Projektligji i vetëqeverisjes vendore, asnjë risi
Nga Dhurata Çupi, botuar në Panorama, 27 dhjetor 2015
Procesi i decentralizimit ka fillesat e tij gjatë viteve 1999 dhe 2000. Hapi më i rëndësishëm ishte miratimi dhe zbatimi i ligjit nr. 8652, dt. 31.07. 2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, që sanksionon të drejtat dhe kompetencat e njësive të qeverisjes vendore në përputhje me Kushtetutën dhe Kartën Europiane për Vetëqeverisje Vendore dhe që u pasua nga ligje të tjera që rregullojnë veprimtarinë e pushtetit vendor.
Ndërkohë është në proces miratimi projektligji “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili nuk paraqet në tërësinë e tij, por edhe në dispozita të veçanta, vizionin që duhet të rezultojë te ligjvënësit apo te qeverisja qendrore për forcimin e qeverisjes dhe demokracisë vendore dhe përparimin e procesit të decentralizimit, sipas standardeve më të përparuara europiane. Qëllimet dhe objektivat e këtij projektligji duhet të synonin forcimin më tej të qeverisjes vendore në përputhje me parimet e Kartës Europiane për Vetëqeverisjen Vendore, që Shqipëria tashmë e ka nënshkruar prej vitesh.
Tri parimet bazë që duhet të arrijmë nëpërmjet këtij projektligji duhet të jenë sigurimi i decentralizimit politik, administrativ dhe fiskal. Harmonizimi i këtyre parimeve nga ligji do të çojë në perceptimin e përgjithshëm për një pushtet vendor të pranuar politikisht dhe administrativisht.
Por çfarë konstatojmë: Projektligji nuk paraqet vizionin afatgjatë për qeverisjen vendore të qëndrueshme, duke përfshirë këtu përgjegjësitë dhe funksionet, autoritetin, instrumentet dhe burimet financiare, si edhe përgjegjshmërinë e organeve të qeverisjes vendore, duke arritur edhe në konkluzion fatalist se ligji aktual ishte më i mirë(!) Nuk paraqet kërkesat në vazhdimësi, në vite dhe ndërmjet shumë aktorëve se duhet reflektuar për një decentralizim politik.
Kjo është evidente tashmë që jo vetëm nuk janë mbajtur në vëmendje “kërkesat”, por ka tendenca të qarta të varësisë politike nëpërmjet termave “monitorim” apo “kontroll” nga qeverisja qendrore, sapo të konsultohesh me nenin 11 apo 13 të këtij projektligji. Projektligji përcakton dy lloje kompetencash (funksionesh) për NJQV: funksionet e veta, dhe të deleguara. Pra, qartazi nuk parashikohet, por suprimohet, kompetenca apo funksioni i tretë, funksioni i përbashkët.
Problematikat e këtyre viteve nuk kanë qenë suprimimi i këtij funksioni, por përkundrazi pritej që në projektligj të qartësoheshin të drejtat dhe detyrimet përkatëse, duke përputhur ndërmjet përgjegjësive që u janë dhënë organeve vendore me burimet financiare të nevojshme për realizimin e këtyre përgjegjë- sive dhe për sigurimin e financimit në përpjesëtim të drejtë. Kjo ndikon për më shumë pasiguri e paqartësi mbi rolin e pushtetit vendor dhe institucioneve të dekoncentruara në lidhje me funksionet e përbashkëta. (arsimi, shëndetë- sia, rendi lokal, trashëgimia kulturore vendore).
Nuk ka kritere apo standarde (madhësia, popullsia, pozita gjeografike etj.) për të definuar qartë mënyrën e akordimit të fondeve shoqëruese, gjë që në të ardhmen do të ndikojë në cilësinë e shërbimeve. Për sa i përket decentralizimit fiskal, tashmë dimë që burimet kryesore të të ardhurave vendore janë transfertat qeveritare nga qeveria qendrore dhe të ardhurat nga burimet e veta, si dhe mirëmenaxhimi i aseteve të transferuara në pronësi. Projektligji duhej të parashikonte vetë ose me dispozitë kalimtare nëpërmjet një akti normativ që regjistrimi i këtyre aseteve të kryhej pa tarifat përkatëse në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Shqetësim i kahershëm dhe i domosdoshëm i të gjitha një- sive vendore. Në projektligj duket qartazi qëllimi për zbehjen e kompetencave të nivelit të dytë qeverisës, atyre të qarqeve. Po të vërejmë me vëmendje dispozitat e projektligjit, konstatojmë se qarqet do të vihen në lëvizje kryesisht nga bashkitë në juridiksionet e këtyre qarqeve dhe nëse kjo nuk ndodh, qarku thjesht do të vegjetojë në godinën administrative, duke pritur “punë” nga bashkia e rastit.
Duket qartë zbehja e kompetencave të këshillave të bashkive, duke e kufizuar me disa prej kompetencave që sot i ka. Apo kthimin në parimin e punës vullnetare për këshilltarët, pasi projektligji përcakton që këta këshilltarë nuk do të paguhen për një shërbim të kryer në dobi të komunitetit. Duhet të përgatitemi ndërkohë që aktet e miratuara nga këta këshilltarë do të jenë minimalisht pa përgjegjësinë dhe seriozitetin e një pune të vlerësuar.
Nuk ka mbajtur në vëmendje parimin më të rëndësishëm, parimin e subsidaritetit ose, e thënë thjesht, ofrimin e shërbimeve publike sa më pranë individit, pasi rolin e Administratorit e kanë thjeshtuar duke mos i dhënë kompetenca dhe autoritet për vendimmarrje imediate. Sigurisht që mendimi im është që ky projektligj duhet rishikuar, gjithmonë në favor të së mirës publike dhe komunitetit.
*Departamenti i pushtetit vendor pranë Partisë Demokratike