Europa ka humbur rrugën

Nga Anders Åslund. Project Sindycate, 9 nëntor 2015

Reformat themelore ekonomike zakonisht zbatohen vetëm pas një krize të rëndë, ashtu si ndodhi në Britani në fundin e viteve 1970, në Suedi dhe Finlandë në fillimin e viteve 1990, dhe në Europën Lindore pas shembjes së komunizmit në 1989. BE i ka shpërdoruar shanset që i janë dhënë prej krizës financiare globale dhe më pas krizës së euros. Në vend që të bënte ndryshimet e vështirë që do të mundësonin rimëkëmbjen e fortë, politikëbërësit e Europës e kanë rënduar ekonominë me më shumë shpenzime dhe borxhe

EU-cover-photo

Përgjigja e Europës ndaj sfidave strategjike me të cilat po përballet – agresioni i Rusisë në Ukrainë, refugjatët që i largohen dhunës në Lindjen e Mesme, trazirave në Afrikë – të krijon përshtypjen se udhëheqësit e saj nuk e kanë idenë se çfarë të bëjnë. Dhe në të vërtetë ndoshta nuk e kanë – një realitet që duhet të pranohet, dhe jo të mbulohet.

E thënë thjeshtë, ekonomia në stanjacion e Bashkimit Europian po kushtëzon reagimin e tij ndaj trysnive të jashtme që ka ndeshur; kriza e brendshme u ka lënë udhëheqësve të BE-së, pak hapësirë për manovrim. Fatmirësisht, Europa i ka mjetet për të adresuar këtë krizë, nëse do të mundë të përmbledhë urtësinë dhe vullnetin politik. Origjina e problemeve të BE qëndron në reagimin e saj ndaj krizës financiare globale të vitit 2008: dy vite stimujsh fiskal në shkallë të gjerë. Ndërkohë që kjo pak gjë bëri për rritjen ekonomike, në fund rezultoi në rritje të borxhit publik. Shtatë vjet më vonë, prodhimi për person i BE nuk është më i lartë, nga sa ishte në fillimin e krizës. Ndërkohë, borxhi publik mesatar është rritur në 87% të GDP-së, duke lënë shumë pak hapësirë për fleksibilitet, apo inovacion.

E parë sot, është shumë e qartë se çfarë duhej të ishte bërë. Greqia, që mori dhe stimulin më të madh fiskal, është vendi ekonomia e të cilit është dëmtuar më shumë. Depresioni i saj vazhdon, ndërkohë që vende si Letonia, Lituania dhe Estonia, të cilat bënë përshtatje të hershme fiskale radikale dhe liberalizuan ekonomitë e tyre, tashmë po shijojnë rritje ekonomike të fortë.

Kur vjen fjala tek politika ekonomike, një vendim i shpejtë, qoftë dhe me të meta, është më i mirë se sa mosveprimi. Në vend që ta zgjidhnin me shpejtësi krizën financiare greke, udhëheqësit e Europës, ata lejuan të zvarritet për pesë vite të gjatë. Ndërkohë, Greqia zvarritej, duke mos marrë asnjëherë masat deçizive që mund të kishin rikthyer besimin.

Me vëmendjen të fokusuar tek makroekonomia, BE neglizhoi marrjen e masave që do të kishin rikthyer në shina rritjen ekonomike: duke liruar tregjet, shkurtuar shpenzimet (në vend që të rriteshin taksat), dhe mbi të gjitha, duke zhvilluar më tej asetin e saj më të madh, tregun e përbashkët europian.

Pak gjëra kanë ndryshuar që kur ekonomistët italianë, Alberto Alesina dhe Francesco Giavazzi vërejtën, pothuajse një dekadë më parë, se “pa reforma të thella, serioze dhe gjithëpërfshirëse, Europa do të shkojë në rënie, ekonomikisht dhe politikisht”. Ata paralajmëruan se “pa ndryshime të thellë, në 20 apo 30 vite, pjesë që zë Europa në prodhimin botëror do të jetë shumë më e ulët se sa sot, dhe më e rëndësishmja, ndikimi i saj politik do të bjerë në mënyrë domethënëse”.

Në të vërtetë, një raport i Bankës Botërore mbi rritjen ekonomike në Europë në vitin 2012, e përmblidhte kështu situatën: “Europianët e plakur po gjenden të shtypur, mes amerikanëve që ndjekin inovacionin dhe aziatikëve që ndjekin efiçencën”. Fajtorët kryesorë për performancën e dobët të Europës janë të mirënjohur: taksat e larta, rregullat e shumta dhe të këqia, mungesa e tregjeve kyçe, dhe shpenzimet e larta publike. Dhe ka vetëm një arsye përse qeveritë europiane shpenzojnë kaq shumë: mbrojtja sociale e tepruar. Siç vërente Banka Botërore, “qeveritë europiano-perëndimore shpenzojnë afro 10% të GDP-së më shumë se sa SHBA, Kanadaja dhe Japonia. Ndryshimi në mbrojtjen sociale është 9% e GDP-së”.

Për të financuar këto shpenzime, të ardhurat duhet të rriten. Dhe për arsye se është e vështirë tëtaksosh kapitalin në mënyrë efiçente, Europa ka vendosur taksa të tepruara mbi punën. Në të gjithë kontinentin, por sidomos në Europën jugore, taksat dhe rregullat strikte të tregut të punës e mbajtën papunësinë lartë, në 11% të forcës punëtore, dhe dekurajuan europianët që të investonin për arsimimin e tyre. Pasojat natyrore janë punësimi shumë i ulët, shumë pak investime në arsim të sofistikuar, shumë pak inovacion, dhe rritje minimale në produktivitet.

Më e spikatur është prapambetja europiane në zhvillimin e teknologjisë së lartë dhe inovacionin. Sipas shumicës së treguesve, pjesa më e madhe e Europës duket për t’u mëshiruar. Nga 50 universitetet më të mirë në botë, sipas listës së Shangait dhe listës së Time për Arsimin e Lartë, 30 janë amerikanë, gjashtë apo shtatë janë britanikë, dhe vetëm pak prej tyre janë në Europën kontinentale. Disa vende të Europës veriore mund të konkurrojnë me SHBA kur bëhet fjalë për shpenzimet në kërkim dhe zhvillim si dhe për patentat e dhëna, por jugu dhe lindja e Europës mbeten pas.

Ndërkohë, BE i duhet ende të hapë tregjet për shërbime biznesi dhe tregtinë digjitale, mbi të cilët lulëzon ekonomia amerikane, ndonëse shërbimet zënë afro 70% të GDP-së në shumicën e vendeve të BE-së. Në vitin 2006, Komisioni Europian nxorri një direktivë për liberalizimin e tregtisë në shërbime, por vendet e mëdhenj – sidomos Gjermania – kanë refuzuar ta implementojnë. Mungesa e shërbimeve dhe tregjeve digjitale dëmtojnë zhvillimin e një ekonomia moderne në Europë. Nuk është rastësi që gjigandë të Amerikës, si Apple, Amazon dhe Google sundojnë botën e teknologjisë së lartë.

Nuk ka asgjë të pashmangshme në sëmundjen e Europës, ashtu sikurse nuk ka asgjë në thelb europiane në të paturit transferta sociale të tepruara. Qeveritë serioze europiane – nga Irlanda në Poloni – e kanë adresuar me sukses problemin. Pjesa tjetër e BE-së nuk duhet vetëm t’i ndjekë; ata duhet gjithashtu të ulin taksat mbi të ardhurat dhe pagat, si dhe liberalizojnë tregjet e tyre të punës.

Reformat themelore ekonomike zakonisht zbatohen vetëm pas një krize të rëndë, ashtu si ndodhi në Britani në fundin e viteve 1970, në Suedi dhe Finlandë në fillimin e viteve 1990, dhe në Europën Lindore pas shembjes së komunizmit në 1989. BE i ka shpërdoruar shanset që i janë dhënë prej krizës financiare globale dhe më pas krizës së euros. Në vend që të bënte ndryshimet e vështirë që do të mundësonin rimëkëmbjen e fortë, politikëbërësit e Europës e kanë rënduar ekonominë me më shumë shpenzime dhe borxhe.

BE do të vazhdojë të lëngojë, deri kur të pranojë gabimet dhe të fillojë të realizojë reformat për të cilat ka nevojë ekonomia e saj. Vetëm duke rikthyer kontinentin në rrugën e rritjes ekonomike, udhëheqësit e Europës do të jenë në gjendje të përballojnë sfidat e jashtme që ndeshin tani.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi