Ekonomia e Shqipërisë mbetet me pak konkurruese në rajon
Raporti i Bankës Botërore Paying Taxes 2016, 22 nëntor 2015
Shqipëria mbetet një nga ekonomitë më pak konkurruese në rajon, duke lënë pas vetëm Serbinë për normën totale të taksave. 36.5 për qind është norma totale e taksave në vendin tonë krahasuar me 189 vende të botës. Taksat më të ulëta në rajon i shënon Maqedonia, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova. Banka Botërore, në raportin “Paying Taxes 2016”, vëren se krahasuar me një vit më parë barra fiskale është rritur 5.2 për qind.
Rezultat negativ ka marrë edhe pagimi i taksave me një rënie prej 11 pozicionesh, duke u renditur në vendin e 142-të, kur në 2015- n renditej në vendin e 131-të. Në indeksin e Bankës Botërore, Shqipëria ka shënuar rritje 5.2 për qind të barrës totale fiskale. Norma totale e taksave në përqindje ndaj fitimit është 36.5 për qind, nga 31.2 për qind që ka qenë vitin e kaluar. Raporti vlerëson se rritja totale është 5.2 për qind dhe një nga rritjet më të madhe të taksave që ka shtuar barrën e biznesit është ajo e tatimfitimit, nga 10 për qind, është bërë 15 për qind.
Krahasuar me rajonin, Shqipëria mbetet vendi me barrën më të lartë të taksave, duke lënë pas vetëm Serbinë, që e ka 39.7 për qind. Vendet e tjera, si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, janë ekonomi më konkurruese pasi barra fiskale është shumë herë më e ulët se vendi ynë. Kjo sjell që taksat e vendosura të mos nxisin mjaftueshëm zhvillimin ekonomik dhe të hapin vende pune. Barra fiskale e Maqedonisë është 12.9 për qind, më e ulëta nga vendet e rajonit që vlerëson Banka Botërore, edhe pse rritja është 4.5 për qind.
Maqedonia nuk përfshin asnjë taksë pune, kurse në vendin tonë në totalin e normës së taksave, taksa për punën, duke përfshirë tatimin mbi të ardhurat, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, zë 18.9 për qind. Në Kosovë shkalla e përgjithshme e taksave është 12.2 për qind, kurse në Malin e Zi 21.6 për qind dhe në Bosnjë-Hercegovinë 23.3 për qind. Shqipëria vazhdon të mbetet më pak konkurruese për investitorët për sa i përket nivelit të taksave.
Banka Botërore ngre shqetësimin e vonesave të rimbursimit të TVSH-së për biznesin, sipas të cilës problemi qëndron në administratën tatimore. Raporti vlerëson se administratës tatimore i duhen 60 ditë kohë për të marrë vendimin nëse rimbursohet, pas paraqitjes së kërkesës nga biznesi. Pas marrjes së këtij vendimi, i duhen 30 ditë kohë që biznesi të përfitojë pagesën. Për këtë proces, Banka Botërore shprehet që auditi nga tatimtaksat duhet të kryhet më parë, në mënyrë që biznesi që fiton statusin e rimbursimit të vendoset që gjatë auditit.
Kjo do të sillte shkurtim të kohës për rimbursim të biznesit. Të dhënat mbi taksat nuk janë sinjale pozitive për konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë, duke u nisur edhe nga raporti i fundit i “Doing Business”. Vitet e fundit, Shqipëria kishte shënuar një përmirësim të vazhdueshëm në raportet e “Doing Business” të Bankës Botërore, të cilat janë referencë krahasuese për çdo investitor të huaj që është në kërkim të një vendi për të zhvilluar biznes. Vetëm vitin e kaluar, Shqipëria u përmirësua me 40 pozicione, duke u ngjitur në vendin e 62-të, të cilat i humbi një vit më pas.
Ky përkeqësim i renditjes, si për taksat, ashtu edhe për klimën e të bërit biznes, po tregojnë kundërshtimet e shumta që maxhoranca po has edhe nga biznesi, i cili rritjen e barrës fiskale e ka përkthyer në ulje vendesh pune dhe rënie konsumi.