Bashkimi Evropian ka nevojë për një marrëveshje të madhe

Nga Simon Nixon, The Wall Street Journal / Bota.al, 12 nëntor 2015

Oferta e Britanisë për të ndryshuar marrëdhëniet e saj me BE-në, përbën një shans që blloku të miratojë ndryshime më të gjera.

eu

Të martën, kryeministri David Cameron i shkroi një letër Donald Tuskut, presidenti i Këshillit Evropian, duke parashtruar kërkesën e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për ndryshime në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian. Ky do të jetë një moment kthese për unionin.

Letra në vetvete, nuk thotë më shumë sesa zoti Kameron ka deklaruar publikisht më parë, sipas zyrtarëve të lartë në Mbretërinë e Bashkuar. Rëndësia e saj qëndron në faktin se ajo që deri më tani ka qenë një problem i brendshëm politik për zotin Kameron, do të kthehet në një problem politik për gjithë BE-në, me kërcënimin e nënkuptuar, se në rast se ai dështon të përmbushë qëllimet e tij, Britania e Madhe mund të votojë për të dalë nga BE në një referendum popullor, të premtuar për tu mbajtur brenda vitit 2017.

Deri më tani, këmbëngulja e zotit Kameron për rinegocimin e kushteve të anëtarësimit të Britanisë në BE, është pritur kryesisht me zhgënjim. Askush nuk dëshiron që Mbretëria e Bashkuar të largohet, por shumë e akuzojnë Londrën se e largoi vëmendjen nga sfidat më serioze, të shkaktuara nga kriza e refugjatëve dhe tensionet e vazhdueshme ekonomike në eurozonë.

Britania nuk është as anëtare e eurozonës së goditur nga kriza, dhe as pjesë e hapësirës së Shengenit, për lëvizjen e lirë pa pasaporta në BE. Përkundrazi, sipas guvernatorit të Bankës së Anglisë, Mark Karnej, ajo është një nga ekonomitë më dinamike në BE, dhe ndoshta ka qenë përfituesja më e madhe e ”katër lirive” të BE-së lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.

Por zhgënjimi me Mbretërinë e Bashkuar, po i hap gjithnjë e më tepër rrugë kuptimit se të gjitha këto kriza – kriza e euros, kriza e refugjatëve, problemi britanik- janë të lidhura me njëra-tjetrën. Shumë politikëbërës evropianë, thonë tani se BE-ja në formën aktuale, nuk është duke funksionuar dhe se ajo po e humbet besimin e qytetarëve të saj.

Kjo i detyrohet pjesërisht faktit ,se BE-ja ka tentuar të mbi-premtojë dhe mbajë më pak premtime:ajo shpalli strategjitë e mëdha, për të cilat thotë se do ta transformojnë fatin e anëtarëve të saj, por premtimet ndaj të cilëve shkojnë të paplotësuara. Kjo ndodh shpesh, për shkak se Brukseli nuk ka kompetencat e nevojshme, të cilat gjithmonë zotërohen nga qeveritë kombëtare.

Në të njëjtën kohë, kritikët thonë se Komisioni i BE-së është shpesh shumë i ndrojtur për të përdorur të gjitha instrumentet që ai ka nën kontroll, për shkak të frikës se mos zemërojë qeveritë kombëtare. Rezultati është, se ndërsa tregu i përbashkët i BE-së në aspektin e mallrave funksionon mirë, një treg i vetëm shërbimesh mezi ekziston. Tendenca e Komisionit për t’iu përgjigjur çdo krizë, duke kërkuar mënyra për të ndarë në mënyrë propocionale rreziqet, sesa për t’i minimizuar ato, mund të ketë nxitur më tej euroskepticizmin.

Brukseli po ecën përpara me propozimet, për të krijuar një skemë të përbashkët evropiane të garancisë për depozitat bankare, edhe pse mbeten dallime të mëdha ndërmjet sistemeve bankare të vendeve anëtare, jo më pak për praktikat e falimentimit dhe regjimin e mbylljes së tyre, të cilat përcaktojnë sa shpejt një bankë mund të merret me borxhet e këqija.

Përgjigja e saj ndaj krizës së refugjatëve, ishte të kishte si prioritet një sistem të detyrueshëm kuotash për rivendosjen e refugjatëve, në vend se të ndërmerrte hapat e nevojshëm, për të forcuar besimin tek siguria kufitare. Ndërkohë, grantet bujare të BE-së për vendet e varfëra, kanë përfunduar shumë shpesh në subvencionimin e sistemeve politike të korruptuara dhe klienteliste, si dhe burokracive të pareformuara, fillimisht në Evropën Jugore dhe tashmë në Evropën Qëndrore dhe Lindore.

Komisioni i tanishëm i udhëhequr nga presidenti Zhan Klod Junker, pranon shumë prej këtyre kritikave dhe është duke u përpjekur t’i trajtojë ato me një program më të fokusuar. Por vetë Komisioni nuk mund të rivendosë besimin në BE, kur pushteti i vërtetë mbahet nga shtetet anëtare.

Kjo është arsyeja, pse një numër në rritje i politikë-bërësve evropianë e shohin kërkesën e zotit Kameron, për një rinegocim të kushteve të anëtarësimit të Britanisë në BE, si një mundësi për t’u përpjekur për realizimin e një reforme shumë më të gjerë, sesa po çfarë bën aktualisht BE-ja dhe si po e bën atë, bazuar në një analizë të qartë se çfarë kompetencash dhe rreziqesh të reja duhet të përballojë BE-ja, për të plotësuar pritshmëritë e qytetarëve të saj.

Çdo vend dëshiron gjëra të ndryshme. Disa bashkohen me dëshirën e Britanisë për të rritur konkurrencën e BE-së, nëpërmjet zgjerimit të tregut të vetëm dhe marrëveshjeve ambicioze të tregtisë së lirë; të tjerët mbështesin kërkesat e Mbretërisë së Bashkuar për mbrojtjen e zgjeruar për vendet jashtë eurozonës, sidomos vendet kundër euros në Skandinavi dhe Evropën Qëndrore.

Njëkohësisht, të gjitha vendet e eurozonës njohin nevojën për bashkimin e mëtejshëm ndaj rreziqeve fiskale, edhe pse kanë ide të ndryshme sesi kjo mund të arrihet, apo çfarë mbikëqyrje të mëtejshme mund të jenë të nevojshme nga BE-së, mbi politikat ekonomike kombëtare.

Kriza e refugjatëve ka vërtetë nevojë për një qasje të përbashkët, përsa i përket menaxhimit policor të kufijve të jashtëm të BE-së. Por axhendat konkurruese krijojnë hapësirat efektive:nuk mund të ekzistojnë kurrë kushte më të mira, që BE-ja të hyjë në një marrëveshje të madhe, në të cilën kompromiset që mund të jenë politikisht të pamundura në izolim, në të njëjtën kohë bëhen të arritshme si pjesë e një pakete për të adresuar sfidat e shumta të BE-së.

Çmimi do të jetë krijimi i një narrative të re për BE-në, e cila të gëzojë përkrahjen e votuesve dhe besimin e investitorëve. Sigurisht, kjo mund të kërkojë që liderët e Evropës të tregojnë një shkallë më të madhe ambicje dhe kapacitete për marrjen përsipër të rreziqeve, sesa ka qenë e shfaqur në vitet e fundit. Alternativa tjetër që mund të shohim është shkërmoqja e BE-së – duke filluar që nga një dalje e mundshme e Britanisë nga unioni.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi