Ekonomia, kjo sprovë e qeverisë…

Nga Albana Muçaj, botuar në Monitor, 31 tetor 2015

economy

Ju kujtohet arka bosh e shtetit rreth dy vite më parë?! Kishte pak muaj kur mazhoranca e majtë kishte marrë drejtimin e vendit dhe pasi bëri llogaritë e financave publike, i vuri duart kokës. Shqetësimi më i madh, sipas deklaratave publike të Kryeministrit dhe ministrave të Financave dhe të Ekonomisë, ishin pagesat e prapambetura të biznesit që kishte ndërtuar rrugë, shkolla, apo kishte furnizuar spitalet me materiale. Po bëhen gati dy vjet kur qeveria shpalli prioritet pagesën e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, por për të cilën do t’i duhej një financim i jashtëm, meqë “arka e shtetit kishte mbetur bosh”, sipas deklaratave të atëhershme publike, të përsëritura disa herë nga Kryeministri Edi Rama e shumë ministra të kabinetit. Flitej për një detyrim prej 750 milionë eurosh, të cilën qeveria po negocionte ta siguronte nga institucionet financiare ndërkombëtare. 330 milionë euro u siguruan nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pjesa tjetër nga Banka Botërore dhe një financim prej 50 milionë eurosh nga Bashkimi Europian.

Ky hap u kritikua nga shumë ekspertë të ekonomisë, të cilët e cilësuan si të nxituar e të gabuar, marrjen e borxhit për të shlyer borxh. Të gjitha kundërshtitë, ndërsa ekonomia i kishte shenjat e qarta të drobitjes nga efekti i krizës ndërkombëtare e më vonë i dy shteteve fqinje, morën një përgjigje konkrete nga qeveria. Kryeministri i vendit pati deklaruar se paratë po merren për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj biznesit, çka nuk do të sillte vetëm përmbushjen e një detyre morale të qeverisë, por edhe do t’i krijonte një frymëmarrje biznesit.

Që shlyerja e detyrimeve do të çlironte ekonominë, e përsëritën aq shumë kryeministri e ministrat, sa nuk dimë cilin është më e drejtë të kujtojmë sot. Por, ministri përgjegjës për zhvillimin e ekonomisë, dha një shifër konkrete të efektit të shlyerjes së detyrimeve. Në fillim të vitit 2014, ai theksoi në media se pas marrjes së huas, “shlyerja e detyrimeve te biznesi, do të ulte nivelin e kredive të këqija me 4 pikë përqindje, duke e zbritur nga 25% në atë kohë në 21%”. Ky u prezantua si objektivi kryesor, për të cilin qeveria në fakt nxitoi të shlyente borxhet e akumuluara në qeverisjen e mëparshme.

Por, kur kaloi një vit e gjysmë nga Marrëveshja me FMN-më, niveli i kredive me probleme (të cilat si tani, edhe atëherë cilësoheshin si pengesa kryesore e financimit të ekonomisë) vazhdoi të mbetet sa një e katërta e totalit të kredisë, pra 25%. Sot ky nivel ka rënë në gati 21%, por u desh një tjetër ndërhyrje, ajo e fshirjes së kredive të humbura nga bilancet dhe siç shihet nga grafiku i mëposhtëm, efekti filloi të duket në qershor, pikërisht kur misioni i radhës i FMN-së e largua i pakënaqur për performancën e disa treguesve të ekonomisë, çka do të pengonte disbursimin e këstit të radhës.

A dështoi qeveria në gjetjen e sëmundjes së ekonomisë shqiptare, ndërsa kryeministri fliste për një kancer të pakuruar mirë? A ishin vërtet bizneset që kishin kryer shërbime mes huamarrësve të këqij të bankave?! Të dhënat e drejtpërdrejta dhe studimet e Bankës së Shqipërisë më vonë vunë në dukje se vetëm një pjesë e vogël e këtyre sipërmarrjeve ishin debitorë të këqij. Në fund të vitit të kaluar, Banka vërente se klientët kredimarrës që përfituan nga shlyerja e detyrimeve të qeverisë në sektorin bankar kishin detyrime për rreth 4% të gjithë portofolit të kredisë së tij. Prej kësaj vlere, rreth 4.8 miliardë lekë ose 21% përfaqësojnë detyrime të pashlyera në afat që përfshin edhe kredinë me probleme. 20 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ministria e Financave jep një përgjigje diplomatike. “Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ishte në radhë të parë një detyrim ligjor i qeverisë ndaj të tretëve, përveç përpjekjes për t’i bërë financat publike të besueshme dhe të qëndrueshme”, thuhet në përgjigjen zyrtare të financave pyetur për këtë çështje. Sipas financave, efektet anësore pozitive të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura mund të shkojnë nga përmirësimi i situatës së likuiditetit të bizneseve deri te mundësia e uljes së detyrimeve të prapambetura dhe përmirësimi i kërkesës së brendshme dhe rritjes ekonomike. Kontributi në të gjitha këto drejtime nuk mund të vlerësohet me një korrelacion të thjeshtë, duke pasur parasysh numrin e madh të faktorëve që ndikojnë, p.sh. te kreditë e këqija”.

Edhe përgjigjja zyrtare e financave, konfirmon një deklarim të pranuar në takimet informale të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, me gazetarët, kur thoshte se pa këtë ndërhyrje niveli i kredive me probleme do të mund të ishte edhe më i lartë. “Frenimi i përkeqësimit të mëtejshëm të kredive me probleme gjatë procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura është një fakt tjetër që duhet vlerësuar, përveç uljes së kredive me probleme kohët e fundit”, përgjigjet zyrtarisht Ministria e Financave.

Më e hapur është përgjigjja e zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri. Drejtori i kësaj zyre, z. Reinke, ka pranuar së fundi se “është e vërtetë se qeveria dhe ne kemi shpresuar që shlyerja e detyrimeve do të ulte nivelin e kredive me probleme, çfarë nuk ka ndodhur. Unë mendoj se janë dy arsyet pse kjo nuk ndodhi: Në veçanti, ekzekutimi shumë i vështirë i kolateralit dhe mungesa e zbatimit”. Sipas z. Reinke, pamundësia e zbatimit ka të bëjë shumë me faktin përse niveli i kredive me probleme mbetet i lartë. “Risia është që qeveria ka hartuar një strategji që drejtohet nga ministri i Ekonomisë me pjesëmarrjen e drejtësisë dhe ata kanë një paketë gjithëpërfshirëse, ku futen edhe rregullat e bankës, ndryshimet rregullatore që e bëjnë më të lehtë ekzekutimin dhe likuidimin e kolateralit, gjithashtu pjesë e paketës janë edhe reformat në procesin e falimentimit të ndërmarrjeve, që shpresojmë të kenë si përgjigje uljen e nivelit të kredive me problem”, shprehet ai.

Në fakt raporti i Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë për gjysmën e parë të këtij viti, vë në dukje se problemi është edhe më i thellë. Ndërsa është shuar shpresa e uljes së kredive me probleme përmes shlyerjes së detyrimeve, edhe një nga armët e betejës së dytë kundër këtyre kredive, ekzekutimi i kolateralit, nuk po rezulton aq efektiv. Sipas Bankës, huat e humbura u rritën me gati 2 miliardë lekë në muajin gusht, duke arritur në 64 miliardë lekë. Fshirja e bilanceve ka përmirësuar disa tregues të kreditimit, ku “rritja e portofolit të kredisë gjatë periudhës ishte vetëm 0.5%, e ndikuar nga largimi prej bilancit të bankave i kredive të klasifikuara si “të humbura”, në vlerën 11 miliardë lekë. Raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë zbriti në fund të periudhës në nivelin 21%. Përmirësim të cilësisë ka shënuar kredia në lekë dhe në valutë, si për biznese ashtu dhe për individë. Banka vëren se pavarësisht disa zhvillimeve pozitive, rreziqet mbeten të pranishme, dhe konkretisht: a) niveli i raportit të kredive me probleme konsiderohet ende i lartë. Dinamika e ecurisë së kredive me probleme gjatë periudhës është reflektuar në rritjen e provigjioneve për rrezikun e kreditit nga ana e sektorit bankar. Kolateralizimi i lartë i kredive me probleme iu jep mundësi bankave të rikuperojnë vlerën e saj, por përqendrimi i formës së kolateralit te “pasuria e paluajtshme”, si dhe ineficiencat e funksionimit të atij tregu gjatë ekzekutimit të detyrimit (kolateralit), e ndërlikojnë procesin dhe e bëjnë atë të pasigurt.

Por, “lepuri” fle edhe diku tjetër. Ekspertët financiarë paralajmërojnë se kreditë me probleme do të vijojnë të mbeten të larta për sa kohë huadhënia nuk do të rritet. Madje edhe kreditë e humbura mund të vijojnë të rriten, pasi vlerësohet se një pjesë e kredisë me probleme rrezikon të bëhet “e humbur”. Nga raporti i bankës duket se kreditë me probleme, janë shumë më të lidhura e në varësi të gjendjes ekonomike të vendit, se sa mungesa e shlyerjes së detyrimeve publike ndaj privatit. Banka vëren në raportin e saj se, “nevoja për një rritje më të shpejtë ekonomike evidentohet si një faktor i rëndësishëm nga bankat për zgjerimin e ndërmjetësimit financiar. Për këto arsye, oferta dhe kërkesa për kredi mbeten nën potencialin e tyre, duke nxjerrë në pah vështirësitë që ndikojnë në procesin e zgjidhjes së kredive me probleme”.

HUAT-ME-PROBL

Crown Agents…

Kompania konsulente britanike Crown Agents parashikonte në fund të 2013-s të rriste të ardhurat doganore sa 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo nuk u deklarua vetëm në konferencën e prezantimit të kompanisë nga Kryeministri Rama, por është e shkruar edhe në shtojcat e publikuara në Fletoren Zyrtare. Më saktë, “një rritje prej 1% në vit në nivelin e të ardhurave doganore të mbledhura nga administrata doganore, shprehur si përqindje e PBB-së”. Në vitin e parë të punës së saj, të ardhurat doganore u rritën 0.4%, ndërsa ishte shënuar edhe rritja e parë e taksave. Sërish në takime informale, ministri i Financave, shpresonte se të paktën vitin e parë rezultati do të ishte pozitiv, pasi doganierët e prirë për shkelje, nuk do të mund të gjenin gjuhën e përbashkët me punonjësit e kompanisë britanike. Ndoshta doganierët tanë nuk e mësuan asnjëherë anglishten, por sigurisht që Crown Agents nuk arriti të mësojë shqip, duke e humbur busullën e punës së saj. Inspektimet në pikat doganore nuk sollën më shumë të ardhura, ndaj këtë vit, Crown Agents gjendej shpesh në tregjet informale të duhanit e pijeve. Në mars, kompania njofton mbjelljen e disa pemëve në kuadër të përgjegjësisë sociale në Lushnjë, ndërsa në fillim të shtatorit ishte në tregun informal të Elbasanit. Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, nga ky aksion u sekuestruan 740 kilogramë duhan, dhe u dërguan për procedim tregtarët informal.

Rezultatet e diskutueshme të kompanisë që i kushton buxhetit 4.1 milionë euro në vit, vunë në pikëpyetje rinovimin e kontratës së Crown Agents. Kjo mjaftoi që drejtuesi i saj të reagojë, për të mbrojtur punën e shoqërisë, e njëkohësisht për të treguar se ku mund të çalojë problemi. Në një deklaratë zyrtare të këtij muaji, drejtori i Programit David Smith, shprehet se “gjatë 20 muajve të parë të programit kemi identifikuar mbi 3500 raste evazioni fiskal apo lloje të tjera mashtrimesh në dogana – çka do të thotë mbi 180 raste çdo muaj. Vetëm në 8 muajt e fundit, identifikuam 13 milionë euro të ardhura të cilat në të kundërt nuk do të ishin mbledhur dhe nëse disa prej shkeljeve të rënda do të hetohen siç duhet, kjo shifër mund të dyfishohet shumë lehtë brenda fundit të këtij viti”. Për sa i përket zbatimit të ligjit, ai nënvizon se, “shkalla e zbulueshmërisë së grupeve tona është 25%, krahasuar me 1% e stafit të administratës doganore përgjegjës për kufijtë dhe zbatimin e ligjit. Ky është një tregues i qartë i nivelit të vazhdueshëm të moszbatimit të ligjit nga tregtarët.

Smith thotë se, “kemi identifikuar 80 raste të verifikuara korrupsioni dhe shpërdorimi brenda doganave, si dhe kemi mbështetur administratën doganore për procedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të këtyre individëve”.

Në një letër e mirëkuptimi drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria e Shqipërisë pranonte se puna e Crown Agents nuk kishte dhënë rezultat. “Rritja e madhe e të ardhurave e pritur në kohën e nënshkrimit të kontratës nuk është realizuar ende”, thuhet në letrën e qeverisë për FMN-në, e cila deklaronte se gjithsesi kishte vendosur të vijonte me konsulencën e kësaj kompanie.

Rritja e konsumit, dështimi i radhës…

Pikëpyetjet mbi konsumin filluan të vihen shpejt, ndoshta që kur qeveria e Banka e Shqipërisë thanë se motori i rritjes ekonomike për këtë vit do të ishte rritja e konsumit të brendshëm. Por, raporti i fundit i stabilitetit financiar thotë se, “konsumi final i popullsisë dhe ai i qeverisë shënuan rënie në terma vjetorë, ndaj rritja ekonomike reflekton kryesisht ecurinë pozitive të investimeve (mbështetur nga fluksi i Investimeve të Huaja Direkte) dhe përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve tregtare me vendet e tjera”. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, pati theksuar se nuk do të përbënte problem nga do të vinte rritja, ndërsa bankat nuk e shohin kështu. Për sa kohë nuk do të ketë rritje të konsumit, as individët e as bizneset nuk do të kërkojnë kredi, e nuk do të nxisin prodhimin. E kemi përmendur tashmë që Banka e Shqipërisë pranoi se ra konsumi në tremujorin e parë të vitit, pas angazhimit të familjeve e bizneseve për të paguar detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike. Shumë ekonomistë, madje edhe guvernatori Gent Sejko, janë të sigurt se edhe lufta ndaj informalitetit do të ulë konsumin, ndonëse ministri Cani nuk e pranoi këtë fakt në një konferencë për shtyp zhvilluar në shtator. Shqetësimi i një grupi ekspertësh, përfshirë edhe ata të zyrës së Bankës Botërore në vendin tonë, është se ndërsa do të godasë përkohësisht konsumin përmes aksioneve antiinformalitet, qeveria nuk ka politika sociale të mjaftueshme për të mbrojtur shtresat në nevojë. Arben Malaj, ish-ministër i Financave, ka vlerësuar me shqetësim të gjithë aksionin kundër informalitetit, duke theksuar disa herë së fundi se “duhet pasur kujdes me reformat radikale, pasi ato prekin shtesën në nevojë”. Sipas tij, reformat duhen shoqëruar edhe me politika sociale. Ai është i mendimit se “kur ka krizë, nuk është momenti për masa drastike”, duke vlerësuar se kështu vetëm sa përkeqësohet gjendja.

Pas një çerekshekulli ekonomi tregu, reformat në një ekonomi të zhvilluar kuturu janë të domosdoshme, por duket se nuk është ky momenti i duhur e nuk u zgjodhën mjetet e duhura. Pas rritjes së taksave, u ashpërsuan masat adiministrativo-penale, duke siguruar një rezultat të kundërt nga sa priste qeveria apo edhe institucionet e huaja financiare.

Nga katedrat e Fakultetit të Ekonomisë së Tiranës, thuhet se nuk do të ishte e vështirë të kuptohej më parë që këtë vit nuk do të kishte rritje kërkese. Inflacioni i “fjetur” prej kohësh nën objektivat e Bankës së Shqipërisë, ndërsa asnjë hap tjetër në ekonomi nuk po shërbente si katalizator, paralajmëronin kërkesë të dobët nga blerësit.

Po me eksportet ç’patëm?!

Në seancën plenare të 23 shtatorit, Kryeministri Edi Rama, ndërsa parashtroi masat që kishte në plan të merrte ndaj evazorëve dhe sipërmarrësve informalë, listoi një sërë arsyesh, përse të ardhurat nuk përputheshin me planin. Mesazhi përfundimtar, është që “ky nuk faji ynë”, duke prezantuar të gjithë faktorët e jashtëm negativë sipas kryeministrit.

Kryeministri Rama tha në Kuvend, se, “së pari rënia drastike e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka pasur ndikim në rentën minerare e disa taksa. Së dyti mungojnë të ardhura për shkak të uljes së importit të energjisë pasi u rrit prodhimi. Të ardhurat nga prodhimi kërkojnë një kohë më të gjatë. Së treti, modeli ynë ekonomik ka imponuar një sërë masash lehtësuese për biznesin, duke hequr dhe duke lehtësuar taksat për importin e makinerive dhe lëndëve të para për të prodhuar sa më shumë në vend. Kjo mangësi do të rikuperohet. Së katërti, ulja e depozitave solli sërish ulje të të ardhurave. Por, ulja e normave të interesit ka sërish efekt pozitiv në ekonomi. Së pesti, ulja e konsumit të duhanit dhe shtimi i prodhimit të brendshëm solli uljen e të ardhurave nga akciza nga dogana dhe një sërë faktorësh të tjerë”. E nëse këto ju duken fjalë që i merr era, z. Rama solli vlerat konkrete për çdo zhvillim. “1.3 miliardë lekë mungojnë, sipas tij, për shkak të uljes së importit të energjisë elektrike. 1.2 miliardë lekë mungojnë për shkak të uljes së normave të interesit. 730 milionë lekë mungojnë për shkak të lehtësirave fiskale në importin e makinerive e lëndëve të para. 500 milionë mungojnë nga importi i ushqimeve, 2.2 miliardë lekë munguan nga rimbursimi automatik i TVSH”. Sipas tij, “2 miliardë lekë munguan për shkak të rritjes më të ulët të inflacionit, rritjes së çmimeve që, edhe pse e parashikuam, nuk u vërtetua”. Qeveria kishte parashikuar inflacion 2.5%, ndërsa niveli mesatar ishte 1.3%.

Më pak rritje çmimi, më pak të ardhura në TVSH, e kjo është ndër të paktat dështime në parashikim, sipas profesorëve të Fakultetit të Ekonomisë. Ata kujtojnë se ekonomia e vendit ishte sinjalizuar prej vitit të kaluar se çmimi i metaleve, mineraleve, e naftës do të ishte në ulje. Për më tepër, ulja e eksporteve nuk do të vinte vetëm nga ulja e çmimit në tregjet e huaja. Kompanitë e nxjerrjes së mineraleve theksuan që në fillim të vitit se nuk ishin të motivuar të eksportonin sasi të mëdha. Për kompaninë e bakrit “Beralb” prej shtatorit, eksporti nuk përbën më aspak interes. A nuk duhej të ngrinin disa pikëpyetje ekspertët e ekonomisë në administratën publike, kur duhej të krijohej një pritshmëri e eksporteve?! Llogaria do të ishte e thjeshtë, kur peshën kryesore, rreth 40% të eksporteve e zënë metalet, mineralet e lënda djegëse.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksporti vjetor i këtij grupi mallrash në periudhën janar-gusht ra gati 24%, ndërsa eksportet në tërësi ranë gati 4%. Ulja e çmimeve në tregje u pasqyrua edhe me rënie të importeve, por lektorët e Fakultetit të Ekonomisë, mendojnë se edhe këtu duhen ngritur disa pikëpyetje të domosdoshme. A erdhi e gjitha nga ulja e çmimeve, apo pati edhe rënie reale të kërkesës në tregun e brendshëm. Sipas INSTAT-it, si rrallë ndonjëherë, kemi vlerë negative të importeve. Për të njëjtën periudhë ato ranë 0.6%.

Të ardhurat, optimizëm i tepruar, evazion apo të dyja bashkë

Qeverisja e majtë dështoi me sukses edhe në pretendimin e saj për të mos e arnuar buxhetin në mes të vitit. Një vit më parë, nuk mbeti aktivitet ekonomik, apo takim ku të mos thuhej, që buxheti u rishikua në rritje, për herë të parë pas shumë vitesh. Pa u ndalur në detaje, nëse rritja ishte reale apo jo, zyrtarisht qeveria e “varrosi” këtë mburrje me Aktin Normativ të fundit të korrikut 2015. Një ditë para se të niseshin me pushime, financat ulën planin e të ardhurave, e detyrimisht edhe të shpenzimeve me 16 miliardë lekë. Por, sërish ministri i Financave, Shkëlqim Cani, nuk do të bënte gjumë të qetë. Kjo ulje nuk mjaftoi. Na e thonë të ardhurat në gusht e shtator, që vijuan të krijojnë një gropë të re. Sipas të dhënave të fundit fiskale për nëntëmujorin, të ardhurat në total janë 6.9 miliardë lekë më pak se plani i ri (më modest) i qeverisë, duke na paralajmëruar, se me një tjetër Akt Normativ, qeveria do ta ulë sërish stekën e pretendimeve të saj. Ish-këshilltar ekonomik në qeverisjen e mëparshme, Selami Xhepa, është i sigurt që me këtë ecuri, “buxheti do të ulet sërish në nëntor apo në dhjetor”. Edhe realizimin e investimeve publike poshtë planit, z. Xhepa e shikon në shërbim të këtij hapi të pritshëm. Sipas tij, “investimet nuk po realizohen, në pritje të ndonjë shkurtimi tjetër të mundshëm të të ardhurave”. Në fakt, rreziku që plani i të ardhurave do të duhej të ulej sërish duket se qarkullonte prej kohësh mes ekonomistëve të financave. Qeveria jo zyrtarisht pranohet se është përgatitur të mos arkëtojë edhe 9 miliardë lekë të tjera nga objektivi i saj, e për këtë ka bërë edhe një prioritizim të investimeve publike. Ekspertë financiarë jashtë qeverisë theksojnë se pretendimet e të ardhurave ishin të larta që në fillim të vitit lidhur ngushtësisht me planin e rritjes ekonomike 3%. Sipas tyre, të ardhurat nuk pritet t’i kalojnë 3 miliardë lekë më shumë se të ardhurat e siguruara një vit më parë. Ata mendojnë se ekonomia nuk po reagon, ndërsa nuk përjashtojnë faktin se taksat rritën evazionin e kontrabandën. Sipas tyre, hendeku më i madh tek akciza e naftës e cigares ka ardhur nga kontrabanda. Asnjë nuk e beson se konsumi e rrjedhimisht sasia e importuar ra me vlera dyshifrore, aq sa ra akciza.

Upss, harruam punësimin…

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë vitit 2014 punësimi është rritur 1.3% duke arritur në 1.037 milionë persona. Ky është viti i plotë kalendarik ku mund të pritej realizimi qoftë edhe i një pjese të premtimit të së majtës, për hapjen e 300 mijë vendeve të punës gjatë mandatit të parë qeverisës. Por gjatë 2014-s, shkalla e papunësisë u rrit me ritme më të shpejta se ajo e punësimit, duke u rritur me 1.5%. Numri i të papunëve arriti në 219.797 persona. Ekspertët mendojnë se punësimi është plaga reale e ekonomisë sonë. Me ardhjen në pushtet, në gjysmën e dytë të vitit, numri i të siguruarve në punë u rrit me 80 mijë persona, e falë luftës ndaj informalitetit, edhe në gjysmën e dytë të këtij viti në statistikat zyrtare do të kemi më shumë të punësuar. Por, profesor Adrian Civici, kujton se në aktivitetin real të ekonomisë, masat drastike të luftës ndaj informalitetit do të sjellin më shumë të papunë. Disa dyqane në kryeqytet vijojnë të mbeten të mbyllur edhe pas më shumë se një muaji nga aksioni i tatimorëve. Sipas z. Civici, kjo tregon se sipërmarrësit e disa dyqaneve të vogla kanë punuar sa për të siguruar mundësinë e të ardhurave për vetëkonsum. Por, me llogaritë e reja, ata nuk e kanë parë më të leverdishme të ushtrojnë aktivitetin.

Përpjekjet e qeverisë në hapjen e vendeve të reja të punës, duken të dështuara sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, të cilat tregojnë se papunësia ka ardhur në rritje. Në fund të qershorit, papunësia rezultonte 17.3%, ndër nivelet më të larta të këtyre viteve.

Debatet e mëdha për afera korruptive e kanë lënë në hije problemin e përditshëm të shqiptarëve, të cilët ose janë të papunë, ose paguhen me vonesë në pothuajse të gjitha sipërmarrjet private. Do të thonim që të vetmit që nuk po vuajnë janë punonjësit shtetërorë, por një pjesë e mirë e tyre, inspektorët e kontrollit apo një pjesë e administratës publike punojnë me orë të zgjatura e në ditë pushimi, pa u paguar për këtë pjesë. A mjafton puna vullnetare për ta nxjerrë ekonominë nga balta?

ECURIA-SHKALLA-PAPUNSISE

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi