A mund të depërtojnë alternativat e reja politike në sistemin partiak?

Nga Anjeza Xhaferraj*, botuar në Mapo, 16 nëntor 2015

Partitë politike si përfaqësuese të grupeve të ndryshme të shoqërisë janë parë kaherët si e vetmja mundësi për përçimin e platformave në hapësirën e vendimmarrjes politike. Përgjithësisht, edhe kur alternativat e reja kanë lindur si një reagim shoqëror dhe janë trupëzuar në formën e një lëvizjeje apo organizate, herët a vonë kanë kuturisur të shndërrohen në parti politike, ose të bëhen palë me një të tillë. Duke mbetur kështu forma kryesore e përçimit të interesave të qytetarëve, pavarësisht pakënaqësive që pashmangshmërisht kanë ngjallur, partitë politike janë parë megjithatë si një e ‘mirë publike’ që ka nevojë të rregullohet dhe menaxhohet nga shteti. Për pasojë, natyrshëm mund të lindë pyetja se si e menaxhon shteti hapësirën e alternativave politike? A ndikon ai në favorizimin e ca alternativave kundrejt disa të tjerave?

Rregullimi ligjor i financimit të partive politike është parë shpesh si një mekanizëm për të vendosur barazi ndër partitë politike, për të krijuar parti politike më transparente dhe për të ulur influencën e donatorëve mbi procesin e vendimmarrjes. Po sa janë arritur këto objektiva në rastin e Shqipërisë? Me rënien e komunizmit, vendet postkomuniste u karakterizuan nga një sistem partiak i paqëndrueshëm, i cili u karakterizua nga krijimi i një numri të jashtëzakonshëm partish politike, ku një pjesë e mirë ia dolën të bëheshin pjesë e sistemit partiak. Edhe pse paqëndrueshmëria e sistemit partiak nuk shihet gjithmonë si gjë e mirë, ajo megjithatë rrit përgjegjësinë e partive politike para zgjedhësve, të cilët nuk kanë atashime tribale me njërën parti apo me tjetrën, por vlerësojnë performancën e aktorëve politikë. Dhe, nëse nuk mund të thuhet me siguri që ky ka qenë faktori i vetëm, me siguri ka qenë një ndër faktorët që ka ndikuar në ecjen para të këtyre vendeve dhe integrimin e tyre në BE.

Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Shqipërinë. Sistemi partiak ka reflektuar qëndrueshmëri dhe është mbizotëruar nga PD dhe PS. Është e vërtetë që numri i partive të vogla është shumë i madh, por ato asnjëherë (me përjashtime shumë të rralla) nuk ia kanë dalë të bëhen pjesë e sistemit partiak. Parlamenti përveç restaurimeve fizike (stola, karrige, kompjutera, etj., etj) nuk ka pësuar ndonjë ndryshim esencial. E megjithatë, partitë e vogla janë atakuar shpesh, a thua se janë ato shkaktari që gjërat shkojnë keq. Ndërkohë që, pa asnjë peshë në vendimmarrje, pothuaj efemere, me emra lehtësisht të harrueshëm/ngatërrueshëm, ato mbetën gjithmonë të tilla: të vogla.

Përveçse mëkatuese dhe njollosëse të qashtërsisë së sistemit politik, ato janë akuzuar se nuk kanë arritur të përfaqësojnë asnjëherë interesat e popullit (gjithaq efemer dhe lehtësisht i ngatërrueshëm/harrueshëm), i cili nga ana e tij akuzohet gjithashtu se nuk ka arritur asnjëherë të prodhojë alternativa për të çuar përpara interesat e tij. Por, edhe nëse arrin të krijohen alternativa, a kanë mundësi ato të depërtojnë në skenën politike?

Pamundësi për të artikuluar interesat e një segmenti të caktuar të shoqërisë është vetëm një ndër faktorët që mund të ndikojë në suksesin e partive të reja. Sistemi elektoral dhe rregullat e financimit të partive politike janë dy faktorë të tjerë. Për sistemin elektoral është folur gjatë, andaj edhe nuk do ndalem, por këtu do të fokusohem te rregullat e financimit të partive politike, të cilat do të duhej të ishin në përputhje me parimet vijuese: kritere të drejta dhe të arsyeshme për shpërndarjen e fondeve shtetërore ndaj partive politike, të pasurit e një balance ndërmjet fondeve private dhe atyre publike, si edhe vendosja e një kufiri shpenzimesh në lidhje me shpenzimet gjatë fushatave elektorale.

Ligji aktual, dhe përgjithësisht legjislacioni shqiptar që rregullon aktivitetin e partive politike që prej fillimit të tij në vitin 1991, i shpërndan fondet publike në përputhje me performancën elektorale, gjë që e bën të vështirë hyrjen në skenën politike dhe sistemin partiak të partive të reja, si edhe jetëgjatësinë e partive të vogla.

Po kështu, ligji nuk kërkon vendosjen e një balance ndërmjet fondeve private dhe atyre publike. Mënyra tradicionale e financimit të partive politike kryesisht ose pothuaj tërësisht prej kuotizacionit të anëtarësisë nuk është më funksionale në demokracitë moderne. Burimet e tjera private, si për shembull donacionet, mbartin rrezikun e vendosjes së lidhjeve të papërshtatshme ndërmjet donatorëve dhe vendimeve politike specifike, gjë që është e mjaftueshme për të dëmtuar besimin e publikut në sistemin politik. Nga ana tjetër, vendosja e theksit ndaj fondeve publike mund të kufizojë ndikimin e mundshëm të individëve apo kompanive private. Megjithatë ekziston rreziku që kjo mund të rrisë varësinë e partisë ndaj shtetit dhe të dobësojë lidhjet e saj me njerëzit, interesat e të cilëve partia mëton të përfaqësojë. Në këtë kontekst, ligji për financimin e partive politike do të duhej të përcaktonte se në ç’lloj raporti duhet të jenë fondet publike dhe donacionet private. Por, duke qenë se fondet publike që partitë e vogla apo partitë e reja përfitojnë janë shumë të vogla, kjo kufizon aftësinë e tyre për të rritur të ardhurat në forma alternative. Në këtë kontekst është e udhës që kërkesa për balancim ndërmjet fondeve private dhe publike të jetë e vlefshme vetëm për partitë parlamentare dhe jo për partitë jashtëparlamentare, të cilat do të duhej të lejohen të mbledhin fondet prej donatorësh privatë në shumë më të mëdha se shuma e fondeve që marrin prej shtetit, pavarësisht se edhe në këtë rast do të duhej të vendosej një lloj kufiri.

Në lidhje me vendosjen e një kufiri shpenzimesh në lidhje me shpenzimet gjatë fushatave elektorale, mund të thuhet se vendosja e një kufiri të tillë do të ndihmonte në parimin e barazisë ndërmjet partive të mëdha, parlamentare dhe atyre të vogla/reja. Sigurisht që një parti e madhe, me shtrirje organizative të gjerë dhe që garon me lista kombëtare ka më shumë shpenzime se një parti që nuk i ka këto tipare, e megjithatë, fushata elektorale shumë të shtrenjta i vendosnin ndjeshëm në disavantazh partitë e vogla/të reja dhe gjasat që ato të kenë sukses janë shumë të pakta.

Si përfundim mund të thuhet se, përsa kohë do të jetë në fuqi një legjislacion i tillë, gjasat që alternativa të reja të shfaqen në skenën politike shqiptare janë shumë të pakta. Ato do të vazhdojnë të absorbohen nga menaxhuesit e hapësirës politike, që si të tillë do të vazhdojnë të favorizojnë veten kundrejt të tjerëve.

*Pedagoge e shkencave politike UET

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi