Kosova firmos Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit
Sips mediave, 27 tetor 2015
Kosova nënshkroi sot në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Marrëveshja u firmos nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zv/presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogheri. Pjesë e nënshkrimit ishte edhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.
Kjo marrëveshje është cilësuar si e një rëndësie historike për integrimin, politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës ne Bashkimin Europian.
Vetë kryeministri Mustafa ka theksuar se me këtë marrëveshje përkufizohet edhe territori i Republikës së Kosovës, në të cilin zbatohen rregullat e Bashkimit Europian. Ky nënshkrim vjen vetëm një javë pas votës historike që i hapi rrugën Kosovës për t’u anëtarësuar për në UNESCO, anëtarësim i cili pritet të finalizohet më 9 nëntor. Po ashtu, MSA-ja vjen në kohën kur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një çështje shumë e diskutuar në hollët e kancelarive europiane.
Marrëveshjen e përshëndeti zëvendëskryeministri Hashim Thaçi me një postim në “Facebook”: “Kosova sot po bën hapin më të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nënshkrimi i MSA-s është një dëshmi e suksesit të shtetit të Kosovës dhe e përkushtimit tonë për vlera evropiane. Kjo marrëveshje kontraktuale përmban obligime të dyanshme: Zotim të Kosovës për reforma dhe zotim të BE-së për të na ndihmuar shumë më shumë në këtë proces, deri në përmbushjen e perspektivës evropiane”.