Trajtimi fiskal i kontributeve të pensionit
Nga Enkeleda Shehi, botuar në Shqip, 4 tetor 2015
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në bashkëpunim me Bankën Botërore (BB), në zbatim të rekomandimeve të dhëna në kuadër të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP), kanë punuar në lidhje me ofrimin e trajtimit të favorshëm fiskal të kontributeve të pensionit. Me kontribute të pensionit do të kuptojmë kontributet e punëdhënësve dhe punëmarrësve në fondet e pensionit vullnetare private.
Trajtimi i favorshëm fiskal për këto kontribute është prezantuar në legjislacionin shqiptar që në vitin 2009 me miratimin e Ligjit nr. 10197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar”. Në thelb, në nenet 88-91 të këtij ligji përcaktohet shprehimisht se kontributet e bëra nga anëtarët e fondit të pensionit konsiderohen të ardhura të patatueshme, ndërsa kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional konsiderohen shpenzime operative të zbritshme për qëllime tatimi. E thënë më thjesht këto kontribute përjashtohen nga tatimi. Po ashtu, kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese. Kuptohet përjashtimi nuk është i pakufizuar, por ligji përcakton kufij maksimalë të përfitimit, i cili është sa vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200,000 lekë dhe 15 për qind të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit, ndërsa si shpenzime operative për punëdhënësin njihen deri në shumën vjetore të barabartë me 250 000 lekë. Kufijtë maksimalë përcaktohen me ligj, sepse përndryshe, mekanizimi i trajtimit të favorshëm fiskal do të shndërrohej nga mekanizëm nxitës në mekanizëm erozioni të të ardhurave të tatueshme. Në përfundim, përfitimet e marra nga anëtari i fondit të pensionit, do të tatohen me normën tatimore mbi të ardhurat personale. Këto dispozita ligjore e përcaktojnë skemën e tatimit të kontributeve të pensioneve si EET, që do të thotë se nga tatimet përjashtohen kontributet dhe të ardhurat nga investimi i kontributeve, si dhe tatohet pagesa që bëhet me arritjen e moshës së pensionit.
Për të zbatuar dispozitat e trajtimit fiskal, ligji gjithashtu ngarkonte Ministrinë e Financave për nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse. Pavarësisht kësaj, deri në fund të vitit 2014 dispozitat e trajtimit të favorshëm fiskal mbetën gjerësisht të pazbatuara, sepse ato nuk u pasqyruan në ligjin e tatimit mbi të ardhurat. Për t’u shprehur më qartë, kontributi në fondet e pensionit vullnetar njihej si shpenzim i zbritshëm vetëm për individët me të ardhura vjetore bruto nën kufirin 1 milion lekë, pasi ata të pasqyronin këtë fakt në deklaratën individuale vjetore të të ardhurave. Pra, në praktikë, trajtimi i favorshëm fiskal nuk gjeti zbatim.
Në vitin 2014, në kuadër të një projekti të BB me AMF për nxitjen e zhvillimit të tregut të pensioneve, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave, u amendua ligji i tatimit mbi të ardhurat. Amendimet siguruan njohjen e trajtimit të favorshëm fiskal për kontributet në fondet e pensionit sipas përcaktimeve të ligjit të pensionit. Gjithashtu, amendimet përcaktuan edhe mekanizmin e zbatimit të dispozitave për kontribuuesit në kuadër të një plani pensioni profesional, që është listëpagesa. Në këtë mënyrë u bë e mundur që duke nisur nga janari i vitit 2015 punëdhënësit dhe punëmarrësit që kontribuojnë në plane pensioni mbështeten nga nxitjet fiskale, të cilat duhet t’i shfrytëzojnë.
Theksi në trajtimin e favorshëm fiskal vihet pasi është një mekanizëm që konsiderohet si një formë nxitëse për punëdhënësit dhe punëmarrësit që të jenë pjesë e fondeve të pensioneve vullnetare private. Një trajtim i tillë fiskal është gjerësisht në përdorim në vendet e Bashkimit Europian. Në të njëjtin konkluzion arrihet edhe nga rezultatet e vrojtimit që ka kryer AMF në bashkëpunim me INSTAT për të vlerësuar qëndrimet dhe perceptimet e punëdhënësve në Shqipëri në lidhje me përfshirjen si kontribuues në fondet e pensionit. Sipas këtij vrojtimi të kryer me mbi 500 ndërmarrje në të gjithë territorin e vendit, që kanë mbi 20 të punësuar, rezulton se megjithëse ka ndërmarrje që kanë menduar të ofrojnë plane pensioni, ato nuk kanë mundur të marrin hapa konkretë në këtë drejtim. Janë një sërë faktorësh të cilat duket se i frenojnë ndërmarrjet në këtë aspekt, ku natyrshëm faktori më i rëndësishëm, me 46% të rasteve, rezulton të jetë pamjaftueshmëria e lehtësive fiskale. Në 21 sektorë të anketuar, sipas nomenklaturës së veprimtarive ekonomike të përcaktuar nga INSTAT, ku faktori frenues kanë qenë lehtësitë fiskale, 82% e rezultatit përbëhet vetëm nga ndërmarrjet që veprojnë në pesë sektorë, përkatësisht: tregti me shumicë dhe pakicë, riparimi i automobilave dhe motoçikletave, ndërtim, industri përpunuese, shërbime administrative dhe mbështetëse, si dhe industri nxjerrëse.
Për sa u takon ndërmarrjeve që ofrojnë plane pensioni, nga vrojtimi u kërkua të kuptohej se cilët faktorë mund të bëjnë që këto ndërmarrje të marrin vendimin që në periudhë afatmesme (për dy-tre vitet e ardhshme) të rritet masa e kontributeve të pensionit. Sigurisht, në këtë vendim, ndikojnë një grup faktorësh, por shumica e ndërmarrjeve identifikuan si faktorë nxitës për të rritur masën e kontributit përmirësimin e ofrimit të lehtësisë tatimore. Pra, në këtë grup ndërmarrjesh, ku produkti financiar i pensionit është më i prekshëm, krahasuar me ndërmarrjet që nuk e ofrojnë, trajtimi i favorshëm fiskal identifikohet më qartazi si faktor afatshkurtër që mbështet kursimin për pension.
Pra, është e qartë që trajtimi i favorshëm fiskal i ofruar në legjislacionin shqiptar, duke filluar nga muaji janar 2015 përbën një element pozitiv që ndihmon zgjerimin e tregut të fondeve të pensionit vullnetar. Është ende shpejt të vlerësojmë ndikimin që ka pasur kjo masë në zgjerimin e tregut, por duhet theksuar se përbën një element që duhet shfrytëzuar si nga punëdhënësit dhe punëmarrësit, ashtu edhe në fushatat e marketingut të shoqërive administruese të fondeve të pensioneve.
*Autorja është Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare