Kriza politike si krizë kushtetuese

Nag Fabian Zhilla, botuar në Panorama, 29 tutor 2015

fabian-zhilla-vkNë përgjithësi të gjitha problemet e keqqeverisjes i atashohen performancës së dobët të Ramës si Kryeministër apo ministrave të tij. Megjithëse ky konstatim mbart një të vërtetë, ai nuk është i plotë për të kuptuar shkakun e vërtetë të krizës qeverisëse që më pas përkthehet në krizë ekonomike dhe politike. Në fakt, një ndër burimet kryesore të krizës qeverisëse sot është kriza kushtetuese. Konstitucionalizmi në Shqipëri ka rënë de jure që me ndryshimet e Kushtetutës së vitit 2008, dhe rrezikon të thellohet me ndryshimet kushtetuese që priten të ndodhin së shpejti. Pra, ka rënë ajo që në konceptin juridik njihet si legjitimiteti kushtetues. Rama në një mea culpa premtoi që do ta risjellë legjitimitetin politik në garancitë kushtetuese të Kushtetutës së vitit 1998 dhe kjo nuk po ndodh.

Është e vështirë që Kryeministri të ngrejë alibi për mospasjen e votave të duhura në Parlament për ta bërë këtë akt të nevojshëm, i cili do të garantonte dhe reformën e nisur në sistemin e Drejtësisë. Do të ishte shumë e vështirë të kuptohej se si reforma në Gjyqësor do të realizohej e pacenuar nga pushtetet e tjera, nëse Kushtetuta aktuale nuk arrin t’i ofrojë garancitë kushtetuese në balancimin e pushteteve.
Një krizë e kontrollit dhe balancimit të pushteteve shfaqet në përgjigjen që është menduar t’i jepet të njëjtit problem që kanë Legjislativi dhe Gjyqësori. Zgjidhja për dekriminalizmin e Legjislativit është menduar të bëhet me një ligj të cilin akoma nuk e kemi, kurse për reformën në Drejtësi janë menduar rreth 50 amendime të Kushtetutës.

Pra për institucionin që bën ligje problemi zgjidhet me një ligj, kurse për institucionet që interpretojnë ligjet, janë menduar 50 nene kushtetuese dhe riformatim i pothuajse të gjitha institucioneve që lidhen drejtpërsëdrejti me kontrollin administrativ të Gjyqësorit dhe
Prokurorisë. Kjo përgjigje disproporcionale vjen në momentin që garancitë kushtetuese të të dy pushteteve (Legjislativi dhe Gjyqësori) janë sot shumë të brishta përballë Ekzekutivit. Nëse Kushtetuta nuk e garanton dot këtë balancë pushtetesh, ajo ka dalë jashtë funksionit dhe është në krizë. Dhe problem më i madh është mungesa e kontrollit efektiv kushtetues të Ekzekutivit.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe ligjit zgjedhor shkatërruan kontrollin e brendshëm dhe të jashtëm ndaj Kryeministrit dhe qeverisë së tij. Këto ndryshime prodhuan qeveri dhe kryeministra të ligjshëm, por jo legjitimë. Legjitimiteti kushtetues është njohja dhe legjitimiteti e autoritetit qeverisës në mënyrë direkte dhe indirekte nga shoqëria nëpërmjet votës ose diskursit publik. Kurse ligjshmëri do të thotë të qeverisësh nëpërmjet ligjit, por jo në mënyrë legjitime. Kur legjitimiteti ndeshet me ligjshmërinë, legjitimiteti kushtetues ka rënë dhe si rrjedhim ka rënë kushtetutshmëria e qeverisjes. Kjo e fundit është garancia për ndalimin e autoritarizmit. Rënia e konstitucionalizmit bie kur bie mundësia për të kontrolluar legjitimitetin e qeverisë dhe kjo bëhet nga kontrolli i brendshëm politik dhe ai i jashtëm. Kontrolli i brendshëm politik është ai partiak.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor në vitin 2008 ndryshuan sistemin zgjedhor nga një sistem miks në një sistem proporcional me lista të mbyllura. Ky sistem eliminoi meritokracinë brenda partisë dhe si rrjedhim u rrit pushteti i Kryeministrit te deputetët e dalë nga partia e tij, apo maxhoranca në rastin e shumicës. Pra deputetët nuk zgjidhen nga populli, por zgjidhen nga kryetari i partisë dhe vetëm miratohen nga vota popullore. Sot kemi një Parlament që më shumë i ngjan Ekzekutivit sesa Legjislativit, një Parlament të emëruarish nga kryetarët e partive dhe jo një Parlament të zgjedhurish nga populli. Kaq të frikësuar ishin kryetarët e partive sa, përveç mekanizmit të listave të mbyllura, eliminuan edhe kontrollin e jashtëm ndaj qeverisë ose kontrollin e Legjislativit ndaj Ekzekutivit.

Me ndryshimet kushtetuese të 2008-s ra kontrolli i Parlamentit ndaj qeverisë. U dobësuan mocionet e mosbesimit si të shumicës, edhe të pakicës. Sipas ndryshimeve të 2008-s, propozimi për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit dhe qeverisë së tij, është bashkuar me propozimin për Kryeministrin e ri. Bashkimi i të dy proceseve, krejtësisht të ndarë para ndryshimeve kushtetuese, në një të vetëm, në fakt, e neutralizon mocionin e mosbesimit si mekanizëm parlamentar për të rrëzuar një qeveri.Këto ndryshime dobësuan edhe kontrollin brenda Ekzekutivit, atë të Presidentit të Republikës ndaj procesit të zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës së vitit 1998, nga 7 anëtarë që kishte KQZ, dy zgjidheshin nga Presidenti, 3 nga KLD dhe vetëm 2 nga Parlamenti.

Pas ndryshimeve të 2008-s ndikimi i Presidentit në zgjedhjet politike u eliminua. Jo vetëm kaq, por u dobësua dhe pozita e tij politike dhe institucionale përballë qeverisë dhe Legjislativit. Presidenti, nga një institucion konsensual që garanton unitetin politik në reformat themelore, është transformuar në një “agjenci” të forcës politike që e emëron. Prishja e formulës së Kushtetutës së vitit 1998 dëmtoi garancitë ndaj një qeverisjeje pa kontroll, dëmtoi legjitimitetin. Kjo është një ndër arsyet kryesore të krizave qeveritare të pas vitit 2008 dhe sidomos të kësaj qeverie.

Vështirësia qëndron se edhe reforma në Drejtësi nuk ka marrë fare në konsideratë të përmirësojë mekanizmat e kontrollit ndaj Ekzekutivit. Kjo e fundit është fokusuar vetëm në rritjen e përgjegjshmërisë së Gjyqësorit dhe Prokurorisë. Në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, reforma aktuale në Drejtësi është një hap tjetër drejt rritjes së pushtetit të Ekzekutivit ndaj një pushteti tjetër, siç është ai Gjyqësor. Në këtë kuptim, kriza e kësaj qeverie dhe qeverive në vazhdim do të vazhdojë për sa kohë pushteti i Ekzekutivit vazhdon të fuqizohet në kurriz të Legjislativit dhe Gjyqësorit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi