S’ka progres në Raport – Progresin për Shqipërinë

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Java News, 10 nëntor 2015

Afrim_KrasniqiKomisioni Evropian, sipas praktikës, publikoi Raport Progresin mbi Shqipërinë bazuar në të dhënat për vitin 2015. Ky është raporti i dytë pas dhënien e statutit të vendit kandidat në qershor 2014. Zakonisht raporte të tilla analizojnë të gjithë treguesit e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe ecurisë së procesit integrues. Vetë emërtimi dhe praktika paralajmërojmë vlerësime progresive, pra gjetjet e arritjeve kryesore dhe më pas përcaktimin e sfidave të ardhshme përmes nënvizimit të fushave dhe sektorëve ku kërkohet ndërhyrje dhe politika prioritare.

Raport – Progresi 2015 mbi Shqipërinë i kishte brenda vetës të gjithë elementët e raportimit, por dukshëm konstatohet mungesa e pjesës dytësore të emërtimit, mungesa e progresit. Një sërë elementësh pozitivë, siç janë politika e fqinjësisë në rajon, vullneti politik për integrim, ecuria në çështjet e integrimit nga këndvështrimi institucional apo angazhimi për të nisur punën në disa reformë themelore, – kanë rëndësi, por gjithsesi nuk arrijnë dot të shndërrohen në tregues themelorë të progresit. Kritikat mbeten të njëjta dhe të drejtpërdrejta: nivel kritik për sundimin e ligjit, gjendje alarmante në sistemin e drejtësisë, nivel i lartë korrupsioni në të gjitha nivelet, problematika të mëdha në sistemin e rekrutimit të administratës publike dhe në sistemin promovues të kapitaleve njerëzore, vonesa dhe paqartësi në trajtimin e çështjes së pronësisë, legjislacionin mbi kthimin e kompensimin e pronave, elementë kritikë në gjendjen e të drejtave të njeriut, nivelin e varfërisë, lirinë e cenuar të medias, dobësitë e shoqërisë civile dhe në përgjithësi, – ecuri e pamjaftueshme për një demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës në standardet që BE pret dhe që qytetarët shqiptarë kanë nevojë.

Vlerësuar me këtë përballje midis elementëve pozitivë dhe shqetësimeve kritike balanca dominon në pjesën e dytë, ndaj edhe raport progresi 2015 nuk ka tipar progresin, por një rënie të standardeve të zhvillimit, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe ecurisë integruese në nivel kombëtar dhe rajonal. I ardhur në kohën kur Tirana zyrtare kishte pritshmëri të mëdha për vlerësime pozitive dhe ligjërimi politik ka paralajmëruar marrjen e ftesës për anëtarësim vitin e ardhshëm, – raporti është refuzues dhe paralajmërues. Rruga drejt ftesë dhe për më tepër, rruga drejt procesit të jetësimit të anëtarësimit është shumë më e gjatë sesa të gjitha parashikimet më optimiste në Tiranë, dhe shumë më problematike sesa të gjitha standardet me të cilat zyrtarët tanë të lartë e peshojnë dhe vlerësojnë demokracinë dhe integrimin.

Vlerësuar në raport krahasues rajonal progresi minimal i Shqipërisë është pjesë e një progresi minimal rajonal, – një tendencë e rënies së cilësisë së demokracisë dhe e entuziazmit të integrimit, e kalimit të stabilitetit në nivel më prioritar sesa demokracia funksionale, si dhe e krizës së thellë të përfaqësimit, krizës ekonomike, krizës sociale dhe krizës politike në rajon. Ky zhvillim justifikon vendimin paragjykues evropian për të hequr nga organika e Komisionit Evropian postin e komisarit për zgjerimin, por paralajmëron se tezat për favore gjeopolitike apo preferenca të ndonjë vendi nga Berlini, Parisi apo Brukseli, janë in-ekzistente, janë provinciale dhe nuk kanë ndikim në vendimmarrjen evropiane mbi secilin vend dhe për rajonin në tërësi.

Vetë raporti nuk ngjan i huaj dhe as i papritur për publikun shqiptar. Në një vend ku rreth 100 mijë qytetarë kanë emigruar drejt Gjermanisë dhe dy herë më shumë shpresojnë të marrin lejen e emigrimit në SHBA, – nuk ka dhe nuk mund të ketë pritshmëri optimiste dhe as vlerësim optimist të gjendjes. Rënia e besimit qytetar tek ndryshimi i premtuar, problemet e mëdha me sistemin korruptiv në fuqi, mos-mbajtja e premtimeve elektorale nga vendimmarrësit, gjuha e ashpër politike në komunikim, rënia e standardeve të jetesës, si dhe mungesa e alternativave politike që mund të ngjallin shpresë e besim, – janë tregues të një gjendje dëshpërimi, sic edhe reflekton vetë raporti i BE-së mbi Shqipërinë.

Politika shqiptare i trajton raporte të tilla për të gjuajtur me vezë njëra tjetrën, për të kërkuar midis rreshtave fjalë pozitive (mazhoranca) apo për të përdorur kritikat në denigrimin e qeverisë (opozita). Kjo praktikë vlen, por vetëm formalisht. Ajo që ka nevojë politika e shoqëria shqiptare është tejkalimi i kësaj tradite dhe një sjellje e re ndaj Shqipërisë reale të prezantuar në Bruksel: ka nevojë për reflektim dhe dialog, për një axhendë kombëtare reformash dhe për një sistem më transparent, funksional dhe civil politik e vendimmarrës. Kështu, për shembull, do të doja që pala në qeveri të prezantojë planin publik të reagimit me masa, akte, vendime e afate konkrete në çështjet e shtjelluara në raportin e BE-së, të pranojë përgjegjësitë dhe të mbajë përgjegjësi, duke treguar me vepra atë që ka premtuar në zgjedhje, ndryshimin e sistemit korruptiv dhe heqjen e Shqipërisë shënjestrat kritike evropiane. Njëkohësisht, do të desha që opozita të ndihmojë në korrigjimin e këtyre qëndrimeve dhe të investohet më shumë për transparencë e ofertë morale politike sesa për denigrimin e tjetrës dhe lënien e vendit pa alternativë. Nëse asnjëra nuk reagon, nuk pranon sfidat dhe përgjegjësitë, fjala “progres” do të mbetet mollë e ndaluar edhe më tej, tranzicioni në Shqipëri do shënojë edhe një vit tjetër të humbur.

Në politikë dallimi midis akteve simbolike dhe sjelljes horizontale është minimal: ndonjëherë mjaftojnë aktet simbolike për të kthyer besimin se shpresa ekziston, gjërat mund të funksionojnë. Kjo është koha ideale edhe për simbolika të tilla. Si për shembull, dorëheqje nga çdo zyrtar direkt përgjegjës në kritikat e raport progresit, një klimë e re konsensuale për reformën në drejtësi, akte konkrete kundër korrupsionit. Duke filluar nga aktet parlamentare, ndarjen midis atyre që përfaqësojnë sovranitetin dhe atyre që përfaqësojnë botën e krimit, – duke ftuar dhe mundësuar prokurorinë të hetojë të gjitha dosjet e akuzave ndaj ministrave dhe zyrtarëve të lartë, si dhe duke verifikuar në detaje burimet e financimit të dy qeverive të fundit, asaj që ishte deri më 2013 dhe asaj që erdhi më pas, me të njëjtin standard: 30 ditë kohë të justifikojnë burimet e financimit të aseteve të tyre private e familjare, përndryshe sekuestro dhe shembull se ligji është ashtu siç përcaktohet në Kushtetutë, i barabartë për të gjithë.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi