Kriza e refugjatëve e bën urgjent integrimin në BE

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama, 26 tutor 2015

rexhep_meidani_1682-473x266Bashkimi Evropian (BE) si synim madhor për Ballkanin Perëndimor (BP) ka ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe në prosperitet, bazuar në një shoqëri demokratike e qeverisje mirëfunksionuese. Ky vizion u përfshi në përfundimet e Këshillit Evropian, më 1997, ndërsa, më 1999, u konceptua për të dhe i ashtuquajturi Proces Stabilizimi e Asocijimi (PSA). Aty sqarohej dhe mundësia e anëtarësimit të vendeve të BP-së në BE me plotësimin e kritereve të Kopenhagenit. Në këtë proces, ky synim integrues i Këshillit Evropian u manifestua qartë në Samitin e Selanikut (2003). E njëjta vendosmëri për zgjerimin e BE-së drejt BP-së u afirmua dhe në dhjetor 2006.

Krahas instrumenteve politikë të mbështetur në PSA, Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë (PPJS), Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PPSM), me tepër rëndësi e peshë ka qenë në këtë proces edhe asistenca financiare (nëpërmjet mekanizmit të asistencës para-integrimit). Madje, në këtë kuadër, çdo vjeshtë, Komisioni Evropian adopton për secilin vend raportet e strategjisë së zgjerimit dhe atë të progresit. Kështu, nën ombrellën e PPSM-së, BE-ja luan një rol të rëndësishëm në stabilizimin e Bosnjë-Hercegovinës me anë të një misioni ushtarak (EUFOR/Althea), kurse në periudhën (2003-2012) ka pasur aty dhe një mision policor (EUPM). Ndërsa, në Kosovë, BE-ja ka një mision të vetin në mbështetje të autoriteteve të Kosovës në forcimin dhe zbatimin e ligjit (EULEX).

Misione të tipit PPSM janë vendosur në periudha të caktuara dhe në Maqedoni. Sot jemi në situatën kur Mali i Zi dhe Serbia i kanë nisur negociatat për anëtarësim, Maqedonia e Shqipëria janë vende kandidate, kurse Bosnja-Hercegovina e Kosova janë kandidate potenciale. Pra, ka një vonesë në procesin e integrimit të BP-së, madje këtë po e vuan sot edhe vetë BE-ja në menaxhimin e krizës së refugjatëve në kufijtë e saj jugor e juglindor.

Kriza e refugjatëve. Vendet fqinje dhe të transitit
Në përgjigje të krizës siriane, por dhe vetë krizës së refugjatëve, krahas përpjekjeve të natyrës politike e diplomatike, me rëndësi janë aktualisht dhe ato me natyrë financiare e teknike në mbështetje të vendeve të tilla, si Jordania, Libani e Turqia apo vendeve transit në BP. Për këtë qellim u mbajt, më 8 tetor, në Luksemburg konferenca ndërkombëtare e titulluar: “Korridori (Rruga) Mesdhe Lindor- Ballkan Perëndimor”. Në fokus të konferencës ishte emigracioni në rritje prej Lindjes së Mesme dhe pasojat e tij humanitare në korridoret detare e tokësore, përfshirë dhe atë të BP-së.

Mbi të gjitha, aty u kërkua një angazhim më i madh dhe i gjithanshëm mbështetur në solidaritet dhe menaxhim të rregullt të këtij fluksi. Aq më tepër që shqetësimet e krijuara në administrimin e kufijve dhe në sistemin e azilit, apo dhe sfidat e ndryshme në fushën e sigurisë brenda BE-së, janë bërë tepër serioze! Në konferencë u trajtuan dhe shkaqet e rrënjët e krizës së refugjatëve nisur nga Siria, por jo vetëm prej saj. Krahas nevojës për zgjidhje politike, një çështje me rëndësi ishte dhe ajo e kthimit në kushte sigurie të refugjatëve apo personave të zhvendosur brenda vendit. Nuk u lanë aty jashtë vëmendjes dhe përpjekjet për normalizim e stabilizim në Afganistan e Irak.

Por një çështje tjetër e trajtuar në konferencë ishte dhe problemi i mbështetjes së vendeve fqinje si Turqia, Jordania e Libani, në përballje të parë dhe administrimin e këtij fluksi prej disa miliona njerëzish. Por shqetësime të konsiderueshme po shfaqen dhe në disa vende të BP-së, nëpërmjet të cilëve po kalojnë flukset e refugjatëve. Ata kanë nevojë për asistencë humanitare e legale, ndihma materiale, shëndetësore, psikologjike etj.; apo, në përgjithësi, një mbështetje më të detajuar të BE-së në planin financiar e teknik.

“Unazë miqsh” apo “unazë zjarri”
Ndryshe nga zgjerimi i suksesshëm i vendeve ish-komuniste të Evropës Qendrore e Juglindore, Politika Evropiane e Fqinjësisë (2003) e aplikuar për 16 vende, nga Kaukazi në Sahara, në saje të konflikteve të vazhdueshme dhe fluksit të refugjatëve nuk pati ato rezultate të projektuara. Kështu, sot, BE-ja, në vend të rrethimit nga një “unazë miqsh” është rrethuar prej një “unaze zjarri” (Carl Bildt). Në fakt, si përgjigje ndaj mbështetjes monetare, asistencës teknike e përfshirjes në treg (por jo anëtarësimin në BE), 16 vendet fqinje të BE-së duhej të adoptonin norma evropiane demokratike, administrative e ekonomike.

Por, siç shihet, ky stabilizim e demokratizim i periferisë së jashtme të BE-së nuk u arrit dot. Kjo dhe në saje të forcave të tjera jashtë kontrollit të Brukselit; konkretisht: 1) Reagimit rus pas kolapsit të BRSS (në pesë vendet: Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji, Armeni e Azerbajxhan, “konfliktet e ngrira” janë një pengesë serioze në stabilizimin dhe zhvillimin e tyre demokratik; dhe në këto konflikte Moska ka rolin e saj të dorës së parë, kurse vendi i gjashtë: Bjellorusia është thjesht një satelit i saj); 2) Moskuptimeve e deformimeve në proceset demokratike apo luftës politike e sektare në Lindjen e Mesme, përfshirë dhe të ashtuquajturën “Pranverën Arabe”, që jo vetëm ishte e papërgatitur, por dhe u shndërrua gradualisht në një “Dimër Arab” (Tzipi Livni).

A mund të vazhdohet me këtë përafrim?
BE-ja me politikën e saj të fqinjësisë ofronte shumë pak për kushtëzimet e saj të skajshme. Ato nuk parapëlqeheshin nga udhëheqësit autoritarë të këtyre vendeve fqinje dhe oligarkët lokalë, të përzier keqas me klasën politike. Në fakt, ata kërcënoheshin nga një proces i tillë! Nga ana tjetër, rregullat dhe kushtëzimet e “imponuara”, duke qenë të përgjithshme dhe uniforme, nuk u përgjigjeshin zhvillimit të ndryshëm të këtyre vendeve, rregullave të tregut, nivelit teknik e teknologjik, trajtimit shëndetësor, mjedisor e sigurisë, legjislacioneve përkatëse etj.

Për më tepër, u kërkohej atyre të kooperonin dhe të tregtonin midis tyre, kur ata nuk e kishin fare atë dëshirë! Ndërkohë, edhe marrëveshja e tregtisë së lirë (“Deep and Comprehensive Free Trade Agreements”) nuk i ka ndihmuar ekonomitë e këtyre vendeve; madje, përkundrazi, sepse hapja e tregjeve të tyre ndaj BE-së, shpesh i ka bërë ata të pafuqishëm ndaj konkurrencës evropiane. Përfshirë këtu dhe kundërshtitë e Moskës për Moldavinë, Ukrainën e Gjeorgjinë…

Në kushtet e sotme, si nevojë parësore është gjetja e një përafrimi të ri, më modest, më fleksibël dhe të diferencuar në këtë politikë fqinjësie, pse jo dhe konceptimi i saj nga e para. Aq më tepër që vende të tilla si Libia e Siria janë në anarki të plotë, vetë Egjipti, pas përgjakjes, po përpiqet të ringrihet nëpërmjet ndërhyrjes së ushtrisë për qetësimin e situatës; në disa vende është rritur trysnia e shtetit mbi shoqërinë civile e median; vende të tjera si Ukraina e Gjeorgjia janë dobësuar seriozisht nga konfliktet e armatosura brenda tyre, ndërsa Izraeli vazhdon me rezistencën e vet në promovimin e përpjekjeve evropiane për një zgjidhje të konfliktit Izrael-Palestinë, sipas formulës së dy shteteve të pavarura.

Pra, kërkohet një përafrim tjetër, shumë më realist; në vend të leksioneve të pandërprera për demokraci e respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut. Kjo bëhet akoma më urgjente në administrimin e situatës kritike në Evropë me fluksin në rritje të refugjatëve nga Lindja e Mesme, Azia e Afrika; gjë që kërkon masa urgjente për krijimin e kushteve të qëndrimit të tyre në vendet e veta dhe jo të “derdhen” kudo në hapësirën evropiane; për të minimizuar kalimet nëpër korridore transiti, si ai i Maqedonisë e Serbisë nisur nga vende të BE-së si, p.sh., Greqia, drejt vendeve të tjera të BE-së si, p.sh, Hungaria, për të vazhduar më tej në Austri, Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe etj. Dhe, pa dyshim, ky fluks do të menaxhohej shumë më lehtë në një hapësirë të unifikuar evropiane. Gjë që flet për nevojën e një integrimi të shpejtë të vendeve të BP-së në këtë hapësirë!…

Perspektiva e afërt e BP-së
Vetë politika e jashtme evropiane dhe e sigurisë përcakton rolin e Evropës në botë. Në këtë kuadër, BE-ja duhet të kryejë një revolucion të vërtetë në politikën e vet të zgjerimit, veçanërisht me anëtarësimin e vendeve të BP-së (Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë), që, sipas pozicionit gjeografik, janë dhe korridore emigrimi drejt vendeve të tjera të Evropës. Pikërisht, këtë vonesë po e ndjen sot Evropa! Megjithatë, pavarësisht kësaj vonese, diku të justifikueshme, diku jo, BE-ja po vazhdon të ndjekë me kujdes evolucionin në vendet e BP-së, por, ama, nuk ka aktivizuar ende të gjithë instrumentet e duhur në përgjigje të sfidave konkrete.

P.sh., në BP, një tipar shqetësues është përzierja e rrezikshme e rrjeteve kriminale me politikanët e oligarkët lokalë. Ndoshta, kjo është arsyeja që BE-ja po lëviz e vepron ngadalë në këtë mjedis të ri gjeopolitik, duke ngulur këmbë në plotësimin e angazhimeve të përcaktuara më parë (që nga Samiti i Selanikut, qershor 2003). Dëshmi është këtu dhe integrimi i Kroacisë, më 2013. Sidoqoftë, nisur nga kjo shpejtësi, BE-ja, në mjaft aspekte, mbetet ende në gjumë, sepse tashmë kanë kaluar 12 vjet nga ofrimi i kësaj perspektive anëtarësimi i BP-së.

Bile, në vend të avancimit intensiv të BP-së drejt BE-së, kjo e fundit e ka kthyer procesin e para-anëtarësimit në një kurs pengesash, në një mbingarkesë kushtëzimesh, pavarësisht qëllimit të mirë – kryerjes së reformave në interes të qytetarëve të BP-së. Si përfundim, ende sot, vendet e BP-së janë të qëndrueshme në mënyrë të arsyeshme, por, ama, larg anëtarësimit. Është e kuptueshme që, sot, kriza e refugjatëve e ka hequr vëmendjen nga rajoni, kur, në të vërtetë, duhej të ndodhte e kundërta, nisur dhe nga arsyetimi që një BP e integruar në BE e bën shumë më të plotë dhe efektiv kontrollin evropian në korridoret e BP-së, ende larg vendeve të fuqishme evropiane.

Gjithashtu, edhe pse vizioni evropian është integrimi i BP-së në BE, aty del një problem real përafrimi. Sepse, në fakt, ky përafrim aktual në mjaft aspekte i ngjan përafrimit evropian mbi Mesdheun Jugor – Afrikës së Veriut e Lindjes së Mesme. Ai, në thelbin e vet, nënkupton që stabiliteti është aty atuja kryesore e progresit dhe e demokratizimit. E thënë ndryshe, me këtë lloj përafrimi, BE-ja i mbyll sytë ndaj regjimeve autoritare dhe demokracive iliberale, udhëheqësve të tyre; deri duke u dhënë atyre “kurajë” në ushtrimin arrogant e jo demokratik të fuqisë, pikërisht për hir të stabilitetit. Dhe dihet rezultati!…

Po ashtu, në mjaft raste është harruar apo nuk është përfillur përmasa ekonomike, duke besuar që thjesht predikimi i mjedisit të duhur për biznesin është i mjaftueshëm për përmirësimin e klimës dhe vetë thithjen e investimeve. Por, kjo nuk mjafton. Prandaj, qytetarët e BP-së janë të pakënaqur me standardin e jetesës; ata synojnë të largohen prej vendeve të tyre, apo kërkojnë azil si gjatë eksodeve të fundit të shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova. Pra, edhe pse mekanizmi kryesor për vendet e BP-së është procesi i anëtarësimit, që nxit reformat e investimet, vonesat dhe kushtëzimet shtesë kanë gjeneruar lodhje e mosbesim në vendet anëtare e ato kandidate, midis atyre që qeverisin e atyre në opozitë. Duket sikur pritet ndonjë shpëtimtar apo Godoja për këtë të ardhme evropiane që nuk po arrin kurrë!…

Disa komente shtesë
Në lidhje me vendet e veçanta, disa komente të tjera po radhiten pak më poshtë:
Maqedonia. Aktualisht, leximet për Maqedoninë nuk janë pozitive, edhe pse BE-ja, vite më parë, i quante proceset në këtë vend tepër të suksesshme, sidomos pas shmangies së luftës civile dhe krijimit të një baze të re ndëretnike (me marrëveshjen e Ohrit). Madje, më 2009, Komisioni Evropian rekomandoi për Maqedoninë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, por Greqia e bllokoi nisjen e tij, krahas vetos për integrimin e këtij vendi në NATO (për arsye të përplasjes mbi 25-vjeçare mbi emrin). E gjitha kjo ka krijuar jo vetëm vonesa e lodhje, por dhe vështirësi e ecuri regresive në qeverisje dhe në marrëdhëniet ndëretnike (si rasti i gjakderdhjes në Kumanovë). Nga një vend i konsideruar i suksesshëm, para një dekade, Maqedonia po vuan sot të gjitha llojet e sëmundjeve, si paraliza e ekonomia në rënie, polarizimi, frika e konfliktit dhe mungesa e perspektivës etj.

Bosnja- Hercegovina. Është një vend që vuan ende projektin politik të ndarjes sipas linjave etnike në qeverisje, gjë që në një mënyrë apo tjetrën ka vonuar mjaft procese, përfshirë dhe atë të integrimit në BE. Shqipëria dhe Mali i Zi. Shqipëria shfaq një ngërç permanent në marrëdhëniet midis forcave politike, por dhe manifeston një interferencë të dukshme midis politikës e oligarkisë. Ky problem është po aq shqetësues dhe në Mal të Zi. Ndërsa, në rastin e parë, niveli politik i përfaqësimit në Kuvend e qeverisjen vendore ka bërë të domosdoshëm procesin e dekriminalizimit. Serbia e Kosova. Këto dy shtete nuk po e shfrytëzojnë dialogun për të zgjidhur problemet e tyre të ndërsjella dhe për të fuqizuar bashkëveprimin në interes të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian, por, më shumë, për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve ndaj halleve e vështirësive të ditës, apo deformimeve politike-institucionale ndaj kërkesave evropiane.

Por çfarë duhet bërë?
Sipas Juncker, gjatë këtij mandati të Komisionit Evropian, nuk do të ketë anëtarësim të ri. Kjo edhe pse një deklaratë e tillë është e pakuptimtë dhe e padrejtë! D.m.th., BE-ja do të vazhdojë ta mbajë BP-në si oborrin e saj të hyrjes. Por, mund të radhiten disa rekomandime:
1) BE-ja duhet të përcaktojë një linjë të kuqe të qartë në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha vendet e BP-së, përfshirë dhe vëzhgimin intensiv mbi abuzimet e ndeshura në polici e shërbimet sekrete, keqtrajtimin e burgosjen e gazetarëve, ndërhyrjet politike në gjyqësor etj. Për më tepër, kur kapërcehen këta kufij, përfaqësuesit e BE-së duhet ta pohojnë këtë qartë e shpejt, pa dyzime e “diplomaci” të tepruar.

2) BE-ja duhet ta përshpejtojë, politikisht e ekonomikisht, procesin e integrimit të vendeve të BP-së. Për këtë qellim, duhet të hapet tregu evropian i punës për punëtorët e rajonit, sidomos për disa profesione të caktuara, jo thjesht e vetëm si sinjal politik, por dhe për të ndihmuar ekonomitë e këtyre vendeve.

3) Komisioni Evropian duhet formulojë në mënyrë të lexueshme, të drejtë e transparente problemet, arritjet e mangësitë e vendeve kandidate në raportet përkatëse vjetore.
4) BE-ja nuk duhet ta frenojë Bosnjë-Hercegovinën në procesin e integrimit evropian, përkundrazi.
5) Shqipëria, pavarësisht problemeve të veta, e meriton marrjen e një date të shpejtë për bisedimet e anëtarësimit.

6) BE-ja duhet ta veçojë tërësisht Kosovën nga politika ndaj Serbisë, por ta trajtojë atë në çdo aspekt si një shtet të pavarur; madje, në këtë optikë, trajtimi i deritanishëm i procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk duket as dinjitoz, as korrekt, as i drejtë.
Së fundi, një iniciativë pozitive është Procesi i Berlinit, i projektuar nga kancelaria Merkel. Ai synon fuqizimin e bashkëveprimit rajonal në fusha të ndryshme, si një skemë e përbashkët për zgjerimin e ardhshëm. Ai është një hap në rrugën e duhur, një angazhim në rrugën e paqes e besimit, mirëkuptimit e bashkëveprimit. Edhe pse BP-ja, sot, e gëzon paqen dhe i ka fuqizuar përpjekjet e përbashkëta për stabilitet e ndërveprim rajonal, përsëri kjo nuk mjafton!
Nga ana tjetër, duhet kaluar nga fjalët te veprat, përndryshe Procesi i Berlinit mund të shndërrohet në një proces të ngjashëm me atë Paktit të Stabilitetit, ku u investua shpresa, por nuk u përftua rezultati i pritur!…

    Rexhep Meidani

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi