Reforma në Drejtësi: Ja njëra zgjidhje!
Nga Klodian Rado, botuar në Panorama Online, 3 nëntor 2015
Sa shumë, sa gjerë, e sa gjatë është folur e vazhdon të flitet për Reformën në Drejtësi në Shqipëri! Këtë gjë e kanë bërë mediat, politika, ndërkombëtarët, akademikët, e lista vazhdon. Por, përunjësisht e modestisht, bazuar në eksperiencën time të mëparshme si gjyqtar, e më vonë si akademik, do të doja të ofroja një tjetër dimension: zgjidhjen konkrete. Sigurisht që është pothuaj e pamundur që të pretendosh “zgjidhjen konkrete” me një opinion në media, por më hollësisht e teknikisht sugjerimet e mia ia kam drejtuar formalisht edhe Parlamentit shqiptar si pjesëtar i grupit të ekspertëve të jashtëm. Sot, me anë të kësaj analize, do të doja të ndaja me publikun shqiptar disa nga sugjerimet e mia, me shpresën për të nxitur një forum diskutimi publik për Reformën në Drejtësi, e sidomos lidhur me njërën nga pikat e saj më të rëndësishme: gjykatat.
* * *
Siç dihet, besimi i publikut në drejtësinë shqiptare, përfshirë prokurorinë, por që nuk është objekt i kësaj analize, është mjaft i ulët. Shkaqet janë nga më të ndryshmet, e fillojnë që nga “mëkatet” e disa gjyqtarëve, e deri tek abuzimi i disa avokatëve, disa prokurorëve, keqraportimet e disa mediave, apo kultura e ulët juridike e qytetarit të zakonshëm. E si rezultat në Shqipëri, fatkeqësisht, në shumë raste nuk jepet e nuk perceptohet se jepet drejtësi, si dhe mungon drejtësia sociale e individuale. Në këto kushte, kushdo e kupton që nevoja për ndryshimin e këtij realiteti të hidhur është emergjencë që e dikton më së paku historia. Por si mund të dilet nga kjo gjendje?
* * *
Sigurisht që për këtë nuk ka një “shkop magjik” që e ndryshon gjendjen brenda natës, sepse situata është komplekse dhe përfshin një numër të gjerë aktorësh, faktorësh, mekanizmash, e forcash interesi shtytëse apo tërheqëse. Por, duke pasur fatin që përveçse ta njoh nga brenda gjyqësorin shqiptar, e më pas të studioj e thellohem në sistemet gjyqësore të vendeve të ndryshme të zhvilluara e në zhvillim, mendoj se zgjidhja është më e thjeshtë sesa duket. E kjo zgjidhje që do të sugjeroj më poshtë, nuk është aspak shpikje e imja. Në fakt, është zgjidhje që funksionon prej vitesh në mënyrë pothuaj perfekte në mjaft vende të botës. Sugjerimi im është që për zgjidhjen e konflikteve, sidomos atyre civile, por edhe të punës, tregtare, apo familjare, vendimet e zgjidhjes së këtyre konflikteve të mos jepen më ekskluzivisht vetëm nga gjykatat e gjyqtarët, por nga vetë qytetarët. Gjykatave e gjyqtarëve duhet t’u kalojnë çështjet vetëm dhe vetëm atëherë kur mënyrat e tjera kanë dështuar. E si mund të realizohet kjo?! Është më se e thjeshtë nëse ekziston vullneti. Duke prezantuar me Kushtetutë e me ligj mënyra të tjera alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ose siç njihen në gjuhen teknike: Zgjidhje Alternative të Mosmarrëveshjeve (Alternative Dispute Resolution). Të tilla mekanizma mund të jenë: “Negocimi”, “Ndërmjetësimi”, dhe “Arbitrazhi”, të cilat duhet të jenë të detyrueshme për t’u përdorur hap pas hapi, përpara se çështja të shkojë në Gjykatë.
* * *
Kështu, në rast konflikti, hapi i parë është: Negocimi. I thënë ndryshe, dialogu midis dy ose me shume palëve me qëllim për të arritur një zgjidhje ku përfitojnë të dyja palët (win-win situation). Pra, palët në konflikt, përpara se të shkojnë në gjykatë, duhet t’u kërkohet me ligj që të ndërmarrin veprime serioze negocimi për të arritur një marrëveshje. Nëse marrëveshja midis palëve në konflikt nuk arrihet, e çështja nuk zgjidhet me negocim, atëherë hapi i dytë i detyruar për t’u ndërmarrë është: Ndërmjetësimi. Me “ndërmjetësim” kuptohet ajo mënyrë alternative e zgjidhjes së konfliktit midis palëve, me ndihmën e një pale ose personi të tretë neutral, ndërmjetësit të licencuar, i cili përzgjidhet nga vetë palët dhe i ndihmon ato të arrijnë një zgjidhje që është në përfitim të përbashkët të tyre. Kjo marrëveshje, pasi nënshkruhet nga palët dhe ndërmjetësit, kthehet në titull ekzekutiv dhe është e detyrueshme për t’u zbatuar direkt me përmbarim, nëse do ta lypte nevoja. Nëse edhe ky hap dështon, hapi i tretë i detyrueshëm është: Arbitrazhi. Arbitrazhi është një teknikë alternative për zgjidhjen e konflikteve jashtë gjykatave, ku palët e zgjedhin vetë arbitrin e licencuar që ia besojnë zgjidhjen e çështjes dhe vendimi i tij është i detyrueshëm për t’u zbatuar me përmbarim nëse palët kanë rënë dakord paraprakisht. Nëse palët përsëri nuk bien dakord me zgjidhjen nga arbitrazhi, vetëm atëherë mund ti drejtohen gjykatës. Por edhe këtu ka një hap të katërt që mund të ndërmerret, i cili do të përmirësonte ndjeshëm situatën aktuale të drejtësisë shqiptare. Nëse çështja vjen ne gjykatë, gjyqtari duhet të jetë i detyruar me ligj që të kryejë përpjekje serioze të dokumentuara për zgjidhjen e çështjes me marrëveshje të përbashkët të palëve. Ashtu si fazat e mëparshme, edhe kjo fazë duhet të merret seriozisht nga palët, avokatët e tyre, e sidomos nga gjyqtarët; dhe jo siç është aktualisht në një dispozitë formale të Kodit të Procedurës Civile, ku përpjekjet e gjykatës për zgjidhjen me marrëveshje të palëve ngjajnë opsionale, dhe fatkeqësisht nuk merret seriozisht nga askush.
* * *
Përfitimet nga zgjidhjet alternative të mosmarrëveshjeve janë provuar në mjaft vende të botës e janë vërtet të shumta. Por edhe në kontekstin shqiptar, me siguri që përfitimet do të ishin ndoshta edhe më të mëdha, e konkretisht: Së pari, qytetarët do të kishin mënyra të tjera të zgjidhjes të konflikteve dhe nuk do të ishin të detyruar t’ua besonin të rëndësishmin konflikt të tyre, gjyqtarëve, që në fakt u besojnë pak ose aspak. Së dyti, lloji i rezultatit që do të dilte nga këto mënyra alternative të zgjidhjes së konflikteve, do të ishte shumë më i pranuar nga palët në konflikt, sepse në fund të fundit, vendimi do të ishte rrjedhojë e marrëveshjes midis tyre nëpërmjet negocimit, ndërmjetësimit, apo nga një arbitër i zgjedhur prej vetë atyre (win-win situation). Së treti, kjo mënyrë do të ishte shumë më e shpejtë, më pak e kushtueshme, dhe më efektive sesa sorollatjet shumëvjeçare e të superkushtueshme nëpër gjykata. Së katërti, kjo mënyrë do të bënte që numri i çështjeve që do të paraqiteshin në gjykata, do të ishte shumë më i vogël sesa është aktualisht, sepse çështjet do të zgjidheshin pa shkuar atje. Dihet tashmë që numri i çështjeve në gjyqësorin shqiptar, sidomos në Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative, është bërë i pamenaxhueshëm, dhe kjo do të ishte një zgjidhje përmirësuese edhe për vetë gjyqësorin shqiptar. Së fundi, besimi i publikut te gjyqësori do të rritej së tepërmi, sepse në gjykatë do të përfundonin vetëm ato çështje që vetë palët në konflikt kanë vendosur me vullnetin e tyre të lirë që t’ua besojnë çështjen e tyre gjyqtarëve shqiptarë, dhe të mos ta zgjidhin vetë nëpërmjet negocimit, ndërmjetësimit apo arbitrazhit. Për ta kuptuar se sa reale dhe me përfitim të madh mund të jetë e gjithë kjo reformë, mjafton të përmendim Kanadanë. Që nga viti 2000, kur zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve u bë e detyrueshme përpara se të lejohet paraqitja në gjykatë, sipas statistikave zyrtare, në gjykatat kanadeze tani përfundojnë vetëm 3% e çështjeve, pasi 97% e tyre zgjidhen me format alternative. Pothuaj të njëjtat shifra absolutisht të larta vijnë edhe nga vendet skandinave, Australia, SHBA, apo edhe vendet në zhvillim që aplikojnë seriozisht këto teknika.
* * *
Çfarë na pengon për ta konsideruar, e pse jo provuar këtë zgjidhje në realitetin shqiptar? Sigurisht që prezantimi i këtij sistemi të ri nuk do t’u leverdiste të gjithëve, sidomos atyre që përfitojnë padrejtësisht nga ky sistem thellësisht problematik. Por me siguri që shumicës absolute të shqiptarëve të stër-rropatur nëpër gjykata do t’u ndryshonte jetën. E aty ku ka vërtet vullnet për të përmirësuar gjërat, e mira me siguri që do të triumfonte. Ky sistem i ri mund të testohet në çështjet civile, familjare, tregtare, apo të punës, e më tej, pse jo edhe në çështjet penale të lehta. Minimalisht, me siguri që do të kishim më pak qytetarë që do t’u drejtoheshin gjykatave, e më pak çështje konflikti nëpër gjykata. Në vazhdën e reformave kushtetuese që po ndërmerren, është vërtet koha ideale që zgjidhjet alternative të konflikteve të përfshihen në të, e të konsiderohen si një zgjidhje serioze, që mund të ofronin më shumë drejtësi, e paqe shoqërore e individuale në Shqipëri. Ashtu u bëftë!
*Ish-gjyqtar, Doktorant, York University, Kanada.