Francë: Situata ekonomike tani vlerësohet në bazë të treguesve të rinj
Sipas La vie publique, 1 nëntor 2015
Qeveria publikon, për herë të parë në tetor të këtij viti, një raport i cili vlerëson situatën ekonomike në Francë në funksion të treguesve të rinj të pasurisë, të ndryshëm nga indikatorët klasikë, të tillë si produkti i brendshëm bruto (PBB).
Dhjetë tregues janë përdorur në raport: shkalla e punësimit, përpjekja kërkimore, borxhi (borxhi publik, borxhi i korporatave dhe ai i familjeve), jetëgjatësia në shëndet të mirë, kënaqësia e jetës, pabarazia e të ardhurave, varfëria në kushtetet e jetës, largimet e parakohshme prej sistemit arësimor, gjurmët e karbonit, artificializimi i tokave. Përtej prodhimit të thjeshtë të pasurisë, këta tregues janë të destinuar për të matur ndikimin e politikave publike të zbatuara nga shteti në cilësinë e jetës dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Për secilin tregues, raporti përshkruan zhvillimet e fundit dhe krahason qëndrimin e Francës me atë të partnerëve të saj evropiane. Për më tepër, raporti ofron vlerësime, në bazë të këtyre treguesve, për gjashtë reforma në proces: kreditimi tatimor për konkurrueshmërinë dhe masat e ndërmarra prej Paktit të përgjegjësisë dhe solidaritetit, për familjet dhe krijimin e aktivitetit të parë, plani i internetit me shpejtësi të lartë, plani shumëvjeçar për të luftuar kundër varfërisë dhe për përfshirjen sociale, reforma e kolegjit, ligji për transmetimin energjitik për një rritje të gjelbër .
Raporti është përgatitur në bazë të Ligjit të datës 13 prill 2015 për të marrë parasysh tregues të rinj të pasurisë. Ligji parashikon që, të martën e parë të muajit tetor të çdo viti, Qeveria duhet të paraqesë në parlament një raport që tregon evolucionin në një periudhë afatmesme, të treguesve të cilësisë së jetës dhe të zhvillimit të qëndrueshëm dhe një vlerësim cilësor apo sasior të ndikimit të reformave kryesore të vitit të kaluar dhe të planifikuara për vitin e ardhshëm.