Shqipëria merr 450 mln euro borxh
Sipas mediave, 6 nëntor 2015
Bashkëudhëheqësit e eurobondit Deutsche Bank dhe JP Morgan Chase njoftuan se “Në 5 nëntor 2015, Republika e Shqipërisë, e renditur B1 (vlerësim stabël) nga Moodys dhe B (vlerësim pozitiv) nga S&P, ka prezantuar në mënyrë të suksesshme dhe ka çmuar eurobondin 450 milionë euro me maturim 5 vjeçar, duke arritur një kupon prej 5.75%. Kërkesa e qeverisë ishte për një hua nga 300 deri në 500 milionë euro, në varësi të kushteve që do të ofronte tregu. Sipas njoftimit, këto pritshmëri u tejkaluan pasi në ankand, investitorët kanë ofruar deri në 750 milionë euro për të kredituar Shqipërinë. Nga këto, Ministria e Financave ka vendosur të pranojë 450 milionë euro, të cilave u korrespondon një interes mesatar 5.75 përqind.
Sipas njoftimit, 115 investitorë shprehën interesin për të vënë në dispozicion të Shqipërisë borxhe me vlerë të përgjithshme prej 750 milionë eurosh, nga të cilat, qeveria shqiptare pranoi 450 milionë euro. Kjo është hera e dytë që Shqipëria emeton eurobonde. Herën e parë, në vitin 2010, Shqipëria emetoi 300 milionë eurobonde me kupon interesi prej 7.5 për qind. Interesi më i ulët kësaj here duhet të interpretohet si rezultat i gjendjes së përgjithshme të ekonomisë botërore.
Sipas njoftimit, 23 për qind e këtij borxhi u mor nga kompani amerikane të regjistruara në parajsa fiskale, 30 për qind nga blerës në Mbretërinë e Bashkuar dhe 46 për qind nga vendet e tjera europiane. Menaxherët e fondeve blenë 71 për qind të bondeve ndërsa bankat dhe blerësit me pakicë morën pjesën tjetër. Të 450 milionë eurot e marra borxh sot do t’i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 26 milionë euro në vit në formën e interesave. Shqipëria ka një portofol borxhesh prej 7.6 miliardë eurosh për të cilat paguan interesa vjetore prej 400 milionë eurosh në vit.
Sipas Reuters vendet në nevojë për para nxitojnë të shfrytëzojnë dritaren në tregun e obligacioneve Në një artikull të ditës së sotme, agjencia Reuters pohon se vendet në nevojë për para nxitojnë të shfrytëzojnë tregun e obligacioneve, duke gjetur një hapësirë të ngushtë. Kjo pasi për tre muaj, vendet me renditje të ulët ishin përballur me luhatje të shumta në treg. Krahas vendeve të Afrikës, nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria shiti 450 milionë euro të enjten, ndërsa Maqedonia po diskuton me investitorët lidhur me emetimin e eurobondeve në euro.
Sipas “JP Morgan” dhe Deutsche Bank”, shuma dhe interesi me të cilin Shqipëria ka arritur të sigurojë borxhin, reflektojnë vlerësimin pozitiv që investitorët e huaj kanë mbi perspektivën e ekonomisë shqiptare dhe programit të reformave. Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga dy bankat udhëheqëse, 76 përqind e borxhit prej 450 milionë euro është ofruar nga investitorë europianë, ndërsa pjesa tjetër nga parajsat fiskale të Shteteve të Bashkuara.
Shuma e borxhit, që qeveria ka marrë përmes Eurobondit është brenda kufirit të autorizuar nga Kuvendi në buxhetin e shtetit. Këto para, përveç financimit të një pjese të deficitit do të përdoren edhe për të zëvendësuar borxhin ekzistues, i marrë me interesa më të larta, ose afate më të shkurtra, duke i lejuar vendit të përmirësojë portofolin e borxhit publik, i cili gjithsesi mbetet në nivele të larta rreth 73 përqind e prodhimit kombëtar.
Ja disa detaje të tjera nga transaksioni. Sipas të dhënave, eurobondet u shitën me çmim të skontuar (Reoffer Price) prej 99.472%, çka bën që yield-i real (Reoffer Yield) të jetë 5.875%, pra çmimi real që do të paguajë Shqipëria të jetë 5.875%, pak më i lartë se kuponi prej 5.75%. Reoffer Price nënkupton që investitori për 100 njësi të blera paguan 99.472 dhe kjo diferencë çon në rritjen e interesit real nga 5.75% që është kuponi në 5.875% që është yield-i i ofruar, që është dhe kosto reale e fondeve, që do të paguhen nga qeveria. Afati i maturimit të eurobondit është 12 nëntori 2020. Nëse investitorët do të kenë problem, mosmarrëveshjet rregullohen me ligjin anglez.
Detajet e eurobondit:
Emetuesi: Republika e Shqipërisë (vepron përmes Ministrisë së saj të Financave)
Vlerësimet në renditje: B1 (Moody’s) / B (S&P)
Formati: RegS Registered
Madhësia: EUR 450m
Reoffer Yield (interesi riofruar): 5.875% (MS+559 / OBL+592.4)
Reoffer Price (çmimi riofruar): 99.472%
Kupon: 5.75%
Referenca e sigurisë: OBL 0.25% October 2020 (spotted 101.479 / -0.49%)
Maturiteti: 12 nëntor 2020
Pagesa: 12 nëntor 2015
Monedha: EUR(€)100k +EUR(€)1k
Zgjidhja ligjore: Ligjet angleze / Bursa Irlandeze
Menaxherët kryesues: Deutsche Bank (B&D), JP Morgan ISIN: XS1300502041