Sistemi neo-patrimonial i drejtësisë së nesërme

Nga Romeo Gurakuqi, botuar në Panorama, 5 tetor 2015

romeo-gurakuqiProjekti i Reformës në Drejtësi është një draft prej 29 faqesh ndryshimesh konstitucionale, i shoqëruar 31 faqe material shpjegues. Në qoftë se do të aprovohet, në analizë të fundit, ky projekt do e zhveshë plotësisht pushtetin juridik të institucionit të Presidentit të Republikës Parlamentare dhe do ta vendosë Gjyqësorin dhe Prokurorinë nën një kontroll edhe më të stërholluar nga maxhorancat politike. Kështu, kemi të bëjmë me deformim me një të rënë të lapsit të modeleve klasike të tre institucioneve të rëndësishme të Republikës Parlamentare, ndërkohë që nevojat balancuese të jetës së trazuar politike dhe institucionale të vendit, duhej të synonin të kundërtën: forcim të Gjyqësorit përmes pavarësimit dhe vendosjes nën rrethin e shërbimit ndaj Publikut përmes respektimit të ligjit dhe rikthim të pushtetit klasik të kreut të shtetit në funksion të përforcimit të një pushteti balancues.

Është një reformim ky i pangjashëm për sisteme qeverisëse analoge me tonin, por i arsyetuem për një Monarki Parlamentare (ku, kreu i shtetit e pushtetet e tij janë produkte të një tradite simbolike historike), në të cilën kreu i shtetit nuk zgjidhet dhe, për rrjedhojë, pushtetet e tij mbeten simbolike dhe konfirmuese, dhe ku është krijuar një klasë e konsolidueme juristësh dhe një traditë e respektimit të ligjit dhe e barazisë së qytetarëve.
Ndërkohë vendi ynë është një republikë, në të cilën gëlon korrupsioni, krimi, klientelizmi, informaliteti në komunikim mes institucioneve të larta; një vend ku mungon besueshmëria sociale për Gjyqësorin për të njëjtat shkaqe dhe për shkak të servilizmit që ky pushtet i tretë tregon herë pas herë ndaj pushteteve ekzekutive të një kupole solidare; një republikë ku standardet etike të konflikteve të interesit dhe nepotizmi po e shembin besueshmërinë ndaj të gjitha institucioneve.

Kësisoj, pritej që komisioni të nxirrte një draft, ose dy, të ndryshimit tërësor të Kushtetueses, ose drejt një republike parlamentare me president më të fuqishëm, që mbart pushtete monokratike (Republika Italiane është shembulli), ose drejt një gjysmë presidencializmi të ngjashëm me vendet e tjera të Europës Lindore, post komuniste, që kanë menduar seriozisht për të ardhmen e vendeve të tyre. (Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të drejtpërdrejta maxhoritare të dy institucioneve, Parlament dhe President, nga Sovrani, kontroll të dyfishte mbi qeverinë për mos me e lanë atë me u bë ajo despotike dhe të shmangë njëherë e mirë listat klienteliste që sollën kriminelët dhe korrupsionistët në Parlament).

Për fat të keq ndodh diçka krejt e ndryshme, por jo e padëgjuar nga skifterët e ekstremizmit majtist: kemi të bëjmë me një zhvendosje paralele të pushteteve juridike të Kreut të Shtetit te disa organizma, që do të jenë krijesa dhe ndërtime të maxhorancave parlamentare, duke ndërprerë edhe atë pavarësi që teorikisht do të duhet të kenë gjykatat dhe prokuroria nga ekzekutivi (votimi i dytë me shumicë të thjeshtë në Parlament, në zgjidhjen e të gjitha institucioneve të reja që krijohen). Shpjegimi i dhënë mbi këtë zhveshje pushtetesh të Presidentit të Republikës nga komisionerët profesorë, është abuziv, antiteorik, d.m.th. i pabazuar në doktrinë dhe i mbarsur me sofizëm komunist (shih pika 2 e sythit Problemet e Drejtësisë). Projekti krijon një strukturë shumë të ndërlikuar të administrimit të drejtësisë.

Për mendimin tonë, nuk mund të krijohet një strukturë e tillë e ndërlikuar e sistemit të drejtësisë duke arnuar një kushtetutë të shformuar më 2008, pa reformuar partitë politike, pa ndryshuar ligjin elektoral drejt maxhoritetit dhe pa kryer dekriminalizimin e pushteteve: Reformimi i drejtësisë pa krijimin e një parlamenti të zonjave dhe zotërinjve të Shqipërisë, do të ishte një reformim i cunguar dhe i pamundur. Ndërkohë që ky lloj parlamenti nuk mund të krijohet pa një reformim me themel të sistemit konstitucional, të cilin reformatorët, në misionin shërbenjës, nuk guxojnë as ta propozojnë, duke shkelur kështu betimin ndaj profesionit dhe misionit të tyre atdhetar.

Që në krye, drafti ka ndryshuar edhe Preambulën e Kushtetutës, duke harruar pa e theksuar një prej bazamenteve, mbi të cilat etërit e kombit kanë rënë një mendjeje ta themelojnë shtetin: laicitetin dhe shekullarizmin.
Së dyti, neni 12 i draftit, që ndryshon nenin 131 të Kushtetutës, i heq mundësinë Gjykatës Kushtetuese të shpallë antikushtetues një ligj të miratuar me shumicë të thjeshtë nga Parlamenti për ndryshimin e Kushtetutës: çdo kapriço e çdo kryeministri të zgjedhur me listën zgjedhore të përgatitur nga ai vetë, që vë në rresht parlamentarët e tij për ndryshimin e kushtetutës, nuk mund të rrëzohet më nga gjykata, sipas këtij neni.

Së treti, në vend të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organ tipik i republikave parlamentare klasike, drafti qeveritar krijon këto organizma, që në analizë të fundit do të varen nga maxhorancat e ngjalave dhe maxhorancat jomoçalore, të besës së të pabesëve: 1. Këshilli i Lartë Gjyqësor; 2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; 3. Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ndërkohë që krijesa tërësisht racionale dhe të domosdoshme mund të konsiderohen vetëm: 4. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë; 5. Tribunali Disiplinor i Drejtësisë; 6. Struktura e Posaçme Antikorrupsion e Prokurorisë: Mirëpo, në vend të vendosjes së këtyre institucioneve të reja, 4, 5, 6, nën varësi të Këshillit aktual të Lartë të Drejtësisë, që kryesohet nga figura e unitetit të kombit, Presidenti i Republikës, këto organizma do të emërohen drejtpërdrejt nga shumicat e ngushta parlamentare dhe ky parashikim do të minojë tërësisht pavarësinë e tyre.

Drafti në asnjë rast, përveç varësisë nga ekzekutivi, nuk ka zgjidhur çështjen e konfliktit të interesit: ai krijon institucione të pacenueshme nga ligji dhe shembulli më tipik është vendosja në anëtarësi të Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë, e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm: Pyetja që shtrohet është kjo: si do zgjidhet rasti kur kryeprokurori abuzon me pushtetin?! Kur ai në vend që të ndjekë linjat e një denoncimi urdhëron procedimin penal të denoncuesit?! Kemi të bëjmë me një imunitet nga kontrolli i Tribunalit të kryeprokurorit: një prej vuajtjeve më të mëdha që po kalon publiku shqiptar nga mosveprimet e përsëritura të këtij institucioni, për shkak të varësive të padukshme nga një kupolë politike me pushtete të pakufizuara emëruese, lartësuese dhe varrosëse.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përveçse përgjegjës për çështje të statusit dhe karrierës së prokurorëve, do të duhej të ishte konceptuar si organi ku jep llogari kryeprokurori, për sa i përket aktivitetit të tij, posaçërisht për hetimin e çështjeve madhore dhe për veprimet dhe mosveprimet e tij.
Pushtetet e Kreut të Shtetit për propozimin e prokurorit të Përgjithshëm eliminohen plotësisht, një rrëshqitje kjo e papranueshme në rrethanat e republikës sonë. Nuk bëhet fjalë për pushtetet e një personi të vetëm sot, por për fatin e një pushteti balancues të dytë që e ka të nevojshme publiku.

Dy institucionet që do të duhej të garantonin luftën kundër korrupsionit, pastërtinë nga konflikti i interesit dhe të garantonin integritetin jopolitik të institucioneve: Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe Tribunali Disiplinor i Drejtësisë, në vend që të ishin institucione tërësisht të pavarura nga Gjyqësori dhe hetimi penal, janë një amalgamë e përzgjedhur e tyre (neni 45 që ndryshon nenin 147/d; neni 49 që ndryshon nenin 147/f). Si mundet që të vendosen nën të njëjtën kupolë anëtarë të sistemit të dhënies së drejtësisë dhe ato të organit të hetimit penal? Si munden të ndahen vendet drejtuese në Këshillin e Emërimeve në dy sistemet, mes Gjykatës dhe Prokurorisë? A nuk përbën kjo amalgamë një shtrat të ngrohtë për marrëveshje dhe mbyllje interesash mes dy organeve të pavarura që janë në oponencë me njëra-tjetrën në procesin e zbulimit të së vërtetave dhe mbrojtjen e ligjit dhe të të drejtave? (neni 57 që ndryshon nenin 149/1).

Kemi të bëjmë me një deformim total të Republikës Parlamentare, ndërkohë që misioni i reformatorëve do të duhet të ishte: eficienca e sistemit të drejtësisë, dekriminalizimi i drejtësisë dhe organit të hetimit penal, pavarësia sa më e plotë nga politika, profesionalizmi, shmangia e konflikteve të interesit: Republika Parlamentare pas kësaj mund të themi do jetë vetëm një kujtim i kohës së shkuar: tashmë do të priremi drejt Republikës së drejtuar nga një monark i zgjedhur me proporcional, një Kryeministër ose një kryeparlamentar, që ndërtojnë konsensuse klienteliste në Kuvend, varësisht dominosë (Afera CEZ, rasti më i qartë me implikim të plotë të individëve “të ndritur” të triumviratit politik shqiptar, që me gjithë luftën politike të pamëshirshme ndaj njëri-tjetrit, bashkohen në pikën e pengimit të hetimit dhe të drejtësisë, pikërisht në dhomën e garantuar nga vëzhgimi i jashtëm që dikur e kishte Enver Hoxha).

10 muaj punë të një komisioni do të duhej të ishin kurorëzuar me nxjerrjen e një projekti kushtetute të plotë, të re, moderne, të së ardhmes, që të zgjidhte të paktën tre nga problemet që kanë evidentuar (pavarësia, përgjegjshmëria dhe eficienca), por jo të ekspozonin një paçavure zhbalancuese, që do ta minojë pavarësinë dhe do ta fusë vendin në një konflikt të mëtejshëm politik dhe konstitucional. Askush nuk do të dijë pas kësaj se cila është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe çfarë formë qeverisjeje ka vendi ynë në manualet teorike.
Kjo reformë do të bëjë që pavarësia personale e gjykatësve profesionistë të jetë e pagarantuar, ndërsa pavarësia e organizimit gjyqësor, mendoj se do të jetë e dhunuar prej njohjes se të drejtave administrative të maxhorancës parlamentare mbi organet e drejtësisë dhe prokurorisë.

Është momenti që kjo dorë zhbalancuese të ndalet dhe kërkesat e ndarjes së pushteteve të respektohen, duke rritur kontrollin mbi zbatimin e ligjit nga ana e gjykatësve. Më këtë nuk them që reforma të ndalet: ajo duhet të bëhet, të thellohet, madje më shumë drejt një reformë të plotë konstitucionale, por jo në kahun e krijimit të një sistemi drejtësie të varur nga ekzekutivi dhe maxhorancat dhe kaq shume të ndërlikuar: arsyeja dhe teoria konstitucionale të implementuara në kushtet e Shqipërisë, pa konflikt brenda modelit, duhet të prevalojë mbi nevojat e maxhorancës aktuale të sajuar më 1 prill 2013 dhe të mbajtur me injeksionet e dhomës së errët të ish-Komitetit Qendror.

Sistemi i krijuar nga ky draft ngjan të jetë përveçse i kontrolluar politikisht, edhe shumë burokratik dhe i shtrenjtë. Sistemi i krijuar u jep shumë pushtet kryetarëve të gjykatave dhe prokurorisë, (përveçse krijon përjashtimësi nga dhënia llogari para drejtësisë të individëve në krye të institucioneve të drejtësisë dhe prokurorisë që krijohen) dhe është i mbarsur me konflikte interesi dhe imunitet nga detyrimi për zbatim të ligjshmërisë ndaj Prokurorisë. Projektit i mungon instituti i “impeachment”-it, për parësinë e institucioneve që abuzojnë me detyrën, me mosveprim, shmangie dhe krijim privilegjesh për politikanët e lartë ( rasti më i fundit po ndodh këto ditë: organi i hetimit nuk guxon të hapë hetim për akuzat ndaj politikanit të lartë dhe gjithë kupolës së përfshirë në skandalin CEZ, ndërkohë që i kanë hequr me urdhër mundësinë e transparencës mediatike publikut, që kërkon të dëgjojë dëshmitarët e zhdukjes së milionave euro para të taksapaguesve).

Projekti e lë sistemin sërish brenda rrethit të klientelizmit, duke e lidhur më fort tashmë me maxhorancat që ndryshohen. Kësisoj, në qoftë se ky projekt do të zbatohet, Shqipëria do të ketë një sistem neo-patrimonial të drejtësisë dhe të qeverisjes, në të cilin institucionet ekzekutive do të kontrollojnë burimet kyçe të patronazhit. Në fund fare, ndryshime të tilla kaq thelbësore, në njërën nga tri degët e pushtetit, nuk mund të bëhen pa një referendum popullor për marrjen e miratimit të sovranit: projektuesit majtistë (edhe në qofte se nuk janë të tillë, janë njollosur për shkak të bindjes dhe nënshtrimit ndaj majtizmit ekstremist hoxhist dhe shkeljes së teorisë së të drejtës konstitucionale) të këtyre ndryshimeve, ketë as që e mendojnë, ndërkohë që bazamenti konstitucional ua imponon, pavarësisht se ato kanë parashikuar dispozita kalimtare, që janë veçse një hedhje hi syve të një populli jo aq të arsimuar nga pikëpamja juridike.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi