Pse duhet mirëtrajtuar biznesi i vogël?
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqip, 22 nëntor 2015
Po. Biznesi ynë i vogël (mbi 65 mijë sipërmarrje të vogla familjare aktive në vend, edhe pse të regjistruara figurojnë mbi 85 mijë) ka qenë deri në gusht të këtij vitit jashtëzakonisht informal. I mësuar të mbijetojë duke iu shmangur detyrimit ndaj shtetit, ai bënte evazion, pra shmangie nga taksat, jo vetëm duke mos dhënë kupon tatimor, por edhe pa regjistruar mallin që kishte, pa e deklaruar atë e me plot mënyra të tjera. Madje, dhe tani vijon e shmang detyrimin ndaj shtetit, duke ulur shifrën e blerjes në kupon (sot në mëngjes, nënës sime shitësja e bukës i kishte dhënë kupon me vlerë malli njëqind lekë të vjetra – pra një simite njëqindlekëshe, kur nëna kishte blerë, si çdo ditë, një bukë të zezë njëmijë lekëshe. Si pensioniste që është nëna, shitësja kishte menduar se nuk do t’i dallonte dot shifrat e vogla te kuponi. Dhe kjo dukuri ishte përsëritur disa ditë, derisa sot ime më e dalloi dhe iu ankua).
Biznesi i vogël, deri dy muaj më parë (31 gusht 2015) bënte evazion me shumicë. Tani bën evazion me pakicë. Do të shtrëngohet të bëjë gjithnjë e më pak evazion, nëse vijon të kontrollohet e të marrë gjoba kur kapet gafil, ose gjithnjë e më shumë, nëse nuk kontrollohet më. Këtë biznesi i vogël e bën kudo në botë. Çfarë ishte ndryshe te ne në 60 ditët (shtator-tetor 2015) që tronditën 200 mijë vetë (kaq punëson biznesi i vogël), kishte të bënte me kthimin kryekëput në të qenët formal, në rregull me shtetin, në përdorimin gati në të gjitha dyqanet të kasës fiskale. Kjo, dhe kërkesa për të pasur mallra me faturë në çdo dyqan, solli mbylljen e përkohshme të qindra bizneseve të vogla, nga frika se mos u sekuestrohej malli. Qepenat e mbyllur ishin spektakli më i trishtuar i një aksioni tejet të moralshëm e shtetbërës në ekonomi.
Ndërsa sot, heqja, bërja zero e çdolloj takse për biznesin e vogël (i konsideruar i tillë, nëse nuk bën më shumë se 50 milionë lekë të vjetra xhiro në vit) është një ndihmë e vërtetë për 80 mijë familjet që sigurojnë jetesën nga ky aktivitet në Shqipëri. Qeveria, dorën e fortë në ekonomi, diti ta ekuilibrojë, pas dy muajsh, me faljen e plotë të çdolloj detyrimi ndaj shtetit, për kategorinë e biznesit që punëson më shumë se çdolloj biznesi tjetër në vendin tonë (duke përjashtuar aktivitetin bujqësor). Mesazhi është: “Të fal gjithçka, ta lehtësoj jetën, nëse më qëndron formal, pra nëse shet kundrejt dhënies së kuponit tatimor dhe nëse në magazinë ke vetëm mallra me faturë”.
Kjo si lëvizje është në vlerën e ndërhyrjes qeveritare në shitjen e energjisë elektrike. Janë reforma mirëfilli të dhimbshme, por të domosdoshme. Edhe pse shumëkush ngriti pyetjen: “Po me fakirët, me ata që në rrugë sigurojnë bukën e gojës, ç’kanë?!”, kontrollet tatimore në biznesin e vogël ishin shumë të nevojshme për të nxjerrë lakuriq “lepurin” e madh. Kontrolli i inventarit të biznesit të vogël zbuloi lojën e pangishme të atij të madh, të biznesit të importeve me shumicë, që detyron sipërmarrësit e vegjël të blejnë mallra tek ai, pa faturë tatimore, pa pagesa nëpërmjet bankës, por vetëm me para në dorë. Aty është evazioni i vërtetë, pjesa e fshehur e ajsbergut.
Nëse Kryeministri shkon te tatimorët që merren me “VIP”-at (very important persons-nga anglishtja persona shumë të rëndësishëm, por që në gjuhën e tatimorëve nënkupton 350 bizneset më të mëdha në vend), bën mirë, sepse nga kontrolle të kujdesshme dhe të pablera, mund të zbulohet një evazion i frikshëm si vlerë, ndoshta në nivelin e 350 milionë eurove në vit. Evazion në naftën që prodhohet e eksportohet nga Shqipëria, në karburantet që importohen, produkte të tjera me shumicë, si dhe në rrobat e mallrat industriale nga Turqia e Kina.
Në çdo gjë me shumicë nga të 5 miliardë eurot e mallrave që importojmë çdo vit. Dhe të mendosh se shumicën e tatimorëve që kontrollojnë këto biznese të mëdha i kemi të familjarizuar me favoret e të korruptuar deri në rrënjët e flokëve?! A mund ta çajë këtë rreth vicioz, këtë mal korrupsioni kjo qeveri? Apo do të lodhet rrugës? Të shikojmë. Deri tani ka provuar të na bëjë formalë. Tani që këtë betejë (duke mbajtur kontrollet tatimore po aq të shpeshta) duket se e fitoi, duhet t’i drejtojë topat nga kanceri i vërtetë fiskal i shtetit tonë; korrupsioni i doganierëve dhe tatimorëve.
Fatos Çoçoli