Sëmundja e interesave të fitimit mbi vlerat e njeriut

Intervistë e prof. Dr. Anastas Angjeli për gazetën Shqip, 6 tetor 2015

Rektori-i-UMSH-Anastas-AngjeliIsh-ministri i Ekonomisë dhe Financave, prof. Dr. Anastas Angjeli, njohës i mirë i ekonomisë shqiptare, mendon se roli i ndryshimeve ligjore të paraqitura në misionin e pakthyeshëm kundër informalitetit dëshmohet nga përmbajtja e ndryshimeve. “Efektet e kësaj reforme do të marrin kohën e tyre; e rëndësishme është vendosmëria për vazhdimësinë e saj”, thotë ai gjatë një interviste për “Shqip”.

Së afërmi, zhvillohen bisedimet e palës shqiptare me FMN-në, ku temë kryesore janë të ardhurat, konsolidimi fiskal dhe deficiti buxhetor. Në vlerësimin tuaj, në këto kushte, te strategjia që po ndiqet (ashpërsimi i sanksioneve dhe shtrëngimi) a duhet të konsiderohet ndonjë ulje taksash ose lëshime të tjera (falje detyrimesh të vjetra, zgjatje afatesh, falje gjobash) ndaj biznesit?

Politika e konsolidimit fiskal, e uljes së borxhit, ruajtjes së deficitit, luftës kundër informalitetit dhe rritjes së të ardhurave, mbetet sjellje në vazhdimësi e qeverisë. Kualitetin e kësaj sjelljeje do ta rriste dhe më shumë edhe kujdesi për cilësinë e shpenzimeve buxhetore. Me një fjalë, ku shkojnë dhe për se shpenzohen paratë e taksapaguesve, sa prej tyre shndërrohen në përfitim për ekonominë e vendit dhe u rikthehen me shërbime qytetarëve. Në politikat e sotme fiskale, kjo përbën një çështje të rëndësishme. Një filozofi e tillë fiskale e lehtëson më shumë dialogun dhe arritjen e mirëkuptimit me FMN-në. Dhe kjo është mundshme.

Punësimi mbetet një sfidë për mazhorancën. Si mund të bëhet më aktiv dhe më konkurrues tregu aktual i punës? A duhet të ketë një lidhje më reale mes tregut dhe edukimit universitar apo profesional?

Në fillim dua ta hap me një thënie të Papa Françeskut, i cili shprehet: “Nuk ka varfëri materiale më të keqe sesa ajo që i mohon dikujt të drejtën për të fituar bukën dhe i privon dinjitetin e punës. Papunësia e të rinjve, informaliteti dhe mungesa e të drejtave të punës nuk janë të pashmangshme; ato janë rezultat i një opsioni të mëparshëm shoqëror, të një sistemi ekonomik që vë fitimin mbi njeriun; nëse fitimi është ekonomik, për ta vënë atë mbi njerëzimin ose mbi njeriun, është efekti i një kulture që e konsideron njeriun në vetvete si një të mirë materiale, të cilin mund ta përdorësh dhe pastaj ta hedhësh”.

Është një shprehje që përkthen në terma njerëzorë potencialet e një ekonomie, e cila resurset e veta jo vetëm që nuk i shfrytëzon, por i drejton në një treg informal që nuk bllokon sistemin dhe frenon zhvillimin. Në vetvete, reforma formalizuese ka këtë qëllim kryesor përdorimin e resurseve në drejtim të zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Norma e papunësisë është treguesi më negativ dhe më i pabesueshmi në ekonomi, duke e krahasuar me normën e inflacionit apo me tregues të tjerë. Një nga problemet me shqetësuese të ekonomisë sonë ka qenë dhe mbetet mungesa e ndikimit të zhvillimeve ekonomike në rritjen e punësimit.

Tashmë, rezultatet e para të operacionit kundër informalitetit kanë dalë. A do të reflektohet në treguesit fiskalë të buxhetit kjo shkallë e lartë e deklarimit të bizneseve të formalizuara? Kur do të jepen efektet në buxhet?

Mua nuk me pëlqen shume fjala “aksion”. Kjo duhet konceptuar si një reformë tërësore, që është paraprirë nga një operacion me një sërë masash, të cilat lidhen në radhë të parë me zbatimin e ligjit, me një qasje të re të organeve fiskale dhe një sjellje ndryshe që synon barazi para ligjit dhe jo diskriminim, ndërgjegjësim fiskal dhe jo abuzim, kulturë fiskale dhe jo mashtrim. Përvoja e fituar domosdoshmërisht na çon në përmirësime ligjore, strukturore dhe organizative të organeve fiskale. Roli i ndryshimeve ligjore të paraqitura në misionin e pakthyeshëm kundër informalitetit dëshmohet nga përmbajtja e ndryshimeve dhe konkretisht:

-Ndryshime që përforcojnë kuadrin ligjor në luftën kundër kontrabandës;

-forcimin e masave në luftën ndaj evazionit dhe mosdeklarimin e punonjësve;

-mbështetje ndaj bizneseve që kanë sjellje korrekte ligjore;

-mbrojtjen e qytetarëve denoncues të fenomeneve të kontrabandës dhe evazionit;

-riorganizimin e administratës tatimore, shmangien e konflikteve të interesit etj.

Mos harroni, flasim për një informalitet ekonomik e financiar rrjedhojë e një metode e përvoje pune negative, të trashëguar në këto vite. Futja e ekonomisë shqiptare në rrugën e formalitetit padyshim që do të japë efektet e veta në rritjen e të ardhurave, ndryshe nuk do të kishte kuptim. Efektet e kësaj reforme do të marrin kohën e tyre; e rëndësishme është vendosmëria për vazhdimësinë e saj.

Profesor, sipas Bankës Botërore, pritshmëria për ecurinë ekonominë shqiptare është vazhdimi nën potencialin e saj. Po ashtu, qeveria pak kohë më parë rishikoi me ulje rritjen ekonomike. A ka ndonjë “recetë” në këto kushte? Cilat do të ishin ato ndërhyrje që do të përmirësonin ritmin e ekonomisë?

Shifrat e rritjes ekonomike në periudhën e qeverisjes aktuale, edhe pse nën potencialin e saj, janë reale. Transparenca e treguesve ekonomikë dhe vërtetësia e tyre, pavarësisht nga rezultatet është e domosdoshme. Askush nuk mund të “ngopet” me shifra, por me zhvillim që jep ndikim në uljen e varfërisë e të papunësisë, në përmirësimin e nivelit të jetesës, drejt së cilës po orientohemi. Natyrisht, që nuk ka “receta fikse apo të gatshme” që mund të importohen për të ndryshuar këtë ritëm të rritjes. Por gjithsesi, ka bashkëpunim me institucione ndërkombëtare, me agjenci të specializuara, me përvoja të ngjashme dhe mbi të gjitha me njohje sa më të mirë të realitetit ekonomik të vendit, me njohje dhe shfrytëzim të resurseve dhe mundësive që krijojnë më shumë prodhim, më shumë konkurrueshmëri dhe eksporte, më shumë zhvillim. E kjo nuk mund të realizohet jashtë qartësisë për vazhdimin e një ristrukturimi të ekonomisë dhe një prioritizimi të saj, në sektorë e produkte që janë produktive, konkurrues, që i përgjigjen kërkesës konsumatore të brendshme dhe të huaj, dhe natyrisht fitimprurëse. Të gjitha këto duhet të dalin “nga guaska e studimeve” dhe të hidhen në terrenin konkret, e për këtë duhet më shumë guxim dhe nisma të biznesit, sidomos në bujqësi dhe agrobiznes, turizëm e sektorin energjetik e minerar, shërbime etj. E këto mund të bëhen me nxitje të biznesit vendas e të huaj, klima ndaj të cilëve duhet përmirësuar dhe mbështetja për ta duhet strukturuar e diversifikuar, institucionalisht, administrativisht, me politika fiskale dhe financuese e kredituese.

Ministria e Financave ka në përfundim e sipër Paketën Fiskale 2016, por në traditën e dy viteve të kaluara, ajo do të diskutohet gjatë edhe në Komisionin e Ekonomisë nga deputetët me grupet e interesit. A priten rritje taksash?

Reforma e nisur për të luftuar informalitetin është një bazë e mirë për të pasur një paketë fiskale të përmirësuar, kryesisht të bazuar jo në rritjen e taksave, por në zgjerimin e bazës tatimore, dhe në ndryshimin e përmirësimin e raportit të sigurimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit, në favor të të ardhurave të siguruara nga, pasuria, prona, kapitali dhe jo nga të ardhurat personale. Pra, paketa fiskale nuk presupozon medoemos rritje taksash, por një politikë fiskale efikase, me zgjerim tatimor, me përmirësim të strukturës tatimore, të procedurave tatimore, p.sh siç është edhe fjala për një shtrirje më të gjerë të TVSH-së apo dhe diferencimin e saj në disa sektorë etj. Dhe unë besoj se koha është për të shkuar drejt nismave të tilla.

Meqë folët për diferencim të TVSH-së, sapo është bërë publike se do ketë një ulje të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në sektorin e Turizmit. A ka vështirësi kjo taksë për t’u diferencuar, po të marrim parasysh se turizmi ka shumë sektorë mbështetës të shërbimeve që do të kërkonin përjashtim?

Ne flasim për një kulturë të re fiskale jo vetëm për tatimpaguesin, por edhe për punonjësit fiskalë e inspektorët tatimorë. Sistemi dhe administrata fiskale janë modernizuar dhe teknologjia bashkëkohore është shtrirë me shpejtësi e po përdoret me përparësi në këtë sektor. Kështu që nga pikëpamja teknike, vështirësitë tashmë janë të kapërcyeshme. Kjo jo vetëm për sektorin e turizmit për të cilin pyesni, e që efekti nga kjo masë nuk është shumë i konsiderueshëm (ka dhe masa të tjera jo të karakterit fiskal që e mbështesin zhvillimin e turizmit; infrastrukturor, rrugë, furnizim me ujë, energji, rritje niveli kulture shërbimi, akses në shërbime të ndryshme, marketing e informacion), por edhe për sektorë apo shërbime të tjera. Me tepër se çështje dhe vështirësi teknike, kjo është një çështje e politikave fiskale dhe e mirëkuptimit e respektimit të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare dhe e mbylljes së shtigjeve të informalitetit.

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi