Politika do të thotë veprim, Mr. President!
Nga Michael Knigge, koment në Deutsche Welle, 8 nëntor 2015
Lista e “njerëzve më të pushtetshëm të botës” e revistës Forbes të çorienton këtë vit -ajo kryesohet nga presidenti rus, Vladimir Putin. Pse Putin e pse ky kryesim është arsye për t’u shqetësuar komenton Michael Knigge .
Që ta bëjmë të qartë: Jo, presidenti rus Vladimir Putin nuk është njeriu më i fuqishëm i botës. Vendi i tij ndodhet në një krizë të rëndë ekonomike me një inflacion galopant. Jetëgjatësia e rusëve është e ulët, vendin e kërcënon kriza demografike. Madje vetë ushtria ruse, e parë me admirim, në një krahasim global të numrit të trupave zë vendin e katërt në botë. Arsenali i saj i armëve as nuk i afrohet atij “High-Tech” të amerikanëve. Të gjithë këta janë faktorë që dëshmojnë më shumë se influenca e Putinit në botë do duhej të binte.
Megjithatë presidenti rus udhëheq për herë të tretë listën e Forbes. Pse? Sepse ai di ta përdorë me efektivitet pushtetin e kufizuar që ka – qoftë në Ukrainë apo në Siri. Dhe sepse ai, e kjo nuk është më pak e rëndësishme, është mjeshtër për të bindur të tjerët në pushtetin e tij dhe atë të Rusisë. Prandaj ai duhet të merrte titullin e kreut të shtetit më hileqar e më të shkathtit.
Gjermania në skenën ndërkombëtare
Po Angela Merkel? Kur vjen puna në pushtetin real, sigurisht kancelarja gjermane nuk barazohet dot me presidentin amerikan. Por Merkel e ka përdorur në momente vendimtare pushtetin e saj. Fillimisht në Ukrainë, por edhe në krizën e Greqisë, dhe tani në krizën e refugjatëve. Kjo i ka sjellë asaj prestigj ndërkombëtar, e jo më kot Merkel është renditur e dyta në këtë listë-, menjëherë pas Putinit, dhe për herë të parë para Obamës.
Pa dyshim presidenti amerikan mbetet njeriu më i fuqishëm i botës. Ai ia ka dalë që ekonomia amerikane – më e madhja në botë të dalë me sukses nga kriza më e madhe që nga koha e “depresionit të madh” të krizës ekonomike të vitit 1929. Ai ka luftuar për të bërë një reformë historike për shëndetësinë, që u ka ndihmuar miliona amerikanëve të të kenë një kartë sigurimi shëndetësor. Tjetra – përkundër shumë kundërshtive në Uashington dhe në botë – Obama ia ka dalë të bëjë një marrëveshje historike me Iranin në grindjen atomike.
I vakët dhe pa dëshirë
Marrëveshja me ish-armikun e përbetuar, Teheran është edhe shembulli më i mirë për të treguar se SHBA me mundësitë e saj mund të arrijnë diçka në shkallë globale vetëm po qe se ndjekin një qëllim të qartë. Për fat të keq Obama në shumë kriza ka treguar një mungesë dëshire për angazhim dhe mungesë orientimi – qoftë në Siri kundër Shtetit Islamik apo në përgjithësi kundër ekstremizmit islamist.
E kur ka vepruar, shpesh me shumë hezitim. Kaq nuk mjafton për liderin e botës së lirë. Ka gjasë që SHBA të mos jenë më për një kohë të caktuar vendi që do mund të vendosë i vetëm për problemet globale. Por fjalët e qarta dhe veprat nga Uashingtoni janë edhe më tej të pazëvendësueshme, kur kërkohet menaxhimi i sfidave ndërkombëtare. Në Siri pasiviteti i Obamës krijoi një vakuum, që e mbushi Putini. Kjo e ka dëmtuar SHBA-në, jo vetëm për përshtypjen që kanë në Uashington dhe Moskë – por më e rënda është zbehja e prestigjit tek aleatët. Ujdia me Iranin tregoi se Obama di ta përdorë më mençuri pushtetin që ka në çështjet komplekse të politikës botërore. Këtë ai duhet ta bëjë edhe tani në krizën e Sirisë.