Krizë e demokracisë ose a është Ballkani Evropë?

Nga Afrim Krasniqi, botuar në ikub.al, 2 nëntor 2015

afrim-KrasniqiNë hartën politike të vendeve ballkanike vijnë lajme të njëjta: në Malin e Zi protestuesit janë në rrugë, në Kosovë parlamenti nuk funksionon për shkak të përshkallëzimit të kon×iktit midis qeverisë e opozitës, në Maqedoni kriza mban peng integrimin e vendit, në Serbi flitet për zgjedhje të reja, në Bosnje eksperimenti nuk po funksionon, në Shqipëri niveli i zhgënjimit është në kuota maksimale. Nuk është një udhëzues i gatshëm përmes të cilit demokracitë e reja ballkanike duhet të ecin, – janë fenomene të njëjta, kriza të njëjta, mentalitete të njëjta që përsëriten në çdo vend, duke krijuar idenë e imitimit të njëri tjetrit. Paralajmërimi i Durham se në Ballkan të gjithë janë të ndryshëm por mendojnë njësoj, duket se bëhet aktual edhe pas një shekulli. Një vit pas Samitit të Berlinit pritej që Ballkani Perëndimor të kishte një realitet të ndryshëm, – ekzistonin pritshmëri e projekte optimiste, liderit rajonal tejkaluan traditat e mungesës së dialogut dhe se u fol për projekte të mëdha që do forcojnë demokracitë dhe ekonomitë e këtyre vendeve. Pas një viti pak gjëra kanë ndryshuar.

Një vit më parë të gjithë flisnin për nevojën e demokracisë funksionale, sot të gjithë flasin për nevojën e stabilitetit politik. Kriza e emigrantëve e ka larguar vëmendjen nga demokracia ballkanike, nevoja për plane emergjente u ka dhënë vendeve ballkanike diçka që nuk duhej ta kishin, – të drejtën të mos gjykohen për punën e tyre brenda vendit, por për partneritetin me vendet e BE-së jashtë rajonit. Për paradoks, vende si Shqipëria regjistrojnë numër rekord emigrimi dhe megjithatë, qeveria shqiptare në vend që të merret me këtë fenomen, ofron hapësirë e mundësi të bëhet strehë kalimi e trajtimi për emigracionin nga Siria. Dhe për këtë qëndrim të fundit merr përgëzime!! E njëjta gjë ndodh me Maqedoninë, më Serbinë, me Kosovën dhe vendet e tjera rajonale. Liderët e rajonit deri para pak kohësh flisnin për projekte të mëdha përafrimi me standardet e demokracisë evropiane. Në Berlin ata u shfaqën si adhurues të sloganeve të revolucionit francez dhe demokracisë funksionale gjermane.

Pas një viti ata kanë ndryshuar retorikën: janë gjithnjë e më kritik ndaj Evropës, gati kërcënojnë me çështjen e refugjatëve dhe siç u pa së fundi në Malin e Zi, Serbi apo Maqedoni, kanë nisur vajtje ardhjet diplomatike në Moskë. Arroganca e të vegjëlve ndaj bashkësisë evropiane shpreh mentalitetin rajonal, – sa më kritik jashtë, aq më populist brenda vendit, sa më pretendues në marrjen e favoreve aq më imunitar ndaj kritikat që vijnë nga jashtë. Një sjellje tipike për traditat provinciale dhe politikat pa vizion, ku interesi politik ditor shkrihet me sjelljen dhe axhendën politike e shtetërore. Po çfarë po ndodh në Ballkan? Përse ditët e fundit u panë qytetarë që festuan në Sarajevë, Prizren apo Tetovë fitoren “historike” të Erdogan në Turqi? Përse modeli Erdogan po bëhet model ballkanik dhe shumë liderë rajonalë, përfshirë shefat e shteteve në Serbi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi apo Bosnje duan t’i ngjajnë? Përse të gjithë duan pushtet me çdo kusht, përse për të gjithë opozita është fatkeqësi kombëtare, përse për të gjithë liria e medias dhe kritika janë akte armiqësore dhe të huaja, përse për të gjithë oligarkia në pushtet është kthyer në sistem, përse për të gjithë kritikat amerikane mbi demokracinë janë të bezdishme dhe marrin përgjigje arrogante?

Ky fenomen e ka një përgjigje: nëse BE aktualisht është më e interesuar për stabilitet rajonal dhe mbyllje të rrugëve të emigrimit, SHBA kërkon diçka më shumë se kaq, kërkon standard demokracie dhe të shtetit të së drejtës. Më shumë se një vit më parë sekretari amerikan i shtetit Xh. Kerri e bëri të qartë pozicionin amerikan kur deklaroi “aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve (shënim: Evropa Juglindore dhe Lindore) po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”. A nuk është kjo sëmundja kryesore me të cilat ndeshet demokracia në Tiranë, në Beograd, në Prishtinë, në Podgoricë, në Shkup dhe Sarajevë? A nuk vijojnë këto vende të qeverisen nga të njëjtat elita të vjetra, oligarki të njëjta, praktika të njëjta dhe sëmundje të njëjta ndaj mendimit kritik apo alternativës ndryshe? Në retorikën politike, ligjërimin politik, studimet dhe prurjet akademike nuk lihet vend për dilemë: Ballkani është Evropë, ndaj nuk quhet i tillë, por “Evropa Juglindore”.

Historikisht dhe gjeografikisht kemi qenë, jemi dhe do jemi Evropë. Por Evropa nuk është koncept vetëm gjeografik, lidhet me standarde, me vlera, me sjellje, me kulturën, mentalitetin dhe vizionin ndaj botës, shoqërisë, qytetarëve dhe problemeve të tyre. Evropa nuk është ideale por është oferta më e mirë dhe opsioni i vetëm krahasues. Përballë këtyre përcaktimeve sfida e EJL (Ballkanit) është afrimi me këto standarde e vlera, jo keqpërdorimi i gjeopolitikës dhe krizës së momentit për të thelluar më shumë disbalancën midis demokracisë maksimale që ofron Evropa dhe demokracisë minimale që ofrohet në vendet ballkanike. Sot, kriza e rajonit nuk është thjesht ekonomike (gjendje të rëndë ekonomike ka pasur shpesh edhe në të kaluarën), por më shumë shfaqet si krizë besimi dhe përfaqësimi, krizë demokracie dhe e elitave vendimmarrëse. Një model politikanësh që pasi fitojnë në zgjedhje e trajtojnë pushtetin dhe vendin e tyre si pashallëk personal, nuk është dhe nuk mund të jetë model frymëzues demokratik.

Një sistem korruptiv dhe arrogant që riciklon oligarkinë politike dhe financiare, përballë shumicës qytetare të pambrojtur, nuk është dhe nuk mund të jetë sistem burimor për besimin dhe demokracinë. Një kulturë politike që denigron tjetrin, mendimin kritik dhe alternativën, nuk është dhe nuk mund të jetë prodhuese e vlerave të demokracisë dhe konkurrencës. Në këto rrethana studiuesit e politikës kanë të drejtë kur bëjnë pyetjen: a mund të prodhojmë ne më shumë demokraci, a mund të krijojë rajoni një mozaik vlerash brenda modelit demokratik evropian, a munden elitat politike vendimmarrëse të ndryshojnë nga reagimi brenda apo imponimi nga jashtë?

Të gjitha janë pyetje retorike. Sot në Shqipëri e rajon gjenden miliona qytetarë, sidomos të rinj të zhgënjyer tek demokracia, kur në fakt ata nuk e kanë provuar ende demokracinë, por një fotokopje të deformuar të saj. Sot nuk kemi elita udhëheqëse, inspiruese, reformatore por modele politike të formësuara nga grupe oligarkë që duan pushtet me çdo kusht, dhe që nuk pranojnë ndarjen e pushtetit. Sot popujt e rajonit, megjithëse mbushin e mund të mbushin rrugët me protesta, nuk kanë mekanizma ndryshimi radikal, ndaj shpresa e vetme mbetet kujdestaria e standardeve nga jashtë, – një rol amerikan më aktiv në çështjet e drejtësisë, korrupsionit dhe lirive politike, një rol evropian më aktiv në çështjet ekonomike, sociale, administratës dhe të kulturës politike. Pa to ne jemi e mbetemi Evropë, por vetëm gjeografikisht.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi