Hand: Problemet në Shqipëri do të mbeten nëse zyrtarët e lartë kanë ndjesinë e imunitetit
Intevistë e Zërit të Amerikës me analistin Robert Hand, 4 nëntor 2015
Analisti me përvojë i politikës së Shqipërisë, Robert Hand u bën thirrje partive politike të arrijnë kompromis për reformën në drejtësi për të mirën e vendit. Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë një ndjesi solidariteti me dëshirën e popullit shqiptar për të pasur një qeveri më të përgjegjshme, më të efektshme, dhe për progres të vërtetë. Ai thotë se ka pasur shenja përparimi në drejtim të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, të drogës dhe ka më shumë reagim kur ka shqetësime ndërkombëtare për korrupsionin. Por zoti Hand tha në një intervistë që i dha koleges Keida Kostreci, se gjithmonë do të ketë probleme nëse zyrtarët e lartë mendojnë se kanë imunitet dhe nuk u duhet të japin llogari kur arrijnë në nivele të larta.
Së shpejti pritet publikimi i raport-progresit të BE-së. Reforma në sistemit të drejtësisë është një nga përparësitë e BE-së, por jemi në një pikë kur tre partitë kryesore kanë paraqitur secila variantet e tyre.
Mendoj se të gjithë kanë të drejtën të japin kontributin dhe idetë e tyre dhe vetë fakti që jani parti të ndryshme politike nënkupton që do t’u përqasen gjërave me ide të ndryshme, perspektiva dhe pikëpamje të ndryshme. Mendoj se në fund të ditës, aktorët në Shqipëri duhet të kuptojnë se çfarë duhet në të mirë të vendit dhe të arrijnë kështu kompromise për këto gjëra. Nuk mundet vetëm të paraqesin materiale konkurruese, pasi duhet të kuptojnë se kështu rezultati do të jetë më i dobët. Duhet të përpiqen të gjejnë mënyra bashkëpunimi. Shpresoj që partitë në pushtet të mirëpresin një gjë të tillë dhe se partitë e opozitës do të përgjigjen në mënyrë të ngjashme dhe se do të punojnë së bashku. Ka arsye për t’u shqetësuar se nuk do të bashkëpunojnë, por ekzistojnë gjithashtu të gjitha arsyet e mundshme që dëshmojnë se është në interesin e tyre të punojnë së bashku.
Korrupsioni është një nga problemet më të mëdha në Shqipëri. Ndërkohë, sistemi i drejtësisë është një ndër hallkat më të dobëta, në mos më i dobëti. Sa e dëmshme mendoni se është për vendin të ketë një sistem të tillë drejtësie që mundëson pandëshkueshmërinë?
Besoj se është e dukshme që ka një impakt shumë serioz negativ nëse nuk ke një sistem efikas gjyqësor që heton korrupsionin, ngre akuza, dhe merr vendime bazuar mbi një proçes gjykimi. Atëherë nuk mund të ketë vërtet llogaridhënie. Shpresoj që përpjekje për të bërë reformim të gjyqësorit të dalin me sukses. Le të shpresojmë se do të kemi një sistem më të mirë gjyqësor në Shqipëri, jo vetëm me qëllimin që të kujdeset për çfarë po ndodh tani, por edhe si një forcë parandaluese për praktikat e ardhshme. Edhe pasi të miratohet një reformë, duhet kohë që të zbatohet realisht dhe të ketë ndikim. Le të shpresojmë pra se do të lëvizin gjërat përpara në këtë drejtim.
Zoti Hand, intervista e Zërit të Amerikës me Kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, u përhap me shpejtësi dhe duket se ka prekur një nerv të publikut në Shqipëri. Duke e parë situatën prej këtu, pse mendoni se ndodhi kështu?
Mendoj se i trazoi njerëzit në Shqipëri pasi mendoj se ka një irritim të përgjithshëm në vend ndaj zyrtarëve të lartë që duken të imunizuar nga llogaridhënia për praktika korrupsioni, si dhe për faktin që po bëjnë një stil jete komod kur ndërkohë gjërat për qytetarin e mesëm shqiptar nuk janë aspak të lehta për shkak të kushteve ekonomike etj. Ndoshta reflekton irritimin që ekziston në Shqipëri për përparimin e mjaftueshëm në jetën e qytetarëve të zakonshëm.
Dhe nëse do të flisnit për mënyrën e përjetimit në Uashington të këtyre lloj çështjeve, si do ta përshkruanit në vija të përgjithshme situatën?
Është një ndjesi pjesë e së cilës janë dhe amerikanët. Ambasada jonë, ambasadori Lu, si dhe BE dhe përfaqësuesja e saj kanë folur për mënyrat se si të mposhtet korrupsioni edhe në Shqipëri; se njerëz me rekorde kriminale nuk duhet t’i fshehin ato dhe rrjedhimisht të ngjisin shkallët e sistemit sikur çdo gjë të jetë në rregull; se populli shqiptar meriton më shumë se kaq. Në këto momente, ka shumë ndjesi solidariteti për dëshirën e popullit shqiptar që të ketë një qeveri më të përgjegjshme, më të efektshme, dhe për progres të vërtetë.
Duket se zhgënjimi dhe mungesa e shpresës po i largon njerëzit nga Shqipëria, dhe ka patur një valë njerëzish që i largohen Shqipërisë. Çfarë hapash mund të ndërmerren që të mos ndodhë kjo gjë?
Është një pyetje vërtet e vështirë për t’iu përgjigjur pasi që në vitin 2008 kur ekonomia globale filloi rënien, dhe me të gjitha problemet brenda BE-së tashmë, është shumë e lehtë të ketë irritim për kushtet e përgjithshme. Kur i shton kësaj edhe ato çka folëm më lart, pra irritimi i vetë të qenurit në Shqipëri dhe mungesa e të vënit re të ndonjë progresi të mjaftueshëm. Mundem t’i mirëkuptoj ndjenjat e popullit atje. Lëvizja përpara me paketat e reformave, gjyqësore dhe më tej, mundet të ndihmojë. Sigurisht, në sferën ekonomike duhet të bëjnë gjëra për të dhënë më shumë mundësi ekonomike, stimuj për njerëzit që të duan të qëndrojnë dhe të përpiqen të kenë një jetë të mirë në Shqipëri. Këtu mundet të luajë një rol edhe komuniteti ndërkombëtar. Një pjesë ndoshta është edhe shqetësimit se ka lodhje nga zgjerimi në BE, madje edhe frikë se mund të ndalojë krejtësisht dhe se nuk do të ketë të ardhme në BE. Mendoj se BE-ja duhet të dërgojë një mesazh më të fortë, se do të ketë përgjigje ndaj progresit, dhe se do të jetë dobiprurëse për këto vende.
Për Shqipërinë, pak vite më parë, shumë njerëz thonin se na duhen udhëheqës të rinj. Tashmë që udhëheqësit tradicionalë nuk janë më aty, të paktën për partitë kryesore; zoti Berisha nuk është më, zoti Nano nuk ka qenë për një kohë të gjatë. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar me udhëheqësit e rinj që janë shfaqur.
Do të doja thoja se nuk jam plotësisht dakord se asgjë nuk ka ndryshuar. Gjërat nuk kanë ndryshuar mjaftueshëm. Por, kemi parë përpjekje në rritje, megjithëse ende të pamjaftueshme, për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, për t’u përballur me tregtinë e drogës dhe kultivimin. Mendoj se ka një reagim në këto drejtime. Edhe kur komuniteti ndërkombëtar kritikon korrupsionin etj., ka më shumë reagim se në të kaluarën. Mendoj se ajo çfarë po shohim është trashëgimia e së shkuarës që jeton ende dhe kjo nuk është unike vetëm për Shqipërinë. Fytyrat të cilat njihnim vite më parë mund të jenë larguar. Por në nivele më të ulëta, si p.sh. disa nga parlamentarët që kanë qenë të dënuar penalisht në vitet ’90-të kur gjërat ishin më kaotike, tashmë kanë ngjitur shkallët dhe janë rrënjosur në sistem. Pra, ende përballemi me trashëgiminë e së kaluarës. Do të thotë që ndoshta ka pak progres, ka mundësi që krijohen me ndryshimin e gjeneratave, por nuk mund të ndodhë vetiu. Do të thotë që ende duhet të jemi vigjilentë, duhet të flasim hapur. Mendoj se këtë ka bërë SHBA-ja dhe BE-ja në Shqipëri dhe e mbështes këtë gjë me gjithë zemër. Të përfitojmë nga kjo mundësi e re që ta detyrojmë qeverinë të bëhet më e përgjegjshme duke thënë se nuk duhet të ketë në listat e saj partiake njerëz që janë dënuar për trafik droge, apo trafik qeniesh njerëzore, dhe gjëra të tilla. Ndoshta dua të shmang fatalizmin duke thënë që asgjë s’ka ndryshuar. Mendoj se ka mundësi të reja.
Kur them se nuk ka patur shumë ndryshim, nënkuptoj se për shkak të problemeve në sistemin e drejtësisë dhe për shkak të problemeve të tjera strukturore në institucionet e Shqipërisë, nuk ka patur për shembull raste të profilit të lartë, zyrtarësh të lartë kur ka patur akuza. Disa prej atyre proçeseve kanë qenë të cunguara. Për këtë e kisha fjalën për korrupsionin…
Mendoj se janë argumente të drejta. Ato që përmenda si progres mund të shikohen në nivelet e ulëta ose të mesme, por Shqipëria do të ketë gjithnjë probleme nëse kur njerëzit ngjiten në një nivel të caktuar të lartë fitojnë një ndjesi imuniteti dhe u duket se nuk u duhet të japin llogari. Nuk po them që thjesht duhet zgjedhur njëri në atë nivel dhe t’i ngrihen akuza, por sigurisht nëse ka prova të besueshme për marrje ryshfetesh apo angazhimi në praktika korruptive të çfarëdo lloji, këto gjëra duhet të hetohen dhe prokurorëve duhet t’u jepet mbështetje në përpjekjet e tyre. Veprime të tilla duhet të ndërmerren pavarësisht se në çfarë niveli të lartë duhet të arrijë llogaridhënia. Nëse nuk veprohet, atëherë gjithnjë do të ketë probleme të fshehura. Jam shumë dakort me juve në këtë pikë.
A mendoni se e folura hapur (nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë) ka qenë në gjendje të ndryshojë drejtimin e ndonjë prej këtyre praktikave?
Mendoj se nuk do të jemi ndonjëherë të kënaqur. Gjithçka tani bazohet tek fakti se nuk po ndodh me shpejtësinë e duhur, dhe që sigurisht ka rezistencë. Është e natyrshme. Shpresoj ta ruajmë ritmin dhe të vazhdojmë më tej. Mendoj se puna që ka bërë ambasada jonë dhe ambasadori Lu në Shqipëri për këto çështje, ka qenë e shkëlqyer. Kemi bërë edhe disa gjëra praktike, nëpërmjet USAID-it dhe fondesh të tjera, në përpjekje për të ndihmuar sistemin gjyqësor të funksionojë në përgjithësi më mirë për popullin e Shqipërisë. Pra, po bëjmë gjëra në disa nivele. Po flasim haptazi. Po japim të gjitha paratë që mundemi. Mund të kisha thënë që do të dëshironim të kishim më shumë për të kontribuar, por mendoj se po bëjmë çfarë mundemi. Shpresoj se do të ketë ndikim.
Nëse trajtojmë pak temën e integrimit, ka dy teori për anëtarësimin në BE; njëra, që nëse hapen bisedimet mund të shërbejë si një stimul për Shqipërinë dhe vende të tjera, ndoshta ky ishte një arsyetim i ngjashëm kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s; dhe tjetra është që të ushtrohet presion për t’u ndryshuar paraprakisht gjërat dhe pastaj të meritohen bisedimet për anëtarësim. Cila mendoni se është mënyra më e mirë?
Pikë së pari, mendoj se njerëzit duhet ta shohin me më shumë dritëhije çështjen e integrimit. Kriteret dhe arsyet për anëtarësimin në NATO janë të ndryshme nga ato për në BE. Mendoj se vendimi për të ftuar Shqipërinë t’i bashkohej NATO-s në 2008, ishte në fakt një vendim i mirë. U mor me shpresën se reforma do të vazhdonte. Kam qenë madje kritik dhe e kam thënë në intervista të mëparshme se, në dallim nga vende të tjera që janë anëtarësuar në NATO dhe kanë vazhduar proçesin e reformave, Shqipëria ka qenë paksa përjashtim dhe nuk i ka vazhduar reformat siç do të shpresonim ne. Por, mendoj sërish se është më mirë që Shqipëria gjendet në NATO, si një vend partner, se sa po të mos ishte. Për sa i përket BE-së, ai nivel integrimi është shumë më domethënës dhe kriteret janë shumë më të vështira për t’u përmbushur. Janë gjithë ata kapituj për t’u kaluar, shumë ndryshime politikash që duhen përmbushur. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, nuk mendoj se thjesht hapja e kapitujve dhe negocimi me Shqipërinë do të bëjë që këto probleme të zhduken apo vetëkurohen. Mendoj se duhet të përcaktohen qartësisht kushtet se çfarë duhet bërë përpara se të ndërmerret hapi tjetër përgjatë rrugës së integrimit. Mendoj se në anën tjetër, dhe këtu hyjnë stimujt dhe ku qëndron një pjesë e problemit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende të tjera, me synimin për të ofruar një përgjigje pozitive për ndërmarrjen e shumë hapave të vështirë. Tashmë BE-ja po kalon vështirësitë e saj të brendshme. Ka një ndjesi kundër zgjerimit në BE. Ka ndoshta një perceptim në Shqipëri dhe në vende të tjera, se pavarësisht se çfarë bëjmë nuk do të hyjmë ndonjëherë, ose të paktën jo së shpejti. Ndërsa politikanëve kjo u jep përfitime personale politike. Mendoj se BE-ja ka nevojë për një qëndrim diku në mes. Nga njëra anë të qëndrojë e fortë dhe të thotë se duhet të bëni këtë gjë, ose nuk do të nisim kapitujt. Në të njëjtën kohë duhet të dërgojë edhe një mesazh shumë më të qartë se vendet që marrin vendimet e vështira, reformohen dhe bëjnë gjërat e duhura, kur të kenë përmirësime ato do të njihen dhe do të marrin përgjigje pozitive për sa i përket hapave drejt integrimit. Mendoj se kështu vendet do të kishin më shumë vullnet të ndërmarrin hapat e vështirë të domosdoshëm, pasi e dinë se diçka do t’u jepet në shkëmbim.
Le t’i rikthehemi pak dekriminalizimit të parlamentit; një nga problemet më të mëdha. Juve përmendët se ka patur hapa në këtë drejtim, por ka një numër të konsiderueshëm deputetësh që kanë rekorde të dyshimta. Pas një presioni të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, atëherë pati progres në këtë drejtim. Si e perceptoni pikë së pari faktin që këta njerëz u përfshinë në lista? Në veçanti nëse kemi parasysh se me ndryshimet elektorale janë krerët e partive që i përzgjedhin. Të reagosh është në rregull por është pak e vështirë të besohet se nuk pati informacion më përpara që këta njerëz të mos përfshiheshin fare në lista.
Mendoj se është një pyetje e shkëlqyer. Edhe nëse ka një reagim ndaj thirrjeve për të larguar ndonjë nga detyrat publike, ky veprim nuk mjafton. Çështja është si ta parandalojmë që të mos ndodhë sërish dhe si do të çrrënjosim të tjerët që mund të kenë të tilla probleme. Është shumë e vështirë të thuhet se si mund të arrihet. Kur unë shikoj politikën shqiptare, mendoj rreth dy gjërave. Pikë së pari, më kujtohet një libër i shkencave politike në universitet që titullohej “Kush i merr biskotat?” dhe në rastin e Shqipërisë kush vjen në pushtet i merr të gjitha biskotat. Pra, ti vjen në pushtet sepse merr të gjitha të mirat që vijnë me atë pushtet. Dhe nëse angazhohesh në korrupsion ose gjëra të ngjashme, mendon se mund të shmangësh llogaridhënien duke qëndruar në pushtet. Kjo çon pashmangshmërisht drejt një proçesi jodemokratik. Atëherë mendoj se diçka duhet bërë për t’u siguruar se ardhja në pushtet dhe drejtimi i qeverisë nuk është vetëm për të mirat që përfiton, dhe se kush do t’i marrë biskotat. Është gjë e vështirë për t’u trajtuar, por mendoj se është problem i thellë në Shqipëri, dhe njerëzit duhet ta shikojnë si të tillë. Së dyti, për sa i përket rolit që vetë partitë politike luajnë; ato janë pjesë e mënyrës demokratike të qeverisjes, por nuk janë vetë pjesë e qeverisjes. Janë entitete jashtë qeverisë. Ndonjëherë ato vetë nuk janë shumë demokratike, me struktura vertikale nga lart poshtë, me udhëheqës shumë të fortë, dhe me shumë afera që ndodhin së brendshmi. Është më e vështirë se sa kur trajton p.sh. institucione shtetërore. Por, mendoj se diçka duhet bërë për të reformuar partitë; për t’u siguruar që njerëzit e mirë, disa prej të cilëve unë i njoh në Partinë Socialiste, Partinë Demokratike, dhe shumë parti të tjera, që duan t’i shërbejnë vendit të kenë mundësinë të rriten brenda partisë, që t’u dëgjohet zëri. Nuk i përgjigjet plotësisht pyetjes tuaj pasi është e vështirë, por mendoj se duke i parë çështjet nga ky këndvështrim mund të bëhen disa hapa fillestarë që mund të çojnë në disa praktika më të mira qeverisjeje.
Mendoni se opozita po luan rolin e saj tani në Shqipëri?
Mendoj se në përgjithësi në vendet e Ballkanit, ku përfshihet edhe Shqipëria, opozitat tradicionalisht e kanë patur të vështirë të luajnë opozitën. Ndoshta ka nevojë për më shumë arsimim rreth domethënies së të qenit opozitë në një sistem demokratik. Mendoj se ka përpjekje për të qenë bashkëpunues, por nuk dua ta hedh fajin në njërën palë apo tjetrën. Siç thotë shprehja “duhen dy për të vallëzuar” dhe ata i kundërvihen njëri-tjetrit. Mendoj se gjeste pozitive nga të dyja palët do të ndihmonin për të lëvizur gjërat përpara, si p.sh. për reformën në drejtësi. Gjithnjë i inkurajoj opozitat të jenë të angazhuara në proçes. Nuk më pëlqejnë gjërat si bojkoti, apo protestat si një mënyrë e dukshme për të bërë gjërat. Duhet të punojnë nga brenda sistemit. Duhet të qëndrojnë të angazhuar dhe të nxjerrin ide që sfidojnë partitë në pushtet. Në anën tjetër, partitë në pushtet duhet të kuptojnë se nuk i marrin ato të gjitha biskotat; duhet t’i ndajnë me opozitën. Duhet të krijojnë partneritete; të angazhohen në kompromise. Nuk mund të thuhet se ne jemi maxhoranca kështu që çdo gjë do të bëhet siç duam ne. Nuk është kjo mënyra se si funksionojnë demokracitë. Në përgjigje të pyetjes tuaj, opozita duhet të shndërrohet në një opozitë të mirë. Por, nuk është problemi vetëm tek ata. Duhet të gjejnë partneritet të përgjegjshëm tek partitë në pushtet. Deri diku e kemi parë këtë gjë në disa fusha. Ka patur gjeste pozitive që janë njohur nga OSBE-ja dhe të tjerë. Gjatë zgjedhjeve lokale dhe pas tyre pati persona që thanë fjalë të mira për njëri-tjetrin. Mendoj se po të ndërtohet më tej mbi baza të tilla do të ishte shumë e dobishme dhe në vend që të sulmojnë njëri-tjetrin, le të gjurmojnë zyrtarët e korruptuar brenda radhëve të tyre. Do të ishte mirë për Shqipërinë.