Shqipëria në udhëkryq të demokracisë
Nga Elez Biberaj, botuar në Mapo, 26 nëntor 2015
Njëzet e pesë vjet pas përmbysjes së regjimit komunist totalitar të Enver Hoxhës, shqiptarët kanë të drejtë të ndihen krenarë për arritjet politike dhe ekonomike që ka shënuar vendi i tyre. Shqipëria tashmë është një vend i transformuar. Janë zhvilluar tetë zgjedhje parlamentare që nga viti 1991, me rotacion pushteti mes dy partive më të mëdha politike. Shqiptarët, përgjithësisht, i kanë pranuar normat demokratike dhe demokracia shihet si sistemi ideal politik. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe ndarja e pushteteve janë të mishëruara në Kushtetutë. Zbatimi i reformave ka sjellë rritje ekonomike të qëndrueshme, përmirësime në infrastrukturë, dhe ulje të varfërisë. Shqipëria po ashtu ka parë lindjen e një medie dinamike dhe të shumëllojshme. Dhe ndërsa niveli i angazhimit qytetar nuk është shumë i lartë, roli i shoqërisë civile po bëhet gjithnjë më i rëndësishëm dhe në disa raste ajo ka arritur të ndikojë në procesin vendimmarrës të qeverisë.
Qëndrimet e Shqipërisë në politikën e jashtme kanë qenë në përputhje me interesat kryesore rajonale e botërore të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Përmes partneritetit me Shtetet e Bashkuara, anëtarësimit në NATO dhe tani, edhe si vend kandidat i BE-së, Shqipëria është pozicionuar vendosmërisht me Perëndimin. Kursi që kanë përqafuar shqiptarët është ai i thellimit të lidhjeve historike me Evropën e me vlerat demokratike, dhe kundërshtimin i ekstremizmit fetar. Shqipëria ka mbështetur fuqishëm bashkëpunimin dhe pajtimin në Ballkan dhe roli i saj në rajon është rritur ndjeshëm.
Megjithë këto arritje mbresëlënëse, Shqipëria demokratike e gjen veten në udhëkryq. Ajo vlerësohet shumë më ulët se shumica e ish-vendeve të bllokut sovjetik dhe republikave jugosllave për treguesit e demokracisë, dhe ende nuk ka krijuar një sistem mirëfunksionues demokratik. Shqipëria vuan më shumë se vendet e tjera që kanë kryer tranzicionin nga komunizmi në një sistem shumëpartiak, nga cilësia e ulët e demokracisë. Siç thekson edhe raporti i fundit i Komisionit Europian, Shqipëria duhet të bëjë shumë më tepër për të forcuar shtetin ligjor, për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për funksionimin e duhur të institucioneve të shtetit, për të pastruar Parlamentin nga elementët kriminalë dhe të korruptuar, dhe për të realizuar reforma të thella në drejtësi.
Ka shumë faktorë që shpjegojnë përparimin e dobët demokratik të Shqipërisë: mungesa e një kulture demokratike, trashëgimia komuniste, dhe dobësia ekonomike. Por, pa dashur të minimizoj rëndësinë e tyre, nuk ka asnjë dyshim se shumë prej vështirësive me të cilat përballet Shqipëria janë pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimeve dhe vendimeve të elitave të saj qeverisëse. Gabime, dështime, politika jo të drejta, dhe raste të humbura kanë qenë tipare të përbashkëta të qeverive demokrate edhe të atyre socialiste.
Shqipëria ndeshet me një numër sfidash të ndërlikuara. Ato do të vënë në provë aftësitë udhëheqëse të politikanëve të tanishëm dhe do të përcaktojnë nëse Shqipëria do të arrijë të konsolidojë plotësisht demokracinë e saj.
Çështja më jetike mbetet ekonomia. Shqipëria renditet mes vendeve më të varfra në rajon, me papunësi të lartë dhe mundësi të kufizuara ekonomike. Segmente të tëra të shoqërisë besojnë se nuk kanë asgjë në dorë për të përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre, ose për të ndikuar tek vendimet politike që kanë të bëjnë me interesat e tyre jetike. Shqipëria është një nga vendet që prodhon numrin më të lartë të emigrantëve. Rreth 20 për qind e popullsisë është larguar nga vendi që nga fillimi i viteve ’90. Dhe, siç kemi parë me valën e fundit të emigrantëve, Shqipëria po humbet shumë nga qytetarët e saj të edukuar dhe në moshë të re – që janë pjesa më vitale e popullsisë. Humbja e shpresës dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike, janë tregues që Shqipëria mund të jetë në prag të humbjes së garës mes mundësive ekonomike dhe pakënaqësisë.
Korrupsioni, paligjshmëria e përhershme dhe dështimi për të forcuar shtetin ligjor, përbëjnë një kërcënim serioz për vetë ekzistencën e demokracisë në Shqipëri. Korrupsioni ka hedhur rrënjë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Mbajtja e një posti publik ose në administratë është kthyer në rrugën më të mirë për t’u pasuruar. Pasuria dhe pushteti janë përqendruar në duart e një grupi të vogël. Drejtësia shihet si një nga institucionet më të korruptuara në Shqipëri. Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mishërohen më së miri tek kriminalizimi i Parlamentit dhe te paturpësia se si zyrtarët përpiqen për të ndikuar te vendimet e gjykatave. Rrallë ndodh që zyrtarë të zgjedhur apo të emëruar të ndëshkohen për abuzim pushteti, korrupsion apo shkelje të tjera. Prandaj nuk është për t’u habitur që publiku nuk ka shumë besim te fushata e qeverisë kundër korrupsionit dhe te kryerja e reformave të thella në drejtësi.
Media në Shqipëri ka bërë pak përparim drejt të qenit një pushtet i katërt funksionues. Shumica e mediave janë të lidhura me qeverinë ose me parti apo politikanë të caktuar. Ndonëse qeveri të ndryshme e kanë shpallur veten si kampionë të shtypit të lirë, shpesh ato kanë ushtruar trysni me forma të ndryshme ndaj mediave, si mosdhënie reklamash, apo duke u bërë trysni pronarëve ose bizneseve të tyre. Biznesmenë të njohur, të lidhur ngushtë me partitë politike në qeveri ose opozitë, kanë blerë gazeta dhe stacione të rëndësishme televizive. Shumë gazetarë, të pambrojtur nga trysnia politike dhe ekonomike, praktikojnë gjerësisht auto-censurën dhe kanë një mungesë profesionalizmi dhe etike. Vendosja e një shtypi vërtet të lirë do të kërkojë që gazetarët t’i mbrojnë më me forcë të drejtat e tyre. E lidhur ngushtë me këtë, është nevoja që gazetarët t’u qëndrojnë besnik standardeve profesionale të gazetarisë. Në shumicën e rasteve, nuk ka asnjë lloj muri ndarës midis zyrtarëve qeveritarë dhe pronarëve të mediave nga njëra anë, dhe gazetarëve nga ana tjetër, një ndarje e nevojshme për të siguruar integritetin redaksional dhe pavarësinë e shtypit.
Ndoshta, pengesa kryesore që Shqipëria nuk ka arritur potencialin e saj të plotë demokratik, ka qenë polarizimi politik. Politika në Shqipëri vazhdon të jetë tejet konfrontuese dhe përçarëse. Dy forcat kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, nuk kanë pranuar të angazhohen në arritjen e kompromiseve, që janë një normë e zakonshme në një shoqëri demokratike. Qëllim kryesor i tyre ka qenë sigurimi dhe mbajtja e pushtetit. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, ato janë angazhuar në praktika të dyshimta demokratike – nuk kanë respektuar shtetin ligjor, kanë shpërndarë pasuritë publike sipas parapëlqimit partiak, kanë ndryshuar rregullat e lojës nga një palë zgjedhje në tjetrën dhe kanë ushtruar trysni ndaj institucioneve të pavarura dhe grupeve të shoqërisë civile. Kur janë në opozitë, ose gjatë fushatave elektorale, politikanët shqiptarë e portretizojnë veten si udhëheqës frymëzues, reformatorë, konsensual, dhe mbështetës të reformave politike dhe ekonomike që synojnë shndërrimin e Shqipërisë në një shtet funksionues demokratik. Por kur vijnë në pushtet, shumë shpejt largohen nga rruga demokratike, shmangin kontrollet dhe balancat institucionale, që më parë i mbështesnin, konsolidojnë pushtetin me qëndrime antidemokratike, dhe përpiqen të kapin shtetin për përfitime ekonomike. Çdo qeveri e re ka kryer spastrime të mëdha në administratën shtetërore. Shqipëria ende nuk ka arritur të zëvendësojë klientelizmin dhe interesat partiake, me meritokracinë për punësimet në administratën publike.
Është e vështirë për të kuptuar vazhdimin dhe intensifikimin e polarizimit të ashpër politik sot, kur dallimet ideologjike mes partive kryesore politike janë ngushtuar ndjeshëm. Ndërsa pranohet gjerësisht se pushteti politik mund të fitohet në mënyrë të ligjshme vetëm nga kutitë e votimit, zgjedhjet në Shqipëri shoqërohen me dramë të madhe. Ato shihen si një betejë për jetë a vdekje, vetëm me fitues e të mundur, dhe jo si një garë mes platformave politike.
Në parlament, debatet janë kthyer në një teatër politik. Fyerjet vulgare, shpifjet dhe gënjeshtrat janë bërë pjesë normale e debatit politik. Kjo retorikë armiqësore dhe provokuese ka krijuar një atmosferë toksike në parlament, që nuk e ndihmon debatin demokratik. Polarizimi politik e ka bërë shumë të vështirë gjetjen e individëve që shqiptarët mund t’i shohin si shembuj pozitivë. Njëzet e pesë vjet më parë, ne te “Zëri i Amerikës” mund të intervistonim në periudha krizash të thella personalitete të shquara, si Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare, deklaratat e të cilëve kishin ndikim. Sot, është vështirë të gjesh një personalitet që të pranohet si figurë bashkuese dhe një forcë e moderuar.
Zgjedhjet e vitit 2013 krijuan shpresë dhe pritshmëri për ndryshime e reforma. Socialistët korrën një fitore të thellë, duke siguruar kështu një mandat të jashtëzakonshëm për të bërë ndryshime. Me përjashtim të qeverisë së parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në mars të 1992, asnjë qeveri tjetër nuk ka pasur një mandat të tillë, dhe bashkë me të, edhe mundësinë për të kryer reforma të thella politike dhe ekonomike.
Kryeministri Edi Rama kishte bërë shumë premtime gjatë fushatës së tij të bujshme elektorale për të forcuar shtetin ligjor, luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të reformuar drejtësinë dhe modernizuar ekonominë. Ndërsa qeveria ka bërë përparime në shumë fronte, kryeministri Rama nuk arriti të shfrytëzonte mundësitë e këtij momenti vendimtar për të ndjekur një kurs të ri. Meqë gëzonte një shumicë të mjaftueshme në parlament, kryeministri Rama nuk e pa të nevojshme të ndërmerrte masa serioze për një marrëdhënie më normale me opozitën. Ndonëse para zgjedhjeve ai mbështeste pavarësinë e institucioneve dhe kërkonte respektimin e ndarjes së pushteteve, pasi erdhi ne pushtet, ai nuk ngurroi që të përpiqej për t’iu shmangur sistemit të kontrollit dhe balancave të institucioneve. Deri tani nuk ka shenja se marrëdhëniet e qeverisë me opozitën mund të përmirësohen së shpejti. Është e pabesueshme që për vite të tëra nuk ka pasur ndonjë takim kokë më kokë mes udhëheqësve të të dyja forcave kryesore politike.
Partia Demokratike është ende në procesin e rimëkëmbjes pas humbjes së thellë elektorale. Ajo ndeshet me sfida të shumta dhe do t’i duhet kohë të rehabilitohet në sytë e elektoratit shqiptar. Sali Berisha, i cili e kishte dominuar partinë për më shumë se dy dekada dhe shikohej nga baza e partisë si udhëheqës i domosdoshëm, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit në vitin 2013, pa përgatitur më parë brezin që do ta pasonte. Dorëheqja e tij ka krijuar një boshllëk të madh. Lulzim Basha po ecën me kujdes drejt konsolidimit të pushtetit, duke u përpjekur t’i mbajë të bashkuara grupet e ndryshme në parti. Por ai ende nuk ka arritur të krijojë profilin e tij politik. Ai ka zgjedhur rrugën më të lehtë, siç kanë bërë zakonisht udhëheqësit e opozitës gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit, duke luajtur rolin e kritizerit të ashpër, duke nxirë gjithçka që bën qeveria dhe duke ndjekur disa prej taktikave të dëmshme që socialistët kishin zbatuar para zgjedhjeve të 2013. Zoti Basha duhet të luajë rolin e një udhëheqësi vizionar, që shikon nga e ardhmja dhe bashkëpunon me qeverinë për çështjet dhe reformat e rëndësishme.
Ndërsa Shqipëria po shqyrton mundësinë e reformave në drejtësi dhe Kushtetutë, bashkëpunimi midis qeverisë dhe opozitës është jetik. Të dyja – qeveria dhe opozita – duhet të ndajnë si barrën, ashtu edhe përfitimet nga reformat.
Që Shqipëria të bëjë një shkëputje të qartë nga e kaluara dhe të konsolidojë plotësisht sistemin demokratik, udhëheqësit e saj duhet të bëjnë një vlerësim real dhe të nxjerrin mësime të vlefshme nga mënyra se si është qeverisur vendi deri më tani. Por cilat janë disa nga këto mësime që mund t’ju ndihmojnë vendimmarrësve në të ardhmen? Unë do të përmend katër mësime të përgjithshme.
Përqendrimi tek interesat partiake dhe objektivat politike afatshkurtra, në vend të interesave themelore kombëtare, sjell pasoja të rënda dhe afatgjatë për politiken e brendshme dhe të jashtme. Reformat graduale janë të lehta politikisht për t’u kryer, por ato sjellin ndryshime të vogla. Përvoja e deritanishme dëshmon se ritmi i ngadaltë i ndryshimeve e ka zgjatur agoninë e shqiptarëve dhe integrimin e vendit të tyre në BE. Sfidat madhore të vendit mund të përballohen në mënyrë më të efektshme përmes përpjekjeve të përbashkëta të qeverisë dhe opozitës. Zbatimi i reformave rrënjësore që kanë të bëjnë me çështjet themelore kombëtare, dhe që do të kenë një jetë më të gjatë sesa mandati i një administrate, kërkojnë konsensus të gjerë.
Dy, përpjekjet e udhëheqësve politikë për të kufizuar hapësirat e kundërshtarit, për të ushtruar kontroll autoritar mbi partinë e grupin e tyre parlamentar, institucionet e pavarura, median, dhe shoqërinë civile, kanë prirjen të sjellin rezultat të kundërt dhe në një këndvështrim afatgjatë, minojnë përparimin demokratik dhe dëmtojnë mundësitë e vendit për zhvillim. Tashmë duhet të jetë e qartë se Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një shtet funksionues demokratik, pa institucione të fuqishme të pavarura.
Tre, përvoja e shumë vendeve në tranzicion dëshmon se qeveritë që nuk dëgjojnë zërin e popullit dhe nuk respektojnë aspiratat e qytetarëve të tyre për mundësi më të mëdha politike, sociale dhe ekonomike, rrezikojnë veten e tyre. Shembujt e fundit në Ukrainë dhe Rumani janë domethënës. Ishte pakënaqësia dhe zemërimi popullor ndaj elitave të korruptuara që nxiti protesta masive që çuan në rrëzimin e presidentit Victor Yanukovych dhe dorëheqjen e kryeministrit Victor Ponta. Ndërsa gjendja në Shqipëri nuk është e njëjtë me atë në Ukrainë dhe Rumani, nuk ka asnjë dyshim se hendeku midis atyre në pushtet dhe atyre pa pushtet është shumë i thellë. Pesimizmi është në ngritje dhe shumë shqiptarë kanë humbur shpresën. Rritja e vështirësive ekonomike, paaftësia e qeverisë për t’u treguar e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe shtimi i pakënaqësisë sociale mund të çojnë në përplasje serioze.
Dhe katër, marrëdhëniet jofunksionale mes aktorëve kryesorë politikë kanë pasur pasoja shumë të rënda për vendin. Paaftësia e demokratëve dhe socialistëve për të bërë kompromis dhe punuar së bashku, ka rezultuar në një qeverisje të dobët dhe ka ngadalësuar integrimin në Bashkimin Europian. Në se nuk vihet nën kontroll, ky konflikt i papërgjegjshëm dhe jo-parimor, dhe retorika e ashpër armiqësore që e shoqëron, mund të dëmtojë seriozisht qëndrueshmërinë e Shqipërisë.
Mbetet për t’u parë në se udhëheqësit shqiptarë kanë vullnetin politik për të zgjidhur disa prej mangësive dhe gabimeve më të mëdha, që kanë penguar Shqipërinë të arrijë potencialin e saj demokratik. Deri tani, reformat e thella, qeverisja e mirë, dhe lufta ndaj korrupsionit nuk kanë qenë përparësi e qeverive të ndryshme që kanë drejtuar vendin. Gjendja aktuale, gjithsesi, është e rëndë dhe çmimi i dështimit mund të jetë i madh për elitat politike dhe vendin në tërësi.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë treguar angazhim të thellë për përparimin demokratik të Shqipërisë. Ato kanë mbështetur udhëheqësit shqiptarë me shpresë se ata do të udhëhiqnin vendin e tyre drejt një demokracie të vërtetë, e jo që të ndiqnin praktika jo-demokratike e të pasuroheshin në mënyrë të paligjshme, duke vjedhur kështu të ardhmen e popullit të tyre. Ndërsa shtytja për ndryshime reale duhet të vijë nga brenda, bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojë Shqipërinë ta përfundojë procesin e konsolidimit të demokracisë. Bashkësia ndërkombëtare mund ta bëjë këtë duke përdorur levat e ndryshme që ka në dispozicion për të ushtruar trysni mbi vendimmarrësit shqiptarë. Ata që luftojnë me të vërtetë për një Shqipëri të begatë, demokratike e të drejtë duhen mbështetur, ndërsa politikanët, zyrtarët dhe biznesmenët e dyshuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar duhet të përballen me ndëshkime të rënda.
Vendimmarrësit në Tiranë shpesh e shohin mbështetjen që jep bashkësia ndërkombëtare si një ripohim të politikave të tyre. Por ata duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian nuk mbështesin individë të caktuar politikë. Ato mbështesin aspiratat e popullit shqiptar për një proces politik gjithëpërfshirës, për vendosjen e shtetit ligjor, dhe për krijimin e një qeverie të efektshme dhe të përgjegjshme. Nuk ka në të vërtetë asnjë arsye bindëse sot, se përse Shqipërisë i duhet dhënë ndihmë pa kushte. Ndërsa Shqipëria është e rëndësishme, ajo nuk është pjesë e interesave jetikë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Shqipëria është thjesht pjesë e strategjisë së tyre periferike. Bashkësia ndërkombëtare, e angazhuar sot me çështje të shumta dhe shumë më urgjente se Shqipëria, nuk pritet të jetë më aq e gatshme për të ndihmuar, nëse udhëheqësit në Tiranë perceptohen si të korruptuar, të përçarë, dhe me një angazhim të dyshimtë ndaj demokracisë. Kështu, udhëheqësit shqiptarë duhet të jenë të ndërgjegjshëm nga rreziku i një “lodhjeje me Shqipërinë.”
Sot, njëzet e pesë vjet pas përmbysje së komunizmit, elita politike shqiptare e ka vetë në dorë të nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e së kaluarës dhe të krijojë një sistem ekonomik dhe politik gjithëpërfshirës, me mundësi për të gjithë, që ndërton një të ardhme që forcon demokracinë, shton transparencën dhe përgjegjësinë, dhe përkrah politika zhvillimi të qëndrueshme. Zbatimi i reformave rrënjësore kërkon udhëheqje të efektshme. Që Shqipëria të arrijë potencialin e saj dhe të gëzojë të mirat e plota të një demokracie të konsoliduar, udhëheqësit e saj duhet të vënë interesat e larta të vendit para interesave personale dhe të zbatojnë një spektër të gjerë reformash politike dhe ekonomike. Nëse dështojnë në këtë pikë, udhëheqësit shqiptarë do t’i mohonin popullit të tyre një të ardhme më të mirë.