deri dhe brenda familjes shqiptare.
Sfida edhe më madhore tingëllon edhe më pesimiste: a do të munden vendimet njerëzore që në bashkëpunim me logjikën objektive të ngjarjeve e të zhvillimeve globale ta ndryshojnë botën për mirë dhe ta çojnë drejt së ardhmes? Interesat kombëtare të shqiptarëve kërkojnë doemos një rikalibrim e zhvillim të ri civilizues, kurse dallimet dhe interesat partiake t’u nënshtrohen doemos nevojave të ndërvartësive brenda sistemit politik pluralist.
Në etapat e para të pluralizmit politik u veprua drejt që reformat ekonomike u vunë në plan të parë, pra para reformave politike e institucionale. Veçse pluralizmi politik i vlerësuar me të drejtë si hap vendimtar demokratik u la gati në vetëterrje dhe në një zhvillim kryesisht ekstensiv pa iu nënshtruar reformave serioze. Për pasojë filloi të krijohet dhe të dominojë një “klasë politike” që rron nga politika, që e shndërroi politikën në një lloj prone dhe korrupsionin në mjet sundimi të maskuar me “luftën e ashpër politike për të mirën e vendit”, si dhe me “parimin e pandëshkueshmërisë”. Prandaj është për të ardhur keq kur lexon e sheh që politikanët tanë janë shumë më prapa nga 90-vjeçari Sami Repishti që jeton në SHBA dhe bën apel për kapërcimin e urrejtjes për njëri-tjetrin, të cilën me të drejtë e quan “kancer që shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë”. “Tejkalimi i kësaj gjendjeje, nënvizon ai, do të vijë vetëm kur të gjithë shqiptarët të kuptojnë se e ardhmja e fëmijëve të tyre është ma e rëndësishme se urrejtja per “tjetrin” (Sami Repishti, Refleksionet e nji nandëdhjetëvjeçari. Panorama, 06.08.2015).
Për ta përmbysur gjendjen nuk duhet as revolucion për të rrëzuar “pinjollët e komunizmit”, siç thotë Berisha, që do të legjitimojë mbajtjen peng prej tij të asaj që ka mbetur nga Partia Demokratike dhe as për hakmarrje e sherre partiake banale, sepse populli vazhdon të kërkoje tjetër gjë: bashkëpunim të krahëve të politikës për një jetë më të mirë dhe një demokraci si ajo që u premtua në fillimet e proceseve demokratike 25 vjet më parë. Për këtë, reforma politike nga lart dhe presioni popullor nga poshtë meritojnë vëmendje maksimale. Një qasje e tillë apo një “pluralizëm i dyte” i vënë në funksion të pushtetit, do të bënte të mundur institucionalizimin e shtetit, që ai të pushojë së qëni partiak e autoritarist. Ky nga ana tjeter do të ishte parakushti për vendosjen e marrëdhënieve të besimit dhe bashkëpunimit njerëzor e demokratik në shoqërinë shqiptare. Me këtë duhet filluar dhe jo me diversionet për një koalicion të madh PS-PD!
Parti të afta për t’u shndërruar në lëvizje
Po partitë-antiparti si një dukuri e re, apo iniciativat qytetare, janë mundësi apo realitet dhe a mund të pëfshihen te koncepti “pluralizëm i dytë” edhe partitë-lëvizje? Përgjigja në një pyetje të tillë kërkon doemos një analizë të realitetit të ri politik dhe zgjedhor që po përvijohet dhe që dëshmon se koha s’është neutrale. Partitë tradicionale me demokraci të brendshme, me organizata në bazë dhe forume në qendër, që përgjithësisht reduktohet në një sistem dy partiak, duket sikur po tejkalohen. Edhe pse formalisht në letër, në statutet e partive strukturat vazhdojnë të jenë, në praktikë roli i tyre është bërë disi formal përderisa nuk funksionojnë më, kurse çarja në perceptime është më e madhe se asnjëherë më parë. Në Shqipëri, një proces të tillë e shohim të veprojë prej disa vjetësh sidomos në dy partitë e mëdha.
Për konkretizim, mund të sillet edhe fakti që Parti Socialiste në trajtën në të cilën jemi mësuar ta shohim në vite, me alternativë të majtë, me organizata, forume dhe me zbatim rigoroz të statutit partiak, realisht nuk ka më! Kurse PD, karakteristika të tilla as që arriti t’i kishte dhe për pasojë vazhdon të mos i ketë. Ndërkaq, as njëra as tjetra nuk heqin dorë nga koncepti i militantizmit, i bastioneve të tyre, që për PD-në shkojnë deri te ndarja e Shqipërisë ne Veriun që mbështet PD-në dhe Jugun që mbështet PS-në, kundër të cilit më 1997 përgatiti planin e sulmit me të gjitha mjetet luftarake të ushtrisë.
Për pasojë edhe hendeku ndarës midis këtij sistemi dhe popullit ka ardhur duke u thelluar. Kjo bën që tek ne partitë të vetizolohen, të ndjehen të vetëmjaftueshme, të veprojnë me “anëtarësi të lëshuar” dhe të shkëputur nga masa e njerëzve dhe e elektoratit. Treguesit konkretë në këtë drejtim janë tepër domethënës. Një anëtari partie ne dy partitë më të mëdha në Shqipëri, i korrespondojnë 3.6 votues (zgjedhjet e 2013 dhe 2015-ës), kurse në Europë partitë ende vazhdojnë të jenë masive. Në Britani, në rastin e Partisë konservatore raporti është 1me 75 votues; në Itali, në rastin e Forca Italia 1 me 93; në Gjermani, rasti i CDU-së 1 me 40 etj. Partitë shqiptare vazhdojnë të jenë shumë të orientuara për nga “militantizmi” i transformuar në “klientelizëm”.
Në partitë shqiptare, lufta partiake, militante me kundërshtarët është shndërruar në prioritetin kryesor. Madje edhe në Parlament dominojnë seancat e “luftës partiake” për shkatërrimin e kundërshtarit dhe rrallë, shumë rrallë hasen seanca të një pune të frytshme në interes të publikut, apo të konsensusit kombëtar. Më 20 prill të vitit 2008 u reklamua si historike “marrëveshja” PD-PS për ndryshimin substancial të Kushtetutës, pa asnjë diskutim paraprak me specialistë dhe pa menduar për t’ia nënshtruar Referendumit popullor. Masakrimi i Kushtetutës rezultoi në një pazar të pistë të dy partive të mëdha që cenuan rëndë institucionet e shtetit, sidomos ato të drejtësisë dhe thelloi konfliktualitetin politik në politikën shqiptare, si për t’u hapur rrugën vrasjeve të 21 janarit të vitit 2011, ende të pandëshkuara.
Pluralizmi i dytë – emergjencë kombëtare
Një objektiv që në thelb do t’i hapte rrugën një kuptimi të ri të koncepteve parti dhe pluralizëm partish të lidhura midis tyre për të përbërë një sistem politik. Gjithsesi është rasti për të “nxituar ngadalë, por të vendosur” në përballimin me një rrezik të tillë që e nxjerr nga binarët pluralizmin politik dhe e bën urgjencë kombëtare ndryshimin rrënjësor të sistemit politik. Dhe të kuptohemi, s’është fjala thjesht për përmirësime taktike! Problemi në thelb është parimor dhe substancial për demokracinë shqiptare, përderisa bëhet fjalë për marrëdhënie të shtetit me popullin, për përfaqësim real e jo formal të tij, për legjitimitet real e jo klientelist, për nevojën e një konsensusi kombëtar dhe për më tepër i shtrirë për një kohë relativisht të gjatë. Kjo realisht është sfida komplekse prej nga duhet të nisë modernizimi i Shqipërisë.
Ndërkaq edhe koncepti interes kombëtar ka nevojë të ridimensionohet, sepse luhatjet e mundshme në interpretimin e tij, përzierja e një modus vivendi apo dhe e ideologjisë së interesit kombëtar, shpesh nuk çojnë më tej se politikat klienteliste me thekse antikombëtare. Aq sa duket sikur partitë punojnë kundër interesit kombëtar. Është fakt se edhe pse retorika kombëtare nuk mungon gati tek çdo parti, e madhe a e vogël qoftë, mund të konstatohet lehtësisht se rrallë bëjnë të njëjtën gjë, të bashkohen dhe të arrijnë konsensusin për çështje themelore të interesit kombëtar.
Në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, ndodhën disa zhvillime që meritojnë vëmendjen e partitologëve. Kështu u evidentua qartë dukuria e rënies së numrit të votuesve për siglat e partive të mëdha tradicionale. PSSH, bie fjala, në krahasim me zgjedhjet e 23 qershorit 2013, pra të dy vjetëve më parë, mori rreth 320 mijë vota më pak, ose 15 për qind, duke rënë nga 41 për qind në 25,95 për qind. E megjithatë ka dhe një tregues tjetër që është inkurajues: kandidatët e Aleancës për Shqipërinë europiane fituan në 46 bashki, nga 61 që janë gjithsej dhe PS ka marrë pjesën më të madhe të këshillave bashkiake të vendit.
Mirëpo ndodhi edhe një dukuri tjetër e kundërt, që mbase flet për një votë proteste ndaj partive parlamentare. Rreth 50 parti të vogla jo parlamentare të rreshtuara në ASHE dhe APPD, pra në dy kampet e mëdhenj të politikës aktuale, në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 morën respektivisht 267 dhe 133 mijë vota (së bashku 400 mijë vota). Një dukuri të tillë të rrallë që u jep pushtet gjithë këtyre “partive-taksi”, gjithsesi do ta shikoja si një nevojë kombëtare për ndryshim substancial dhe të shpejtë të sistemit politik. Në këtë rrafsh, mbase mund të jetë inkurajues fakti që LSI, dikur parti e vogël e dalë si protestë ndaj PSSH-së (shtator 2004), në zgjedhjet vendore të 2015 mori rreth 260 mijë vota (16,51%) dhe u radhit e treta pas PS-së me 25,73 për qind dhe PD-së me 20,32 për qind të totalit të votave. Pa përjashtuar as mundësinë e ndonjë konfliktualiteti të ri ndërmjet tyre në të ardhmen e afërt, që sot do të ishte në kundërshtim me interesin kombëtar.
Gjithsesi, ka shumë arsye madhore që e bëjnë problemin e reformimit të sistemit politik një sfidë urgjente kombëtare, sepse prej tij varet kryesisht edhe reformimi i të gjitha institucioneve dhe konsolidimi i demokracise shqiptare. Ndërkaq edhe sikur ta quajmë këtë “pluralizëm të dytë”, pas atij të dekretuar më 17 dhjetor 1990 nga Ramiz Alia nën presionin e Lëvizjes studentore, një sfidë madhore të ndryshimit progresiv të Shqipërisë, një “hapje” e partive të mëdha për të “rritur apo thithur” partitë e vogla, prapë kjo nuk e zgjidh problemin, se paraprakisht duhen plotësuar të paktën katër kushte:
Së pari, duhet ridimensionuar roli i kryetarëve të partive (një model paraqet rasti Podemos), që ata të mos kenë pushtetin që kanë sot sidomos si hartues të “listave të mbyllura” të të gjithë të zgjedhurve, madje edhe të atyre që punësohen apo marrin poste drejtuese në gjithë piramidën e pushtetit. Reformimi i sistemit politik, duhet të shkojë me linjën e Bashkimit Europian, ku nuk ka një lider të plotfuqishëm që të jetë kompetent për të gjitha çështjet, sepse kompetent apo përgjegjëse duhet të jetë “demokracia që garanton lindjen e projekteve të mira të bashkëpunimit” (Angela Merkel, Kushtet për integrimin në BE. Mesazh gjatë vizitës në Tiranë, DITA, 8 korrik 2015).
Së dyti, që të bëhet një kthesë vendimtare në drejtim të demokracisë direkte, që shoqëria civile dhe iniciativa qytetare gradualisht të marrin rolin e “ndërmjetësit jo politik” midis popullit dhe pushtetit, që në konceptimin klasik të mëparshëm e kishin partitë. Në një qasje të tillë “pluralizmi i dytë” do të përfaqësonte perspektivën e një politike të bazuar në interesin kombëtar, në marrëdhëniet e reja reciproke midis partive që mbështesin mirëkuptimin demokratik dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre.
Së treti, që të ndiqet parimi i transparencës, d.m.th., në se do të veprohet në përputhje me një koncept të ri të pluralizmit, le ta quajmë më modern, atëhere le të rishikohen me guxim e në rrugë demokratike dokumentet e miratuara më parë, programet, statutet e rregulloret që njerëzit të mos presin tjetër gjë dhe t’u serviret e kundërta, siç ndodh aktualisht.
Së katërti, që në Parlament dhe në institucionet kryesore të shtetit të krijohet një grupim politikanësh, zonjash e zotërinjsh, një elitë parlamentare me integritet moral të pacënueshëm, e aftë politikisht e profesionalisht, e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qasje të tilla si përgatitja, edukimi dhe qarkullimi i elitave deri tani janë lënë krejt jashtë vëmendjes ligjore dhe kulturoro-edukative. Për gjithçka, roli “rregullator” u njihet vetëm disa partive politike e pretendentëve për “lider të Kombit”! Ka ardhur koha që të hidhen hapa vendimtarë për t’i hapur rrugën sfidës së ndryshimit dhe të inovacionit, që vlerësohet “si shkalla më e thellë e të kuptuarit të nevojave njerëzore”.
Është bërë urgjente po ashtu nxitja e një lëvizjeje popullore për të ndalur eksodin e intensifikuar sidomos me fillimin e vitit 2015, që duket si një humbje tjetër shprese për ndryshimin e gjendjes në vend dhe për të mbështetur programin e reformave të projektuara, ndër të cilat spikasin ajo e drejtësisë dhe e sistemit politik pluralist. Në qendër të kësaj lëvizjeje popullore të vihet filozofia politike kombëtare, sepse “shqiptarët, siç shkruante Hobsbaum, studiuesi i njohur anglez, shoqërues i Bajronit gjatë vizitës që i bëri Ali Pashë Tepelenës në Janinë, shquhen për ndjenjat kombëtare. Mund të duket një kërkesë arkaike, por realisht e dobishme, në se tolerancën e madhe fetare që është admiruar nga të huajt tek shqiptaret, do ta riaktivizonim e ta shtrinim edhe në fushën e raporteve midis partive politike si pjesë të sistemit politik pluralist, ku intoleranca ekstreme vazhdon të bëjë ligjin. Mendoj se kjo është një sfidë tjetër e rëndësishme për pluralizmin shqiptar. Gjithsesi, lëvizja dhe inovacioni në drejtimet e mësipërme, mbeten një temë madhore e filozofisë politike kombëtare që kërkon elaborime të mëtejshme.
*Me shkurtime nga libri i fundit i autorit