Partitë politike mbeten dera ku pushteti lokal troket për fonde

Nga Vladimir Karaj, botuar në Reporter.al, 23 nëntor 2015

15-04-28-11-00-15big_kantieri_i_rilindjes_lajm-600x316

Kryeministri Edi Rama duke prezantuar projektet e fondit të rajoneve, që ai i quan “kantieri i Rilindjes.”

Qeveria qendrore kontrollon shumicën dërrmuese të fondeve publike me destinacion pushtetin vendor në Shqipëri dhe ka abuzuar në mënyrë të vazhdueshme duke diskriminuar kryebashkiakët e opozitës dhe duke favorizuar të vetët – një rreth vicioz që pengon demokracinë vendore.

Qeveritë shqiptare kanë abuzuar historikisht me investimet publike në nivel vendor, duke favorizuar kryebashkiakët e partisë së vet dhe duke penalizuar kundërshtarët, por në rastin e zgjedhjeve të fundit për pushtetin vendor 2015, këto lloj spekulimesh paraelektorale shënuan një rekord të ri negativ, zbuloi BIRN.

BIRN analizoi mënyrën se si qeveritë qendrore përgjatë dekadës së fundit kanë shpërndarë fonde për njësitë e qeverisjes vendore, me qëllimin që këto të fundit të kryejnë investime për përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe të cilësisë së jetës të komuniteteve përkatëse.

Por që nga koha kur Shqipëria reformoi pushtetin vendor në vitin 2000, në përpjekje për të decentralizuar vendimmarrjen dhe për të nxitur pushtetet vendore të menaxhojnë më me efikasitet fondet e tyre për të ofruar shërbime më cilësore, qeveria qendrore sërish ka ruajtur kontrollin mbi mënyrën e alokimit të pjesës dërrmuese të fondeve, shpesh, pa u lodhur të fshehin objektivat e tyre politikë pas mënyrës së shpërndarjes së këtyre fondeve.

“Asfalt elektoral”

Në verën e vitit 2014, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e tij kishte ndër mend të niste një program të titulluar “Rilindja Urbane”, duke premtuar punë rinovuese në “70 qytete të Shqipërisë”.

Instrumenti i zgjedhur prej Ramës qe një institucion i krijuar nga paraardhësi i tij Sali Berisha, institucion i njohur si Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve.

Përgjatë muajve që vijuan, Komiteti shpërndau dhjetëra-milionë euro për projekte të ndryshme investimesh në një numër të konsiderueshëm qytetesh.

Vetëm se pati një problem: pothuajse të gjitha fondet shkuan te qytetet që kishin kryebashkiakë të majtë, ndërsa qytetet që kishin kryebashkiakë nga opozita, nuk morën gjë.

Një rishikim i disa vendimeve të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve të vitit 2014, nga të 72 projektet e financuara, 63 i fituan bashkitë e majta dhe vetëm 4 u fituan nga bashkitë e djathta.

E majta mori gati 92 për qind të të gjitha fondeve.

E njëjta situatë u përsërit në vitin 2015. Me vendimin nr.5, të shkurtit 2015, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve miratoi 27 projekte, nga të cilët, 3 u fituan nga bashkitë e djathta, ndërsa 24, nga e majta.

Përgjatë viteve, shqiptarët kanë krijuar një term për investimet e qeverive në muajt para zgjedhjeve. Ky term është “Asfalt elektoral” dhe nënkupton në përgjithësi një punë publike të kryer me nxitim dhe shpesh, me cilësi të keqe.

“Hakmarrje” politike

Tabela pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë, që njofton nisjen e punimeve në dhjetor 2014 dhe afatin e punimeve, pesë muaj, por afati është shkelur sakaq.
Tabela pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë, që njofton nisjen e punimeve në dhjetor 2014 dhe afatin e punimeve, pesë muaj, por afati është shkelur sakaq.
Kryeministri aktual me këtë politikë duket se ia shpërbleu shumëfish qeverisë paraardhëse, e cila, përgjatë dy mandateve të saj 2005-2013, raportohet se diskriminoi në mënyrë të ngjashme bashkitë e konsideruara “të majta” duke miratuar një numër minimal projektesh për to, si dhe duke penalizuar banorët që patën vendosur të votojnë për kandidatët e opozitës socialiste.

Për shembull, në vitin 2011, qeveria e drejtuar nga Sali Berisha, dha 29 miliardë lekë financime për programin e zhvillimit të rajoneve, por asgjë nga këto para nuk shkuan në Bashkinë e Tiranës, e cila, në atë kohë, drejtohej nga kryeministri aktual.

Por dy vjet më vonë, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha, ajo fitoi gjashtë projekte nga ky fond për ndërtim e rikonstruksion rrugësh.

Tirana në fakt është rast fatlum, pjesërisht për shkak se deri në qershor të këtij viti, ajo kishte pushtet vendor me dy nivele, bashki qendrore dhe minibashki, ku shpesh, minibashkitë qeveriseshin nga të zgjedhur të palës kundërshtare me kryetarin e bashkisë së madhe. Rrjedhimisht, në miliardat që jepen kryesisht në prag fushatash elektorale kjo e fundit gjithmonë ka këputur diçka.

Në 2011 minibashkia 11 dhe ajo numër gjashtë të drejtuara nga PD dhe LSI dhe që u përfshinë në garën për grante morën 66 milionë lekë, ndërsa 9 milionë u ndanë për njësinë numër 2 që drejtohej nga socialistët. Edhe qeveria aktuale investoi për rregullimin e dy rrugëve në Tiranë, por në këtë rast, projektet iu dhanë për zbatim, jo Bashkisë të kontrolluar nga demokratët, por Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një agjenci e qeverisë qendrore. E njëjta gjë ndodhi me Vlorën, ku një projekt i rëndësishëm i vitit 2014, iu dha për zbatim Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe jo bashkisë së Vlorës, aludohet për shkak se kryeministri aktual kishte mosmarrëveshje me ish-kryebashkiakun socialist Shpëtim Gjika.

Pa transparencë dhe “jashtë buxhetit”

Tabela pranë Ministrisë së Financave në Tiranë, që njofton nisjen e punimeve në dhjetor 2014 dhe afatin e punimeve, pesë muaj, por afati është shkelur sakaq.
Tabela pranë Ministrisë së Financave në Tiranë, që njofton nisjen e punimeve në dhjetor 2014 dhe afatin e punimeve, pesë muaj, por afati është shkelur sakaq.
Buxheti i shtetit në Shqipëri miratohet në kuvend, ku pothuajse çdo shpenzimi i paracaktohet destinacioni me vulën e ligjvënësve. Qeveria ka të drejta të kufizuara për të rialokuar fondet e miratuara nga kuvendi, nga një projekt në një tjetër apo nga një ministri në një tjetër. Qeverisë i lihet në diskrecionin e saj vetëm një shumë e vogël parash, e cila shërben si “fond rezervë” dhe mund të shpenzohet për arsye emergjence me vendim të Këshillit të Ministrave. Por me krijimin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve në vitin 2011, një pjesë e konsiderueshme e investimeve publike, në rendin e dhjetëramilionë eurove, u hoq nga autoriteti i parlamentit dhe u la të shpenzohej në diskrecion të një institucioni, i cili përbëhet në shumicë dërrmuese nga kryeministri dhe vetë qeveria. Ndryshimi i vitit 2011 qe shumë i rëndësishëm, pasi deri në atë kohë, Shqipëria pati bërë disa përpjekje për të qartësuar me një formulë të pavarur politikisht shpërndarjen e fondeve për pushtetin vendor, sido që edhe formula e vjetër konsiderohej gjithashtu problematike dhe e njëanshme.

Teorikisht, autoritetet e pushtetit vendor duhet të konkurrojnë me projekte ndërsa Komisioni, i cili drejtohet nga kryeministri, duhet të zgjedhë për financim projektet më të mira. Problemi është që projektet “më të mira” rezultojnë gjithmonë të propozuara nga njësitë vendore që i përkasin të njëjtit krah politik me qeverinë qendrore.

Përveç faktit që një fond i konsiderueshëm investimesh u la në diskrecion të kryeministrit pa miratimin paraprak të parlamentit, fakti tjetër është që procesi vendimmarrës dhe diskutimet në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve është shumë jotransparent. E vetmja gjë që publikohet është vendimi final, gjë që e bën të paqartë nëse njësitë vendore të opozitës, zgjedhin të mos aplikojnë fare për fonde apo ato thjeshtë refuzohen pavarësisht cilësisë së projektit garues.

Histori e vjetër

Deri në vitin 2005, kur qeveria qendrore kontrollohej nga socialistët, qyteti i Shkodrës në veri qe ndoshta qyteti më i penalizuar. Investimet publike mungonin, cilësia e shërbimeve publike degradoi dhe jetesa u bë e vështirë.

Në vitin 2006, pikërisht nën këtë argument, qeveria demokrate e kohës zgjodhi një formulë që favorizonte disi pushtetet vendore të kontrolluara prej saj, por disa qytete të rëndësishme të kontrolluara nga socialistët, përfshirë Beratin, Fierin e Vlorën u penalizuan rëndë.

Ish-kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqo, i cili drejtoi Bashkinë e Fierit përgjatë tetë viteve të qeverisjes së demokratëve, thotë se ai nuk qe në gjendje të siguronte asnjë investim publik për qytetin e tij. “As drejt për drejt as tërthorazi…Berisha priste shirita inagurimesh në Fier por asnjëherë në qytet”, tha Zeqo për BIRN duke thënë se ishin komunat e fitura nga PD që merrnin fondet.

Megjithatë, të dhënat e analizuara nga BIRN për vendimet e fondit të rajoneve të vitit 2011, vendime që qenë lidhur ngushtë me përpjekjet e qeverisë qendrore për të fituar zgjedhjet lokale të atij viti, njësitë socialiste kishin krahasimisht më shumë projekte fituese nga sa kishin njësitë demokrate në vitet 2014-15.

Kush ka mbrapa qeverinë dhe kush sherrin

Hakmarrja politike ndaj pushtetit vendorë të forcës kundërshtare nuk është sekrete në vend. Fushatat për zgjedhjet lokale të 2011 dhe ajo e fundit në 2015 patën si mesazh thelbësore se sa keq do ishte nëse kryebashkiaku do të ishte i një force ndryshe nga ajo qeverisëse.

“Ai ka mbrapa qeverinë, ai tjetri ka sherr”, tha gjatë fushatës në Lezhë më 19 maj 2015 kryeministri Rama.

I sulmuar se po kërcënonte me mungesë fondesh njësitë që votonin kundër kandidatëve të qeverisë Rama u përgjigj në Korçë: “Unë s’po kërcënoj njeri, por kush do votojë kandiatët e PD-së do marrë veten në qafë dhe komunitetin në qafë”.

Më 2011 ndërsa sfidonte këtë të fundit për tu zgjedhur si kryebashkiak i kryeqytetit Lulzim Basha premtonte pikërisht paqen mes bashkisë, e cila për shkak të koalicionit PD-LSI nuk qe në gjendje as të miratonte buxhetet e saj, me qeverisjen qëndrore.

“Nxjerrja totale e bashkisë jashtë konfliktit politik është prioriteti im i parë dhe absolut”, premtoi ai në korrik pasi u mandatua pas kundërshtimesh e debatesh si kryebashkiak.

Por paqja nuk zgjati as 2 vjet. Humbja e PD-së në zgjedhjet e përgjithshme dhe kalimi i LSI në krah të socialistëve më 2013 e ktheu bashkinë te buxhetet që me zor miratoheshin ndërsa ringjalli akuzat ku Basha mori tamam rolin e “viktimës” që kishte luajtur deri më 2011 Rama.

Dr.Elvina Merkaj bashkëautore e një studimi për shpërndarjen e granteve konkuruese nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve që do të publikohet sëshpejti thotë se në intervistat gjatë kërkimeve kishte hasur në një kryekomunar në Qarkun e Fierit që ishte gati të ndërronte parti. Kryekomunari e shihte këtë si të vetmen mënyrë që projekti i komunës që drejtonte për një ujësjellës të mund të fitonte pasi ishte rrëzuar disa herë.

“Edhe zgjedhësit e pranonin këtë qasje. E kishin shumë për zemër kryetarin si drejtues, por thoshin se ai nuk do të merrte financime për sa kohë nuk mbështeste partinë në pushtet”, thotë Merkaj.

Investime me vlerë të dyshimtë

Investimet paraelektorale kanë rezultuar shpesh shpenzime të kota për projekte me vlerë të dyshimtë për komunitetet. Për më tepër, shpesh këto projekte janë harruar ose janë lënë përgjysmë sapo zgjedhjet kanë mbaruar.

Në Tiranë, qeveria nisi një investim përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit për shtrimin e dy shesheve, njëri pas Ministrisë së Brendshme dhe tjetri mes Teatrit të Kukullave dhe Ministrisë së Financave (ish-ministria e Mbrojtjes). Për projektin, fondi u parashikua në shuën 153 milionë lekë (rreth 1.1 milionë euro), dhe afati i punimeve qe përcaktuar pesë muaj, duke nisur nga dhjetori 2014. Megjithëse tashmë kanë kaluar gati një vit nga nisja e punimeve, rehabilitimi nuk ka përfunduar ende.

Me gjasë në të njëjtën kohë që kryekomunari në Lushnje po mendonte të ndërronte parti, Komuna Qendër në Librazhd që drejtohej nga i zgjedhuri i PD fiton projektin e një ujësjellësi. Ky i fundit që u përfundua pasi pushtin lokal e kishin marrë socialistët, por as sot nuk funksionon plotësisht. Kjo pjesërisht sepse fshati që ai duhej të furnizonte me ujë e kishte zgjedhur këtë çështje në rrugë private dhe se ujësjellësi për të cilin u shpenzuan 5.9 milion lekë ende nuk funksionon dot normalisht.

Zgjedhje të ngjashme gjysmake janë bërë në investimet e mëhershme në ujësjellësat e Kukësit dhe Tropojës, ky i fundit madje sipas një kronike të Neës 24 në shtator të vitit të kaluar funksiononte më keq se sa i vjetri që i pati furnizuar deri atë herë me ujë banorët.

Merkaj thotë se nga studimin e saj dhe dy kolegëve Edvin Zhllima dhe Drini Imami u vu re se njësitë vendore me përkatësi të afërt politike me partinë në qeverisje fitonin dyfish më shumë grantet konkurruese se sa ato që i përkisnin opozitës. Studimi i cili ka intervistuar kryebashkiakë e kryekomunarë duke i ndarë në mënyrë të barabartë mes atyre pranë qeverisë dhe atyre në krah të kundërt zbulon se edhe pse kishin propozuar më shumë projekte se rivalët pranë qeverisë njësitë lokale të opozitës kishin fituar vetëm në 12 për qind të propozimeve përkundrejt 39 për qind të rivalëve.

Situata e sherrit që Rama aludoi gjatë fushatës së fundit se u shkonte pas drejtuesve lokalë të opozitës vijoi edhe pas zgjedhjeve. Edhe pse të reduktuar në numra pas reformës territoriale vendorët vijojnë të jenë të ndarë politikisht. Në një takim të kërkuar prej kryeministrit në 7 korrik, vetëm 2 prej 15 të zgjedhurve që i përkisnin opozitës u paraqitën. Njëri prej tyre ishte përfaqësues i përkrahur nga PD në Dropull një bashki e minoritetit dhe tjetri i zgjedhuri i Përmetit. Në shtator sidoqoftë kryeministri arriti t’i mblidhte të gjithë kryebashkiakët edhe pse ata të PD-së e sulmuan takimin si një mbledhje e njëanshme ku ishin thirrur vetëm për të dëgjuar.

Zëri i vendorëve

Nga 2011 deri në 2013 të përqëndruara më shumë në vitet elektorale 69 miliardë lekë u shpërndan në masë të madhe në komunat ku PD në qeverisje fitoi shumicën në vitin 2007. Përndryshe PS pas marrjes së pushtetit në 2013 i fokusoi fondet më të mëdha në qendrat urbane ku ajo kishte pasur shumicën po që prej vitit 2007. Ndërsa qeveria e drejtuar nga Berisha dha masivisht projekte për rrugë dhe ujësjellësa në komuna, Rama në 2014-2015 e ndryshoi këtë duke financuar me 17.5 miliardë lekë ndryshimin e qendrave të qyteteve të mëdha, Elbasani, Korça, Durrësi dhe të tjerë përfituan investime në këtë sektor. Por qeveritë e kanë fshehur veten nga ekspozimi publik i favorizimit partiak.

Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve publikon vetëm rastet fituese duke mos lënë asnjë gjurmë të projekteve humbëse apo arsyeve se pse ato kanë humbur. Megjithatë në funksion të fushatës kryeministri Edi Rama pranoi në një farë mënyre se projektet me bashkitë e opozitës ishin më të pakta dhe se marrëdhëniet nuk ishin të mira.

“Edhe aty kur kemi bërë projekte, e kemi bërë ne me zor”, tha Rama gjatë një takimi elektoral. Ajo që nuk del nga gjuha e fushatës e kryeministrit është numri i projekteve të refuzuara.

Merkaj thotë se shumica e kryetarëve të intervistuar për studimin nuk e dinin arsyen se pse projektet e tyre rrëzoheshin.

“Pjesa më e madhe mësonin se kush kishte fituar dhe humbur nëpërmjet komunikimeve me njëri tjetrin”, thotë ajo për BIRN.

Ilir Krosi ish kryetar i bashkisë së Peshkopisë i zgjedhur i PD-së vëren të njëjtën gjë.

“Për këtë arsye, pavarësisht se ne dërgonim projekte dhe aplikime në portalin përkatës, ato nuk i shihte më njeri. Ndërkohë, më pas ne merrnim vesh nga kolegët e njësive vendore të majta se ato fitonin projeke,” thotë Krosi për BIRN duke iu referuar periudhës që në qeverisje ishin të majtët.

Ai thotë se prej ardhjes në pushtet të socialistëve bashkia që ai drejtonte edhe pse më e madhja në zonë fitoi vetëm një projekt. Ai është i bindur që projektet e bëra prej tyre ishin më të mira se sa ato të njësive të majta që i fituan projektet. Por për ish-kryetaren e bashkisë fqinje të Burrelit të zgjedhur prej PS Adelina Farriçi eksperienca është e përmbysur.

“Gjatë viteve të para të mandatit tim pavarësisht përpjekjeve për lobim që u bënë, si dhe konkurimit dinjitoz me projekte jam ndjerë keq kur nuk u mbeshtetëm fare nga grantet konkuruese qeveritare”, thotë ajo për BIRN.

Farriçi lë të kuptohet se ndryshimi i qeverisë i dha asaj më shumë mundësi. Ajo ashtu si Krosi mendon që projektet fituese nga qeveria i shkonin edhe pse më të dobëta njësive vendore që ishin më pranë qeverisë në varësi të subjektit që ata vetë i përkasin.

Në studimin e Merkaj dhe kolegëve të saj, 80 për qind e krerëve të njësive vendore të pyetura nëse kishin marrë përgjigje zyrtare mbi arsyet e rrëzimit të projekteve të tyre thanë se nuk kishin marrë asnjëherë një sqarim. E vetmja rrugë për të mësuar fatin e projektit është sipas tyre informale përmes deputetëve apo të njohurve në ministri. Një qasja e tillë e ka bën gati të pamundur të kuptohet nëse projektet e rrëzuara ishin më të mira se ato fituese.

Partia dera më e mirë

Baftjar Zeqo ish kryetar i Bashkisë Fier pretendon se projektet e tyre ishin më të mira kjo edhe sepse bashkia kishte angazhuar një ekip specialistësh dhe pavarësisht se ato nuk fituan në garat për grante qeveritare u financuan prej donatorësh të huaj. Kjo thotë ai ndodhi vazhdimisht në 8 vitet që u braktis prej qeverisë së djathtë.

Duke vënë në dyshim mënyrën se si qeveria i zgjidhte fituesit e saj Zeqo thotë se persekutimi për bashkitë me qëndrime të ndryshme politike nga shumica qeveritare vijonte edhe në fondet e pakushtëzuara.

“Fieri është qyteti i tretë pas Tiranës e Durrësit për të ardhurat që i jepte buxhetit, por merrte shumë më pak financime nga buxheti”, thotë Zeqo. Por ndërsa buxheti i pakushtëzuar i lejon qeverisë që të zgjedh edhe zonat ku duhen më shumë para, ai i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve supozohet të jetë konkurues. Kjo nënkupton se projektet më të mira duhej të zgjidheshin. Ndërkohë mungesa e trasparencës bën të pamundur edhe vlerësimin e projekteve. Zeqo thotë se shpesh ishin deputetë që ndikonin dhe grantet akordoheshin thjeshtë për qëllime krejt klienteliste.

Merkaj thotë se mungesa e trasparencës për mënyrën e përzgjedhjes dhe kriteret që lënë hapësira abuzimi e kanë dëmtuar rëndë procesin. Ajo mendon se rritja e trasparencës llogaridhënies dhe monitorimit çon në një garë më të të drejtë mes njësive duke ndihmuar këto të fundit në përmirësimin e cilësisë së projekteve dhe rrjedhimisht zbatimin e tyre me efikasitet. Kjo do të rriste edhe mundësinë e kontrollit mbi projektet dhe nëse ato arrinin qëllimin.

Por drejtues të qeverisjes vendore thonë se nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve nuk ka pasur as njoftime të natyrës informuese që mund t’i lejonte më pas njësitë të përmirësoheshin. Ndërkohë struktura vendore ka ndryshuar duke u bërë me më pak se 61 bashki është e paqartë nëse Fondi i Zhvillimit të Rajoneve i cili në projektbuxhet është parashikuar të ketë më shumë se 10 miliardë lekë, do të përmirësohet në këtë pikë.

Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve ndërkohë nuk duket se do të ketë ndonjë ndryshim të madh, sipas aneksit tre të projektbuxhetit, përveç krijimit të Agjencisë së Zhvillimit të Rajoneve e cila do jetë e ndarë në 4 rajone dhe hapjen e mundësisë për aplikim për krijimin e ndërmarrjeve që siç parashikohen në projekt buxhet mund të jenë edhe në partneritet privat. Ndërkohë mungesa e trasparencës pritet ta lërë sërish në mëshirë të shijeve politike të qeverisë fituesin. Ndërsa rendit çka duhej për të fituar një prej kryekomunarëve citohet në raportin e Merkaj dhe kolegëve të saj se “….partia mbetej dera më e mirë për të trokitur”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi