Një instrument inovativ për zhvillimin ekonomik
Nga Klodian Muço, botuar në Shqip, 27 tetor 2015
Në vitet e liberalizimit dhe inovacionit financiar, që më vonë shkaktuan krizën e kredive subprime, pati një mutacion gjenetik të industrisë bankare si pasojë e krijimit të instrumenteve financiare (derivatët) e që bënë të mundur kalimin e riskut të kredive nga banka te subjektet e treta (njerëzit). Kartolarizimi i kredive transformoi raportet ndërmjet debive dhe kredive, në tituj që negocioheshin në mënyrë liberale në tregjet financiare globale, duke dhënë iluzionin se risku në marrëdhënien debitorë-kreditorë bëhej minimal si pasojë e funksionimit të tregjeve financiare të liberalizuara dhe, në të njëjtën kohë, kjo do të garantonte akses më të lirë për marrjen e kredive. Kjo gjë nuk ndodhi, e për pasojë, ky mekanizëm shërbeu si katalizator i krizës financiare më të madhe në histori, pas asaj të viteve 1929-1933. Kriza në periudhën 1929-1933, siç e dimë të gjithë u zgjidh falë këshillave të Keynes. Ky i fundit, në korrik të vitit 1944, në konferencën e Bretton Woods prezantoi një projekt që do të mundësonte autonominë e politikave monetare të brendshme, duke krijuar në të njëjtën kohë mundësitë për një zhvillim ekonomik ndërkombëtar të harmonizuar, falë kompensimit multilateral të debive dhe kredive tregtare, të vendeve që aderonin në Clearing Union. Të njëjtët mekanizma funksionimi, të parashikuar nga plani i Keynes, mund të përdoren edhe në nivel lokal për të realizuar një monedhë komplementare me atë kombëtare.
Ishte kjo ideja bazë që frymëzoi projektin e realizimit të monedhës komplementare në qytetin e Nantës, një sistem kompensimi ky, në rrugë elektronike, të bazuar në krijimin e një monedhe “të shkruar” që përdorej vetëm si njësi llogarie, projekt ky i dëshiruar nga J. M. Ayrault, kryeministër i qeverisë socialiste (2012-2014), nën qeverisjen e F. Hollande. Bashkëpunues në këtë projekt kanë qenë edhe dy ekonomistët italianë, M. Amato e L. Fantacci të Universitetit të Bocconi-t.
Ayrault, për t’i bërë ballë mbylljes së kantiereve detare në vitet ‘90 nisi disa praktika në qeverinë lokale që ai drejtonte, me idenë e rivlerësimit të territorit dhe të burimeve të tij, në të cilin banojnë rreth 600 000 banorë dhe punojnë afërsisht 45 000 biznese, ku pjesa më e madhe e tyre janë SME të orientuara drejt eksporteve.
Projekti i Nantes, i inspiruar nga Clearing Union i Keynes-it, nuk u bazua në vizionin neoliberal, por në principin e realizimit të një sistemi kredish kooperative, i cili nuk është i mundur pa pjesëmarrjen dhe akordin e të gjithë aktorëve që marrin pjesë. Gjithashtu, ndryshe nga plani Keynes-it gjejmë bizneset lokale në vend të shteteve.
Në vend të kredive dhe debive të maturuara për efekt shkëmbimesh në të mira dhe shërbime në nivel ndërkombëtar gjejmë ndërmarrje që operojnë brenda një territori. Pra, ҫdo transaksion tregtar ka një veprim kontabël: nga një anë kemi një kredi të regjistruar për ndërmarrjen shitëse, ndërsa, nga ana tjetër, një debi ekuivalente e regjistruar për llogari të ndërmarrjes blerëse. Këto transaksione prodhojnë raporte kredie dhe debie brenda një dhome kompensimi.
Për ta shpjeguar më qartë: funksionon njësoj si kleringu në Shqipëri vetëm se ndryshe nga këtu ndërmarrja shitëse mund ta përdorë kredinë e vet që njihet ndryshe si monedhë komplementare lokale për të blerë në çdo moment të mira dhe shërbime brenda dhomës së kompensimit, pra nga ato ndërmarrje që janë pjesëmarrëse kanë marrë pjesë në këtë sistem. Të njëjtën gjë mund të bëjë ndërmarrja blerëse për të ripaguar borxhin. Në çdo moment rezultati komplesiv i Clearing Union është i barabartë me zero. Suksesi i kësaj skeme presupozon që në nivel lokal mund të vendosë në lëvizje ekonominë pa shkuar në bankë e pa paguar interesa për kreditë e marra.
Skema e kompensimit implikon një konvergjencë drejt barazimit të bilancit të të gjithë operatorëve, duke krijuar kështu një natyrë kooperative ndërmjet raporteve të debive dhe kredive, ndërmjet ndërmarrjeve që bëjnë pjesë. Mbajtja e sistemit në këmbë është e garantuar nga fakti që çdo njësi e llogarisë lokale, nuk mund të jetë e konvertuar në euro, por mund të shpenzohet vetëm në dhomën e kompensimit. Kjo skemë kompensimi ndërmjet debive dhe kredive u ofron një sërë avantazhesh ndërmarrjeve pjesëmarrëse.
Avantazhi që kanë ndërmarrjet, që aderojnë në dhomën e kompensimit, konsiston në mundësinë për të marrë likuiditet të krijuar në funksion të ritmit të shkëmbimeve në nivel lokal, pa marrë në konsideratë vlerësimet që duhet të bëjë banka nëse është në gjendje kjo ndërmarrje që të kthejë borxhin apo jo. Pra, ndërmarrja ka mundësi financimi të të gjithë kapitalit të vet qarkullues pa vajtur fare në bankë dhe për më tepër ky kapital është aq i madh sa gjithë shkëmbimet që bën ajo me ndërmarrjet e tjera lokale. Në kompleks shkëmbimet ndërmjet SME-ve në një farë mënyre luajnë rolin e huave ndërbankare, pa harruar këtu koston shumë të ulët, të cilën e përmenda edhe më lart.
Për të konkluduar mund të them se ky është një studim shumë i gjerë dhe përveç Nantës ka pasur sukses edhe në shumë qytete të Italisë, Gjermanisë, Zvicrës etj. Unë mendoj se mund të ishte me shumë interes për t’u aplikuar edhe në Shqipëri, pasi kemi mjaft sektorë të ekonomisë të paralizuar nga mungesa e likuiditetit, siç mund të jetë ndërtimi apo edhe agrikultura