FMN kërkon shtrëngime: Mblidhni të ardhurat, jo ulje të taksave

Nga Zamir Alushi, botuar në Shqip, 7 nëntor 2015

Shefi-i-misionit-te-FMN-per-Shqiperine-Nadeem-Ilahi-dhe-Ministri-i-Financave-Shkelqim-Cani-640x352

Marrëveshja u shkel me rritjen e borxhit publik, mungesën e të ardhurave dhe uljen e PBB-së

Të ardhurat – Në janar-shtator 2015, të ardhurat tatimore janë -3.8 miliardë lekë më pak se parashikimi, ndërsa ato jotatimore janë rreth -1.5 miliardë lekë nën planifikimin e bërë me ulje.

Deficiti – Në vitin 2013, deficiti buxhetor arriti në 6 për qind të PBB-së, në 2014 4%. Po kaq është planifikuar në vitin 2015. Ky objektiv është realizuar duke mos kryer investimet.

Borxhi – Borxhi publik në 30 shtator 2015 arriti vijën e kuqe me 73.7 për qind të PBB-së. Ndërkohë, kuadri ekonomik i miratuar me FMN-në kërkon që borxhi të ulet në nivelin 70.6 për qind.

FMN nuk është e bindur me planin e qeverisë për mbledhjen e të ardhurave deri në fund të vitit 2015, por edhe nga projektbuxheti i vitit 2016, si dhe paketa fiskale që e shoqëron.

Bisedimet

Burime zyrtare pranë grupit të bisedimeve thonë se FMN nuk është dakord me ulje të taksave ose me përjashtime të sektorëve të ndryshëm. Pala jonë e përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Ekonomisë, si dhe të Bankës së Shqipërisë ka mbrojtur idenë se do të mbajë të palëvizur objektivin për deficitin buxhetor, ndërsa është përballur me kërkesa për konsolidim të fortë fiskal (rritje taksash) për garantimin e të ardhurave në buxhet. Ministrat shqiptarë janë shprehur edhe publikisht se nuk do të ketë rritje taksash në paketën fiskale 2016, madje kanë konfirmuar ulje për një sërë sektorësh, përfshirë bujqësinë dhe biznesin e vogël. Nëse do të ndodhte e kundërta, kostot politike do të ishin të larta për qeverinë. Prej më se një jave, një mision i FMN-së, i drejtuar nga ekonomistja Anita Tuladhar, që zëvendësoi në këtë post Nadeem Ilahi-n, ish-shef i zyrës përfaqësuese të Fondit në Shqipëri, po zhvillon diskutime me palën shqiptare. Misioni ka në axhendën e bisedimeve, përveç rishikimit të kushteve të kontratës së huas për fazën e 5-të, edhe projektbuxhetin e vitit 2016. Nëse FMN nuk nënshkruan rishikimin e 5-të të marrëveshjes, atëherë mbetet opsioni i anulimit të kontratës 3-vjeçare të “martesës” me FMN-në.

Ku u prish marrëveshja me FMN-në

Tre janë treguesit ku FMN-ja nuk i bën lëshime qeverisë shqiptare: Të ardhurat; rritja ekonomike; deficiti buxhetor. Pas dështimit të bisedimeve në qershor, FMN po bën sërish një analizë të performancës fiskale, e cila edhe pas përpjekjeve për të luftuar informalitetin, nuk ka përmbushur objektivat e lëna bashkërisht me FMN-në dhe të fiksuara nga planin e buxhetit. Në qershor 2015, FMN u befasua nga rezultatet e dobëta në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore. Misioni nuk e nënshkroi rishikimin e pestë të marrëveshjes për shkak se, deficiti i krijuar në të ardhurat buxhetore kishte shënuar mbi 11 miliardë lekë në 5 muajt e parë të vitit dhe FMN nuk i pranoi argumentet që qeveria ka dhënë për këtë mosrealizim, për rrjedhojë është bllokuar edhe kësti i radhës prej 26 milionë eurosh. “Ka pasur një mosrealizim në të ardhurat fiskale për periudhën janar-maj, në krahasim me buxhetin, për shkak të rënies së çmimeve dhe prodhimit të naftës dhe për shkak të dobësive në fushën e përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet dhe në fushën e administrimit tatimor. Autoritetet na kanë bërë të ditur angazhimin e tyre për të arritur objektivin e deficitit fiskal për vitin 2015. Konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të siguruar që Shqipëria të ecë në rrugën e saj drejt arritjes së qëndrueshmërisë në kohë të borxhit. Diskutimet do të vazhdojnë për ta përfunduar shqyrtimin e pestë të programit”, nënvizohej në deklaratën e bërë nga misioni i FMN-së.

Ecuria e të ardhurave

Për periudhën janar – shtator 2015, sipas Ministrisë së Financave, ecuria e të ardhurave është poshtë nivelit të pritshëm. Të ardhurat totale të buxhetit arritën 279 miliardë lekë, nga 285.9 miliardë lekë të parashikuar për periudhën. Të ardhurat tatimore janë -3.8 miliardë lekë më pak se parashikimi, ndërsa ato jotatimore janë rreth -1.5 miliardë lekë nën parashikimin.

Ulja e rritjes ekonomike

Për vitin 2015, u parashikua një rritje ekonomike prej 3%, por ul me rishikimin e bërë nga qeveria në korrik, pas bisedimeve me FMN-në. Bazuar në këtë parashikim dhe vlerësimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat për vitin 2014, prej 260.5 miliardë lekësh, u vlerësuan rreth 13.5 miliardë lekë të ardhura shtesë nga rritja ekonomike. Pas rivlerësimit të situatës ekonomike të 6-mujorit 2015, rritja ekonomike parashikohet të jetë 2.7%. Në këto rivlerësime, për vitin 2015, të ardhurat shtesë nga rritja ekonomike priten të jenë rreth 3 miliardë lekë më pak se parashikimi. Të ardhurat e përgjithshme buxhetore, deri në fund të vitit 2015, parashikohet të jenë rreth 16.3 miliardë lekë më të ulëta.

Deficiti buxhetor dhe borxhi

Deficiti buxhetor për vitin 2015 parashikohej të ulej në nivelin 4.0% të PBB aq sa ishte në buxhetin 2014. Financimi i tij do të realizohet kryesisht nëpërmjet huamarrjes së brendshme me rreth 2.9% të PBB. Për rrjedhojë, niveli i Borxhit Publik në fund të vitit 2015 parashikohet të ulet në nivelin 70.6% të PBB, krahasuar me nivelin e pritshëm të tij për vitin 2014 prej 71% të PBB. Në fakt, në fund të shtatorit 2015, sipas Ministrisë së Financave, borxhi publik arriti në 73.7 për qind. Tashmë, qeveria shqiptare nuk është më nxënësi i bindur i vitit 2013, kur kryente me zell detyrat e FMN-së. Nga pikëpamja e të ardhurve, qeveria bëri rritje në taksën e korporatave nga 10 në 15 për qind. Po ashtu, u rritën normat tatimore të akcizës për cigaren, duhanin, birrën, pijet energjike, verën dhe pijet alkoolike dhe lubrifikantët industrialë. U rrit taksa e qarkullimit, e barasvlefshme me një rritje në çmimet e gazolinës dhe lëndës djegëse dizel në rreth 6.6 për qind. Nga pikëpamja e shpenzimeve, qeveria kufizoi rritjen e pagave dhe pensioneve në sektorin publik.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi