Raporti i Bankës Botërore: Shqiptarët, 3 herë më të varfër

 

Nga Zamir Alushi, gazeta Shqip, 22 tetor 2015

image

Në Shqipëri, mbi 32.1 për qind e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, raporton Banka Botërore. Duke sensibilizuar qeveritë për mbajtjen e statistikave mbi nivelin e jetesës, Banka Botërore ka publikuar dje edhe të dhënat mbi nivelin e varfërisë, ku Shqipëria klasifikohet si vend me të ardhura mbi mesataren. Por, krahasuar me rajonin, Shqipëria është e fundit. Popullsia që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë në vendet fqinje varion nga 2 për qind në Bosnjë deri në 23.86 për qind në Maqedoni. Ndërkaq, banka klasifikon si individë në varfëri ekstreme ata që jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë.

Varfëria ekstreme

Numri i personave që jetojnë në varfëri ekstreme në Shqipëri u rrit tri herë brenda periudhës 2008-2012, për shkak të krizës ekonomike që preku Shqipërinë, por edhe gjithë botën. Sipas bankës, Shqipëria mbetet vendi më i kërcënuar nga skamja ekstreme ndër ekonomitë e ngjashme në rajon. Sipas shifrave të BB-së, në vitin 2008, në Shqipëri jetonin vetëm 0.4% e popullsisë ose 10 mijë e 900 persona nën këtë nivel të ardhurash, por në fund të vitit 2012, pas katër vitesh me rritje të dobët ekonomike, shifra e personave në skamje ekstreme kërceu në 30 mijë e 900 vetë, duke zënë 1.1 për qind të popullsisë së përgjithshme. E rishikuar nga INSTAT-i dhe Banka Botërore në prill 2015, kjo shifër është më e madhe. Sipas raportit të përbashkët të BB-së dhe INSTAT-it, “Shqipëria, trendi i varfërisë”, popullsia ekstremisht e varfër, e përcaktuar si personat që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore, është rritur nga 1,2% në vitin 2008 në 2,3% në vitin 2012. Varfëria ekstreme ka rënë nga rreth 5% në vitin 2002, në 3,3% në 2005 dhe në 1,2% në vitin 2008. Varfëria ekstreme është rritur si në zonat urbane (2,2%) ashtu dhe në ato rurale (2,4%)

Raporti-i-INSTAT-per-ShqiperineShtimi i numrit të të varfërve

Sipas të dhënave të BB-së, pjesa e popullsisë, konsumi mujor real për frymë i së cilës është nën 4.891 lekë u rrit nga 12,5% në 2008 në 14,3% në vitin 2012. Në vitet e mëparshme, varfëria ka rënë nga 25,4% në 2002 në 17,9% në vitin 2005 dhe 12,5% në vitin 2008. Kjo do të thotë se rreth 64 402 individë në shtesë të 350 636 individëve të varfër në vitin 2008 kanë rënë në varfëri.

Harta e varfërisë

Rritja e përgjithshme e varfërisë u shoqërua me një rritje të shpejtë të shkallës së varfërisë urbane. Sipas Bankës Botërore, varfëria është zhvendosur kryesisht në zonat urbane: ndërsa popullsia rurale në varfëri ka rënë me rreth 0,3%, popullsia urbane në varfëri është rritur me rreth 44,0%. Shkalla e varfërisë në zonat rurale është rritur nga 15,0% në 2008 në 15,5% në vitin 2012, ndërsa varfëria urbane u rrit nga 10,2% në 13,3%. Për më tepër, edhe brenda zonave rurale, shkalla e varfërisë është ulur ndjeshëm në zonat malore. Hendeku i varfërisë (thellësia e varfërisë) është e ngjashme për zonat rurale dhe urbane. Megjithatë, zonat urbane kanë pasur një rritje të konsiderueshme të hendekut të varfërisë në krahasim me vitet e mëparshme. Në vitin 2012, në zonat rurale, ky tregues është 3,1%, krahasuar me 2,8% në zonat urbane. Për zonat rurale, ky tregues ka pësuar një rritje prej rreth 15,0% krahasuar me vitin 2008, ndërsa për zonat urbane ka pësuar një rritje prej rreth 33,0%. Rritja e shkallës së varfërisë ka qenë e lidhur me rritjen e përqindjes së konsumit për ushqim dhe nevoja bazë dhe me një rënie të konsumit për produkte joushqimore, arsim dhe pajisje afatgjatë. Konsumi real për frymë në 2012, sipas raportit, ka rënë nga 9 696 lekë në 2008 në 8 971 lekë në vitin 2012. Ndërsa, konsideruar si përqindje ndaj totalit të konsumit për frymë, përqindja e konsumit për ushqim është rritur me rreth 1,1% nga viti 2008 në vitin 2012. Rënia e shpenzimeve të arsimit, rënia e konsumit real për frymë në vitin 2012 dhe rritja e konsumit për ushqim janë dukuri të zakonshme kur varfëria rritet. Pasi konsumi bie, përqindja e konsumit në konsumin real për frymë pritet të rritet, pasi individët do të sigurojnë fillimisht ushqimin duke qëndruar larg aktiviteteve të tjera. Ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe rritja e papunësisë sugjerojnë për një rritje të varfërisë në vend, megjithatë nuk ka një shifër zyrtare. Anketa e buxhetit të familjes për vitin 2014 vlerëson një rritje fare të vogël të shpenzimeve të familjes në Shqipëri krahasuar me vitin 2009. Po ashtu ka ulje të shpenzimeve për ushqimin dhe rritje të shpenzimeve për arsimin. Anketa e INSTAT-it vërteton ndryshimin e hartës së varfërisë që ka nisur në vitet 2008-2012. Në vitin 2014, Qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum krahasuar me të gjitha qarqet e tjera: një familje në Qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 81 656 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum pas Qarkut të Tiranës janë Lezha dhe Shkodra me shpenzime mesatare mujore për konsum përkatësisht 78 811 dhe 76 509 lekë në muaj për familje. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë Qarku i Vlorës dhe i Elbasanit përkatësisht me 54 931 dhe 53 013 lekë në muaj për familje. Pra, janë varfëruar Fieri, Durrësi, Vlora, Elbasani dhe janë përmirësuar Kukësi e Dibra që kanë qenë më të varfrit, ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e ndihmës ekonomike të qeverisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi