Dritëhijet e projektbuxhetit 2016
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Ballkanweb, 28 nëntor2015
Projekti i qeverisë për buxhetin e shtetit të vitit 2016 duket se ka marrë kohët e fundit edhe miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Lajm i mirë për vendin, sepse kësisoj huatë mbështetëse të këtij organizmi ndërkombëtar nuk do të vonohen dhe as bllokohen. Por duke dhënë këtë dritë dhe lajm pozitiv të projektbuxhetit, ndërkohë, është me interes për të gjithë ne të dimë mendimet paralele, sidomos ato të ekspertëve të opozitës, të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile. Kjo, pse oponenca ndaj buxhetit, kritika e plotë e projektit qeveritar është në dobi parësore të vetë atyre që nesër do ta zbatojnë këtë buxhet. Opozita e ka cilësuar projektbuxhetin 2016 si buxheti i varfërisë, edhe pse disa analistëve të pavarur të ekonomisë, parashikimet në rritjen e të ardhurave buxhetore për vitin e ardhshëm, u duken tejet optimiste.
Sipas projektit qeveritar, do të rriten të ardhurat për 93 mijë familje dhe do të ketë ulje taksash. Taksat që mund të ulen për vitin e ardhshëm, krahas zerimit të taksave për biznesin e vogël që nga 1 janari 2016, janë në bujqësi, në prodhimin me material porositësi(pra në industrinë fason) dhe në turizëm. Ulja e fundit duket shumë e vështirë të ndodhë vitin e ardhshëm, pse për të rënë dakord me uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në turizëm, nga 20 në të paktën 10 për qind, sa e ka Kroacia, specialistët e FMN-së kanë kërkuar së pari formalizimin e plotë të sektorit. Një gjë e tillë si zor të ndodhë brenda 2016-ës. Burimet për optimizmin qeveritar në rritjen e të ardhurave buxhetore e kanë bazën tek prurjet nga reforma në energjetikë dhe nga aksioni anti-informalitet. Por ka ende dyshime mes specialistëve, nëse kjo mund të konsiderohet një bazë reale dhe miradministrimi fiskal të mos jetë veç një aksion i përkohshëm grupesh kontrolli në terren. Është ndoshta zona më e errët-hije e parashikimeve buxhetore. Ndërkohë, projektbuxheti parashikon një fond garancie 1.8 miliardë lekë të reja(rreth 13 milionë euro) për bujqit dhe fermerët, në ndihmë të prodhimit bujqësor e blegtoral. Ky veprim patjetër duhet përshëndetur, edhe pse fondi duket i pamjaftueshëm. E sigurt është që projektbuxheti 2016, kështu si e kanë përgatitur, po provon të ulë ritmin e rritjes së borxhit publik të vendit, duke parashikuar deficit më të ulët. Kosto për këtë paraqitet e lartë, pse parashikimet për investime publike janë të pakta, të kursyera. Madje opozita deklaron se investimet publike 2016 janë 60 milionë dollarë më pak se investimet faktike për këtë vit. Sipas kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, 2016-a është viti i parë që do të marrim borxh si shtet më pak se sa viti paraardhës, duke ju referuar nivelit të ulët të deficitit buxhetor, vetëm 2.2 për qind të produktit të brendshëm bruto të vendit. Vetëm se vështirë të na gëzojë fort ky lajm si qytetarë të thjeshtë, pse shtrëngimi i rripit fiskal nuk na sjell shumë ujë në mullirin e rritjes ekonomike.
Nga ana tjetër, buxheti i vitit 2016 është i pari që zbaton reformën e re territoriale duke transferuar tek pushteti vendor një sërë shërbimesh dhe funksionesh publike. Rreth një të katërtën e parave për pushtetin vendor i merr Fondi i Zhvillimit Rajonal(mbi 70 milionë euro), ndërkohë që investimet e këtij fondi zgjasin më shumë se një vit, kriteret e zgjedhjeve të tij për investime nuk janë shumë të qarta dhe, sipas kritikës së ambasadorit amerikan Donald Lu, ekziston rreziku që jo të gjitha paratë të ndahen barabar mes bashkive të majta dhe atyre të djathta, duke respektuar orekse partiakësh në pushtet. Mendimi më kurajoz dhe novator sot në ekonominë botërore dhe në shtetet më të zhvilluara është që në kushtet kur rritja ekonomike paraqitet e pakët, qeveria mund të rrezikojë diçka më shumë, duke shtuar investimet publike, qoftë kjo dhe me rezultat një rëndim të përkohshëm të deficitit buxhetor. Ndoshta për ne do të kishte qenë më mirë ta provonim me më shumë investime publike për vitin e ardhshëm, duke qenë se sipas ministrit Cani, edhe investuesit e huaj privatë na ofruan dyfishin e parave që kërkuam në tregjet financiare ndërkombëtare një-dy muaj më parë, kur dolëm për eurobondin e dytë. Me fjalë të tjera, mundet edhe ta rrisim pak më shumë borxhin publik të vendit, në dobi të fondeve për investime kapitale dhe gjasave për rritje ekonomike të fortë për vitin e ardhshëm. Ose thënë sërish ndryshe, për më shumë vende të reja pune për qytetarët tanë që syrin më të madh e kanë ende tek shanset për emigrim ekonomik jashtë vendit.
Fatos Çoçoli