Një botë me zhvillim të qëndrueshëm
Nga Reis Mulita, botuar në Shekulli Online, 28 shtator 2015
Dy luftëra botërore kasaphanë për shoqërinë dhe natyrën dhe një e tillë e ftohtë e drithëruese. Procese urbane dhe industrializim i vrullshëm me ritme marramendëse për shoqërinë dhe gulçues për frymëmarrjen e natyrës. Shthurje e plotë e sistemit kolonial dhe liri e popujve ish kolonial për të ndërtuar jetën dhe përdorur burimet e veta natyrore. Teknologji të reja të komunikimit dhe këmbimit të informacionit e dijes që shkojnë deri në zemër të planetit dhe preknin hapësirat ndërplanetare të gjithësisë dhe së fundmi fillimi i një komunikimi dhe këmbimi intensiv dhe i shumë anshëm në nivel global i vlerave humane e natyrore nën erërat e globalizmit.
Ky është një përshkrim i shkurtër i disa ngjarjeve më gjurmëlënëse për shoqërinë e shekullit të XX-të deri nga fillimi i viteve 80-të, të shekullit të kaluar. Nën peshën e përjetimeve gjurmëlënëse të ngjarjeve të sipërpërmendura aktorët e politik bërjes, qeverisjes, dijes e shkencës së toku me shoqërinë civile e protagonist të tjerë shoqërore, filluan të projektojnë një model të ri të zhvillimit të shoqërisë, modelin e zhvillimit të qëndrueshëm, Modeli në fjalë do të ofronte zgjidhjen më të mirë të mundshme për shëndetin dhe mirëqenien e shoqërisë, një model zhvillimi që përkujdesët dhe ka në qendër të vëmendjes mjedisin human dhe natyror, përtej kufijve natyrore, brezave dhe shtresave shoqërore. Janë disa ngjarje në nivel botëror të ngritura në institucion duke filluar nga vitet 70-të të shekullit të cilat filluan të projektojnë vullnetet e shoqërisë në nivel global mbi marrëdhëniet midis anëtarëve të shoqërisë, si edhe marrëdhëniet e shoqërisë me natyrën.
Konferenca e UN “Mbi Mjedisin Human dhe Natyror” e Stokholmit 1972, Komisioni i UN mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm 1983, Raporti Brundtland i këtij komisioni i vitit 1987 dhe publikimi i tij nga Universiteti i Harvard, “Rio Earth Summit” 1992 dhe “Agenda 21, E ardhmja jonë e Përbashkët” e dalë prej tij, Samiti i UN mbi Sfidat e mijëvjeçarit, Samiti i Johanesburgut 2002, Rio +20 me raportin “E ardhmja që Duam” në vitin 2012 dhe së fundmi Samiti i UN mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm i cili është duke zhvilluar punimet në Neë York nga dt 25-27 Shtator 2015, janë disa nga ngjarjet më kryesore të cilat kanë ngritur në institucion përpjekjet e lidershipit dhe aktorëve të shoqërisë në nivel global për të projektuar dhe zbatuar modelin e zhvillimit të qëndrueshëm si një model zhvillimi për shoqërinë e të ardhmes.
“Të transformojmë botën tonë; Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm”, titullohet samiti i Kombeve të Bashkuara mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili po zhvillon punimet këto ditë, programi i dalë nga ky samit përmban 17 objektiva dhe 167 detyrat specifike. Ato flasin flasin më së miri për synimet e kësaj axhende universale, nëpërmjet së cilës synohet të arrihet të realizohen sfidat e paplotësuara deri më tani të mijëvjeçarit.
Objektivat në fjalë janë të integruara dhe të pandashme dhe ekuilibrojnë tre shtyllat e modelit të zhvillimit të qëndrueshëm: ekonominë, shoqërinë dhe mjedisin të cilat vlerësohet se do të jenë tejet të rëndësishme për shoqërinë dhe planetin, jo vetëm për 15 viteve të ardhshme të përfshira në këtë program. Axhenda e dalë nga ky samit, është një program veprimi për njerëzimin, planetin dhe të ardhmen e mirë të shoqërisë, nëpërmjet së cilës kërkohet forcimi i paqes së përgjithshme dhe më shumë liri.
Çrrënjosja e varfërisë në të gjitha format dhe përmasat duke përfshirë edhe varfërinë ekstreme është sfida më e madhe globale dhe kërkesë e patjetërsueshme për modelin e zhvillimit të qëndrueshëm. Pasiguria e ushqimit bazë është shqetësim për rreth 1 miliardë persona, tamam si në vitin 1970, pabarazia e të ardhurave është duke u rritur midis vendeve të ndryshme dhe brenda të të njëjtit vend, ndërsa luftërat dhe fatkeqësitë natyrore po zhvendosin njerëzit nga vendet e origjinës.
Shumë tregues të cilët përcaktojnë zhvillimin e qëndrueshëm, duke filluar nga reduktimi i varfërisë, aksesi në edukim, ngrohja globale dhe ndotja e atmosferës, ndodhin në nivele lokale e kombëtare dhe përcaktohen nga ligjet dhe proceset e caktuara në këto nivele. Por, gjithmonë e më tepër shumë nga këto tregues përcaktohen nga rregullat që qeverisin ekonominë botërore, nga investimet dhe tregjet financiare, nga investimet në kapitale, nga mekanizmat e prezencës ndërkombëtare në vende të ndryshme dhe burimet që lidhen me këto vende, dhe në fund të fundit nga mënyra se si menaxhohen të mirat tona të përbashkëta në nivel global.
Burimet tek të cilat varet mbijetesa dhe mirëqenia jonë të tilla si: atmosfera, oqeanet, sistemet e rregullatore të klimës etj, janë burime të përbashkëta pavarësisht dëshirës tonë. Në shekullin e XX, i cilësuar si shekulli i acceleration, rritja me 4 herë e popullsisë u shoqërua me rritjen 40 herë të prodhimit ekonomik dhe rritjen 16 herë të përdorimit të karburanteve, kapja e përshkurt me 35 herë dhe 9 herë përdorimi i ujit, emetimi i CO2 u rrit 17 herë, sulfurit 13 herë, ndërsa ndotësit e atmosferës po me të njëjtin ritëm së toku me ç’pyllëzimet. Të gjithë në humbasim nëse burimet natyrore shteren ose shkatërrohen.
Për rrjedhojë, të gjitha veprimtaritë tona individuale dhe kombëtare duhet të vendosin për ecurinë dhe të ardhmen e planetit tonë. Sikundër edhe u theksua në raportin “Brundtland” 25 vite më parë (2012), asnjë aktor nuk mund t’i përballojë sfidat i vetëm, prandaj edhe veprime të përbashkëta janë të domosdoshme. Angazhimi politik i dalë nga Samiti i tokës i vitit 1992, për tërësinë e arsyeve kurrë nuk e arriti objektivin e vet. Nuk u arritën pritshmëritë e tij për eliminimin e varfërisë, reduktimin e pabarazive në standardet e jetesës, aplikimin e sjelljeve konsumatore e prodhuese të cilat konsiderojnë ekosistemet, menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Por gjithashtu, nuk u zbatuan as edhe mjetet e rrugët që u përcaktuan për të arritur pritshmëritë në fjalë. Gjithashtu angazhimi i vitit 1992, nuk mundi të arrijë pritshmëritë edhe në zhvillimet gjeopolitike të cilat i përjetojmë sot. Për rrjedhojë kërkohet nja angazhim dhe premtim i ri, i cili ofron një vizion për të ecur përpara për komunitetin ndërkombëtar, qeveritë kombëtare, sektorin privat, shoqërinë civile, botën e dijes, dhe aktorë të tjerë për zhvillim të qëndrueshëm sipas një mënyre të integruar. Kërkohet një model i ri se si i ndërtojmë dhe përshtasim institucionet, proceset e vendimmarrjes dhe menaxhimin e të mirave tona të përbashkëta lokale, kombëtare e globale për të reflektuar në mënyrë më të ndershme rendin e ri ekonomik dhe gjeopolitik. Për ta bërë të vërtetë këtë angazhim të ri global kontributi merr udhë në çdo hap të udhës tonë të mendimit dhe veprimit.