Marrëzia e koncesioneve

Sipas Monitor, 29 nëntor 2015

biznesi-probleme-348x230_0

Bizneset shqiptare të cigareve dhe karburanteve transferuan këtë vit si çmime fundore ndaj konsumatorëve rreth 20 milionë euro të krijuara si kosto shtesë nga koncesionet e markimit, skanimit dhe pullës fiskale. Vala e re e koncesioneve 200 milionë euro në një vit në shëndetësi dhe projektet për rreth 70 koncesione të reja rrisin skepticizmin tek ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare. Banka Botërore lajmëron për rreziqe që vijnë nga këto projekte. Milo e Konkurrencës: Nuk po pyetemi

Teksa Shqipëria është në kulmin e lëshimit me koncesion të shërbimeve publike ndaj privatëve, Komisioni Europian dhe Banka Botërore po hedhin alarmin se këto forma të reja investimi që kanë lulëzuar kryesisht në dekadën e fundit janë vështirësisht të kontrollueshme dhe shpesh me kosto për qytetarët edhe në vendet e zhvilluara.

Por këto konkluzione nuk po e pengojnë qeverinë të faturojë kosto të pallogaritshme te qytetarët, të cilat nëpërmjet valës së re të koncesioneve, jo vetëm që do të shtohen në vitet në vijim, por janë edhe një rrezik i madh për stabilitetin fiskal të vendit në periudhë afatgjatë.

Praktikat shqiptare të këtyre investimeve janë të frikshme. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë po paguajnë edhe për shërbime që nuk u ofrohen kurrë.

Vetëm te nafta, konsumatorëtpaguajnë 2 lekë për litër ose rreth 15 milionë euro në vit që shkojnë të ardhura për koncesionet e skanimit dhe markimit të karburanteve. Shoqata e Hidrokarbureve pohoi se, edhe pse nafta as nuk markohet dhe as nuk skanohet, biznesi paguan tarifat të cilat janë përfshirë në çmimme 2 lekë për litër. Ministria e Financave e ka një dosje me prova se koncesionari i markimit, GFI Albania, nuk ka kryer asnjë investim dhe është në shkelje të plotë të marrëveshjes, por nuk po ndërhyn duke e lënë kompaninë të operojë në vullnetin e saj.

Grosistët e cigareve pohuan se kosto e pullës fiskale është rritur me tre herë me dhënien e saj me koncesion ndaj kompanisë SICPA. Vitin që shkoi llogariten 3.2 milionë euro pagesa vetëm për pullën fiskale nga grosistët e cigareve, të cilat janë transferuar në çmimet për konsumatorët fundorë, me më shumë se 2 lekë për paketë, ndërkohë që importi i cigareve është në rënie pikiatë dy vitet e fundit, çka tregon se ky shërbim nuk ka kryer funksionin e tij, atë të uljës së informalitetit.

Bizneset në Portin e Durrësit paguajnë një tarifë 50 lekë për paletë, e cila nuk është në librin e tarifave që ushtrohen në port, por vilet nga koncesionari Albanian Ferry Terminal dhe qeveria nuk ndërhyn. Sapo ka nisur nga puna koncesioni i skanimit në dogana Rapiscan dhe për shkak të një gabimi në rinegocimin e kontratës, biznesi e pagoi fillimisht dy herë tarifën 22 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa financat u detyruan ta rishikojnë sërih marrëveshjen, me koston që tani do e mbajë vetë buxheti.

Tarifa që do të reflektohet në çmimet e mallrave të importit rrezikon ta bëjë Shqipërinë më pak konkurruese në tranzitimin e mallrave në rajon.

Absurditeti qëndron në faktin se këtë tarifë e paguajnë edhe importuesit që nuk e marrin këtë shërbim dhe se një praktikë e tillë nuk aplikohet në asnjë vend europian.

Qeveria shqiptare është në përpjekje dëshpëruese disavjeçare me koncesionarin e Aeroportit Nënë Tereza për heqjen e ekskluzivitetit, për shkak të të cilit Shqipëria ka çmimet e biletave të avionëve të paktën 30% më të shtrenjta se në rajon.

Vetëm pak kohë më parë, qeveria ka sinjalizuar jo zyrtarisht mosrinovimin e kontratës me britanikët e Crown Agents, të cilët dështuan në përmbushjen e detyrimeve për të rritur të ardhurat doganore me 100 milionë dollarë në vit. Por britanikët e Crown Agents kanë përfituar ndërkohë pagesat 8.5 milionë euro në këto dy vite nga taksapaguesit shqiptarë.

Por të gjitha këto disfata nuk po shërbejnë si mësim për më shumë maturi në kontrata të tilla në të ardhmen. Përkundrazi si kurrë më parë, institucionet shqiptare janë përfshirë në valë të ethshme koncesionesh, bilanci i të cilave lajmëron pasoja. Vetëm Ministria e Shëndetësisë dha vitin e fundit katër koncesione, Check UP, kontrollin bazë mjekësor, shërbimin e hemodializës, sterilizimin dhe përpunimin e mbetjeve spitalore, ndërsa është në proces dhënia me koncesion e shërbimit laboratorik. Këtë fundviti, pritet të nënshkruhet koncesioni për Rrugën e Kombit me një kosto vjetore të paktën 14 milionë euro mbi përdoruesit e rrugës. Ministria e Ekonomisë ka futur në proces më shumë se 70 koncesione me partneritet publikë privatë që kalojnë vlerën e 3 miliardë dollarëve.

Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi, pohon se ka një problem të madh kushtetues me koncesionet. Qeveria e ka mandatin 4 vjet e nuk ka asnjë të drejtë ekskluzive që të lënë peng për 25 – 30 vjet apo më shumë, pa pasur konsensus të mjaftueshëm edhe nga të tjerët, në këtë rast opozita, tha ai. “Unë e kuptoj, qeveria është në nevojë dhe sheh koncesionin si zgjidhje, por mendoj gjithashtu se ka një abuzim dhe një teprim me to”, u shpreh ai. Preçi kujton se, me tre faqe biznesplan u mor skanimi i kontejnerëve në Dogana, nga të cilat 210 mln euro hynë në xhepat e kompanive të huaja, me bashkëpunëtorë shqiptarë.

Koncesioni i pullave rriti me tre herë kostot

Pullat fiskale për mallrat e akcizës aktualisht kushtojnë tre herë më shumë se kur printoheshin nga shteti. Nga 1 lek që kushtonte një pullë fiskale para 2013 tani është diku tek 3 lekë (+/- në varësi të kursit të euros). Përparim Tushaj, nga ConsultingALB Partner, tha se kur është miratuar ky koncesion, importet ishin llogaritur në 4,000 tonë në vit që në numër pullash për duhanin i bie 200 milionë paketa/pulla.

Kostoja totale e grosistëve të cigareve është rreth 4.3 milionë euro vetëm për pullën fiskale, që me koncesionin ka pësuar një rritje 2.9 milionë euro vetëm për cigaret. Pulla fiskale bashkë me rritjen e akcizës së cigareve duket se ka qenë “mallkimi” i industrisë së duhanit, e cila rezultoi me norma të ulëta shitje.

Importi total i cigareve vitin që shkoi ishte rreth3,000 tonë ose 150 milionë paketa. Vlera totale e pullave është 3.2 milionë euro dhe kompania e Sicpa ka fituar diku te 2 milionë euro vitin e kaluar vetëm nga industria e duhanit. Kostot janë transferuar totalisht te çmimet e konsumatorit, – pohojnë grosistët.

Por ndërkohë janë edhe miliona euro të tjera që gjenerohen për pijet alkoolike. Grosistët e verës pohuan se, vetëm vënia e pullës fiskale në një shishe verë importi kushton 0.5 euro. Pasi me hyrjen në fuqi të koncesionit të pullës, vendosja e saj për mallrat e importit kryhet në fabrikat e prodhimit dhe jo në magazinat doganore, duke bërë që kosto e pullës të shumëfishohet disa herë.

Pulla e re fiskale mbi industrinë e cigares me qëllim uljen e evazionit nuk ka sjellë rezultatet e pritshme në këtë drejtim, pasi importet e cigareve qysh nga viti 2013 kanë rënë me 27%.

Markimi 150 mln euro që nuk po funksionon

Tani, në krye të dy viteve që kur nisi nga puna koncesioni i markimit të karburanteve nga GFI Albania, nuk po kryhet funksioni themelor për të cilin ka kontratën me qeverinë shqiptare. Shoqata e Hidrokarbureve lajmëron qeverinë, por nuk ka kundërveprim.

GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10-vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën në përputhje me qëllimin e përdorimit, me qëllim eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund, shmangien e taksave.

Mirëpo Shoqata e Hidrokarbureve thotë se kompania nuk po plotëson asnjë nga këto detyrime, nuk ka bërë asnjë investim dhe për rrjedhojë, kontrata koncesionare është shkelur në të gjitha pikat.

Në një letër të posaçme për këtë çështje, Shoqata e Hidrokarbureve ka lajmëruar Ministrinë e Financave si palë kontraktore me koncesionarin, se po lejon GFI Albania të shkelë të gjitha të drejtat dhe të abuzojë në mënyrë të paligjshme mbi subjektet detyruese, pa asnjë lloj alternative kontrolli, ankimimi dhe as kërkese për zbatimin e investimeve që ai detyrohet me ligj.

Në kontratë midis Ministrisë së Financave dhe GFI, shtojca 4, përcaktohet qartë specifikimi teknik për makineri dhe pajisje, se koncesionari duhet të ndërtojë për injektimin e markuesit në karburant një sistem injektimi manual ose automatik dhe sistemi i pompave të procesionit duhet të jetë i kompjuterizuar dhe të transmetojë në kohë reale të dhënat. Por sot e kësaj dite, njofton Shoqata, investimi është zero. Nuk është ndërtuar asnjë impiant. Injektimi bëhet duke hedhur markuesin nga disa epruveta në autobot. Ndërsa përqendrimi i markuesit, sipas marrëveshjes, duhet të jetë 4 gramë për 1000 litër, hedhja me dorë e ngjyrës në autobot e bën totalisht të pamonitorueshme këtë normë.

Paradoksi tjetër është se grosistëve, GFI, nuk u jep asnjë certifikatë cilësie për markuesin që hidhet në karburant dhe për më tepër, asnjë autoritet shqiptar nuk e certifikon. Për më tepër, koncesionari nuk garanton homogjenitetin e përqendrimit të markuesit në momentin e markimit (për arsye se nuk ka ndërtuar impiantet përkatëse), por pretendon se kjo ndodh, pasi autoboti të këtë udhëtuar të paktën 10 km.

Sipas këtij kriteri absurd që aplikon koncesionari, meqenëse shumica e konsumit është e përqendruar në Tiranë-Durrës, i bie që shumica e autoboteve të mos e përshkojnë këtë distancë, çka do të thotë se monitorimi që kërkohet të bëhet në treg është vetëm një tallje dhe dhunim i subjekteve detyruese. Ligji i detyron grosistët që pas markimit në magazina duhet të mbahet një mostër nga karburanti, në mënyrë që ajo të krahasohet me pikat e pakicës. Por në kushtet në të cilat kryhet markimi, kjo nuk mund të ndodhë. Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë, e cila në pamundësi për të prishur kontratën, duhet të penalizojë kompanitë për moszbatimin e saj.

Tarifa që grosistët e naftës i paguajnë koncesionarit është 614 lekë plus TVSH-në, për 1000 (një mijë) litra të markuara.

Luigj Aliaj nga Shoqata e Hidrokarbureve pohon se, koncesioni i skanimit dhe markimit ka një kosto prej më shumë se 15 milionë eurosh në vit dhe se është transferuar e gjitha në çmimet fundore të konsumatorëve.

Ndërsa, kompania Riu Transport me qendër në Durrës tregon për “Monitor” se vendosja e sistemit të ri të skanimit në Doganë ka rënduar më tepër “xhepat” e klientëve. Sara Hoxha, menaxhere e firmës thotë se tarifa prej 22 eurosh i shkon klientit dhe rrjedhimisht është kosto e shtuar për ta.

Crown Agents harxhon 8.5 mln euro “dështon”

Qeveria shqiptare ka sinjalizuar mosrinovimin e kontratës me kompaninë e konsulencës në dogana, Crown Agents.

Në kontratën me qeverinë shqiptare në fillim të vitit 2014, britanikët e Crown, nëpërmjet konsulencës dhe operacioneve në terren, duhet të jepnin një rezultat në të ardhura sa 1% e PBB, e barabartë me rreth 100 milionë dollarë në një vit fiskal. Por ritmet e rritjes së të ardhurave doganore, jo vetëm që nuk kanë ecur sipas parashikimeve të kontratës, por kanë shënuar rënie të thellë në vlera absolute në krahasim me një vit më parë. Në fund të nëntëmujorit, të ardhurat nga doganat shënuan -4.4% më pak se në vitin 2014, ose -4.8 miliardë lekë më pak. Ndërkohë që sipas kontratës me qeverinë, Crown Agents ka përfituar për dy vjet 8.5 milionë euro nga fondet e taksapaguesve. Ekspertët e ekonomisë e patën paragjykuar kontratën me Crown Agents që në nisje të saj, por tani qeveria duket se është bindur pas eksperimentimit dyvjeçar duke sinjalizuar edhe mosrinovinim për vitin e tretë të konsulencës.

Koncesioni i taksimit të trefishtë mbi Rrugën e Kombit

Ministria e Transportit është në prag të shpalljes së fituesit që do të marrëme koncesion Rrugën e Kombit, pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare dhe përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor të ndërtuar në historinë e Shqipërisë. Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë-Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën. Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë aks synon një tarifë 5 euro pa TVSH për një periudhë 30-vjeçare.

Nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë.

Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekëose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Ndërsa pagesa e tretë që qytetarët e Shqipërisë po bëjnë për Rrugën e Kombit janë interesat që paguhen për të shlyer huan mbi 300 milionë euro që u mor në vitin 2008 për ndërtimin e saj.Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë që në momentin që do vihet taksa e koncesionit mbi Rrugën e Kombit duhet të ulet taksa e qarkullimit mbi naftën, pasi do të ishte jashtë logjike që qytetarët të paguajnë më shumë se dy herë për një shërbim.

Shëndetësia, 200 milionë euro koncesione në një vit

Muajin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë dha koncesionin e tretë me Partneritet Publik Privat për këtë vit. Kundrejt një pagese 70 milionë euro, kompania Evita sh.p.k do të ushtrojë shërbimin e hemodializës për një periudhë 10-vjeçare. Në janar të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë dha koncesionin për kontrollin bazë mjekësor i cilësuar si “check up”, ndaj bashkimit të përkohshëm të firmave Marketing& Distribution dhe Trimed, kundrejt një shume prej 53 milionë eurosh për një periudhë 10-vjeçare. Në kontrollin mjekësor bazë përfshihen vlerësimi, këshillimi, trajtimi dhe ndjekja për faktorët e stilit të jetesës, puna, ushqyerja. Përfshihen edhe matja, vlerësimi, këshillimi, referimi dhe ndjekja e parametrave fiziologjikë si: tensioni arterial, pesha trupore, aktiviteti i zemrës etj. Gjithashtu në paketën e kontrollit bazë përfshihen analizat gjakut si kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride; Glicemia, analizat feçe për gjak okult, etj. Ekspertët e sektorit dhe ata të ekonomisë panë me skepticizëm për shkak se kompania me pjesën dërrmuese të aksioneve me koncesion, Marketing& Distribution, nuk kishte përvojë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Muajin e kaluar, Agjencia e Prokurimit Publik shpalli fituese kompaninë italiane ServiziItalia Spa “Për shërbime të integruara në ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, kundrejt 80 milionë eurove për 10 vjet.

Rapiscan, barra do përballohet edhe nga buxheti, të paktën dy vitet e para

Nuk janë vetëm bizneset që po paguajnë 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për ato nën 1000 euro, për hir të kontratës për skanimin e kontenjerëve, që ka hyrë në fuqi në 7 shtator. Edhe buxheti i shtetit do të paguajë për këtë kontratë, çka nënkupton se më shumë para nga taksapaguesit do shkojnë në favor të koncesionarit.

Po pse do të detyrohet të paguajë shteti për koncesionarin dhe sa. Në marrëveshjen e rishikuar, ndryshe nga e mëparshmja, buxheti i shtetit merr përsipër kompensimin e kostove të pambuluara me të ardhura në 7 vitet e para të aktivitetit të skanimit, ndryshe nga kontrata e mëparshme, ku koncesionari do të merrte direkt tarifën prej 39 eurosh për çdo deklaratë doganore, duke bërë që risku i humbjeve të merrej përsipër nga ky i fundit. Në total për 15 vite, Rapiscan do të marrë sipas kontratës së re 210 milionë euro.

Kontratat e re përcakton që tarifa vjetore e vendit gjatë 12 muajve të parë, duke filluar nga data e fillimit, do të jetë 2.2 milionë euro për një pikë skanimi, ose 11.3 milionë euro për të 5 pikat gjithsej të skanimit (tre fikse dhe dy të lëvizshme).

Në vitin bazë që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Nga një llogaritje e thjeshtë, shuma që shteti do të mbledhë nga këto tarifa nuk i kalon 9 milionë euro. Duke qenë se ai duhet t’i japë koncesionarit 11.3 milionë euro, duhet të paguajë nga buxheti diferencën prej 2.3 milionë euro, që në vitin e parë.

Duke u shtuar dhe humbjen nga përjashtimi i pagesës së tarifës për disa kategori biznesesh, biznesit i ulen 2 milionë euro pagesa, që duhet t’i paguajë buxheti, duke e çuar në rreth 4 milionë euro shumën që duhet të mbulojë buxheti vetëm vitin e parë.

Faktin që bizneset paguajnë për deklaratë edhe kur nuk marrin shërbimin financat e kanë argumentuar me faktin se marrëveshja është të paguhet 22 euro për deklaratë pavarësisht nëse bëhet apo jo skanimi, se përndryshe do i binte mbi 120 euro të paguanin ata që u skanohej malli.

Nga ana tjetër, ka munguar transparenca, si nga qeveria e mëparshme ashtu dhe ajo aktuale, se çfarë vlerë të shtuar do të sjellë ky shërbim në të ardhurat doganore apo zbulueshmërinë e evazionit, dhe as pse ky shërbim nuk kryhet nga vetë Dogana, që e ka funksionale të paktën një pajisje të tillë.

Një transparencë e plotë mbi kostot dhe përfitimet e këtij koncesioni do të ishte e domosdoshme për të argumentuar domosdoshmërinë e dhënies së tij.

Banka Botërore jep alarmin për rreziqet

Ka një numër të mundshëm rreziqesh që lidhen me Partneritetin Publik Privat – shprehet Banka Botërore në një studim të posaçëm për këtë mënyrë të re bashkëpunimi mes autoriteteve publike dhe atyre private. Vlerësimet gjenden në linkun (http://ppp.worldbank.org/public-private-partnership/overview/ppp-objectives).

Zhvillimi i ofertave të vazhdueshme për projektet PPP ka të ngjarë të jetë me shpenzime të mëdha për proceset tradicionale të prokurimit, vlerëson Banka. Qeveritë doemos për këtë arsye duhet të përcaktojnë nëse kostot e përfshira në këto investime janë të justifikuara. Banka Botërore cilëson se njësitë e zbatimit të PPP në mbarë botën kanë zhvilluar metoda për të analizuar këto kosto.

Disa projekte mund të jenë më të lehta për t’u financuar se të tjerët, sugjeron Banka, nëse ato gjenerojnë të ardhura në monedhën vendase vetëm (p.sh. projektet e ujit), ndërsa të tjerët (p.sh. portet dhe aeroportet) do të sigurojnë valutë në dollarë ose valutë tjetër ndërkombëtare me më pak ndikim në tregjet financiare lokale.

Firma private (dhe huadhënësit e tyre) në koncesionin PPP duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me pranimin e rreziqeve të mëdha jashtë kontrollit të tyre, të tilla si rreziqet e kursit të këmbimit/rrezikun e aseteve ekzistuese. Nëse këto rreziqe ndodhin, atëherë çmimet e shërbimeve që ofrojnë do të rriten. Firmat private gjithashtu do të duan të dinë se rregullat e lojës do të respektohen nga qeveria për sa u përket rritjes së tarifave.

Në këto lloj koncesionesh, sektori privat do të bëjë për atë që është paguar dhe jo më shumë se kaq. Prandaj Banka Botërore sugjeron ndaj qeverive që të pranojnë kërkesat e performancës, të cilatduhet të përcaktohen qartë në kontratë.

Pavarësisht se koncesioni e ofron shërbimin, qytetarët do të vazhdojnë t’i kërkojnë llogari qeverisë për cilësinë e shërbimeve komunale. Qeveria gjithashtu do të duhet të mbajë ekspertizë të mjaftueshme, nëse agjencia zbatuese ose organi rregullator, të jetë në gjendje për të kuptuar marrëveshjet PPP, për të kryer detyrimet e veta sipas marrëveshjes PPP dhe për të monitoruar performancën e sektorit privat.

Sektori privat ka të ngjarë që të ketë më shumë ekspertizë dhe pas një kohe të shkurtër kanë një avantazh në të dhënat që kanë të bëjnë me projektin.

Një kuadër i qartë ligjor dhe rregullator është vendimtar për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme, sugjeron BB.

Duke pasur parasysh natyrën afatgjatë të këtyre projekteve dhe të kompleksitetit të lidhur me ta, është e vështirë për të identifikuar të gjitha të papriturat e mundshme të projektit që mund të lindin nëvijim dhe nuk ishin parashikuar në kontratën fillestare. Është gjithashtu e mundur që disa nga projektet mund të dështojnë ose mund të përfundojë para afatit të parashikuar të projektit, për një numër arsyesh, duke përfshirë ndryshime në politikën e qeverisë, dështimi nga operatori privat ose të qeverisë për të kryer detyrimet e tyre për shkak të rrethanave të jashtme të tilla si forca madhore.

Ndërsa disa nga këto çështje do të mund të adresohen në marrëveshjen PPP, ka të ngjarë që disa prej tyre do të duhet të menaxhohen gjatë rrjedhës së projektit.

Përfitimet

Kriza financiare e vitit 2008 e në vazhdim ka sjellë interes në koncesionet me Partneritet Publik Privat (PPP) në vendet zhvilluara dhe tek ato në zhvillim. Duke u përballur me kufizimet në burimet publike dhe hapësirat fiskale, duke njohur rëndësinë e investimeve në infrastrukturë për të ndihmuar ekonomitë e tyre të rriten, qeveritë janë duke e kthyer gjithnjë e më shumë sektorin privat si një burim alternativ të financimit shtesë për të përmbushur boshllëkun e financimit. Eksplorimi PPP shihet si një mënyrë për futjen e teknologjisë së sektorit privat dhe risi në ofrimin e shërbimeve më të mira publike përmes përmirësimit të efikasitetit operativ.

Shfrytëzimi i PPP si një mënyrë për zhvillimin e aftësive të sektorit privat përmes ndërmarrjeve të përbashkëta me firmat e mëdha ndërkombëtare, si dhe mundësitë nënkontraktuese për firmat lokale në fusha të tilla si punimet civile, punimet elektrike, menaxhimin e objekteve, shërbimet e sigurisë, shërbimet e pastrimit, shërbimeve të mirëmbajtjes shihen si përfitime.

Ato sjellin diversifikim në ekonomi, duke e bërë vendin më konkurrues në drejtim të lehtësimit të bazës së infrastrukturës,si dhe duke dhënë një nxitje për industrinë, zhvillimin e infrastrukturës (të tilla si ndërtim, pajisjet, shërbimet mbështetëse).

Koncensionet PPP plotësojnë kapacitetet e kufizuara në sektorin publik për të plotësuar kërkesën në rritje për zhvillimin e infrastrukturës.

Nga viti 1990 deri në vitin 2009, rreth 1400 marrëveshje PPP u nënshkruan në Bashkimin Europian, që përfaqëson një vlerë kapitale prej rreth 260 miliardë eurosh.Që nga fillimi i krizës financiare në vitin 2008, vlerësimet sugjerojnë se numri i marrëveshjeve PPPka rënë më shumë se 40%.

Investimet në infrastrukturën e sektorit publik janë parë si një mjet i rëndësishëm për ruajtjen e aktivitetit ekonomik, ka theksuar raporti i Komisionit Europian për këtë çështje. Si rezultat i rolit të rëndësishëm që PPP-të kanë marrë së fundmi, kompleksitetii këtyre transaksioneve kërkon ekspertizë të thelluar.

Plani për 70 koncesionet e reja, ja si do të shpërndahen

Financa

Konsulenca në dogana

Koncesioni i TVSH dhe lotaria tatimore

Transporti

-Sistemi i hekurudhave

-Transporti hekurudhor

– Portet

– Aeroportet

-Transporti publik

-Rrugët

-Tunelet

– Urat

-Parkimi

Energjia dhe uji

-Prodhim energjie

-Shpërndarje e energjisë elektrike dhe energjisë për ngrohje

-Prodhim dhe shpërndarje e ujit

-Trajtim, mbledhje, shpërndarje dhe menaxhim i ujërave të zeza

-Ujitje, drenazhim, pastrim i kanaleve dhe digave

Mjedisi

-Menaxhim i mbeturinave, duke përfshirë mbledhjen, trajtimin, transferimin dhe depozitimin e tyre

Shërbimet

-Telekomunikacion

-Shkencë dhe arsim

-Turizëm, argëtim dhe hoteleri

-Kulturë dhe sport

Shëndetësi

-Shërbime sociale

-Burgje dhe infrastrukturë gjyqësore

-Rehabilitim i tokës dhe pyjeve

-Parqe industriale, miniera dhe infrastrukturë të ngjashme për mbështetjen e biznesit

– Strehim

-Godina të administratës publike, teknologji e informacionit dhe infrastrukturë e bazës së të dhënave; l) shpërndarje e gazit natyror

-Rehabilitim dhe zhvillim urban dhe suburban.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi