Qeveria dhe skema problem-zgjidhje

Nga: Arben Braçe, botuar në Ballkanweb, 17 tetor 2015
Qeveria e sotme me format aksion të punës që po zbaton po kërkon të fusë të gjithë politikën në skemën problem-zgjidhje dhe nga kjo po rrezikon të humbasë të gjithë realitetin. Sot punohet pa asnjë program të përcaktuar dhe të premtuar që më parë dhe administrata me urdhër rrufe të qeverisë rend në formë aksion për të zgjidhur çdo problem që i del përpara me shpresën se kështu mund të rrisë mirëqenien dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Ajo rend që të mbledhë taksa dhe bilanci na del mijëra biznese të mbyllura dhe qindra të papunë të dalë në rrugë dhe për pasojë shumë më pak taksa që mblidhen, rritje të pasigurisë dhe të varfërisë. Me urdhër të qeverisë rendet që të mblidhen të ardhurat nga faturat e papaguara të energjisë elektrike dhe bilanci del, mijëra të dënuar me burgim për vjedhje dhe mospagim të energjisë elektrike, një kompani e falimentuar dhe e superkorruptuar e energjisë elektrike dhe çdo ditë në vend që të zgjidhim problemin, po hapim probleme shumë më të mëdha. Në formë aksion shemben me mijëra objekte të ndërtuara pa leje dhe bilanci është me mijëra para të hedhura në erë të shqiptarëve dhe me mijëra biznese të falimentuara dhe për pasojë rritje e pasigurisë dhe e varfërisë çdo ditë dhe më shumë.
Politika e zgjidhjes së problemit që të del përpara në mënyrë pragmatike nuk është përdorur për herë të parë nga qeveria shqiptare. Ajo sot përbën një praktikë pune shumë të kritikuar dhe të vjetruar dhe është një dështim i provuar për të gjitha demokracitë e konsoliduara perëndimore. Natyrisht që zgjidhja e menjëhershme e problemit është shumë e rëndësishme për një qeveri që ka vendosur të zhvillojë një politikë të suksesshme, por kur stigmatizohet në formë aksioni vetëm zgjidhja e problemit dhe nuk merret në konsideratë drejtimi i duhur politik dhe ku të nxjerr në fund një drejtim i duhur politik! A është ai në të mirën dhe rritjen e cilësisë së jetës së tyre? …Automatikisht ajo qeveri e cila lëviz në këtë mënyrë është jashtë politikës.
Personi që evidentoi i pari termin “problem-solvers” ishte politologia e mirënjohur Hanah Arendt. Ajo flet për “problem-solvers” kur qeveria e SHBA-ve rekrutoi shumë të punësuar për të zgjidhur problemet në Vietnam. Të punësuarit e këtij kalibri ishin jo vetëm inteligjentë, por edhe shumë krenarë për racionalitetin e tyre pa sentimentalizëm. Ata ishin të zellshëm në kërkim të formulave dhe parapëlqenin një gjuhë pseudomatematike”. Për Hanah Arendt, tronditëse ishte ana tjetër e zgjidhjes së problemeve të tilla, sepse ata që zgjidhin problemet, që janë të specializuar në përkthimin e fakteve në shifra dhe përqindje, është ndoshta e natyrshme që nuk ishin asnjëherë të vetëdijshëm se çfarë mjerimi të parrëfyeshëm nënkuptonin zgjidhjet e tyre me napalm dhe bomba. Ky mund të jetë një shembull ekstrem, por sa shumë do t’i ishte kursyer Amerikës e aq më tepër Vietnamit nëse përgjegjësit në Uashington do të kishin dalluar kohë më parë se në Vietnam nuk kishte asgjë që mund të kufizohej në formulën e zgjidhjes së problemit me bomba dhe me napalm, duke përbërë kështu një nga dështimet më të mëdha në politikën e SHBA-ve. Kjo formë zgjidhjeje e problemeve quhet zgjidhje “pragmatike” e tyre dhe për pasojë prodhon një konservatorizëm të pandërgjegjshëm.
Sot konservatorizmi i pandërgjegjshëm dhe pragmatik pavarësisht të mirave që sjell edhe zgjidhjen e problemeve që ofron është totalisht i dështuar dhe ndryshon në përmbajtje nga konservativët e bindur, të cilët gjithmonë janë më të parapëlqyer se konservativët pa dashje. Konservativët e bindur sikurse janë p.sh. konservativët britanikë bëjnë politikë. Ata vlerësojnë dhe me ndërgjegje vendosin të ruajnë diçka. Kush bën të njëjtën gjë pa dashje, sikurse ndodh natyrisht me konservativët pa dashje, lëviz jashtë politikës.
Atëherë çfarë po ndodh me ne?! Po bëhen gjithë këto zgjidhje të problemeve në formë aksioni dhe rezultati që vërejmë çdo ditë ka të bëjë me uljen e standardit të jetës, rritjen e varfërisë dhe të pasigurisë dhe për pasojë, braktisjen e vendit nga mijëra qytetarë shqiptarë çdo muaj. Askush nuk mund të thotë që nuk po punohet! Por problemi është se po punohet në formë pragmatike në kundërshtim me programin e paraqitur nga Partia Socialiste dhe qeveria e saj. Sepse referuar asaj që na vjen nga teoria e politikës, pragmatikët nuk kanë nevojë për projekte dhe as për vlera themelore. Për ta programet janë penguese. Ata nuk janë “tradicionalistë” sikurse konservatorët. Pragmatikët zgjidhin probleme. Por çfarë problemesh?! Nqs. do të pyesësh pragmatikët, …ato që paraqiten, ato që janë më urgjente thonë ata. Natyrisht që në jetën e përditshme ndodh edhe kështu. Dhe ç’kuptim do të kishte që politika të mos zgjidhte një problem që i del përpara dhe që kërkon zgjidhje, por kur kjo kthehet në filozofinë qeverisëse të shtetit, sikurse po veprohet tek ne, kjo është e gabuar sepse tashmë është e provuar në vendet me standardet më të larta demokratike sikurse SHBA dhe Gjermania etj. Për më tepër, në rastin tonë po provohet çdo ditë edhe më shumë në këto dy vjet qeverisjeje, sepse deri tani na janë krijuar po aq probleme sa edhe kemi zgjidhur.
Politika e sotme qeverisëse po zbatohet në fushën e tensionit mes konceptit dhe realitetit dhe nuk ka në thelbin e saj synimin afatgjatë, mbështetur në programin themelor që kishte të bënte me uljen e taksave, rritjen e pagave, mirëqenies dhe të papunësisë. Qeveria është zhytur në zgjidhjen e problemeve që dalin përpara dhe pa dashur ka humbur drejtimin politik dhe qëllimin e duhur politik, sepse në politikën e sotme moderne, nuk kanë rëndësi sesa të mëdha janë hapat politikë, por njohja e drejtimit politik. Pra, thënë më shkoqur, përpara se të bëjmë aksione të ndryshme dhe të zgjidhim probleme, duhet të shikojmë se ku duhet të dalim dhe ku do të arrijmë në synimet dhe përcaktimet politikë, sepse nqs. do të vazhdohet me këtë politikë pragmatiste, do të mbetemi në një moçal krize të vazhdueshme dhe pa drejtimin në të cilin duhet të lëvizin protagonistët. E ndodhur në këto kushte, qeveria e sotme bën aksione dhe duke u përpjekur që të zgjidhë probleme, ka humbur tërësisht drejtimin politik, pikërisht atë që është më e rëndësishme se ku duhet ta çojnë reformat qeverinë, pra në rritjen e standardit dhe mirëqenies së përgjithshme. Politikë dhe reforma bëhen në Gjermaninë e sotme, sikurse edhe në vendet e tjera të perëndimit qoftë edhe në SHBA, por në të gjitha këto vende është drejtimi politik kyçi i reformave, pra ku dalim nga reformat. Psh., në kohën e tij ish-presidenti Regan thoshte, që po bëjmë politikë për uljen e taksave për të mbledhur më shumë taksa, tek ne premtohen ulje taksash dhe zbatohen rritje të tyre në praktikë, duke sjellë bilance negative. Premtohet në fushatë energji elektrike dhe legalizime të ndërtimeve pa leje dhe në formë aksioni për të zgjidhur problemin dalim në ndërprerje të energjisë elektrike, kur nuk jemi në gjendje të sigurojmë as asistencë ekonomike për shtresat e varfra dhe shembim ndërtimet pa leje pa marrë në konsideratë që ka plot alternativa politike demokratike perëndimore, sikurse është ajo e Tokios, sipas së cilës shemben ndërtimet pa leje, por në vend të tyre ndërtohen të reja me parametra moderne urbanistike dhe me këto forma kompensohen ata që vetë shteti i la të ndërtonin pa leje. Nuk janë pak shembuj që na ofron politika perëndimore, të cilat në qoftë se nuk merren në konsideratë, por në vend të tyre përdoret politika e vjetruar, pragmatiste e zgjidhjes së problemit për çastin pa vlerësuar drejtimin e duhur politik se ku do të shkosh, shumë herët apo vonë do të shkosh në zgjedhje të parakohshme.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi