Paratë e taksapaguesve: Si po shpenzohen
Nga Blerina Hoxha, botuar në Monitor, 28 nëntor 2015
Teksa presioni për grumbullimin e taksave është i lartë, qytetarët gjithnjë e më shumë pyesin se si po shpenzohen paratë e taksave. Të dhënat tregojnë qeveria ka ulur fondet për të papunët dhe ndihmën ekonomike me mbi 30% këtë vit. Bien financimet për shëndetësinë dhe arsimin. “Thahen” investimet publike dhe pezullohen stimujt për administratën dhe pensionistët. Ekspertët: Rritja e taksave nuk vlen pa një rishpërndarje të drejtë
Prej kohësh ka një shqetësim të rritur ndër taksapaguesit shqiptarë, se përkundër presionit për të mbledhur taksat, faturat e dritave dhe çdo detyrim tjetër që rrjedh nga ligji, a po tregohet qeveria njësoj e përgjegjshme për t’i shpenzuar ato me nikoqirllëk.
Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, në fund të vitit 2014, investimet publike sipas dikastereve u realizuan 82 % e programit, duke rezultuar -7.2 % më pak se fakti i 2013. Në diskutim u vu edhe eficenca e fondeve të alokuara duke qenë se në dhjetor të 2014, Ministri i Financave Shkëlqim Cani autorizoi parapagimin e investimeve me letër-kredi në vlerën e 2.9 miliardë lekëve. Situata vijoi me përkeqësim edhe këtë vit, kur fondi vjetor i investimeve u shkurtua me rishikimin e buxhetit me rreth 7%, ndërkohë që realizimi i shumës së mbetur është 14% më pak se programi.
Sakaq ekspertët e Ekonomisë japin alarmin se rishpërndarja e taksave nuk po bëhet me të njëjtin seriozitet dhe përgjegjshmëri sa edhe grumbullimi i tyre, duke vënë në dyshim edhe politikën e rritjes së taksave. Ish Ministri i Financave, Arben Malaj pohoi se shkurtimi i pagesave për shtresat nevojë dhe rishpërndarja jo e drejtë e taksave po e deformon thellësisht qëllimin e grumbullimit të taksave. Ndërsa, eksperti Ardian Civici thotë se eficenca e vërtetë një qeverisje shihet tek përdorimi i të ardhurave më shumë se tek grumbullimi i tyre, në mënyrën se si ofrohen incentiva për zhvillimin e ekonomisë nëpërmjet rishpërndarjes dhe mbrojtjes së shtresave të nevojë.
Nga të dhënat e nëntëmujorit të këtij viti, shpenzimet me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve ose mbijetesën e tyre kanë rënë në mënyrë drastike. Qeveria ka hyrë në një anemi kronike për të shpenzuar fondet e planifikuara për investime dhe, nga ana tjetër, pagesat e papunësisë dhe ndihma ekonomike kanë rënë mbi 30% në fund të shtatorit në krahasim me një vit më parë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se, në fund të vitit 2014, abuzimet në tenderët publikë arritën në 678 milionë lekë ose 47% më shumë se më 2013, i cili kaloi një tranzicion të fortë për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa vetëm në gjysmën e parë të vitit 2015 vlera abuzimeve në prokurimet publike shkoi në 618 milionë.
Sipas të dhënave nga Ministria Financave të pasqyruara në grafikët përkatës nga Monitor mësohet se, fondet për sektorët sensitiv, arsim, shendetësi, mbështetje sociale dhe investime janë më rënie.
Pagesa e papunësisë, 33% rënie
Fondet buxhetore për shtresat në nevojë kanë hyrë në një trajektore rënëse.Në fund të nëntëmujorit ishin vetëm 473 milionë lekë, vlerat monetare të vëna në dispozicion për pagesën e papunësisë, ose 33% më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit 2014 dhe niveli më i ulët historik që nga viti 2005. Por, ndërsa fondet për pagesën e papunësisë gati janë përgjysmuar, numri i të papunëve nuk është ulur. Papunësia në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas të dhënave të INSTAT, shënoi 17.3% në nivele të ngjashme me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Më pak fonde për të varfrit dhe invalidët
Me të njëjtin ritëm si pagesat për të papunët janë përfshirë në tkurrje edhe fondet për të varfrit (ndihma ekonomike) dhe fondet për invalidët (Aftësinë e Kufizuar). Zërat buxhetorë për këto grupe kanë pësuar ulje dyshifrore në mbi 20% në krahasim me vitin 2014 dhe nivele edhe më ulëta se 2013-a. Nga 16.2 miliardë që ishte programuar ndihma ekonomike për nëntëmujorin janë shpenzuar vetëm 12.4 miliardë lekë. Nga ana tjetër, shifrat e INSTAT dhe të Bankës Botërore nuk raportojnë për ulje të varfërisë gjatë kësaj periudhe. Por duke qenë se janë shpenzuar shumë para në fronte të tjera dhe borxhi publik është rritur, institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe Banka Botërore, e kanë orientuar qeverinë të racionalizojë shpenzimet. Për ndihmën ekonomike dhe pagesat e aftësisë së kufizuar është rekomanduar rishikim i skemës për të shmangur abuzimet, por jo pakësimin e fondeve.
Një hulumtim për racionalizimin e shpenzimeve publike të vitit që shkoi, Banka Botërore i sugjeroi Shqipërisë se ka ende hapësira për të rritur efektivitetin e programit të saj të ndihmës sociale, duke përfshirë targetimin më të mirë të atyre që kanë nevojë, modernizimin e sistemeve, eliminimin e fragmentimit dhe gjetjen e mënyrave për të çuar të trajtuarit me ndihmë ekonomike drejt punësimit produktiv.
Banka Botërore ka referuar se sondazhi i Aftësisë së Kufizuar gjeti se 39% i fondit shkoi për në një të pestën e varfërve dhe 12% për të pasurit. Banka ka kërkuar rishikim të kritereve të përfitimit të ndihmës dhe indeksim të përvitshëm të saj me inflacionin ndaj pjesës që i takon.
Madje Banka Botërore ka rekomanduar disa opsione që dalin edhe nga natyra e misionit të saj themelor për zbutjen e varfërisë. Në periudhën afatshkurtër, Banka i rekomandon qeverisë të pezullojë aplikimet të reja për aftësinë e kufizuar, të cilat do të ulin shpenzimet. BB gjithashtu e këshillon qeverinë që të ulë përfituesit për nënkategori të caktuara, duke pastruar gabimet dhe abuzimet. Një sugjerim tjetër është transferimi te skema e sigurimeve shoqërore e të plagosurve në punë, duke i hequr nga programi i asistencës për invalidët.
Një tjetër propozim është edhe shkurtimi i masës së përfitimit për disa kategori. Duket se qeveria ka vënë në jetë një pjesë të madhe të rekomandimeve të Bankës Botërore, pasi fondet buxhetore ndaj shtresave në nevojë kanë rënë ndjeshëm
Bien fondet për arsimin
Teksa qeveria rriti me të paktën 10% tarifat e studimit në universitetet publike këtë vit, për të cilat u lëshuan vezë mbi Kryeministrin pak ditë më parë, fondet e buxhetit destinuar për arsimin nuk kanë ecur në të njëjtën trajektore. Në buxhetin e këtij viti, fondi për Ministrinë e Arsimit shkoi në 2.79% e PBB nga 2.85% që ishte vitin e kaluar. Këto nivele janë shumë poshtë mesatares rajonale prej 4% dhe vendeve të zhvilluara që destinojnë mbi 8% të shpenzimeve buxhetore për arsimin.
Në të gjithë botën, arsimi dhe shëndetësia marrin pjesën e “luanit” të fondeve publike, për shkak të kthyeshmërisë që këto fusha sjellin në linja të tjera sociale dhe ekonomike. Banka Botërore sugjeron se fondet për arsimin duhet të rriten duke i kushtuar prioritet qasjes dhe cilësisë në arsimin parashkollor. Na analizën e posaçme për shpenzimet publike Banka gjykon se, në afat të shkurtër, 2014-2016, duke pasur parasysh mungesën e hapësirës fiskale dhe planin e konsolidimit fiskal në vend, Shqipëria duhet të kryejë reformat për ta bërë sektorin më efikas me të njëjtin nivel të burimeve buxhetore. Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, veçanërisht pas vitit 2016, BB i sugjeron Shqipërisë që të marrin parasysh rritjen e shpenzimeve publike për arsimin. Zarfi i vogël nga buxheti për arsimin duhet të ngrihet gradualisht nga rreth 3% të PBB-së në 4.0% të PBB-së, afër mesatares rajonale në 4.6% të PBB-së.
Mjerimi i shëndetësisë
Rishpërndarja e rritjes ekonomike në vend që të shkojë me rritje fondesh për shëndetësinë ka pësuar ulje. Gjatë rishikimit të buxhetit 2015 në shtator të këtij viti, fondet për shëndetësinë u shkurtuan me rreth 7 miliardë lekë, duke i çuar financimet në raport me PBB për sektorin në 2.2% nga 2.8% që ishin programuar në fillim të vitit. Por duket se qeverisë nuk po i dalin llogaritë për mbarë. Teksa taksat janë rritur, ekonomia gjithashtu raportohet me rritje, të ardhurat për arkën e shtetit nuk u janë përgjigjur këtyre zhvillimeve. E gjendur në vështirësi për fonde me një mungesë prej gati 200 milionë eurosh në raport me pritshmëritë fillestare të këtij viti, qeveria shqiptare ka vënë gërshërët edhe në sektorët prioritarë të vendit, duke lënë një perspektivë edhe më të zymtë se realiteti i sotshëm.
Në analizën e Bankës Botërore referohet se shpenzimet publike të Shqipërisë në shëndetësi, në rreth 2.6% të PBB-së, mbeten të ulëta dhe ndjeshëm nën mesataren rajonale.
Banka rekomandon se edhe me nivelin aktual të shpenzimeve ka hapësirë të konsiderueshme për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e shpenzimeve publike në shëndetësi.
Banka Botërore i sugjeron qeverisë të marrë parasysh rritjen e buxhetit të sektorit shëndetësor në periudhën afatmesme, veçanërisht pas vitit 2016, pasi hapësira fiskale të zgjerohet dhe borxhi publik të jetë vënë nën kontroll. Banka thekson se hapësira për përmirësimin e investimeve në shëndetësi, në periudhën e afatshkurtër, mbetet kryesisht përmes rritjes së efikasitetit dhe përmirësimin e shpenzimeve aktuale shëndetësore. Por kjo me pak gjasa nuk po ndodh fare, pasi për çdo muaj zbulohen skema mashtrimi me vlera miliona euro dhe nga ana tjetër, kanë vërshuar koncesionet për shërbimet në shëndetësi, shumica e të cilave pa kosto të qarta.
Shpenzimet mesatare shëndetësore për vendet e tjera në rajon janë rreth 4.5% të PBB-së. Duke pasur parasysh kufizimet fiskale në nivel kombëtar, si dhe programim aktual të konsolidimit fiskal gjatë 2014-’16, Banka Botërore sheh se nuk ka vend për të rritur shpenzimet publike në shëndetësi në këtë periudhë.
Skemat e abuzimit me ilaçet, 3 mln euro
Teksa Banka Botërore i ka kërkuar qeverisë që të shohë me lupë shpenzimet për shëndetësinë në kushtet e pamundësisë për të shtuar fondet ndaj saj, vetëm për gjashtë muajt e fundit, organet e drejtësisë zbuluan skemat e mashtrimit me ilaçet që prekin përmasa dëmi në fondet publike me rreth 3 milionë euro. Në fillim të verës u zbulua një skemë mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve nëpërmjet farmacive në bashkëpunim me punonjës të ISKSH-së. Ndërsa këto ditë një tjetër skemë pak a shumë e ngjashme me të parën përfshin një vlerë abuzimi mbi 2.2 milionë euro. Abuzimi është kryer duke lëshuar receta fiktive kundrejt disa ilaçeve që kushtojnë shumë dhe se, lëshohen për përdorim vetëm në kushte spitalore. Abuzimi më i madh ndodh me insulinat që kushtojnë shumë dhe jepen me doza deri në tetë copë. Duke qenë me rimbursim, ky medikament është lëshuar me receta false në masë. Ekspertët e fushës thonë se ky mekanizëm është lehtësisht i kontrollueshëm. Po të krahasohen rimbursimet e medikamenteve me sasitë e importuara, skema zbardhet menjëherë. Një skemë të tillë u përshi e skandali i “Omega Farma”, ku nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se janë faturuar vetëm në një lloj medikamenti kancerogjen si të blera 8 mijë copë, ndërsa janë deklaruar të shitura 23 mijë copë, për të cilat është dhënë edhe rimbursimi.
“Shuhen” investimet
Mjeti më i mirë i një qeverie për të stimuluar rritjen ekonomike të vendit të vet janë investimet publike. Kjo lidhje është vërtetuar ndër vite kur shihet se ndërsa fondet i investimeve kanë qenë të larta, edhe rritja ekonomike ka ndjekur të njëjtin trend. Rasti i vitit 2009, kur për shkak të ndërtimit të Rrugës së Kombit investimet shënuan mbi 600 milionë euro, rritja ekonomike e këtij viti ishte mbi 7%, pavarësisht faktit se rritja pati përqendrim të lartë dhe nuk ishte gjithëpërfshirëse. Por pas zgjedhjeve të vitit 2013, me ardhjen e qeverisë së re në pushtet, një filozofi e re u vu në jetë për investimet. Jo më vepra të mëdha, jo më fronte të reja në rrugë. Por mirëmbajtje të investimeve ekzistuese dhe një përqasje më të madhe drejt furnizimit me ujë dhe nevojave të tjera infrastrukturore. Edhe si një nevojë për një konsolidim të lartë fiskal nga borxhi mbi 70% e PBB-së, qeveria e pas 2013-s vendosi gërshërët mbi fondet e investimeve, duke i shkurtuar ndjeshëm dhe duke i shpërndarë në dhjetëra projekte të vogla. Afërsisht një dekadë më parë një nga Misionet e rradhës së FMN i pat sugjeruar qeverisë së kohës se shpërndarja e fondit të investimeve në shumë projekte të vogla rrit korrupsionin dhe nuk jep të një produkt të rëndësishëm për ekonominë. Nga ana tjetër, edhe realizimi i këtyre shpenzimeve ka qenë poshtë planifikimit. Në fund nëntëmujorit 2015, janë investuar vetëm 32 miliardë lekë nga fondet publike ose më pak se 50% e parashikimit vjetor dhe 14% më pak se plani i periudhës. Situata është po aq dramatike sa edhe një vit më parë, kur Ministria e Financave autorizoi 30 milionë dollarë investime me letër-kredi për blerje ambulancash dhe helikopterësh.
Burimet zyrtare të Ministrisë së Financave kanë argumentuar se mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve. Kalimi i kompetencave nga Ministria e Financave tek ajo e Ekonomisë për alokimin e fondeve për investimet ka rritur procedurat burokratike e për rrjedhojë po pengon alokimin e tyre sipas programit. Gjatë rishikimit të buxhetit 2015, qeveria pa me ulje fondin për investimet. Nga më shumë se 67 miliardë lekë që ishin programuar investimet kapitale në fillimvit, pas rishikimit ato zbritën në 63 miliardë lekë ose 7% më pak me gjasa për t’u shkurtuar edhe më tej.
Ministria e Transportit ka shpallur në programin e saj se vendi ka nevojë së paku për 2.5 miliardë euro investime për të pasur një infrastrukturë në nivele të krahasueshme me rajonin. Vendet fqinjë, Mali i Zi dhe Maqedonia, përveçse kanë trashëguar një infrastrukturë të admirueshme nga ish-Jugosllavia, po modernizojnë më tej investimet, sidomos në rrugë nëpërmjet koncesioneve private që në Shqipëri duket se nuk po arrijnë të materializohen.
Por ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, që ka buxhetuar për vite me radhë fondet publike, thotë se paaftësia e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave është po aq e lartë edhe në sektorin e shpenzimeve. Në vitin 2014, disa tatime u rritën me mbi 50%, ndërsa të ardhurat që u siguruan ishin më të vogla se efekti i rritjes së tyre dhe rritjes së ekonomisë, thotë Shehu. Nga ana tjetër, shpenzimet më 2014 ka qenë 45 miliardë lekë më të larta dhe për më tepër nuk shkuan për financimin e veprave të mëdha si rruga e re e Elbasanit, Rruga e Arbrit apo Qukës – Qafë Plloçë. Deri në dhjetor të vitit 2014 ishin realizuar vetëm 28% e programit të investimeve të vitit. Pjesa tjetër e tyre u shpenzua në dhjetor, duke shmangur tenderët, kujtoi Shehu.
Agjencia e Prokurimit Publik ka raportuar se, gjatë vitit 2014 ka zhvilluar 6794 procedura të suksesshme prokurimi, ku 31% prej tyre janë zhvilluar me negocim pa shpallje paraprake, çka e ka kufizuar së tepërmi konkurrencën në tenderë.
Nga ana tjetër, kërkesat e Ministrive për investime rezultojnë të jenë dyfish më të larta se mundësia e arkës së shtetit për financimin e tyre. Sipas tabelës përmbledhëse të projekteve për financim në periudhën afatmesme 2015-2017, që është dorëzuar në Ministrinë e Financave, kërkesat për investime për vitin 2016 janë 143 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2017, rreth 115 miliardë lekë. Sakaq, Ministria e Financave, në kuadrin makroekonomik afatmesëm, ka miratuar për financim vetëm gjysmën e shumave të kërkuara. Në kuadrin e rishikuar makroekonomik 2016-2018 mësohet se fondi për investime kapitale do të jetë 63 miliardë lekë për vitin 2016, shumë kjo sa 40% e vlerës së nevojshme e kërkuar nga ministritë për projektet e investimeve.
Pak a shumë e njëjta situatë është edhe këtë vit, ku ministritë kishin kërkuar për financimin e projekteve 112 miliardë lekë dhe qeveria ka financuar nga buxheti 63 miliardë lekë. I njëjti trend do të jetë edhe për vitin 2017.
Në fund të muajit korrik, qeveria ka rishikuar me ulje programin e shpenzimeve kapitale për periudhën afatmesme 2016-2018, në krahasim me parashikimet e janarit. Kështu pritjet për zërin më të rëndësishëm të buxhetit që ndikon në rritjen ekonomike (shpenzimet kapitale) janë shkurtuar me 9% për vitin 2016 deri në 35% më pak në vitin 2018. Në muajin janar, në programin afatmesëm ekonomik, qeveria priste të çonte shpenzimet kapitale në vlerat e 102 miliardë lekëve, por në rishikimin e fundit që daton në fillim të gushtit, këto shpenzime nuk do të jenë më të larta se 76 miliardë lekë.
Në vitin 2016, qeveria kishte planifikuar të shpenzonte për investimet rreth 72 miliardë lekë, por me rishikimin e fundit nuk do të vihen në dispozicion më shumë se 63 miliardë lekë në dispozicion, ose 31% më pak se synimi i janarit. Por kjo ulje në parashikime shihet të ketë ardhur edhe nga dobësitë serioze që po shënon qeveria në realizimin e të ardhurave dhe zërit të investimeve, edhe pse ai po vjen në ulje.
Abuzimet, tenderët rritje me 47%
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një rritje progresive të abuzimeve me fondet publike dy vitet e fundit. Pamja më e qartë jepet në vlerat monetare të çuara dëm në prokurimet publike. Në fund të vitit 2014, abuzimet në tenderët publikë arritën në 678 milionë lekë ose 47% më shumë se më 2013, i cili kaloi një tranzicion të fortë për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa shihet se situata nuk është përmirësuar aspak edhe këtë vit. Në raportin e KLSH për gjashtëmujorin e parë të 2015-s, dëmi në prokurimet publike ka shënuar 618 milionë lekë, vlerë e njëjtë kjo sa dëmi i gjithë vitit 2014.
Gjatë vitit 2014 janë zhvilluar 2121 procedura me negocim pa publikim të njoftimit të kontratës, duke angazhuar një vlerë prej 5.6 miliardë lekësh, sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, nga 4673 procedura që kanë rezultuar me fitues gjatë vitit në prokurimin e garës së hapur. Procedura pa tender me negocim rezulton të jetë përdorur në 31% të krejt rasteve fituese.
Ligji lejon që, përveç procedurave të prokurimit publik, autoritetet kontraktore, nëse ndodhen në kushtet e emergjencës, mund të kryejnë dhe procedura prokurimi me negocim pa shpallje paraprake.
Rritje e dobët pagash dhe pensionesh
Rritjet e pagave dhe pensioneve nuk do të jenë më në planet e qeverisë shqiptare. Hesapet janë bërë deri më 2022, ku Shqipëria e ka të përjashtuar opsionin e rritjes. Ndërsa 2015, ishte viti i parë kur qeveria shmangu indeksimin e pagave në sektorin publik me inflacionin dhe gjithashtu ky ishte viti i parë kur të gjithë punonjësit e shërbimit parësor shëndetësor janë përjashtuar nga shpërblimi me dy paga vjetore për shkak të volumit të punës jashtë normave. Masat shtrënguese në sektorin e pagave mund të sofistikohen në periudhën në vijim, nëse qeveria nuk ia del të rrisë angazhimin e saj në grumbullimin e të ardhurave. Llazi Balliu, një ekspert i vjetër i financave në vend, shpjegon se shtrëngimi në sektorin e pagave kompensohet me pagesat nën dorë. Niveli zyrtar i të ardhurave të një administrate publike është përcaktuesi kryesor i ecurisë së korrupsionit dhe i cilësisë së shërbimeve publike, shtoi ai.
Sipas parashikimeve në Kuadrin Makroekonomik 2016-2018, fondi i pagave do të rritet në nivele modeste poshtë 1 përqindëshit, ndërkohë që Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë sugjeruar se nuk ka asnjë hapësirë për rritjen e tyre. Gjatë viteve 2005-2013, ish- qeveria e djathtë ndërmori një politikë agresive në rritjen e pagave dhe pensioneve, duke çuar në dyfishimin e tyre. Kjo politikë ka bërë që shpenzimet buxhetore në këtë drejtim të rriten ndjeshëm, duke i reduktuar tërësisht hapësirat për rritje të mëtejshme. Fondi i Pagave dhe i Pensioneve i kalojnë 155 miliardë lekët, vlerë kjo e barabartë 40% të të ardhurave vjetore në buxhet.
Shpenzimet, nën morsë deri më 2022
Përtej vitit 2015, programi i konsolidimit buxhetor nuk parashikon masa të mëtejshme domethënëse në të ardhurat, por synon të mbajë shpenzimet në kontroll, çka do të thotë një shkurtim i mëtejshëm i tyre. Sipas vlerësimit të fundit të Komisionit Europian, konsolidimi në krahun e shpenzimeve do të shtrihet në dy vitet e ardhshme 2016-2017.
Raporti i KE-së referon se është planifikuar që pjesa e shpenzimeve të personelit të ulet me rreth 1 pikë përqindje të PBB deri më 2017.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjithashtu pritet të bien në terma relativë nga 2.7% e PBB-së në vitin 2015 me 2.3% në 2017, përkundër nevojave të mëdha të mirëmbajtjes të paplotësuara, sidomos në sektorin rrugor.
Shpenzimet do të shkurtohen edhe për asistencën sociale dhe skemat e përfitimit të aftësisë së kufizuar. Këto shpenzime në vitin 2017 pritet të bien me 1.2% të PBB-së, si rezultat i reformave për heqjen e abuzuesve nga skemat, referon raporti i KE-së
Brenda zarfit të shpenzimeve, investimet publike janë e vetmja kategori e madhe që pritet të regjistrojë një rritje relative, nga 6% e PBB në vitin 2015 në 6.4% në 2017. Megjithatë, KE ka vërejtur se eksperiencat në të kaluarën e afërt kanë treguar se alokimi i tyre sipas parashikimeve në buxhet, ka qenë i pamundur.
Në vitin 2014 dhe 2015, buxheti ka synuar rregullimet në kahun e të ardhurave, i fokusuar më së shumti në rritjen e performancës nga administrimi fiskal. Por duke qenë se rritja e taksave është konsumuar, duke mos dhënë rezultatin e pritshëm në të ardhura, për të ruajtur balancën buxhetore do të mbahen shpenzimet nën kontroll, çka nënkupton shkurtimin e mëtejshëm të tyre. Opsionet e mundshme në reduktimin e tavaneve buxhetore janë duke u diskutuar me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekspertët e të cilit janë duke zhvilluar konsulta me qeverinë shqiptare për paketën fiskale dhe projektbuxhetin 2016.
Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, duke pasur parasysh mungesën e hapësirës fiskale dhe planin e konsolidimit fiskal në vend për periudhën 2014-‘16, Shqipëria duhet të kryejë reformat për të bërë sektorët socialë më efikasë dhe të bëjë më shumë me të njëjtin nivel të burimeve buxhetore, sugjeron Banka Botërore. Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, veçanërisht duke filluar në vitin 2017, Shqipëria mund të marrë parasysh rritjen e shpenzimeve publike në arsim dhe shëndetësi.
Rritja e shpenzimeve publike për arsimin, nëse përmirësohet situata fiskale, sugjerohet të nisë nga viti 2017, duke i çuar në rreth 4% të PBB-së, krahasimisht me rajonin.
Shtimi i shpenzimeve publike në arsim, sugjeron BB, duhet të kanalizohet në disa fusha, në të cilat Shqipëria ende ka nevojë për investime, të tilla si zhvillimi profesional i mësimdhënësve, materiale dhe mjete shkollore, cilësinë e objekteve shkollore.
Rritja e shpenzimeve publike në shëndetësi këshillohet të nisë nga 2017, duke çuar fondet 2.2% të PBB-së, që janë aktualisht, në rreth 4% e PBB-së, me qëllim financimin më të mirë në shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor.
Për sa i përket ndihmës sociale, Shqipëria aktualisht shpenzon rreth 1.7% të PBB-së, në të njëjtin nivel me mesataren e rajonale. Banka Botërore referon se sfida nuk do të jetë për të gjetur më shumë fonde, por për të çuar ndihmën në familjet që u takon, duke e pastruar skemën nga abuzimet.
Banka ka vënë re një rritje të shpejtë për shpenzimet ndaj personave me aftësi të kufizuar. Nga 0.4% e PBB-së që ishin fondet për këtë kategori në vitin 2000 arritën në 1.1% në vitin 2013.
Banka Botërore thotë se, sipas skenarit bazë: programi aktual i konsolidimit fiskal për periudhën 2014-2016, si në të ardhurat dhe në anën e shpenzimeve, do të mbetet në vend dhe do të zbatohet ashtu siç është planifikuar.
Sipas këtij skenari, borxhi publik ndaj PBB-së publik do të bjerë nga 72% në vitin 2014 në 69.7% në vitin 2016, duke përfshirë edhe pastrimin e detyrimeve.
Përtej 2016, skenari bazë supozon se konsolidimi fiskal vazhdon midis 2017-2022, me rënie të shpenzimeve në raport me PBB-në nga 28.7% në vitin 2016 në 25.2% në vitin 2022, ndërsa të ardhurat do të qëndrojnë në 25.2% të PBB-së. Banka Botërore parashikon që borxhi publik ndaj PBB-së të arrijë në 49.7% në fund të vitit 2022.